
Analizë nga Rafael Floqi/
Në prag të zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2024 dhe me një klimë politike të polarizuar si kurrë më parë, emri i George Soros-it rikthehet në qendër të debatit politik dhe juridik në Shtetet e Bashkuara. Ish-presidenti Donald Trump, i cili është vetë i përfshirë në disa procese gjyqësore, ka kërkuar që Soros dhe djali i tij Alexander të akuzohen sipas ligjit RICO – Akti Federal për Organizatat e Ndikuara nga Raketarët dhe të Korruptuara. Sipas Trump, Soros ka përdorur pasurinë e tij për të financuar “protesta të dhunshme” dhe për të ndikuar në mënyrë të paligjshme jetën politike e juridike amerikane.
Ky pretendim, që nga njëra anë shihet si pjesë e strategjisë elektorale të Trump për të mobilizuar bazën e tij konservatore, dhe nga ana tjetër si një alarm mbi fuqinë e pakufishme të miliarderëve në politikë, ka hapur një debat të gjerë: a mund të konsiderohen aktivitetet e Soros-it si pjesë e një “organizate kriminale” sipas RICO-s, apo kemi thjesht një përplasje politike ku ligji përdoret si armë? Për ta kuptuar këtë, duhet parë jo vetëm historia e Soros-it dhe ndikimi i tij, por edhe natyra e vetë ligjit RICO dhe aplikimi i tij në raste të tjera.
Donald Trump dhe RICO: një mjet juridik apo një armë politike?
Ligji RICO (Racketeer Influenced and Corrupt Organizations Act), i miratuar në vitin 1970, ishte konceptuar fillimisht për të luftuar mafian dhe organizatat kriminale që operonin si struktura të ngjashme me korporata. Ai lejon prokurorët të akuzojnë individë që janë pjesë e një “sipërmarrjeje kriminale të përhershme”, edhe nëse vetë nuk kryejnë çdo akt të paligjshëm, por kontribuojnë në mënyrë të qëndrueshme në aktivitetin e saj.
Në dekadat e fundit, RICO është përdorur në mënyrë të zgjeruar, nga proceset kundër bandave të rrugës, deri te kompanitë farmaceutike dhe rrjetet e korrupsionit politik. Pikërisht kjo fleksibilitet e bën atë tërheqës për Trump-in: është një instrument i fuqishëm që mund të përdoret për të ngritur akuza të gjera dhe për të dhënë dënime të rënda.
Në deklaratat e tij, Trump akuzon Soros-in se ka financuar protesta të dhunshme në SHBA (sidomos ato pas vrasjes së George Floyd-it dhe protestat kundër vendimeve të Gjykatës së Lartë), se ka mbështetur prokurorë progresistë që “sabotuan ligjin dhe rendin” dhe se ka ndikuar në politikat e migracionit e të drejtësisë sociale në mënyrë që minojnë “themelin amerikan”. Sipas tij, kjo përbën një “sipërmarrje kriminale” me pasoja të rënda kombëtare.
Por, a mjafton kjo për të justifikuar një proces sipas RICO-s? Për ta parë, duhet të kuptojmë më mirë profilin e Soros-it dhe aktivitetet e tij.
George Soros: filantropi, ideologu, spekulanti financiar

George Soros, miliarder me origjinë hungareze-hebraike, është një nga figurat më të përfolura në politikën botërore. I njohur fillimisht si “njeriu që thyeu Bankën e Anglisë” në vitin 1992 përmes spekulimeve valutore, Soros ka përdorur pasurinë e tij për të financuar një nga rrjetet më të mëdha të fondacioneve filantropike në botë: Open Society Foundations (OSF).
Përkrahësit e shohin si një kampion të demokracisë liberale, të të drejtave të njeriut dhe të shoqërisë civile. Ai ka financuar rrëzimin e regjimeve komuniste në Evropën Lindore, ka mbështetur aktivistët kundër aparteidit në Afrikën e Jugut, dhe ka investuar miliarda në arsimin, median e pavarur dhe shëndetësinë në vende të ndryshme të botës.
Kritikët, megjithatë, e akuzojnë për ndërhyrje politike, manipulim të opinionit publik dhe shkatërrim të sovranitetit kombëtar. Në SHBA, ai ka financuar kandidatë progresistë për prokurorë të qarkut, të cilët më pas kanë zbatuar politika më të buta ndaj krimit – duke shkaktuar polemika të forta mbi rritjen e kriminalitetit. Në Evropë, veçanërisht në Hungari, Viktor Orbán e ka përdorur figurën e tij si simbol të “globalizmit” dhe “antivlerave” që minojnë traditën kombëtare.
