Shkruan: Prof. Dr. SPIRO J. SHETUNI/Universiteti Winthrop-Rock Hill, South Carolina-U.S.A./
Prolog
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, pranë Fonotekës së Radio-Tiranës–institucion kombëtar muzikoro-kulturor e informativo-propagandues—u arrit të themelohej ai që mund të quhet Fondi i Artë i Muzikës Popullore Shqiptare. Nga shumë pikëpamje, themelimi i një fondi të tillë, ishte, pa dyshim, një arritje e shënuar kulturoro-artistike me përmasa kombëtare! Merita kryesore për këtë i takon Ekipit të Inçizimeve Muzikore të Radio-Tiranës, të kryesuar nga Zoti Ali Hazbia Salihi: Redaktor Përgjegjës i Muzikës Popullore Shqiptare pranë këtij institucioni për një periudhë 32 vjeçare. Duke funksionuar brenda Redaksisë së Krijimtarisë dhe Inçizimeve Muzikore, Ekipi i Inçizimeve Muzikore, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, kishte si veprimtari kryesore të tij regjistrimin e këngëve, pjesëve muzikore instrumentore, valleve popullore shqiptare, etj., të fshatrave, qyteteve, zonave, krahinave të ndryshme, të Shqipërisë. Përsa i takon veprimtarisë, ai mund të karakterizohet pa asnjë mëdyshje si një grup solid, si një mbështetje e fuqishme për veprimtarinë e Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH), si një ekip punonjësish të përkushtuar, ndaj detyrave që shtroheshin. Ekipi ishte i vogël, por vepra që ai kreu ishte me të vërtetë monumentale!
I.Pjestarët e Ekipit të Inçizimeve Muzikore
Ekipi i Inçizimeve Muzikore të Radio-Tiranës përbëhej gjithsej nga tre punonjës të përheshëm: Ali Hazbia Salihi (Redaktor Përgjegjës), Bedri Mara (Teknik inçizimesh), Gani Lika (Teknik inçizimesh). Kur shkonin me shërbime në rrethe, ekipi kishte edhe një punonjës tjetër: Ksenofon Kosta (Shoferi i makinës që përmbante aparaturën teknike regjistruese). Ali Hazbia Salihi lindi në qytetin e Lezhës, më 13 tetor, 1941. Pë shkak të faktorëve ekonomikë, prindërit e tij, të cilët ishin nga Shkodra, lëviznin vazhdimisht, herë në Lezhë, herë në Shkodër. Pas çlirimit të vendit (29 nëntor, 1944), ata u vendosën përfundimisht në qytetin e Lezhës, duke qenë se ishte vend më ekonomik sesa Shkodra. Duke pasur tetë fëmijë, Familja Salihi ishte në gjendje ekonomike bukur të vështirë. Krahas vëllezërve e motrave të tij, edhe muzikologu i ardhshëm, do të rritej përmes vështirësive të ndjeshme ekonomike! Pasi mbaroi Shkollën 7-vjeçare, Salihi vazhdoi Shkollën 2-vjeçare të Infermierëve, në qytetin e Shkodrës. Me përfundimin e kësaj shkolle, fillon punë si Infermier në spitalin e qytetit të Lezhës. Krahas punës, ai ndjek gjimnazin 5-vjeçar të natës. Pasi mbaroi gjimnazin, vazhdoi studimet e larta pranë ish-Institutit të Lartë të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve), në degën e teorisë së muzikës (1967-71). Fiton gradën shkencore Baçelor i Arteve.
Tekniku i inçizimeve, Bedri Mara—sot në moshën 94 vjeçare–, rrjedh nga një familje e vjetër qytetare tiranase. Duke punuar për shumë vite me radhë si teknik inçizimesh, arriti që të bëhet një specialist zëri i klasit të parë. I qetë në punë, ai ishte vazhdimisht i papërtuar për të ndihmuar artistët popullorë që të mund të regjistroheshin në Radio e Televizion. Mbi të gjitha, atë e karakterizonte një sjellje aq miqësore! Tekniku i inçizimeve, Gani Lika–i cili tashmë është ndarë nga jeta–, rridhte, gjithashtu, nga një familje qytetare tiranase. Ai do të kujtohet gjithmonë sidomos për energjinë dhe entusiazmin e veçantë që kishte në punë! Ksenofon Kosta, shoferi i makinës që përmbante aparaturën teknike regjistruese, është me origjinë nga Përmeti, por ka lindur në Tiranë. I ardhur nga një familje ekonomikisht e varfër, ai ishte një punonjës shembullor: i rregullt, korrekt, i papërtuar asnjëherë!
