Ledio Xhoxhi
Historian/
Aleksandër Xhuvani hyri në lëvizjen gjuhësore shqiptare të Rilindjes si teoricien i gjuhës letrare dhe tërë jetën mbeti, para së gjithash, kryeluftëtari për njësimin e lulëzimin e gjuhës letrare kombëtare. Tek ai, gjuhëtari dhe atdhetari u shkrinë në një. Koha kur filloi veprimtarinë shkencore Aleksandër Xhuvani ishte koha e një kthese të madhe në historinë e Shqipërisë. Në valët e lëvizjes çlirimtare, në vitet përpara Shpalljes së Pavarësisë po ngrihej e po vërshonte gjithandej edhe vala e luftës për një gjuhë letrare të vetme. Pikërisht në këto çaste historike, më 1906, u botua në revistën “Albania” artikulli “Për themelimin e një gjuhe letrare” me pseudonimin Dok Sula. Ky ishte Aleksandër Xhuvani i cili u vlerësua menjëherë si një forcë e re, si një shpresë për gjuhësinë shqiptare. Dhe ai e përligji plotësisht këtë vlerësim. Xhuvani u formua si filolog i një tipi të ri në një kohë kur Rilindja Kombëtare kishte nxjerrë në dritë vlera e veçori të shumta e origjinale të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare dhe kur penda e pavdekshme e Naim Frashërit i kishte dhënë fjalës shqipe një bukuri artistike të paparë. Krahas kësaj, ai u formua si gjuhëtar në kohën kur gjuhësia historike kishte arritur shkallën më të lartë të zhvillimit të saj.
Ideja themelore që vunë në jetë rilindësit tanë ishte se gjuha kombëtare e shkruar duhet të ketë si burim kryesor gjuhën e popullit, të ushqehet prej saj e t’i ruajë gjithnjë të gjalla lidhjet me të. Këtë ide A. Xhuvani e zbërtheu dhe e përpunoi më tej. Ai mendoi se gjuha letrare duhet të ushqehet vetëm nga ajo gjuhë e popullit që është ruajtur sa më e pastër dhe e kthjellët. Ai nuk idealizon gjuhën popullore, por kërkon që të përdoren në gjuhën letrare vetëm fjalë e konstrukte të drejta që flet populli ynë, të mos futen edhe gabimet që ka gjuha e popullit. I pajisur me dije të thella shkencore të nivelit evropian, duke pasur parasysh faktorët historiko-shoqëror e kulturor, veçoritë fonetike, gramatikore e leksikore të gjuhës shqipe e të të dy dialekteve dhe përvojën historike të gjuhëve të tjera, ai parashtroi një tezë të re shkencore, rreth së cilës u bashkuan forcat më të përparuara të gjuhësisë e të kulturës shqiptare. Teza e A. Xhuvanit ishte që dialekti toskë të merrej për themel, mbi të cilën të ndërtohet gjuha jonë letrare. Por edhe dialekti gegë, duke pasur të mirat e saj, atje ku dialekti toskë nuk e mbush dot qëllimin, të ndihmohet nga dialekti gegë.
Gjuhësia është fusha e së cilës Aleksandër Xhuvani i kushtoi gjithë jetës së tij. Ai u hyri studimeve gjuhësore që në moshë të re, i frymëzuar nga ndjenja të zjarrta atdhetarie. Çështjet e gjuhës ai i ka parë vazhdimisht në lidhje të ngushtë me nevojat e jetës shoqërore të popullit tonë dhe me nevojat e shkollës e të kulturës kombëtare.
