-Në 17 vjetorin e masakres së Reçakut/
PRISHTINË, 14 Janar 2016/ Nesër bëhen 17 vjet nga masakrimi në Reçak, në 15 janarin e vitit 1999, i mbi 40 civilëve të rrëmbyer në shtëptë e tyre. Masakra e Reçakut është një nga dëshmitë rrënqethëse të krimeve në luftën e fundit në Kosovë, kur forcat serbe vranë, masakruan, por edhe zhdukën, më shumë se 12 mijë shqiptarë, e në fushatën e gjenocidit e spastrimit etnik rreth një milion i dëbuan, shumicën drejt Shqipërisë.
Ambasadori amerikan William Walker, në atë kohë shef i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, në vizitën në vendin e masakrës e cilësoi atë krim kundër njerëzimit. Ndërdsa, rreth dy muaj pas masakrës së Reçakut, aviacioni i NATO-s filloi bombardimet kundër caqeve të forcave kriminale serbe, të cilat zgjatën 78 ditë, deri në kapitulimin e Slobodan Milosheviçit, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.
Në Kompleksi Përkujtimor Masakra e Reçakut, në Murin e Përkushtimit janë skalitur në mermer fotografitë e 44 martirëve-dëshmorëve.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot ka pritur në një takim ish-ambasadorin e OSBE-së në Kosovë William Walker, së bashku me zonjën e tij Lusy Martin dhe djalin Douglas Walker.
“Takimi është zhvilluar në prag të përvjetorit masakrës së Reçakut, ku ambasadori Ëalker me deklaratën e tij, se ajo çfarë kishte parë në Reçak në janarin e vitit 1999, ishte krim kundër njerëzimit, pati kthyer fuqishëm vëmendjen e opinionit ndërkombëtar për krimet që po bëheshin në Kosovë”, thekson njoftimi i dërguar nga AAK.
Kryetari Haradinaj, i shprehu mirënjohje ambasadorit Walker, për rolin e tij në etapa të ndryshme të zhvillimeve në Kosovë, posaçërisht për kohën kur ai ishte vënë në anën e së drejtës, duke mbrojtur viktimat e pafajshme dhe duke i klasifikuar sulmet kundër tyre, si krim kundër njerëzimit.
Ndërkohë, bëhet e ditur se, komuna e Deçanit ka vendosur që ish-ambasadorin William Walker ta nderojë me çmimin që mban emrin e heroit të kombit, Shkëlzen Haradinaj.
Çmimi do të ndahet të shtunën, në 16 janar, në një ceremoni solemne organizuar nga kryetari i komunës Rasim Selmanaj. Walker do të nderohet edhe me Mirënjohje Qyteti./b.j/
Kosovë-Walker: Kur ka kauzë, protesta është e drejtë legjitime e qytetarëve
PRISHTINË, 14 Janar 2016/ Ambasadori amerikan William Walker, i cili ishte shef i Misionit verifikues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, në një takim sot me kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, sa i përket zhvillimeve politike në Kosovë tha se po duket që kjo klasë politike që ka qeverisur nuk është duke shkuar rrugës së duhur. “Në SHBA, zhvillohen protesta tërë kohën, prandaj kur ka kauzë, protesta është e drejtë legjitime e qytetarëve”, citohet Walker, në njoftimin e komunës së Prishtinës.
Kryetari Ahmeti, i cili ka pritur në takim ambasadorin Walker, është nga Lëvizja Vetëvendosje, pjesë e opozitës së bashkuar kosovare organizatore e protestave kundër qeverisë në Kosovë, ka fituar zgjedhjet e fundit lokale në Prishtinë në balotazh me kryetarin fitues në dy palë zgjedhje, Isa Mustafën, lider i LDK-së, tash kryeministër i vendit në koalicion qeverisës me PDK-në
Ambasadori William Walker sot është pritur në takime të veçanta edhe nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, si dhe nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Nga takimi miqësor me ambasadorin William Walker, ku u diskutua për situatën aktuale politike në Kosovë”, ka shkruar në ‘facebook’ Lëvizja Vetëvendosje duke postuar foto.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka njoftuar se, kryetari i saj, Ramush Haradinaj, sot ka pritur në një takim ish-ambasadorin e OSBE-së në Kosovë William Walker, së bashku me zonjën e tij Lusy Martin dhe djalin Douglas Walker.
“Takimi është zhvilluar në prag të përvjetorit masakrës së Reçakut, ku ambasadori Walker me deklaratën e tij, se ajo çfarë kishte parë në Reçak në janarin e vitit 1999, ishte krim kundër njerëzimit, pati kthyer fuqishëm vëmendjen e opinionit ndërkombëtar për krimet që po bëheshin në Kosovë”, thekson njoftimi i dërguar nga AAK./b.j/