Emërimi
Ali Hazbia Salihi filloi punë në Radio-Televizionin Shqipar (RTSH), si Redaktor Përgjegjës i Muzikës Popullore Shqiptare, në muajin mars të vitit 1970. Në një mënyrë vërtet të pazakontë, ai u emërua në këtë detyrë dy vite përpara sesa të diplomohej si muzikolog pranë ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve), në vitin 1972. Drejtuesit e Radio-Televizionit, prej kohësh, ishin në kërkim të një punonjësi të përkushtuar ndaj jetës së sotme e të ardhme të muzikës popullore shqiptare. Duke u interesuar në ish-Institutin e Lartë të Arteve, ata mësuan se, një student i zellshëm, i dalluar e punëtor si Salihi, do të ishte pa dyshim njeriu më i përshtatshëm pë të kryer një punë të tillë. Vetë ish-Drejtoresha e Radio-Tiranës, Zonja Nefo Myftiu, e cila gëzonte respektin e të gjithë kolektivit, në saje të sjelljes së saj dinjitoze, i njoftoi atij emërimin. Kështu, dy emërime të mëparshme, që u bënë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës—për të punuar përkatësisht në Shtëpinë e Kulturës të qytetit të Burrelit dhe në Fierzë, ku ndërtohej hidrocentrali mbi lumin Drin—u shfuqizuan ligjërisht. Me diplomimin e tij, në vitin 1972, Salihit iu dha përfundimisht detyra si Redaktor Përgjegjës i Muzikës Popullore Shqiptare.
Themelues i Fondit të Artë të Muzikës Popullore Shqiptare
Si Redaktor Përgjegjës i Muzikës Popullore Shqiptare pranë Radio-Tiranës, për një periudhë 32-vjeçare, Ali Hazbia Salihi ka meritën e madhe se arriti të themelojë Fondin e Artë të Muzikës Popullore Shqiptare. Themelimi dhe pasurimi i këtij fondi ishte pa dyshim një proces i ndërlikuar, kompleks, shumë-dimensional. Ai u bë i mundur duke punuar, për dhjetë-vjeçarë të tërë me radhë, me entergji, entusiazëm e përkushtim të pashoq. Në ditët tona, Fondi përmban qindra e mijra krijime muzikore popullore: këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle popullore shqiptare, etj., të fshatrave, qyteteve, zonave, krahinave të ndryshme, të Shqipërisë. Kështu, Fonoteka u pasurua me krijime muzikore popullore nga të gjitha rrethet e vendit, si asnjëherë më parë, që nga krijimi i saj, në vitin 1938. (Deri në vitin 1972, kur Salihi u emërua si Redaktor Përgjegjës, ajo ishte dramatikisht e varfër: regjistrimet, më shpesh, ishin marrë nga pllaka të vjetra gramafoni, koncerte, etj.). Përmes përmbajtjes së shëndoshë ideo-artistike, pasurisë së stileve muzikorë, nivelit të lartë interpretues e ekzekutues, etj., duke u transmetuar vazhdimisht, për gjysmë shekulli me radhë, Fondi i Artë i Muzikës Popullore Shqiptare, pa dyshim që i ka shërbyer, midis të tjerash, forcimit të identitetit etnik të kombit shqiptar. Për këtë arsye themelimi i tij është përshëndetur e vlerësuar që në fillim nga personlitete të artit muzikor shqiptar, studiues e krijues, si: Ramadan Sokoli, Çesk Zadeja, Tish Daija, Nikolla Zoraqi, Tonin Harapi, Kozma Lara, etj.