Dashurinë për gjuhën shqipe dhe dëshirën për t’a lëvruar atë Xhuvani e shfaq që në shkrimet e para, në diskutimet shkencore në shtypin e kohës për çështje të ndryshme të gjuhës letrare, ku dallohet për formimin e shëndoshë shkencor, për mendimin e pjekur, për qëndrimin objektiv dhe për ndjenjat e pastra kombëtare. Çështja e një gjuhe letrare kombëtare të përpunuar e të ngritur, që ka përshkuar gjithë zhvillimin e mendimit shkencor e patriotik, sidomos që nga Rilindja e këtej, zë një vend qendror në veprimtarinë e Xhuvanit si lëvrues e studiues i gjuhës shqipe. Duke ecur në rrugën e rilindësve të mëdhenj, ai, te zgjidhja e çështjes të njësimit të alfabetit e të drejtshkrimit dhe te formimi i një gjuhe letrare të përbashkët, shikonte një mjet të fuqishëm për bashkimin shpirtëror të popullit shqiptar, për forcimin e vetëdijes e të krenarisë kombëtare, për afirmimin e të drejtave të ligjshme të popullit tonë në arenën ndërkombëtare. Në mendimet që shfaqi Aleksandër Xhuvani për formimin e një gjuhe letrare të përbashkët shohim, nga njëra anë, patriotin dhe veprimtarin entuziast të lëvizjes kombëtare e, nga ana tjetër, gjuhëtarin me gjykim të shëndoshë shkencor, që diti t’a trajtojë me kompetencë dhe me frymë objektive një problem të tillë të ndërlikuar.
Me një vështrim të gjerë në të gjitha çështjet ai u ngrit mbi pikëpamjet e shtrembra, të ngushta, krahinore e penguese në kuptimin e vlerësimin e gjuhës së përbashkët kombëtare dhe sidomos të formës së saj më të përpunuar, gjuhës letrare. Ai mbrojti tezën e drejtë se gjuha jonë letrare e përbashkët do të formohej jo nga një përzierje mekanike e dialekteve dhe të folmeve të ndryshme. Aleksandër Xhuvani ishte për të vënë në themel një dialekt të caktuar, por duke e plotësuar atë me pasurinë e dialekteve të tjera. Në caktimin e dialektit që duhej marrë për themel ai nisej nga arsyet historike e nga shkalla e përdorimit të tij në të gjitha llojet e veprimtarisë letrare dhe jo vetëm nga arsye thjesht gjuhësore. Gjuha e punimeve dhe e veprave të tij dallohet për pastërtinë e fjalorit, për pasurinë me fjalë e shprehje të bukura të popullit, për ndërtimin e qartë e të rrjedhshëm të frazës.
Një vend të rëndësishëm në veprimtarinë e Xhuvanit në lëmin e historisë së gjuhës e zënë gjurmimet etimologjike, fushë e lëvruar prej tij që në moshën e rinisë. Me Aleksandër Xhuvanin mund të themi se nis etimologjia shkencore e gjuhës shqipe e lëvruar prej vetë shqiptarëve. Ai iu përvesh kësaj pune me njohuritë e thella e të imëta që kishte për shqipen e dialektet e saj brenda e jashtë Shqipërisë. Edhe në këtë lëmë kërkimesh ai niset me rrugë metodikisht të drejtë prej rrethanave të brendshme të gjuhës, duke kombinuar edhe këtu, si në gjithë studimet e tij gjuhësore, të dhënat e gjeografisë dialektore me aspektin historik të fjalëve. Kjo rrugë e shpie në shpjegime etimologjike të drejta përbrenda vetë gjuhës, e më tej shpeshherë edhe në krahasime të reja me gjuhë të tjera të Gadishullit Ballkanik ose përgjithësisht të lëmit indoevropian.
Aleksandër Xhuvani në veprat e tij gjuhësore dhe me gjuhën e pastër që përdori kurdoherë, frymëzoi për një punë të tillë, shtoi zellin për kërkime gjuhësore. Me gjuhën e tij të thjeshtë e me stilin e qartë, ai ndikoi vazhdimisht sidomos tek njerëzit e pendës, ushtroi ndikim të fuqishëm në përdorimin e një shqipeje sa më të pastër, sa më të pasur e sa më të qartë.
Edukator i vërtetë dhe adhurues deri në fund i gjuhës amtare, Xhuvani nuk pushoi kurrë së shtyri dishepujt e ish-dishepujt e tij të mbledhin fjalë të leksikut popullor prej gurrës së pashtershme të dialekteve të shqipes, si brenda republikës si dhe në viset e Maqedonisë, Kosovës e Malit të Zi.