-ALBANOLOGJIA NË UNIVERSITETIN “SHËN KLIMENT OHRIDSKI” NË SOFJE TË BULLGARISË
Albanologe Ekaterina Tarpomanova, profesore e asociuar, përgjegjëse për gjuhën shqipe në Katedrën e Gjuhësisë së Përgjithshme, Indo-Evropiane dhe Ballkanike të Fakultetit të Filologjive Sllave në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, tregon historikun e gjuhës shqipe, interesin e të huajve për të mësuar shqip dhe lidhjet gjuhësore të shqipes me bullgarishten, rumanishten dhe greqishten. Qëllimi ynë sipas Prof. Ekaterina Tarpomanova është që t’i motivojmë studentët dhe të ndezim tek ata dashurinë ndaj Ballkanit, por një dashuri që buron nga kuptimi i thellë i proceseve që zhvillohen në këtë kënd interesant të Evropës.
GJUHA SHQIPE DHE LIDHJET GJUHËSORE ME BULLGARISHTEN, RUMANISHTEN DHE GREQISHTEN
Pasi u diplomova në degën e Ballkanistikës në Universitetin e Sofjes, nisa doktoraturën time me temë “Funksionet e përemrave në gjuhët ballkanike”. Mentorja ime ishte ballkanologia e shquar, prof. Petja Asenova. Studimi im përfshin katër gjuhët e lidhjes gjuhësore ballkanike – bullgarishten, shqipen, rumanishten dhe greqishten, të cilat kanë zhvilluar tipare të përbashkëta në strukturën e tyre gramatikore në sajë të kontakteve shumëvjeçare intensive midis popujve dhe gjuhëve të Ballkanit. Kjo bashkëjetesë e shoqërive dhe kulturave në Ballkan ishte shkaku që të formohet lidhja gjuhësore, ose Sprachbundi. Pra, studimi im është një pjesë e gjuhësisë ballkanike – fusha shkencore, e cila studion proceset në lidhjen gjuhësore ballkanike. Gjuha shqipe është një pjesë e rëndësishme si në punimin tim të doktoratës, ashtu edhe në gjuhësinë ballkanike në përgjithësi, sepse pa ditur proceset në këtë gjuhë, nuk mund të shpjegohen proceset në Sprachbund-in ballkanik. Nga ana tjetër, ajo është një sfidë e madhe për studiuesit. Meqë bullgarishtja është pjesë e gjuhëve sllave, rumanishtja – e gjuhëve romane, për greqishten kemi burime me shkrim shumë të hershme që datojnë para erës sonë, zhvillimi i këtyre gjuhëve gjatë shekujve është pak a shumë i qarte, ndërsa për shqipen punojmë gjithmonë me hipoteza. Por pikërisht kjo, sipas mendimit tim, e bën interesante dhe tërheqëse për studiuesit.
HISTORIKU I GJUHËS SHQIPE NË UNIVERSITETIN E SOFJES
Dega e Ballkanistikës u themelua në vitin 1994, në kuadër të Fakultetit të Filologjive Sllave të Universitetit të Sofjes. Ideja e saj është të formohen specialistë me dituri të thella dhe të shumëanshme për historinë, kulturën, letërsinë dhe gjuhëve të Ballkanit. Studentët mësojnë të gjitha gjuhët e lidhjes ballkanike. Me qenë se bullgarishtja është gjuha amtare e shumicës prej tyre, ajo mësohet vetëm teorikisht. Tri gjuhët e huaja – shqipja, rumanishtja dhe greqishtja, mësohen me orare të barabarta. Studentët kanë mundësi për specializim në vitin e fundit, duke zgjedhur mësime suplementare të gjuhës së preferuar.