Funksione kryesorë
Fondi i Artë i Muzikës Popullore Shqiptare, pranë Fonotekës së Radio-Tiranës, i themeluar gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, ka luajtur dhe luan funksione të rëndësishëm, në jetën shoqëroro-kulturore e artistiko-shkencore, të shoqërisë shqiptare. Midis tyre, lejomëni të përmend:
Së pari, Fondi i ka shërbyer dhe i shërben, në mënyrë të drejtpërdrejtë, veprimtarisë së Radio-Tiranës: Sipas programeve të hartuara, krahas pjesëve muzikore, zanore e instrumentore, profesioniste (kombëtare e ndërkombëtare, serioze e të lehta), mikrofoni i
Radios transmetonte sistematikisht pjesë muzikore, zanore e instrumentore, popullore, të marra pikërisht nga Fondi në shqyrtim. (Siç dihet, përsa i takon kohës, një proces i tillë, është i pandërprerë: 24 orë në ditë-natë, 7 ditë në javë, 30 ditë në muaj, 365 ditë në vit!)
Së dyti, Fondi i ka shërbyer dhe i shërben, në mënyrë të drejtpërdrejtë, gjithashtu, veprimtarisë së Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH): Mos harrojmë se, në ekran, përdoret gjithmonë teknika e ashtu-quajtur super-pozim.
Së treti, Fondi i ka shërbyer dhe i shërben, në mënyrë të drejtpërdrejtë, edhe veprimtarisë së radiove të rretheve, që kishte dhe ka Shqipëria, si: Radio-Shkodra, Radio-Kukësi, Radio-Korça, Radio-Gjirokastra.
Fondi i Artë i Muzikës Popullore Shqiptare, pranë Fonotekës së Radio-Tiranës, i themeluar gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, ka luajtur dhe luan funksione të tjerë, jo më pak të rëndësishëm, si:
Së pari, Fondi ka shërbyer dhe shërben, si lëndë e parë muzikore, për filma të shumtë dokumentarë. Duke vënë në qendër të tyre subjekte aq të larmishëm, ata, që të gjithë, pa asnjë përjashtim, kanë përdorur dhe përdorin si muzikë shoqëruese, pikërisht lëndë muzikore të marrë prej këtij fondi. Midis filmave dokumentarë kushtuar bukurisë së natyrës shqiptare, pasurisë etnografike, vlerave të muzikës popullore, etj., lejomëni që, alfabetikisht, sipas titujve, të kujtoj, p.sh., filma, si: “Anës Drinit,” “Çamëria ime,” “Dasma shkodrane,” “Folklori i Përmetit,” “Gryka e Valbonës,” “Pllaja e Kolonjës,” etj. Ndërsa, midis filmave dokumentarë kushtuar figurave të rëndësishme të historisë dhe bashkë-kohësisë së popullit shqiptar, më lejoni që, alfabetikisht, sipas mbiemrave, të kujtoj, p.sh., filma, si: “Aleksandër Moisiu,” “Millosh Gjergj Nikolla–Migjeni,” “Fan S. Noli,” “Arshi Pipa,” “Andon Zako—Çajupi,” etj.
Së dyti, Fondi ka shërbyer dhe shërben, si lëndë e parë muzikore, gjithashtu, për filma të ndryshëm artistikë, ndonëse vetëm pjesërisht.
Së treti, Fondi ka shërbyer dhe shërben, si lëndë e parë mbështetëse muzikore, për kumtesa, artikuj, studime, punime diplomash, etj.
Përjetësim këngëtarësh e instrumentistësh
Në përpjekjet e tij për të pasuruar Fondin e Artë të Muzikës Popullore Shqiptare, pranë Fonotekës së Radio-Tiranës, gjatë një periudhe 32-vjeçare, Ali Hazbia Salihi, midis të tjerash, inçizoi edhe mjaft këngëtarë e instrumentistë të Shqipërisë e Kosovës. Duke regjistruar zërat e tyre, këngët e tyre, motivet e tyre, ai, në një farë mënyre, i përjetësoi ata. Lejomëni që të shprehem disi më konkretisht: Së pari, janë përjetësuar shumë këngëtarë e instrumentistë, popullorë e profesionistë, të kësaj periudhe historike, si: Fatime Sokoli (“Bajram Curri”); Ndue Shyti (Pukë); Bik Ndoja, Ibrahim Tukiqi, Naile Hoxha, Tonin Tërshana (Shkodër); Fitnete Rexha (Tiranë); Thabit Rexha (Kavajë); Novrus Nure—Lulushi (Korçë); Laver Bariu, Mentor Xhemali, Sulejman Lame (Përmet), etj. (S’po jap emra këngëtarësh e instrumentistësh bashkëkohorë, të cilët janë të shumtë.) Së dyti, janë përjetësuar, gjithashtu, këngëtarë shqiptarë me emër të Kosovës, si: Nexhmije Pagarusha, Shpresa Berisha, Shpresa Gashi, Luan Hajra, Bashkim Paçuku, etj. (Të shoqëruar nga Orkestra e Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH), ata kanë interpretuar, midis të tjerash, mjaft këngë popullore shqiptare.) Së treti, gjatë Festivaleve të Fëmijve, të cilat ishin veprimtari të përvitshme, janë regjistruar sa e sa këngëtarë të vegjël, disa prej të cilëve, më vonë, u bënë artistë të njohur, etj. Për të kryer një veprimtari të tillë, gjatë tri dekadave me radhë, është mbajtur një lidhje dhe komunikim i vazhdueshëm, me krijuesit dhe interpretuesit, e të gjithë rretheve të vendit.
