Federata Shqiptare e Futbollit, kërkon të informojë median dhe të gjithë opinonin shqiptar, në lidhje me mospjesëmarrjen e Ekipit Kombëtar Shqiptar U-21, në ndeshjen miqësore kundër homologëve të Katarit, që do të zhvillohej në 6 gusht në “Dandy United Stadium”, të Skocisë. Kjo ështe një ngjarje që Federata Shqiptare e Futbollit e quan të rëndë dhe një incident të paprecedent.
Bëjmë me dije opinionin publik dhe median shqiptare se për këtë ndeshje, prej dy muajsh Federata Shqiptare e Futbollit, ka vlerësuar me seriozitetin më të lartë, këtë event dhe procedurat përkatëse, duke përgatitur lista me kandidatë (shumë e vështirë, duke patur parasysh që futbollistët gjatë kësaj periudhe janë në fazë përgatitore me ekipet e tyre) dhe duke plotësuar të gjithë dokumentacionin përkatës, Aplikimi është kryer nëpërmjet agjensisë “Teleperformancë” (autorizuar zyrtarisht për këto çështje nga Ambasada Angleze në Poloni) më datë 22 dhe 23 korrik. Janë dorëzuar te gjitha dokumentat përkatëse për aktivitetin financiar nga fluturimi, akomodimi, transporti lokal dhe gjithçka tjetër, që ishin të mbuluara. Regjimi i kërkuar i vizave ishte “priority”.
Sot më datë 4 gusht, ekipi priste që të merrte vizat dhe të nisej për në Skoci, por përgjigja e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, ishte një refuzim i papritur sidomos “për arësye financiare!”, pavarësisht dokumentacionit të plotë e të dorëzuar në afat.
Federata Shqiptare e Futbollit, shpreh shqetësimin dhe indinjatën e saj në lidhje me këtë procedurë absurde. Po, është absurde, që kjo i ndodh një ekipi kombëtar të një vendi që është anëtar i FIFA-s që nga 1932 dhe i UEFA-s, që nga viti 1954. Është totalisht e papranueshme që ti mohosh vizën një ekipi kombëtar në vitin 2014, njësoj sikur kjo të ngjante fill pas rënies së “perdes së hekurt” në pragun e viteve ’90.
Pavarësisht se kjo situate nuk erdhi si pasoje as e dëshirës, as e seriozitetit dhe as të mundësive tona, Federata Shqiptare e Futbollit i kërkon ndjesë Federatës homologe të Katarit, e cila mori përsipër organizimin e kësaj ndeshjeje, për dëmin moral dhe material që iu është shkaktuar, nga një procedurë absurde vizash e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar.
Federata Shqiptare e Futbollit, garanton opinionin se duke filluar nga sot, ajo ka vënë në dijeni të gjitha organizmat e fuqishme të futbollit europian dhe botëror (FIFA dhe UEFA) si edhe Federatën Angleze në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, që cënon zhvillimin e futbollit dhe pengon ecurinë e ekipeve tona kombëtare, si edhe bashkëpunimin me federatat e tjera. Gjithashtu, ajo i bën me dije Ministrisë së Puneve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, që të kërkojë nëpërmjet kanaleve të saj diplomatike, shpjegime në lidhje me këtë incident, që cënon mjaft perfomancën e Ekipeve Kombëtare Shqiptare, punën e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe gjithë imazhin shqiptar në botë.
FSHF, do të jetë transparente dhe e hapur edhe me mediat angleze të interesuara, për t’i ofruar të gjithë korrespondencën, që lidhet me këtë refuzim të pakuptimtë dhe për t’i sensibilizuar, kundër këtyre praktikave absurde dhe të vjetëruara.
Shprehim besimin tonë, në mirëkuptimin e lojtarëve të ekipit kombëtar U-21, stafit, familjarëve dhe në mënyrë të veçantë opinionit publik dhe medias, për gjithçka ka ndodhur.
FSHF, garanton se do të punojë seriozisht në ditet në vijim duke vënë në lëvizje të gjithë potencialin e saj, që kjo çështje të zbardhet në rang ndërkombetar dhe të tilla episode të mos përsëritën më.
Sonila says
Anglezet duan https://www.youtube.com/watch?v=WCQjZtU-iww
Viktori says
A ka mundesi te spostoin lojen ne Irland apo ne France? Si fo qe kjoft Britania e Madhe duhet ti pergjejet te FIFA per ket sabotim.