Besnik Imeri (marë nga libri “Epiri Pellazgjik”)/
Një i nxehtë afro-aziatik rrezikon të djegë identitetin autokton me rrënjë pellazgjike të Buthrotit (Butrintit të sotshëm) tonë antik, por që çuditërisht ky i nxehtë përvëlues antishqiptar vjen nga veriu i ftohtë dhe i lagësht nga troje me rreth 300 ditë shi në vit, nga Londra e lagësht. Ndërkohë që vet Buthroti ynë i ndritur zotëron, që nga koha e Kronit dhe e Zeusit, 300 ditë me diell në vit. Në këtë “zjarrvënie” të identit tonë kombëtar dhe trashëgimisë kulturore me synime antishqiptare merr pjesë me të gjitha fuqitë e saj ministria e Kulturës dhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë.
Por çfarë thonë këta inglizët? Duke filluar që nga filoheleni Nikola Hamond, dhe të tjerë sot që vijnë pas tij, thonë se Butrinti është themeluar si qytet nga helenët dhe për më tepër ka qënë koloni helene. Dhe me këtë status, këtë perlë shqiptare, qeveria rilindase ua dhuron me konçesion pasanikëve anglo-amerikanë për ta grabitur, dhunuar dhe ndryshuar historinë, identitetin e tij pellazgo-kaon në lashtësi dhe arbëroro-shqiptar në kohët e reja.
Këtë iso antishqiptare e ka shprehur para katërmbëdhjetë vjetësh një akademik shqiptar, i ndjeri Kristo Frashëri, i cili shkruan: “…kolonistët korkyrë-korinthase zbarkuan në stere, në tokën e kaonëve dhe pushtuan vendbanimin e tyre të lashtë, Buthrotin (Butrintit)…” Dhe më tej ai vazhdon: “…Në shekullin e V para e.s. kolonitë helene të brigjeve të Shqipërisë…krijuan edhe koloni bija në pika më në brendësi të territorit. Në truallin e vendbanimeve të mëparshme ilire, në Bylis, në Amantia.”
Akademikët Neritan Ceka dhe Muzafer Korkuti, këto dy vitet e fundit, i kanë dalë krah Buthrotit tonë, duke e quajtur antishqiptare tezën e të qënit helen, apo koloni helene, të tij. Neritan Ceka, në një bisedë televizive në Top-Chanel pohon, se Buthroti ështënjë vendbanim prehistorik kaon, në të cilin në shekujt e VII-V p.e.s helenët ardhacakë krijuan një emporion. Emporioni është një bashkësi tregtaresh, të cilët krijojnë një ngulim, ndoshta edhe jashtë fortifikimit të qytetit, dhe merren me tregëti. Dhe kaq. Ata, jo vetëm nuk kanë ardhur ushtarakisht, si një forcë pushtuese komanduese në qytet, siç pohon Kristo Frashëri, por nuk marrin pjesë në drejtimin e tij si një forcë legjislative apo ekzekutive, atribute të cilat i zotëronin fisnikët vendas kaonë. Në vazhdim Neritan Ceka tregon, se në shek.V p.e.s, kur mbret i mollosëve ishte Tharypa, këta tregtarë përzihen përfundimisht nga Buthroti. Dhe këtu përfundon historia e tyre.
ÇFARË THONË ARKEOLOGËT
Ndërtimi i fortifikimit të qytetit të Buthrotit, përfshirë këtu edhe fortifikimin prehistorik të akropolit të tij, datohet nga arkeologët e huaj dhe arkeologët tanë, jo më parë se shekulli i VII p.e.s. Në dallim prej tyre, Neritan Ceka, vendbanimin prehistorik të akropolit të Buthrotit e shtyn prapa në kohë duke e datuar në shekujt XI-X p.e.s në fund të periudhës së bronzit dhe fillimit të periudhës së hekurit, të cilat, ne mund t’i përfshijmë dhe mund t’i quajmë edhe si ndërtime pellazgjike.
