Shtypi i sotëm i Prishtinës rreth një interviste televizive të ambasadorit amerikan Greg Delawi dhe reagimi i tij: Ja se çfarë kam thënë: Kosova duhet të kuptojë se cilat janë qëllimet e saj, ajo duhet të përpiqet të arrijë një lloj konsensusi mbi këto qëllime dhe kjo është ajo në të cilën unë po përqendrohem tani/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë-PRISHTINË, 21 Korrik 2018/ Një intervistë televizive e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, citohet e komentohet sot në shtypin e Kosovës./Gazeta Koha Ditore shkruan: Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, gjatë një interviste që të enjten mbrëma e ka dhënë në Rubikon të KTV-së, nuk e ka mbrojtur qëndrimin e dhënë në të njëjtin emision në vitin 2017. Atëherë kishte deklaruar se “për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndarja e vendeve apo rindarja e vendeve përgjatë vijave etnike mbetet plotësisht ‘jashtë tavolinës’”. E, të enjten, atij i janë bërë pesë pyetje rreth së njëjtës çështje. Por, ka refuzuar të japë një përgjigje konkrete, nën arsyen se nuk do të flasë për atë se çka mund të jetë një element i ujdisë përfundimtare.
Ndërsa, gazeta Zëri shkruan: Ambasadori amerikan Greg Delawie gjatë një interviste të enjten në emisionin “Rubikon” të KTV-së u citua nga medie të ndryshme në vend të ketë deklaruar se në dialog çdo gjë është e diskutueshme. Për më tepër, edhe vetë autori i emisionit Adriatik Kelmendi në një status në faqen e tij në “Facebook” shkroi se është për alarm ndryshimi i qëndrimit të prerë amerikan kundër opsionit të ndarjes së Kosovës. “Prej përjashtimit absolut të ‘ndarjes’ si opsion ‘i rrezikshëm’ e deri te relativizimi i skajshëm i kësaj teme nën arsyetimin se ‘kjo u mbetet palëve’”, ka shkruar në mes të tjerash Kelmendi.
Por, të premten (dje) Delawie ka reaguar përmes një postimi në “Twitter”, duke bërë thirrje që të injorohet ky “lajm i rremë”, siç e ka quajtur ai. “Injoroni lajmin e rremë. Ja se çfarë kam thënë: Kosova duhet të kuptojë se cilat janë qëllimet e saj, ajo duhet të përpiqet të arrijë një lloj konsensusi mbi këto qëllime dhe kjo është ajo në të cilën unë po përqendrohem tani”, ka shkruar Delawie.
Intervista e ambasadorit amerikan Delawie është botuar e plotë në faqen zyrtare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, ku mes pyetjeve e përgjigjeve është kjo:
Adriatik Kelmendi: Në intervistën e mëparshme me juve kemi diskutuar se ka shumë ide që qarkullojnë se si duhet të duket zgjidhja përfundimtare e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Shumë po thonë se ndoshta ndonjë ndryshim i territorit apo ndarje e Kosovës sërish mund të dalë sërish në tavolinë. Cili është qëndrimi i SHBA-së për këtë?
Ambasadori Delawie: Në këtë çast nuk do të hyj në atë se çka mund të jenë elemente të ujdisë. Mendoj se kjo nuk do të jetë shumë e dobishme, veçanërisht kur po mundohem t’i nxis njerëzit në Kosovë që disi ta marrin atë përgjegjësi dhe të marrin pjesë në diskutime. Pra, nuk do të them se kush mendoj se duhet të jetë në sallë, nuk do të flas për trajtën e tavolinës, nuk do të flas se cilat do të duhej të jenë elementet e marrëveshjes përfundimtare.
Mund të them, megjithatë, se politikanët e Kosovës, qytetarët e Kosovës janë plotësisht të aftë për t’i marrë vetë këto vendime për pozicionin negociues dhe SHBA-ja do të qëndrojë krah tyre përderisa flasin për këto gjëra. Mbështetje jonë për Kosovën është e qëndrueshme, e pandryshueshme dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Dhe elementet se si do të mund të duket ujdia janë elemente që duhet të diskutohen më mirë nga njerëzit e Kosovës./b.j/