Nga Kolec TRABOINI/
Sikur Kryeministri i këtij vendi, për të cilin kam dhënë votën time të deklaruar publikisht në media, të ishte vërtet i angazhuar me detyra shtetërore të rëndësishme më 20 maj 2014 ora 10:00 kur në Kinema Millenium organizohej premiera e filmit tim dokumentar “Djaloshi me kitarë” kushtuar martirit, jetimit Skënder Daja i pushkatuar në Spaç më 24 maj 1973 në moshën 22-vjeçare, padyshim që do të isha i qetë, sepse punët e pushtetit janë edhe punët e qytetarëve të këtij vendi. Por ndodhi një gjë e papritur për të cilën edhe u prononcova publikisht në televizionin Vizion Plus. Kryeministri i vendit, u gjend në një show organizuar nga një shoqatë e drejtuar nga një farë Kadri Aliu, me një reputacion jo fort solid në lidhje me përfitime fondesh nga shoqatat arabe islamike dhe sipas mendimeve të shprehura publikisht nga drejtori i Institutit kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Ilir Çumani, ky Kadri Aliu i përdor veprimtaritë thjesht si një fasadë.
Pikërisht koncerti i organizuar nga Kadriu i fondacioneve arabe paska qenë shkaku kryesor që siç shkruan kryeministri në letrën e tij “për arsye të angazhimeve shtetërore” që nuk e paska lënë të vinte në premierën e filmit “Djaloshi me kitarë” ku qe i ftuar.
I nderuar Kryeministër, të mos ishe nipi i kolegut e mikut tim të ndjerë, dajos tënd Niko Koleka, nuk do t’i drejtoja as këto fjalë. Por respekti ndaj tij më shtyn t’ju them se nuk duhet të shkosh andej kah të çojnë këshilltarët, sepse shumica e këshilltarëve të kësaj bote kanë qenë e mbeten Mefisto të mpleksur në interesa klanesh e tarafesh. E nëse më lejon të jap një mendim si këshillë, u kish dashtë më shumë të gjendeshe në përkujtimin e Skënder Qemal Dajës, baba e bir të pushkatuar nga diktatura se sa në një koncert pa asnjë vlerë, aq më tepër do të kishe një rast ideal të përcaktoje pozicionin tënd si kryeministër i të gjithëve dhe ndjesinë tënde për vuajtjet e këtij populli.
E kam njohur Skënder Dajen, jetimin e shtëpisë së fëmijës, e them se ky nënvleftësim qeveritar, kur as nga Ministria e Kulturës nuk u pa asnjë titullar apo nënpunës, me siguri e ka tronditur martirin 22-vjeçar atje në një varr të humbur që kurrë nuk u gjend.
Ai nuk e meritonte atë fat, por nuk e meriton as këtë shpërfillje nga pushtetarët e vendit ku lindi, e vranë e pushon në amshin, se ai e bëri detyrën e tij, u bë fli në altarin e Lirisë, po ne që tashmë e gëzojmë këtë Liri, çfarë bëjmë?!
Kolec Traboini
regjisor i filmit
“Djaloshi me Kitarë”
Sadik Elshani says
Perse habiteni Z.Traboini? Edi Rama eshte kryetar i PS-se, pasardheses se PPSH-se, e cila krijoi ate ferr dantesk mbi toke. Heren tjeter mendoni pak me mire para se te votoni.