Nga WOLFGANG MÜNCHAU-Perktheu: EUGJEN MERLIKA/
Angela Merkel është një kafshë politike e një kalibri tepër të lartë, por nuk ka qënë kurrë një aktor strategjik, veçse në rrethin e pozitës së saj. Për këtë arsye aq më absurde duket njohja e udhëheqësisë së botës perëndimore që i është veshur javën e shkuar. Angela Merkel nuk u zbulua as në lartësinë e udhëheqëses së Bashkimit evropian, kur dështoi mjerisht në përpjekjen për të bindur të tjerët kryetarë shtetesh për të rifilluar nismat diplomatike të nivelit të lartë me Vladimir Putinin.
Angela Merkel dhe Emmanuel Macron nuk e fshehën zemërimin e tyre përpara Biden-it, që i ka kapërcyer në rifillimin e bashkëbisedimit me Putinin. Si djemka në parkun e lodrave, nuk donin të mbeteshin mënjanë. Nuk menduan as për një çast se çfarë ndikimi do të kishte ky veprim mbi shtetet e Balltikut, në veçanti.
Toomas Hendrik Ilves, ish president i Estonisë, e ka paditur Angela Merkelin se i trajtonte bashkëqytetarët e tij si “popujt e ulët të vendeve të lindjes”. Gustav Gressel, i Këshillit evropian për politikën e jashtëme, shkruan se Angela Merkel, në vetëm 24 orë, arriti të fshijë të gjithë trashëgminë e saj politike. Simbas mendimit tim vetiak, është shumë më keq. Ajo që ndodhi ka ndihmuar për të zbuluar të metat e një politikaneje jo strategjike. Nuk bëhet fjalë megjithatë për një prishje me të kaluarën, vetëm se në këtë rast dukuria është bërë e njohur nga më të shumtit.
Vështirësitë në të cilat përpëlitet politika e jashtëme gjermane e këtyre ditëve janë pasoja të drejtpërdrejta të vendimeve të marra nga Angela Merkel shumë kohë më parë. Në 2011, kundërveproi ndaj aksidentit bërthamor të Fukushimës duke i hequr spinën energjisë bërthamore gjermane. Ai vendim fatal përfundoi rrënues në shumë vështrime. Gjermania përfundoi në vartësi mbizotëruese nga gazi e nafta ruse dhe nga Nord Stream 2. Kjo gjë, nga ana tjetër, në shtetet e Balltikut, në Poloni e n’Ukrainë, ka lindur ndiesinë se janë tradhëtuar. Duke vazhduar në këtë drejtim, Angela Merkel arriti të plasaritë edhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, të cilave i u gjet një shërim vetëm në ditët e fundit.
Në kohën e krizës financiare të përgjithëshme, më 2008, Angela Merkel ka këmbëngulur që secili antar i Bashkimit evropian duhej të merrej vetëm me bankat e tij. Më 2012 është shprehur krejtësisht kundër eurobondëve. Atë vit, euro qe në prag të fundosjes së tij, sikur mos t’ishte ndërhyrja e Mario Draghit. Me shpërthimin e pandemisë, ajo qe e shtrënguar të pranonte Recovery fund – një ndërhyrje që jashtë kufijve gjermanë shpesh gabimisht ndërpretohet si hapi i parë drejt bashkimit tatimor.
Personalisht, nuk kam shumë simpati për Gerhard Schröder, para-ardhësin e saj, dhe as për bllokun e tij të reformave, që i kisha kritikuar atëherë si të dëmshme për bashkëjetesën e zonës euro. Por duhet të pranojmë që Schröder-i ka bërë atë që e ka quajtur të drejtë. E dinte shumë mirë se ato reforma do të shkaktonin rënien e tij e kështu ndodhi.
Angela Merkel nuk ka bërë kurrë një gjë të tillë. Vendimi i saj për t’i hapur kufijtë refugjatëve nuk ka qënë një zgjedhje strategjike, por thjesht një kundërveprim i thjeshtë i rrëmbyeshëm. Nuk u këshillua as me bashkëpuntorët e koalicionit, as me shtetet e tjera antare të Bashkimit evropian. Gjatë gjashtëmbëdhjetë viteve të kaluara si kancelare, nuk ka kërkuar kurrë një ballafaqim strategjik as është përpjekur kurrë të gjejë shumica aty ku nuk kishte. Synimi i vetëm i Angela Merkel-it ka qënë vetëm Angela Merkel.
Ajo që do të mbetet prej saj në Bashkimin evropian do të jetë vetëdija se autonomia strategjike është kërkuar, por pa sukses. As Merkel dhe as Macron nuk kanë qënë në gjëndje të japin një drejtim strategjik. Nëse shohim në grupin e mundshëm të pasuesve të tyre, nuk shoh ndryshime në horizont. Suksesi i ardhshëm i Bashkimit do të varet kryesisht ngase Evropa do të dijë të lirohet nga iluzioni i një drejtimi franko – gjerman. Çfarëdo bashkëbisedimi mbi autonominë strategjike duhet të zerë fill nga formulimi i një strategjie, dhe jo nga se kush është ulur në kolltuk apo në divan, siç ndodh sot.
Java e shkuar u mbyll me zhgënjimin evropian për të satën herë në lidhje me idenë e një vote të shumicës në politikën e jashtëme. Po të kishim patur një votë të shumicës, shumica e 20 shteteve do të kishte fituar mbi 7 vënde, për më tepër të përmasave të vogla, që kishin ngritur problemin. Vëndet baltike do të mbten të kapur tek vetoja sepse e dijnë mirë se çfarë ndodh përndryshe.
Epoka e Angela Merkel-it ka përkuar me periudhën industriale të vonë, tashmë në perëndim. Kur të jetë përfunduar, gjindja do të bëjë mjaft pyetje të padëshirueshme që asnjëri nuk ka menduar t’i drejtojë gjatë atyre viteve: përse një vend i pasur si Gjermania nuk ka investuar masivisht në teknologjitë e reja? Përse kancelaria nguroi shumë për të hedhur themele të shëndosha për zonën euro? Përse ka hyrë në allishverishe me Putinin duke i nënështruar Vendin e saj burimeve natyrore të Rusisë? Përse ka nënëshkruar obiektivat për pakësimin e emisioneve të dëmshme nëse më vonë nuk ka treguar asnjë synim t’i sendërtojë?
Prej mjaft kohësh kam arritur në përfundimin se Angela Merkel është drejtuesja politike më e mbivlerësuar e kohëve tona. Javën e shkuar do të kenë qënë shumë që e kanë kuptuar.
“Corriere della Sera”, 29 qershor 2021 Përktheu Eugjen Merlika