
Msc. Albert HABAZAJ, poet, studiues
përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë
Nderohet Ali Asllani në Universitetin Ismail Qemali, Vlorë
Në Bibliotekën Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë u zhvillua një veprimtari nderimi për poetin Ali Asllani, i mbarënjohur si Princi i lirikës shqiptare. Organizatorë të aktivitetit ishin Biblioteka Universitare, Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Ballkanistike, Departamenti i Gjuhës shqipe dhe Letërsisë, nën kujdesin e veçantë të Rektorit të universitetit, Prof. Dr. Roland Zisi, studiues me emër i letërsisë shqipe.
Të pranishëm në aktivitet ishin studiues të mirënjohur të Letërsisë shqipe, akademikë, përfaqësues të Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Ballkanistike, intelektualë të qytetit dhe shumë studentë të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.
Aktiviteti kishte si kryefjalë jetën dhe veprën e Ali Asllanit, këtij personaliteti të shquar për kontributin që ka dhënë në favor të popullit të Vlorës dhe mbarë Shqipërisë.
Moderator i aktivitetit ishte poeti Albert Habazaj, përgjegjës i Bibliotekës Shkencore.
Në të gjitha referatet e mbajtura nga: regjisori i mirënjohur i TVSH, Ylli Pepo, prof. dr. Bardhosh Gaçe, përgjegjës i Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Ballkanistike, prof. as. Frosina Londo Qyrdeti, dr. Mariglena Meminaj, studiuesi dhe shkrimtari Gëzim Zilja dhe publicisti e veprimtari shoqëror Ahmet Demaj, u theksua fakti se veprimtaria e Ali Asllanit në vendin tonë, ishte shumë e gjerë, dhe në shumë fusha të jetës politike, diplomatike e shoqërore, kulturore – artistike dhe letrare.
Ali Asllani dha një ndihmesë të shquar dhe të pazëvendësueshëm, si intelektual dhe patriot, si pushtetar dhe diplomat, e në të gjitha këto fusha ku punoi la gjurmët dhe shembullin e tij, si drejtues me nivel të lartë e me ndërgjegje të pastër.
Referuesit ritheksuan faktin e pamohueshëm se, lidhja e madhe e krijimtarisë se Ali Asllanit me këngën popullore të Labërisë, gjithmonë do të përbëjë një nga karakteristikat themelore të poezisë së tij. Ai ka pirë ujë të kulluar në gurrën e pashtershme popullore të folklorit të Labërisë, por vlera e tij merr përmasa më të larta, se veç krijimtarisë së tij brilante, shumë poetë popullorë të mëpasëm, me emër të dëgjuar në këngën labe, kanë pirë ujë letrar në gurrën e kthjellët e të pasur me vitamina shpirtërore të xha Aliut. Ndërkohë, janë shumë poezi të tij që janë këngëzuar sipas stileve muzikore të grupeve të ndryshme të Labërisë, jo vetëm në Lumin e Vlorës, por edhe më gjerë, duke e zgjeruar atlasin poetik të Lirikut të madh lab hapësirave të larta të këngës popullore shqiptare, përditësuar edhe në muzikën tonë të lehtë.
E veçanta e kësaj veprimtarie, në kuadër të 140 vjetorit të lindjes së Poetit dhe 80 vjetorit të poezisë “Hakërrim” ishte shfaqja e premierës së programit dokumentar “Ali Asllani, poeti i madh i Labërisë”, kushtuar Ali Asllanit, personalitet i shquar i Letërsisë Shqipe. Ky film dokumentar ishte një këndvështrim kulturor-artistik ndryshe i treshes realizuese, me skenar të Valentina Hysit, drejtor fotografie Xhemal Reçi dhe regjisor Ylli Pepo, ku 6 aktorë kërkojnë 1 poet, me pjesëmarrjen e 6 aktorëve tanë të njohur: Reshat Arbana, Mirush Kabashi, Pajazit Murtishi (strugan), Bujar Asqeriu, Sokol Angjeli, Gazmend Paja, si dhe të kantautorit gjakovar Artan Bakija me një kompozim të ri të një poezie të xha Aliut.
Ekskluzive në këtë film dokumentar ishte intervista e pa transmetuar më parë e të madhit Dritëro Agolli për Ali Asllanin, mundësuar në vitin 2010, realizuar nga mjeshtri Xhemal Reçi.
Programi u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.
Për grupin realizues qe një e papritur e këndshme fakti që Grupi i Vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, dekoruar me urdhërin “Naim Frashëri”, që me këngën “Me vargje meraku”, kushtuar lirikut kombëtar Ali Asllani, kanë bërë një realizim të mrekullueshëm dhe të merituar, kushtuar lirikut kombëtar Ali Asllani: “Eja xha Ali/ takohu me miqtë,/ pastaj, ti e di/ shpërfilli të liqtë./ Eja dhe gostiti/ vet’ nga dora jote, /me ca këngë shpirti/ porsi mjaltë zoge!…/ Si lule zambaku/ me vargje meraku … Këngë për Ali Asllanin, teksti Albert Habazaj, marrëse Liljana Rrapi Kapaj, kthyese Shpresa Kapo Çelaj, hedhëse Vito Shiroku Vera, mbushin këngën (bëjnë iso): Antoneta Goxho Mehmetaj, Liri Gaçe Shkurtaj, Meme Ribaj Habazaj, Evgjeni Habili Seferaj, Fatmira Hodo Skendaj, Lavdie Goxho Xhakaj, Hava Çelaj Muçaj, audio Artur Dhamo “Mjeshtër i Madh”, Vlorë, 01.05.2018; video Eden3 Tv, Qershiza, Tërbaç, 29 qershor 2019, hedhur dhe You Tube.