Gjeraqina Tuhina/ RTK/ Bruksel/
Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar emërimin e diplomatit nga Danimarka, Peter Sorensen për përfaqësues të veçantë për dialogun mes Kosovës e Serbisë.
Emrin e Sorensen si pasardhës të sllovakut Miroslav Lajçak, javën e kaluar e ka propozuar shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas.
Sipas disa zyrtarëve të njoftuar me proces, roli i Peter Sorensen në dialog duket se do të pësojë ndryshime, në krahasim me funksionin që e ka bërë Lajçak në gati 5 vitet e fundit.
Përderisa Lajçak ka qenë i angazhuar në tërësi në procesin e dialogut, dhe atë në të gjitha nivelet, tani me ndryshimet në BE pritet që të ketë ndarje të përgjegjësive: emisari për dialog, në këtë rast Peter Sorensen, do të merret me dialog vetëm në nivel kryenegociatorësh, ndërsa Kallas e vetme do ta udhëheqë dialogun në nivelin më të lartë politik – atë të liderëve të Kosovës dhe Serbisë.
Përderisa procesi i caktimit të emisarit të ri për dialog ka kaluar nëpër të gjitha procedurat e domosodshme, emërimi formal i Peter Sorensen do të bëhet të hënën që vjen në takimin e ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Ai do e merr detyrën më 1 shkurt, meqë emisarit në largim Miroslav Lajçak i skadon mandati më 31 janar.