Sektori i Kasetave dhe Video-kasetave
Për të plotësuar kërkesat e shumta që kishin dëgjuesit dhe amatorët e muzikës popullore shqiptare, pas viteve 1980-të, pranë Radio-Tiranës, u krijua i ashtu-quajturi Sektori i Kasetave, dhe, më vonë, Sektori i Video-kasetave. Në Sektorin e Kasetave, i cili plotësoi sidomos kërkesa të emigrantëve shqiptarë anembanë botës, u punësuan pesë veta. Duke qenë se shitja e kasetave bëhej kundrejt një çmimi të caktuar, institucioni fitonte të ardhura. Megjithse duket e tepërt, sërish e ndjej të nevojshme të vë në dukje se, e tërë lënda muzikore e kasetave, merrej nga Fondi i Artë i Muzikës Popullore Shqiptare.
Vështirësi dramatike
Regjistrimi i këngëve, pjesëve muzikore instrumentore, valleve popullore shqiptare, etj., të fshatrave, qyteteve, zonave, krahinave të ndryshme, të Shqipërisë, ka qenë, ndër vite, një punë mjaft e ngjeshur, e madhe, voluminoze. (Jo rastësistht, punonjësit me përvojë të radiove, thonë: “Fizikisht, mikrofoni është shumë i vogël, por, në thelb, ai është një ‘kuçedër’që nuk ngopet asnjëherë!”) Për të arritur në kohë programet e planifikuara të Radio-Tiranës, herë-herë, punohej me orar të zgjatur, deri në orët e para të agimit! Intensiteti i punës rritej sidomos në raste veprimtarish të ndryshme muzikoro-artistike–lokale, kombëtare, ndërkombëtare–, si: festivale, takime, konkurse, dekada maji, etj. Shpesh, sidomos në rrethe, regjistrimet bëheshin në kushte të vështira, ose mjedise të papërshtatshme, të cilat mund të ndikonin në cilësinë e tyre, si: vatra kulture, shtëpi kulture, shkolla, biblioteka, etj. Pastaj, edhe pajisjet teknike të asaj periudhe, ishin të vjetëruarua e të amortizuara! Me gjithë vështirësitë dramatike, që mund të haseshin, për të arritur nivelin e dëshiruar të regjistrimit, bëheshin gjithmonë përpjekje të mëdha! Ndërkohë, lindnin edhe shqetësime, vështirësi e probleme të një natyre tjetër. Nëse, p.sh., për arsye objektive, nuk mund të plotësohej kërkesa e ndonjë rrethi për të regjistruar grupet folklorikë të tij brenda një periudhe kohe të caktuar, atëherë, një letër me frymë të thellë qortuese, i nisej menjëherë ish-Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë! Një letër me të njëjtën frymë, dërgohej pa vonesë, edhe nëse një këngë shumë-zërëshe labe, e cila ishte 13 minuta e gjatë, transmetohej disi e shkurtuar, etj., etj.! Mjerisht, raste të tillë, nuk ishin të paktë!