“Më 1805 Butrinti vizitohet nga konsulli francez në Janinë, F.Pukëvil (Pouqeville), i cili ka lënë një përshkrim të mureve pelazgjike në akropol…burimin e shenjtë të Asklepit, i cili ruan veshjen me gurë të mëdhenj të punuar trashë nga një periudhë më e hershme…Ato ishin kushtime që i përkisnin një tempulli më të lashtë të tipit prostil, prej të cilit, përveç nishes, janë ruajtur edhe themelet e hershme…Gërmimet (në Buthrot, ekspeditë e viteve 1991-1996) u përqëndruan në akropolin e qytetit antik, për të sqaruar fillimet e jetës në këtë qëndër të lashtë të Kaonisë. Shtresa më e hershme i takon periudhës së hershme të hekurit, që i korespondon Protogjeometrikut të Greqisë në shekujt e XI-X p.e.s..”
Kjo datë e ndërtimit të mureve dhe portave të Buthrotit afrohet me një shekull me atë që ofron legjenda e treguar nga Virgjili. Kjo pasi kur Ene dardanidi braktisi Trojën në shekullin e XII p.e.s (sipas Eratostenit) dhe erdhi ne Buthrot, gjeti aty jo vetëm muret e akropolit te ngritura, por gjeti edhe portën “Skea”, identike me Skean e Trojës. Pra sipas kësaj, rrjedhimisht dhe llogjikisht, në shekullin e XII p.e.s muret rrethuese të Buthrotit duhej të ishin të ndërtuara.
Neritan Ceka tregon legjendën e themelimit të Butrotit: Qyteti i ndërtuar nga Heleni (trojan) ishte padyshim Butroti, siç rezulton nga legjenda e treguar nga Dionisi i Halikarnasit (II, 51, 1-2): “Ankizi me anijet u nis nga Ambrakia dhe duke lundruar gjatë bregdetit arriti në Butrot, liman i Epirit. Enea, nga ana tjetër, me ushtarët më të zgjedhur, pas një udhëtimi që mbajti dy ditë, arriti në Dodonë…Këtu gjetën edhe ata trojanë që kishin ikur bashkë me Helenin…Ardhjen e trojanëve në Butrot e tregon edhe një kodër e quajtur Troja, të cilën ata e përdorën atëhere për të ngritur lëmin. Prej Butrotit, duke ndjekur anën e detit ata arritën te limani që atëhere quhej Anhisi dhe që sot ka një emër më të paqartë, prej këndej, pasi ndërtuan faltorën e Afërditës, çanë detin Jon”. Qyteti me emër të paqartë ishte Onkezmi, Saranda e sotme (Onchesmus-Anchises).
I kthehemi përsëri legjendës që tregon Dionisi i Halikarnasit dhe shtrojmë dy pyetje: A e ka vërtetuar arkeologjia dhe historia ekzistencën e faltores së Afërditës (nënëns së Eneas) në Onkezmin e lashtë, dhe a ka gjurmë të saj sot në Sarandë, përfshirë edhe ndonjë adhurim të veçantë të kësaj perëndeshe këtu? Së dyti, a ka ndonjë lidhje midis emrit të këtij qyteti të lashtë, Onkezmi, me emrin e babait të Eneas, Ankizi? Për pyetjen e parë, deri më tani, arkeologjia nuk ka dhënë një përgjigje pohuese. Ndërsa për të dytën, mbetet një detyrë e gjuhëtarëve, pavarësisht se Onkezm me Ankiz janë fjalë të afërta: Onkez=Onkiz=Ankiz.
