SI HISTORIA SI AKTUALITET NË NJË ROMAN…
– Rreth librit “Këpuca e aktorit” e shkrimtarit Visar Zhiti –
Nga Milto Skrami,
Inxhinier elektrik.
Illinois, SHBA
Të vleresosh veprën e një shkrimtari është një përgjëgjësi, do të thosha jo vetëm artistike, e kritikës profesioniste, por dhe grupeve të lexuesve, dhe e një lexuesi të zakonshëm, teksa ato varen nga tendencat apo interesat që ata kanë, shpesh jashtë letrare deri edhe ideologjike.
Unë si lexues, romanin e fundit “Këpuca e aktorit” të shkrimtarit Visar Zhiti, e lexova me kënaqësi të veçantë dhe m’u duk i veçantë, që ka vulën dhe mëshirimin e talentit dhe të personalitetit të autorit dhe më futi në mendime duke i bërë pyetje vehtes: në ç’lloj romani mund të klasifikohet? Çfarë teknikash ka përdorur autori që lexuesi të përftojë një roman të tillë? Origjinal dhe tërheqës me një gamë të gjërë kohësh dhe karakteresh, të organizuar në një mënyre të re?
Për një gjë jam i sigurtë, ai nuk është një roman narrative i zakonshëm, por përsëri vazhdoj ta pyes vehten:
1- A është post-modernist që eksperimenton me meta-fiction?
2- Apo modernist, që është kundër konstruksionit tradicional, i shkruar qellimshëm në mënyre fragmentare për te kapur hapësirë më shumë?
3- Apo i realizmit magik? (Teknika treguese realistike, të kombinuara me elemente surreale dhe fantazi.)
4. Apo ekzistencialist? (Thekson ekzistencen e individit si një agent i lirë dhe përgjegjës për veprimet e tij )
Mua më duket se romani “Këpuca e aktorit” ka nga të gjitha këto, një përzierje e suksesshme sikurse janë edhe romanet bashkëkohore të sotme, ndërkohë dhe më e r;endësihmja, është një roman që ka matrikullën e vetë Visarit. Për më tepër ka një shqipe letrare të bukur, që ke dëshirë ta ndjesh dhe që nuk e gjen shpesh në letersinë shqipetare bashkëkohore.
Romani duket si një udhëtim në kohë i një familjeje, rrëfyer me aq sinqeritet sa duket si e tij, por mendoj, që është kalvari i familjes shqiptare, këpuca e saj në tre kohë, mbretëri, diktaturë dhe postdiktature apo demokraci jo funksionale, siç kemi dëshirë ta kritikojmë.
Mbetja shpesh e vetëm një këpuce, (një metaforë e gjetur dhe kuptimplotë), duket se është edhe rrugëtimi i çalë i Shqipërisë në kohëra, po ashtu edhe teatri me dukuritë dhe çështjet e veta është vetë Shqiperia, ku të gjithë pjesëmarrësit në një mënyrë apo tjetrën, me dijen dhe mosdijen e tyre, me veprimet dhe mosveprimet, injorancën dhe vrazhdësinë, indiferendizmin, militantismin, vizionet, humbjet, etj, duke patur përsipër dhe agresivitetin shteteror, etj kontribuojnë me historitë e tyre individuale dhe kolektive në zhvillimin apo moszhvillimin, në normalitetin apo mosnormalitetin e Shqipërisë.
Nëntekstet e rrëfimtarit janë plot me dhëmbje, por pa mbllefe, me ironi, por pa urrejtje, një tjeter veti fisnike e personalitetit të autorit. Ai i përshkruan qartë dhe me koncizitet mjediset si dhe personazhet fiktive dhe ato realë, I përafron përjetimet sa dhe vetë lexuesi ndjehet pjesëmarrës në to.
Ai bën analiza psikologjike të përthelluara të personazheve, të cilët jetonin të dyzuar, të friksuar dhe të shtypur në çdo aspekt të jetës së tyre nën diktaturën e proletariatit.
Ishte një kohë kur sterilët trushplarë e vigjilentë, drejtuesit politikë që orkestronin atë kakofoni buçitëse dhe tërhiqnin fijet nga mbrapa si në një teatër kukullash dhe survejimi i Sigurimit të Shtetit ishin në sinkron të plotë, por absurd. Njerëzit pa mbështetje dhe ata q:e kujtonin se e kishin, nuk guxonin dhe nuk e imagjinonin që mund të flisnin të lirë, p.sh, për fenë, jo më që të ankoheshin për partine e tyre “mëmë”, apo të ndiqnin modën, qoftë dhe atë Lindore, jo më të mbanin baseta apo floke të gjata apo fund sipër gjurit sin ë Perëndim, etj. Nuk kishte pak të pakënaqur në Shqipërinë e asaj kohe, por kishte vetëm shumë pak të kënaqur, që s’donin t’ia dinim përtej pragut të tyre. Ishte vërtetë një shoqëri e privuar, e shtrënguar dhe e presuar, që dukej sikur nuk dinte të shpërthente më, por ja që ndodhi dhe vendi u hap. Kaos në çdo aspekt të jetës. Romani “Këpuca e aktorit” është një pasqyrë e kësaj. Shkon dhe më tej. Ka një kombinim intrigues i botës reale me irealen, me të përtejmen e bën librin edhe më të ngrohtë dhe më shpirtëror.