Pasoja shëndetësore
Të gjithë njerëzit që punojnë me orar të zgjatur në studio inçizimesh, me kohë, nisin të kenë pasoja të tilla shëndetësore, si: dëmtimi i aparatit të dëgjimit, spondyloartroza, prostati. Me këtë rast, duhet nënvizuar se, si rregull, për të kapur mangësitë e inçizimeve muzikore, përsa u takon dukurive, si: intonacioni, metri/ritmi, shqiptimi, ngjirjet, zhurmat, etj., volumi i dëgjimit duhet medoemos që të rritet në nivele të mëdha, deri në 10 herë më shumë, në krahasim me volumin e dëgjimit normal! Kështu, dëmtohet në mënyrë të veçantë aparati i të dëgjuarit! Mjekët i quajnë pasojat e mësipërme shëndetësore si diagnoza profesionale. Sa më shumë që kalon mosha, aq më kritike bëhen ato!
II.Inçizime muzikore në Radio-Gjirokastra
Në majin gusht të vitit 1975, për arsye thjesht politike, mua më shpërngulën nga Tirana, megjithse, para një viti, isha emëruar zyrtarisht si pedagog, pranë ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve)! Ndonëse u emërova thjesht si Organizator i Punës Kulturore në fshatin Sinanaj–qendër administrative e zonës së thellë etnografike të Lopësit (Tepelenë)–, duke qenë i diplomuar si etnomuzikolog, unë doja që, këngët, pjesët muzikore instrumentore, vallet popullore lopësiote, etj., të bëheshin të njohura në rrafsh zonal, krahinor e kombëtar. Por si do të mund të përmbushej vallë një dëshirë e tillë? Pas një pune sistematike një-vjeçare, grupet folklorikë të zonës së Lopësit, arritën që të kenë një repertor muzikor relativisht të pasur. Rrjedhimisht, u bë e mundur, që, në muajin prill të vitit 1976, ata të inçizohen në Radio-Gjirokastra. Në saje të punës aq profesionale të redaktorit muzikor, Zotit Dhimitër Jovani, vetë i diplomuar si këngëtar pranë ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve), mjaft këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle popullore lopësiote, etj., tashmë u bënë pjesë e fondit muzikoro-kulturor të këtij institucioni. Inçizimet muzikore në Radio-Gjirokastra përbënin, sigurisht, një ngjarje të shënuar artistike, për popullin e zonës së Lopësit në përgjithësi dhe artistët popullorë lopësiotë në veçanti. Eshtë me të vërtetë e vështirë për mua që të përshkruaj gëzimin e tyre, kur, përmes valëve të Radio-Gjirokastrës, ata dëgjonin krijime muzikore të zonës …!
Tundu, o mali i Gribës: Radio-Tirana zbret në Lopës
Ndonëse u gëzova pa masë për inçizimet muzikore që u bënë në Radio-Gjirokastra, unë ëndërroja se, një ditë, këngët, pjesët muzikore instrumentore, vallet popullore lopësiote, etj., do të regjistroheshin edhe në Radio-Tirana. Qartësisht, një detyrë e tillë ishte shumë më e vështirë sesa e para: i) repertori muzikor duhej që të pasurohej; ii) niveli artistik i intepretimit dhe ekzekutimit, po ashtu, duhej që, brenda mundësive, të lartësohej; iii) pastaj, si do të mundnin vallë grupet folklorikë të zonës së Lopësit, numri i pjesmarrësve të të cilëve ishte i madh (rreth 25 vetë), që të shkonin në Radio-Tirana?! Çështje të tilla ishin të vështira për t’u zgjidhur! Nëse dy çështjet e para vareshin nga unë, çështja e tretë—vendi i inçizimit—qëndronte jashtë kontrollit tim. Duke punuar sistematikisht për muaj të tërë me radhë, si çështja e pasurimit të repertorit muzikor, ashtu edhe ajo e lartësimit të nivelit të interpretimit e ekzekutimit, sipas mendimit tim, pak a shumë, ishin arritur. Tashmë mua më shqetësonte vetëm çështja e tretë: vendi i inçizimit. Pasi u mendova me ditë e javë të tëra, më në fund, vendosa që, për këtë çështje, t’i drejtohem pikërisht Zotit Ali Hazbia Salihi: Redaktor Përgjegjës i Muzikës Popullore Shqiptare pranë Radio-Tiranës. Gjatë bisedës