
Zoti Kryetar,
I dashur Elmi,
Dëshiroj t’ju përgëzoj ngrohtësisht për rizgjedhjen tuaj në krye të Federatës Panshqiptare të Amerikës, VATRA, në zgjedhjet e organizuara në punimet e Kuvendit të Përgjithshëm Zgjedhor të Federatës, të mbajtur në New York, më 26 Shkurt 2022. Jam i inkurajuar nga përmbajtja e programit që ju paraqitet në kuvend dhe në vecanti angazhimet për të freskuar e rinuar anëtarësinë e Federatës, duke u hapur ndaj brezit të ri por edhe ndaj ideve të reja, alternativave e krijuese që nxisin, mbrojnë dhe përfaqësojnë vlerat tona më të mira kombëtare dhe që e forcojnë e cojnë më tej trashëgiminë 110 vjecare të Federatës. Dëshiroj të nënvizoj po ashtu gatishmërinë tuaj për të bashkëpunuar ngushtë me Qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës si dhe me përfaqësuesit shqiptarë të zgjedhur nga vota e lirë në të gjitha vendet fqinjë, për të mirën e të gjithë bashkëkombasve, në funksion të bashkërëndimit dhe bashkëpunimit për të mbështetur përpariminin ekonomik, arsimor e kulturor të kombit shqiptar. Duke ju uruar suksese në ushtrimin e mandatit të ri dhe me bindjen se VARTA do të jetë Vatër e bashkimit të shqiptarëve për të mirën e përbashkët, përtej e mbi idetë, qendrimet, përkatësitë dhe debatin politik, dëshiroj t’ju siguroj për gatishmërinë e Misionit që drejtoj për të bashkëpunuar me Federatën për gjithcka që shkon në interest të shqiptarëve pa dallim.
Lutem pranoni shprehjen e ndjenjës time më të mirë,
Sinqerisht
Ferit HOXHA
Ambasador
Përfaqësues i Përhershëm