


New York, – Në Selinë Qendrore të “Vatrës” u mirëpritën aktorët nga Gjakova, Besfort N. Berberi dhe bashkëshortja e tij, skenaristja Vlera Pylla, të cilët ndodhen në SHBA me shfaqjen e tyre të suksesshme “Kjo është rinia jonë”.
Në këtë takim, këshilltari për Kulturë dhe Art për “Vatrën”, z.Nazim Salihu, prezantoi historikun e kësaj organizate historike e patriotike që nga themelimi i saj në vitin 1912 e deri sot, duke vlerësuar kontributin e personaliteteve kombëtare e mbarë vatranëve në çështjen kombëtare dhe mbështetjen e tyre të pandërprerë për atdheun, kombin e komunitetin.
Z. Salihu informoi të pranishmit edhe për historinë e gazetës Dielli dhe për veprimtarinë e degëve të “Vatrës” të hapura në shumë shtete të Amerikës, si dhe për shkollat shqipe që funksionojnë në degët e Vatrës në shërbim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Gjatë vizitës, artistët Besforti dhe Vlera ndanë me emocion rrëfimin e tyre mbi rrugëtimin artistik dhe sfidat që përjetuan deri në shfaqjen e dramës-monolog “Kjo është rinia jonë”, e cila u prezantua me sukses në Producers Club, Broadway, Manhattan, New York.
Aktorët u shprehën të knaqur dhe të emocionuar për pritjen e ngrohtë që drama gjeti tek publiku amerikan dhe shqiptar në katër netët e saj të para.
Sipas tyre, mesazhi i shfaqjes synon të frymëzojë të rinjtë kudo që ndodhen, duke i inkurajuar të ndjekin ëndrrat dhe identitetin e tyre kulturor, artistik dhe suksesin.
Në përfundim të takimit, Besforti dhe Vlera falënderuan “Vatrën” për mikpritjen dhe përkushtimin në ruajtjen e vlerave kombëtare shqiptare.