GJUHA SHQIPE NË KATEDRËN E GJUHËSISË SË PËRGJITHSHME INDO-EVROPIANE DHE BALLKANIKE
Katedra e Gjuhësisë së Përgjithshme, Indo-Evropiane dhe Ballkanike është ajo që administron degën e Ballkanistikës. Jemi nëntë pedagogë, specialistë në fusha të ndryshme të gjuhësisë dhe të ballkanistikës. Kuptohet se kemi shumë bashkëpunëtorë nga fakulteti, universiteti dhe institucione të tjera, sepse programi i degës përfshin lëndë të ndryshme. Studentët njihen me historinë e tërë Gadishullit Ballkanik që nga kohët e lashta deri më sot në kontekstin e zhvillimeve në Evropë, gjuhët paleoballkanike dhe gjuhët e lashta klasike, si latinishtja dhe greqishtja e vjetër, letërsinë antike, letërsinë e Rilindjes, letërsinë moderne të vendeve të Ballkanit, gjuhësinë dhe teorinë e kontakteve gjuhësore. Për të siguruar cilësinë e këtij programi ambicioz, ne punojmë me specialistët më të shquar në vend. Qëllimi ynë është që t’i motivojmë studentët dhe të ndezim tek ata dashurinë ndaj Ballkanit, por një dashuri që buron nga kuptimi i thellë i proceseve që zhvillohen në këtë kënd interesant të Evropës. Pas rënies së regjimeve totalitare dhe pas hapjes së Evropës dhe të botës ka mundësi të shumta për mobilitet studentor. Kështu studentët kanë mundësi të vizitojnë vendet fqinje në Ballkan, të takohen vetë me kulturën e popuvje fqinj dhe të krijojnë kontakte me të rinjtë në moshën e tyre. Bashkë me studentët tanë organizojmë dhe shumë konferenca shkencore ndërkombëtare, në të cilat zakonisht kemi shumë pjesëmarrës nga Shqipëria dhe Kosova. Kohët e fundit krijuam një shkollë për doktorantë shqiptarë dhe në gjuhën shqipe, disa prej tyre tashmë i mbrojtën me sukses doktoratat në universitetin tonë, para jurive ndërkombëtare.
BALLKANOLOGËT NJË KONTRIBUT PËR INTEGRIMIN EVROPIAN TË VENDEVE TONA
Tani për tani interesi ndaj degës së ballkanistikës është i qëndrueshëm. Çdo vit pranojmë 15 studentë, të cilët kalojnë ciklin pesëvjeçar të studimeve dhe marrin diplomën e masterit në fushën e ballkanistikës. Pastaj mundësitë për realizim profesional janë të shumta – në diplomaci, në gazetari, në shkencë, në administratën shtetërore, në institucionet evropiane. Specialistët në fushën e ballkanistikës janë të domosdoshëm në kohët tona, kur kontaktet ekonomike, tregtare dhe kulturore midis vendeve ballkanike janë të lira dhe mund të thellohen gjithnjë e më shumë. Ballkanologët mund të kontribuojnë edhe për integrimin evropian të vendeve tona. Kështu që unë mendoj se dega jonë do të vazhdojë të jetë tërheqëse për të rinjtë që dëshirojnë të krijojnë këto lidhje midis Ballkanit dhe Evropës.
KUSH ËSHTË ALBANOLOGE EKATERINA TARPOMANOVA?
Jam profesore e asociuar në Katedrën e Gjuhësisë së Përgjithshme, Indo-Evropiane dhe Ballkanike të Fakultetit të Filologjive Sllave (Universiteti i Sofjes Shën Kliment Ohridski). Unë vetë i bëra studimet në degën e Ballkanistikës. Atje nën ndikimin e pedagoges sime të gjuhës shqipe Rusana Bejleri fillova të merresha seriozisht me këtë gjuhë. Pasi mbarova studimet, punova disa vjet në redaksinë shqipe të Radios Kombëtare Bullgare. Në Universitetin e Sofjes fillova punë në vitin 2012. Aktualisht jam shefe e katedrës. Puna me të rinjtë më frymëzon dhe më provokon. Besoj se jam nga ata njerëzit e lumtur të cilët e duan shumë punën e tyre. Kur e do punën, kjo tashmë nuk është punë, është si hobi, diçka që bën për kënaqësi.