Hierokli ka vendosur në listën e qyteteve kryesore të Epirit të Vjetër Ankiasmin, Saranda e sotme…Në kohën perandorake ishte krijuar një qytet i vogël rreth vendit ku ndodhet sot porti dhe Straboni (VII,324) e quan atë Onkezëm. Qyteti ekziston edhe në hartën e gjeografit Ptolemeu (III,14,4), në shek.II m.Kr…Prokopi i Cezaresë (VIII,22,31) shpjegon se qyteti u quajt Ankiasëm, për të kujtuar kalimin imagjinar të Eneut dhe babait të tij Ankizit në udhëtimin e tyre nga Troja në Itali…Në vitin 551 Ankiazmi u plaçkit nga gotët e Totilës…”
Në Onkezm në lashtësi ekzistonte një tempull i Afërditës si perëndeshë portuale (Dionisios von Halikarnass: “Archaologie”, I, 51). Ndërsa unë do të isha i mendimit, se ashtu siç thotë dhe legjenda, trojanët që zbarkuan në Buthrot e në krye Eneun, kur janë larguar për në Itali i kanë ngritur në Onkezm një tempull perëndeshës Afërditë, e cila ishte një perëndeshë që adhurohej nga trojanët, por ishte dhe nëna e Eneut. Kjo e informatë nga Dionisi i Halikarnasit dhe e pasuar nga Prokopi i Cezaresë, si dhe emri i lashtë i qytetit të Sarandës me emrin e babait të Eneut, Ankizit, mendoj se i bën të pavlefshme pretendimet e mjaft historianëve dhe arkeologëve, që mendojnë se legjenda e e ardhjes së trojanëve me në krye Eneun në Buthrot dhe Dodonë është një hamendësim, ose mburrje e banorëve vendas të Buthrotit për prejardhjen trojane të tyre.
Por një informatë mjaft me interes na vjen nga arkeologu Dhimosten Budina, i cili na thotë se: “Në kodrën e Butrintit janë gjetur objekte prehistorike: dy presa stërralli, një çekan guri, një bosht dhe një rrotkë balte (Tab.XXIV). Këto objekte i përkasin gjysmës së dytë të mijëvjeçarit II p.e.s.”
Me të drejtë mund të ndodhemi para një mëdyshje: Kur banorët e kodrës së Butrintit përdornin këto vegla prehistorike, muret fortifikuese të kësaj kodre ishin ngritur?!! Por, siç na mësojnë arkeologët dhe historianët, i gjithë mijevjeçari i II p.e.s. i përket periudhës së bronzit, kohë në të cilën pellazgët kanë luzmuar me të gjithë fuqinë e tyre ekonomike dhe shpirtërore, madje dhe luftarake.
Nga arkeologu Koço Zheku na vjen një njoftim interesant, ku sipas tij: “L.M.Ugolini, duke përshkruar muret më të vjetra të akropolit të Butrintit, thotë se ato janë të ndërtuara me blloqe të mëdhenj të papunuar, që ai i quan pellazgjike…(L.M.Ugolini, L’Acropoli di Butrinto, Roma-1942, f. 26).” Pra edhe vetë Ugolini pranon se akropoli i Buthrotit, si vendbanim i fortifikuar, është prehistorik dhe i ndërtuar nga pellazgët (ndërkohë që Foinikes i jep një kohë shumë të vonë, rreth 7-8 shekuj), dhe, kur erdhën kolonët helenë ai ekzistonte si qytet i fisit të Prasaibëve, ose Kaonëve më gjërë. Pra nuk është ndërtuar prej tyre. Gjërat qartësohen; pra nuk mohohet që gjatë kohës që kolonët ndodheshin në qytetin e Butrintit, kanë ndodhur meremetime ose ngritje muresh të reja, ashtu siç i përshkruan Neritan Ceka. Por, kjo periudhë, kurrësesi nuk është mosha e vetë qytetit apo datëlindja e tij. Kjo e shumta është mosha e rritjes dhe pjekurisë së tij. Ndërtimet në Butrint kanë vazhduar edhe në periudhën romake, madje edhe në mesjetë me venecianët, dhe më pas, me Ali pashë Tepelenën. Pra, dy personalitete, Pukëvili dhe Ugolini i kanë quajtur muret e lashta të akropolit të Butrintit, pellazgjike.