Romani “Këpuca e aktorit“ është një nga veprat më të mira të letërsisë moderne shqiptare, vleresimi im është me superlativa.
Më vinte të bëja krahasime, teksa lexoja librin, nga kapitulli në kapitull, nga njëra skenë në tjetrën me librat e tjerë të shkrimtarëve të shquar në botë, të mirënjohur, me çmime prestigjioze e nobelistë në letërsi si me Harper Lee “To kill the Mockingbird “, Toni Morrison “Beloved “, Gabriel García Márquez “One Hundred Years of Solitude “, Orhan Pamuk “Istanbul” apo Jerome Salinger “The Catcher in the rye”, etj.
Kështu dhe Visar Zhiti. Nëpërmjet linjës familjare përshkruan dhe jep tabllone e Shqipërisë në shumë dekada e disa epoka. Këtë ka bërë nobelisti turk në librin “ Istanbul” duke përshkruar jetën e qytetit nga përvoja vetanake pa fshehur dhe duke ndërlidhur realen me artistiken. Sikurse edhe Harper Lee në librin “To kill the Mockingbird “ (Të vrasesh zogun e vogël e të urtë) me përshkrimin e qytetit që tjetër dukej në aparencë dhe tjetër nën të, me llumin e një standarti morali të dyzuar. Konkluzioni është që i keqi është i keq dhe horri është horr në çdo kohë dhe në çdo vend dhe nuk ka as ngjyrë dhe as shtresë shoqërore dhe as nacionalitet. Tipin e Çaços me shokë dhe të familjes së tij në romanin “Këpuca e aktorit” e gjen kudo, Visari e solli në formën e provincës shqiptare.
Në roman, krahas rrjedhës kryesore të ngjarjeve, të sagës së familjes dhe teatrit, prishjes dhe tragjizmit përmbyllës, të shkruar me mjaft mjeshtëri, ka ndodhi dhe episode njerëzore e shumë detaje goditëse, realitet historik e aktual dhe fantazi, mbresëlënëse dhe risi si takimi me At Fishtën në Shkodër, tjetër, në shtëpinë e Nënë Terezës dhe motrave të saj në Tiranë, Mit’hat Frashëri në luftën me libra, cigania, bariu dhe ujku me delen që i shkon nga pas, etj, Pinoku, i riparuar me dru shqiptar, që mund t’i shtohej edhe dru tjetër ballkanik, lufta italo-greke dhe poeti nobelist, nëntoger Odisea Elitis, gjetja e këpucës tjetër të vjedhur dhe matriarkati në fshatrat e largët të Elbasanit, thyerja e bustit të Enverin, hapja e Shqipërisë, aktorët e rinj në teatrin e demokracisë, Irisi në Çikago dhe djali nga Prizreni, shoku i saj, etj, etj, të cilat përmbledhin kohë të atdheut dhe e bëjnë romanin me interes të gjerë e mjaft tërheqës artistikisht nga fillimi deri në fund.
Romani ka dhe anën suprizuese dhe integruese. Po rikthehem pas në episodin kyç: “Ju luani mirë”, fjalë të cilat Enveri ia tha protagonistit, aktorit Hektor Tomorri, të cilat aq sa i japin kënaqësi dhe siguri, po aq e shqetësojnë dhe ndjehet i kërcënuar. Mendon se nuk do ta ketë të gjatë. Pasi di bëmat e Enverit, vrasjen e kunatit të tij, Bahri Omari, apo çfarë ai inskenoi me dramën “Njollat e Murme“ apo eliminimin e bashkëpunëtorëve të vet në emër të partisë së tij, e lejon fantazinë ta çojë protagonistin apo këdo persoanzh para skuadrës së pushkatimit, aq më tepër që në roman na shfaqen në mënyrë dramatike gjyqet e para, të cilat u bënë në skenat e Teatrit të kryeqytetit, ku gjykatësit ishin gjykatës të vërtetë, partizanë të sapo dalë nga lufta dhe ata që do të denoheshin, do të pushkatoheshin vërtet, intelektualë e gazetarë e mes tyre dhe një grua shkrimtare.
Hektori pati fat tjetër, shpëtoi. E pësoi teatri, kur nuk pritej, e shëmbin, pikërisht në orën kur bëheshin dhe pushkatimet, gjejmë që në faqen e parë të romanit. Dhe ndodhin mënxyra të tjera e shaktërrime, anarki dhe fundi i romanit ka prapë luftë, ajo e Ukrainës, por ama ofron shpresë dhe optimizem. Faqja e fundit e romanit, në kundërshtim me faqen e parë që përmend pushkatimet, mbyllet me Irisin, vajzën e Hektorit, të rritur dhe të lumtur, në pritje të një fëmije.
Si përfundim romani “Këpuca e aktorit” të Visar Zhitit, ku historian a vjen si kaualitet dhe aktualiteti si histori, është një ecje e bukur drejt jetës që rilind çdo ditë.
Ballina e romanit me një piktir;e nga Atjon Zhiti Inxhinier Milto Skrami në Çikago