Në Shqipëri, Soros ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në reformën në drejtësi, përmes fondeve të USAID dhe OSF. Një pjesë e madhe e elitës së re juridike është formuar me bursat e tij, ndërsa struktura si SPAK dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë marrë trajnim dhe mbështetje nga programet e lidhura me fondacionet e tij. Për këtë arsye, kritikat ndaj tij në vend shpesh shoqërohen me akuzën se drejtësia shqiptare është bërë “vegël e Soros-it”.
Akuzat dhe kundër-akuzat
Nga një këndvështrim, akuzat e Trump ndaj Soros-it mund të duken si një vazhdimësi e narrativës populiste: miliarderi progresist, që financon kaosin dhe përmbys vlerat konservatore, është kundërshtari ideal për të mobilizuar bazën republikane. Në këtë logjikë, Trump e kthen Soros-in në një “armik publik numër një”, një figurë të jashtme ndaj popullit amerikan.
Por, në planin juridik, vërtetësia e këtyre akuzave është shumë më komplekse. Për të dënuar dikë sipas RICO-s, duhet të provohet ekzistenca e një sipërmarrjeje kriminale të qëndrueshme dhe një seri veprimesh të paligjshme. Financimi i OJQ-ve apo i fushatave politike nuk është në vetvete i paligjshëm, për sa kohë respektohen ligjet për transparencën dhe financimet.
Mbështetësit e Soros-it e shohin këtë si një sulm politik të rrezikshëm, që synon të kriminalizojë aktivizmin politik dhe filantropinë. Ata paralajmërojnë se, nëse RICO fillon të përdoret kundër financuesve të opozitës politike, atëherë linja ndarëse mes krimit dhe pluralizmit do të bëhet e paqartë.
Rasti shqiptar: Soros, drejtësia dhe politika

Në Shqipëri, debati për Soros-in ka marrë një dimension të veçantë. Kryeministri Edi Rama është konsideruar shpesh si një aleat i afërt i tij. Fondacioni “Shoqëria e Hapur” ka pasur një rol të madh në mbështetjen e reformës në drejtësi, ndërkohë që opozita e ka parë këtë si një “kapje” të sistemit.
SPAK, si strukturë e re e krijuar për të luftuar korrupsionin, shpesh përmendet si “projekti i Soros-it”. Për opozitën, kjo është prova që drejtësia po përdoret politikisht për të goditur kundërshtarët dhe për të mbrojtur pushtetin aktual. Nga ana tjetër, përkrahësit e reformës argumentojnë se, pa këtë mbështetje ndërkombëtare, sistemi gjyqësor shqiptar nuk do të kishte mundur të pastrohej nga korrupsioni i trashëguar.
Analisti politik Ted Wood në kolumnën e tij në “Washington Times” pyet nëse është në rregull që ambasadori amerikan në një vend të huaj të shantazhojë një parti politike në mënyrë që të sigurojë një avantazh për partinë tjetër.
“A është ambasadori amerikan në rregull për të diktuar rrjedhën e politikës në një vend të huaj, dhe në këtë mënyrë të drejtojë kërcënime në formën e pasojave që do të ndjekin ata që nuk do të punojnë sipas diktatit. A është e pranueshme që ambasadori amerikan të zbatojë agjendën e miliarderit hungarezo- amerikan dhe fondacionit të tij, e jo interesat e SHBA, shkruan në “Washington Times”, analisti politik dhe eksperti i sigurisë Ted Wood.
Në këtë skemë transnacionale, Edi Rama, si mik dhe bashkëpunëtor i hapur i Soros-it dhe në raportet e tij diplomatike, dhe afariste edhe me Trump, nuk do të dijë se si do të luajë. Ai mund të shfrytëzojë ndikimin e Soros për të forcuar reformat e drejtësisë dhe legjitimitetin ndërkombëtar, ndërsa lidhjet ekonomike me Trump dhe dhëndrin Kushner, mund të përdoren për të ruajtur një qasje pragmatike ndaj marrëdhënieve amerikane dhe investimeve private. Por kjo balancë e ndjeshme e dëshirueshme mes interesave progresive dhe konservative e vendos Ramën në një pozicion ku nuk do të mundë të ekuilibrojë dot me kujdes ndikimet e jashtme të lidhjeve të njohura me Sorosin, me interesat private të Trumpit, për të forcuar pozicionin e tij politik, por sesa, kjo do të mund të shihet. Tani duket se është më e vështirë një akrobaci qё të ulet në dy karrige.
Në këtë kuptim, rasti i Shqipërisë është një miniaturë e debatit global: a është Soros një garant i demokracisë, apo një manipulator i saj?
Analiza juridike: mundësia e një procesi RICO kundër Soros
Nga pikëpamja juridike, ngritja e një padie RICO ndaj Soros-it do të ishte një sfidë e jashtëzakonshme. Për ta justifikuar, prokurorët do të duhej të provojnë se Soros ka krijuar një strukturë kriminale të përhershme, e cila ka kryer akte të paligjshme të përsëritura (p.sh. pastrim parash, korrupsion, mashtrim). Deri më sot, nuk ka asnjë provë të tillë publike.