telefonike, Zoti Salihi më tha se nuk do të ishte e nevojshme që grupet folklorikë të zonës së Lopësit të shkonin në Radio-Tirana. Ai më premtoi se do të veprohej në një mënyrë më të përshtatshme: Ekipi i Inçizimeve Muzikore të Radio-Tiranës, në një të ardhme, mund të vinte vetë në Lopës. Kur dëgjova fjalët e tij, gëzimi im ishte i madh! Por as habia ime s’ishte më pak e vogël! Ndodhi pikërisht ashtu siç më tha Zoti Ali Hazbia Salihi: Në datën 16 maj, 1977, Ekipi i Inçizimeve Muzikore të Radio-Tiranës, mbrriti në Sinanaj. Dita e ardhjes së këtij Ekipi do të mbetet e paharruar në kujtesën e artistëve popullorë lopësiotë: të veshur me rrobat e tyre më të bukura, me entusiazëm të paparë, ata ishin të gatshëm që të shfaqnin aftësitë e tyre muzikore interpretuese e ekzekutuese. Inçizimet u bënë në mjediset e Shkollës 8-vjeçare dhe të Mesme. Këngëtarët, instrumentistët, valltarët popullorë, me durim, pritën orë të tëra që të inçizoheshin. Procesi i regjistrimit vazhdoi rreth 6 orë. Ai ishte, sa i gjatë, aq edhe emocionues! Sidoqoftë, në këtë ditë, u arrit një ëndërr e vërtetë: mjaft këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle popullore lopësiote, etj., tashmë u bënë pjesë e fondit muzikoro-kulturor kombëtar. Vetëm disa ditë më vonë, Radio-Tirana nisi që t’i japë ato në programe të ndryshme me muzikë popullore nga krahina të ndryshme të vendit. Populli i zonës së Lopësit në përgjithësi dhe artistët popullorë lopësiotë në veçanti u ndjenë me të vërtetë krenarë, këtë radhë, për artin e tyre muzikor, deri tani të panjohur.
Regjistrime në Radio-Televizionin Shqiptar
Në majin mars të vitit 1984, grupet folklorikë të zonës së Lopësit, shënuan një ngjarje tjetër të rëndësishme artistike: arritën që të regjistrohen në Televizionin Shqiptar. Këtë herë, ishte redaktorja muzikore, Zonja Marita Zykaj, njohëse e mirë e muzikës popullore labe, e cila drejtoi regjistrimet. Kështu, duke e parë veten edhe në ekran të televizorit, artistët popullorë lopësiotë, për herë të parë në jetën e tyre, u ndjenë me të vërtetë të vlerësuar në mjedisin shoqëror bashkëkohor!
III.Nënvlerësim, nënçmim, përbuzje e muzikës popullore
Ali Hazbia Salihi, me keqardhje, trishtim e përmallim, vëren se, gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, Redaksia e Krijimtarisë dhe Inçizimeve Muzikore pranë Radio-Tiranës, nuk kujdeset sa dhe siç duhet ndaj muzikës popullore shqiptare. Tashmë Fonoteka e këtij institucioni nuk pasurohet më me këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle popullore shqiptare, etj., të fshatrave, qyteteve, zonave, krahinave të ndryshme, të Shqipërisë. Hollë-hollë, ndaj muzikës popullore shqiptare në përgjithësi, në plan teorik, mjerisht, sikur vërehet një lloj nënvlerësimi, nënçmimi, përbuzjeje! Ndërkohë, në rrafsh praktik, mjerisht, muzika popullore shqiptare, nuk nxitet më, nuk regjistrohet më, nuk transmetohet më! Në ditët tona, nëse gjenden inçizime të muzikës popullore shqiptare, ato e kanë burimin vetëm në studio private. Regjistrime të tilla bëhen pa asnjë lloj kontrolli artistik, pa asnjë lloj përgjegjësie profesionale, pa asnjë lloj standarti nga çdo pikëpamje! Brenda melodikës së tyre, mund të ndihen lehtësisht intonacione të huaja, herë-herë sllave, herë-herë orientale! Kurse tekstet poetikë, më të shumtën e radhës, janë të një niveli artistik dramatikisht të ulët, për të mos thënë tërësisht vulgar! O tempora! O mores! Ndërkohë, shtete të tjerë ballkanikë, si: Mal i Zi, Bosnje-Hercegovinë, Serbi, Kosovë, Maqedoni, Greqi, Bullgari, Rumani, etj., duket sikur i kushtojnë një vëmendje më të madhe sesa Shqipëria, muzikës së tyre përkatëse popullore!