Më pas, nga ato që përshkruan Neritan Ceka për trakte dhe pjesë të veçanta muresh, shkallares se teatrit etj, të cilat për nga stilet e ndërtimit i njëjtëson me ndërtimet në Dodonë, Çukën e Aetoit, Foinike etj. Ne, në mënyrë indirekte, duke i menduar dhe quajtur këto të fundit si pellazgjike, detyrimisht, të tilla do të quajmë edhe ato të Buthrotit. Ndjekim se çfarë na thotë Neritan Ceka:
“…Shkallarja (e teatrit të Buthrotit) është vendosur brenda një katrori…, të kufizuar nga mure anësore të përforcuara me kontrafortë, duke imituar një model të njohur nga teatri i Dodonës...Pjesa më e ruajtur e murit pranë portës Skea është ndërtuar me blloqe të mëdha në formë trapezoidale. Gjërësia prej 3,50 m e murit përbëhet nga dy parete dhe mbushja prej gurësh të papunuar…”
Mure prehistorik pellazgjik.1.Buthrot.2.Etrusk Toskanë-Itali. Duket e njëjta teknollogji e ndërtimit të themeleve pellazgjike.
Kur i shikon këto mure në ilustrimin e lartëpërmendur, padyshim, të krijohet një bindje, se këtu kemi të bëjmë vetëm me mure pellazgjikë; dhe, akoma më tej kur, të tillë trakte muri, madje edhe ne themel të mureve të mëvonshme, i gjen të njëjtë edhe tek muret etruske, të cilat janë padiskutim pellazgjike; atëherë pa frikë mund të thuhet, se ky trakt muri në akropol të Butrintit është pellazgjik. Por jo vetëm kaq, koha e ndërtimit të tyre në shek.V p.e.s, qoftë edhe në shekullin e VII p.e.s, vihet në dyshim.
Dhimosten Budina në lidhje me muret dhe gjetjet arkeologjike në Butrint na thotë: “Në akropol Ugolini dhe D.Mustili gjetën qeramikë të shek.VIII p.e.s…Kodra e Butrintit është rrethuar me tri rradhë muresh…lartësia maksimale e tyre është 12 m, ndërsa trashësia nuk shkon më tepër se 4 m…shpesh mbi murin antik është ngritur muri mesjetar. Në disa raste blloqet e gurit të murit antik janë përdorur për ndërtimin e murit mesjetar…
Në anën jugore të akropolit ka një trakt muri që zbuluesi e ka quajtur mur “pellazgjik”. Është ndërtuar me blloqe gurësh, me përmasa 1,40 x 1m…Ky tip muri konsiderohet nga më të vjetrit që ekzistojnë në Butrint, ndoshta paragrek (Tab.XXV.)…Pak më tutje duken disa trakte muresh të tjera, të ndërtuar me blloqe gurësh poligonalë me përmasa: 1,30 X 0,75 m; 2,40 x 1m; Trakte të tjera të këtij tipi duken edhe në anët e tjera të kodrës, në anën veriore dhe jugore…blloqe gurësh paralelopipedë…(Tab.XXXV)…mendohet se Butrinti ka pasur 7 porta…”
Gjerak Karaiskaj informon për ekzistencën e një muri prehistorik (që për ne janë mure pellazgjikë) në akropol të Butrintit, mbi të cilin janë ngritur muret antike: “Muri prehistorik me gurë të papunuar, që formonin boshllëqe të konsiderueshme në vendosjen midis tyre,u rindërtua me një teknikë më të përparuar, me blloqe me përmasa të mëdha, që i kalojnë 2 m në gjatësi dhe 1 m në lartësi, të prera në formë poligonale dhe më tepër trapezoidale. Fundi i shek. V ose gjysma e parë e shek. IV do të ishte koha më e mundshme e ndërtimit të tij.”
Eva Brinja në lidhje me muret lashta të akropolit të Butrintit pohon: “Muri i parë fortifikues i takon periudhës së hekurit me gurë të palatuar dhe të një madhësie 2 x 1 m me peshë 4-5 tonë.”