Në të kaluarën, RICO është përdorur për të ndjekur figura politike (p.sh. kryetarë bashkish të korruptuar) ose korporata që kanë kryer mashtrime sistematike (si kompania Purdue Pharma në krizën e opioideve). Por nuk ka ndonjë precedent të qartë për aplikimin e tij kundër një filantropi për shkak të financimit të OJQ-ve.
Në këtë aspekt, akuzat e Trump duken më shumë si një presion politik dhe një paralajmërim: nëse ai kthehet në pushtet, nuk do të hezitojë të përdorë mjetet juridike për të goditur kundërshtarët e tij ideologjikë.
Sigurisht, krimi i organizuar, dhuna e bandave dhe terrorizmi janë kërcënime për shoqërinë që qeveritë duhet t’i luftojnë. Por ligjet penale të tepërta bëhen shumë lehtë rrjete trazirash. Një person që vë një bombë dhe dikush që blen ushqime për anëtarët e tjerë të të njëjtit grup, nuk janë ekuivalentë moralë të njëjta pёr dënim, shkruan Matthew Cavedon nga Think Tank-u demokrat Cato.
Por ai që vepron dhe ai që e paguan këtu është punë tjetër? Ndoshta qëllimi i Trump para zgjedhjeve afat mesme nuk është është dënimi i Soro-s, por pengimi i donacioneve të tij pёr demokratët.
Implikimet politike dhe ndërkombëtare
Çështja Soros-Trump nuk është thjesht amerikane. Ajo ka pasoja globale. Në Evropë, ku Soros ka qenë i përfshirë për dekada në financimin e shoqërisë civile, një proces RICO ndaj tij do të interpretohej si një mesazh i qartë kundër aktivizmit liberal. Regjimet autoritare do ta përdornin këtë si argument për të mbyllur OJQ-të dhe për të kriminalizuar kundërshtarët.
Në Shqipëri, një akuzë e tillë do të kishte efekte të menjëhershme në perceptimin e reformës në drejtësi dhe në raportet e Ramës me Perëndimin. Një kryeministër që ka ndërtuar imazhin e tij mbi mbështetjen e Soros-it do të gjendej në një pozitë të vështirë nëse ky i fundit do të shpallej “armik publik” në SHBA.
Në vetë SHBA-në, kjo përplasje është pjesë e një lufte më të madhe ideologjike: kush kontrollon drejtësinë, median dhe narrativën publike. Për republikanët, Soros është simboli i “elitës globaliste” që kërkon të shkatërrojë kufijtë kombëtarë; për demokratët, ai është një filantrop që mbron të drejtat dhe liritë.
Përfundim: mes drejtësisë dhe politikës
Debati për Soros-in dhe RICO-n na çon drejt një pyetjeje thelbësore: ku mbaron politika dhe ku fillon drejtësia? Në një sistem demokratik, përdorimi i ligjit për të ndjekur kundërshtarët politikë është një rrezik i madh. Por, nga ana tjetër, nëse pasuria dhe ndikimi i miliarderëve nuk kontrollohen, demokracia mund të kthehet në një lojë të blerë nga më të pasurit.
Donald Trump, me thirrjen e tij për të akuzuar Soros-in sipas RICO-s, ka hapur një betejë që shkon përtej një personi apo një fondacioni. Është një betejë mbi vetë natyrën e demokracisë amerikane: a është ajo një sistem i hapur ku kapitali dhe filantropia mund të formësojnë politikën, apo një rend që duhet të mbrohet nga ndërhyrjet e fuqive private?
Në këtë debat, Shqipëria mbetet një shembull ilustrues i ndikimit të Soros-it dhe dilemës që ai ngre. Reforma në drejtësi, e mbështetur nga fondacionet e tij, shihet nga njëra anë si shpëtimi i vendit nga korrupsioni, dhe nga ana tjetër si një instrument për të konsoliduar pushtetin e Ramës.
Nëse Soros do të përballej realisht me një proces RICO në SHBA, kjo do të kishte pasoja të thella jo vetëm për të, por për të gjithë arkitekturën e shoqërisë civile ndërkombëtare. Për momentin, duket më shumë si një armë retorike në fushatën e Trump, por precedentët na mësojnë se retorika mund të bëhet realitet. Dhe në atë pikë, miqtë dhe armiqtë e Soros-it, nga Uashingtoni deri në Tiranë, do të duhet të përcaktojnë qartë ku qëndrojnë.
Presidenti Trump sapo i njollosi Soros-ët si protestues të dhunshëm për veprimet e paspecifikuara të të tjerëve me të cilët ata mund të kenë lidhjet më të largëta, megjithatë thënia amerikane thotë “follow the money”.