Dixhitalizimi i muzikës popullore
Në ditët tona, Ali Hazbia Salihi, me të drejtë, ndihet i shqetësuar sidomos për fatet e Fondit të Artë të Muzikës Popullore Shqiptare, pranë Fonotekës së Radio-Tiranës, pikërisht të asaj pasurie që ai themeloi e pasuroi duke punuar me energji, entusiazëm e përkushtim të madh për 32 vite me radhë. Ai shprehet se, Drejtori i Përgjithshëm i Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH), Zoti Thoma Gëllçi, ka treguar vëmendje ndaj Fonotekës së Radio-Tiranës. Për të ruajtur cilësinë e shiritave muzikorë, tashmë është siguruar ajri i kondicionuar! Duke e përshëndetur këtë dukuri, dihet se, jetë-gjatësia e Fondit mund të sigurohet vetëm përmes procesit të dixhitalizimit. Dixhitalizimi i muzikës popullore–ekzistenca e saj në gjendje elektronike—vjen si një kërkesë themelore për ruajtjen e përjetshme të saj.
Pension i posaçëm
Ndonëse jetoj larg Mëmëdheut, përmes shtypit elektronik shqiptar bashkëkohor, unë kam vënë re se, Qeveria Shqiptare, herë pas herë, iu ka dhënë atë që quhet pension i posaçëm mjaft përfaqësuesve të shquar të artit, shkencës, kulturës, sportit, etj. Sipas vlerësimit të Qeverisë Shqiptare, tërë këta njerëz, aq të ndryshëm përsa u takon profesioneve të tyre, i bashkon një dukuri themelore: ndihmesa e veçantë në dobi të kombit shqiptar. Nga sa parashtrova në këtë artikull, me bindje të thellë, më lejoni të shprehem se: Ali Hazbia Salihi, njeriu puntor e pa asnjë lloj pretendimi, duke themeluar Fondin e Artë të Muzikës Popullore Shqiptare, pranë Fonotekës së Radio-Tiranës, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, në mënyrë fare të natyrshme, e meriton që të qëndrojë midis njerëzve, të cilët gëzojnë të ashtu-quajturin pension i posaçëm, nga ana e Qeverisë Shqiptare.
Epilog
Sa më të vegjël të jenë kombet, popujt, ose grupet etnikë, aq më shumë duhet që të përpiqen për të ruajtur e forcuar identitetin e tyre etnik. Ashtu sikurse Fototeka “Marubi” e qytetit të Shkodrës konsiderohet me të drejtë si një pasuri me rëndësi historike, artistike e kulturore kombëtare, po kështu, edhe Fondi i Artë i Muzikës Popullore Shqiptare, pranë Fonotekës së Radio-Tiranës, mund dhe duhet konsideruar si një arkiv i veçantë kombëtar me vlera të pazëvendësueshme artistike e kulturore. Përkrah tyre, qëndrojnë, pa dyshim, arkiva të tjerë, midis të cilëve lejomëni të përmend: Arikivin e ish-Institutit të Kulturës Popullore (sot Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit), Arkivin e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit (TKOB), etj. Një pasuri e tillë kombëtare mund dhe duhet që të dixhitalizohet sa më parë që të jetë e mundur. Procesi i dixhitalizimit duhet të përfshijë, pa humbur kohë, edhe veprat më të shquara të muzikës profesioniste shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX.Ali Hazbia Salihi, themelues i Fondit të Artë të Muzikës Popullore Shqiptare, pranë Fonotekës së Radio-Tiranës, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, ëndërron vetëm për tri çështje: së pari, që, teorikisht, muzika popullore shqiptare, të mos nënvlerësohet, të mos nënçmohet, të mos përbuzet; së dyti, që, praktikisht, muzika popullore shqiptare, të ketë statusin e saj të merituar në jetën e sotme e të ardhme të shoqërisë shqiptare, krahas muzikës profesioniste dhe asaj amatore; së treti, që, Fondi i Artë i Muzikës Popullore Shqiptare, pranë Fonotekës së Radio-Tiranës, të dixhitalizohet sa më parë! Eshtë rasti të kujtojmë se, muzika popullore shqiptare, ka qenë, është, dhe do të vazhdojë që të mbetet në shekuj, si element i pazëvendësueshëm i identitetit etnik të kombit shqiptar.