Në lidhje me këtë problematikë Neritan Ceka, në vitin 1983, këto fortifikime prehistorike në Kaoni i kategorizon si ndërtime protoqytetare. Ndjekim pohimin e tij: “Në territorin e Kaonisë kemi dy vendbanime protoqytetare tipike, në Buthrot dhe Kalivo. Në Butrot fortifikimi protoqytetar përfshinte pjesën më të lartë të kodrës me një sipërfaqe 0,7 ha. Trakte të ruajtura të këtij fortifikimi ndeshen në anën jugore të kodrës ku gurët janë ripërdorur në muret më të vona të periudhës qytetare apo antike të vonë…Blloqet e përdorura në murin e këtij fortifikimi…nuk paraqesin faqe të rregullta. Përmasat e tyre janë të mëdha e mesatare (1,45 x 1 m; 1,20 x 0,90 m; 0,85 x 0,40 m). Në vendosjen e tyre është pasur kujdes që të mënjanohen zbrazëtitë duke i plotësuar me gurë më të vegjël. Nuk ka një rreshtim të caktuar, por vihet re një vendosje e rregullt…”
Një ide interesante, e cila mbështet mendimin tonë dhe që tregon se Butrinti rreth viteve 2500 p.e.s është banuar nga pellazgët, është hedhur edhe nga arkeologu Dr.Shyqyri Demiri në vitin e largët 1936 të pasqyruar në një shkrim të emërtuar “Arkeologjia dhe autoktoniteti Ilyro-shqiptarëve”.
Ky shkrim është gjetur nga Moikom Zeqo dhe ai i befasuar e ka publikuar në vitin 2013. Ja se si e rrëfen ai: Duke shfletuar një koleksion të gazetës “Illyria” të vitit 1935, pashë një shkrim profesional për arkeologjinë, botuar në datën 31 dhetuer 1935 dhe me vijim në datën 4 kallnuer 1936 të një njeriu që nënshkruan Dr. Shyqri Demiri. Titulli i shkrimit është “Arkeologjia dhe autoktoniteti Ilyro-shqiptarëve”. Kam mbetur i befasuar kur e lexova, duke kuptuar se kisha të bëja me tekstin e një dijetari shqiptar i cili kishte fituar gradën shkencore Doktor në arkeologji.
Paraqesim këtu pjesën që na intereson nga ky shkrim, i cili flet për Buthrotin pellazgjik 4500 vjeçar: “Zbulime paleolithike mungojnë, po gjurma kulturore dalin piksëpari në fazën e fundshme neolithike. Konstatohen katër klasë të gjetunash, ndër të cilat âsht edhe nji thikë obsidiani qi u’gjet në Butrinto e me qênë se ky farë guri në Shqipní nuk gjindet po në ishullin e Melos, duken kjartas relacjonet qi kanë pasun banorët e këtushëm me vendet e largta të Mesdheut, qysh në kohët mâ të para (2500 p. Kr.). Në pikpamje ethnologjike kemi të bâjmë ktu me nji popullsi paraindoeuropiane, si duket me Pelasgët.”
Me siguri që thika prej guri të obsidianës është gjetur në Buthrot nga misioni arkeologjik i Ugolinit. Por ajo që është e rëndësishme nga pohimi i Shyqyri Demirit (dhe ndoshta i paekspozuar nga Ugolini) është fakti që Buthroti është banuar në mijëvjeçarin e tretë p.e.s, kohë e cila njihet si periudhë e luzmimit të pellazgëve në të gjitha brigjet e Mesdheut. Por jo vetëm, në të njëjtën kohë ai ka qënë në marrëdhënie tregtare me pellazgët e ishujve të Egjeut, pikërisht me ata të ishullit të Melos. Por 4500 vjet jetë në Buthrot vjen në sinkron me idenë tonë; 5000 vjet qytetërim pellazg i Epirit.
Besnik Imeri (marë nga libri “Epiri Pellazgjik”)