
Ka mbi një dekadë që një stihi e zezë i është sulur gjuhës shqipe me gjithë egërsinë dhe barbarinë e saj, ajo si monstrat e lashtësisë, për shembull, Meduza apo Gorgona, po përpiqet të ngrijë dhe kthejë në gur, një nga më të lashtat gjuhë të racës së bardhë. Anglikanizimi i gjuhës shqipe ka si pikë fundore vdekjen e saj duke e çuar atë në Had. Ky proçes, në ngjasim me lashtësinë ku qeni i Hadit, Cerberi, sulmonte me tri kokë, edhe ai sulmon me egërsi në tri drejtime nëpërmjet: kallkanizimit, kancerizimit dhe gurëzimit, kthimit në gur të gjuhës shqipe, duke i ngrirë asaj lëngun e jetës.
Në dallim me para 120 apo 130 vjetësh kur gjuha shqipe ishte e ndaluar nga armiqtë shekullorë të shqiptarëve, tani, në prag të mijëvjeçarit të tretë dhe fillim të shekullit të XXI, janë vetë shqiptarët që kanë marrë nismën për ta luftuar gjuhën shqipe deri në shkatërrim të plotë. Armiqtë e Shqipërisë e kanë gjetur mënyrën për vdekjen e saj, duke nxitur shqiptarët që ata, me dëshirën dhe vullnetin e tyre, ta realizojnë këtë. Për këtë ata shfrytëzojnë mëndjelehtësinë, fodullëkun, mburavecllëkun, paditurinë, përulësinë para të huajve, si dhe mungesën e ndjenjës së atdhedashurisë të një pjese të mirë të shqiptarëve; të cilët, për të mbuluar këto vese dhe mungesa në karakterin dhe formimin e tyre kulturor, përpiqen të shfaqen me një cipë kulture duke folur në një gjuhë të huaj vend e pa vend dhe kur nuk është e nevojshme. Porosia për mbrojtjen e gjuhës shqipe na vjen qysh para 100 vjetësh nga Gjergj Fishta.
Pra, mallkue njaj bir Shqyptari,
Qi ketë gjuhë t’perëndisë;
Trashigim qi na la i Pari,
Trashigim s’ia len fmis;
Edhe atij iu thaftë, po, goja;
Qi e përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
Qi n’gjuh t’huej, kur s’asht nevoja,
Flet e t’vetën len mbas dore.
Gjergj Fishta
Madje më keq akoma, duke futur fjalë të gjuhëve të huaja brenda gjuhës shqipe, njësoj si ata fëmijë ilegjitimë që futen në një familje të shëndoshë, dhe duan të bëjnë ligjin aty duke i nxjerrë nga shtëpia fëmijët e asaj familje dhe duke u bërë vetë zotër aty. Ky është veprimi më i rrezikshëm, pasi në këtë gllabërim të gjuhës shqipe shfaqet kancerizimi nëpërmjet metastazave anglikane që u janë sulur me egërsi çdo pjese të trupit të saj, fjalëve, lakimit, zgjedhimit deri tek fjalëformimi dhe ndërtimi i fjalive. Çdo ditë një fjalë e gjuhës angleze, si një qelizë kanceroze, ha dhe gllabëron një fjalë të gjuhës shqipe, dhe, me këtë ritëm, pas disa vjetësh, nuk do të kemi me gjuhë shqipe, por një gjuhë bastarde, pjellë bastarde e një bashkimi të një gjuhe të bukur, të virgjër, të bukur dhe hyjnore me një gjuhë të shëmtuar.
Kur shqiptarët do të flasin këtë gjuhë bastarde, atëhere, pa asnjë dyshim, ne mund të themi se nuk do të kemi më shqiptarë. Pasi ne këtë emër e kemi marrë pikërisht nga emri i gjuhës tonë, gjuhës shqipe. Ne quhemi shqiptarë sepse flasim shqip. Kur ne të flasim një gjuhë bastarde, atëhere dhe ne do të jemi një racë bastarde, e shpërfytyruar.
Pjesën e luanit në këtë shkatërrim e ka shteti, administrata shtetërore, institucionet shtetërore, të cilët jo vetëm që nuk e mbrojnë, gjë që e kanë për detyrë, por, përkundrazi, janë ata të parët që e sulmojnë me egërsi gjuhën e kombit të vet. Po marim një shembull të thjeshtë. Vetë kryeqeveritari, nuk denjoi të përdorte fjalën shqipe “bashkëbisedim”, por zgjodhi një fjalë të gjuhës angleze. Pas tij, në korr, një turmë laramane servilësh, gazetarësh, e ku di unë, filluan t’u vendosin si titull programeve të tyre televizive këtë emër. Në këtë jargavitje servile nuk mbeti pas as TVSH, institucioni më serioz dhe i vetmi televizion shtetëror që duhet të mbrojë gjuhën shqipe.
Themi televizioni shtetëror që mbahet me taksat e shqiptarëve, pasi televizionet e tjera private të vetëquajtura kombëtare, të cilat në të vërtetë janë antikombëtare (gjë që duket qysh në emrat e tyre të anglikanizuar, Klan, Top-Chanel,Top-Neës,Vizion,Neës-24,etj,etj) të gjitha emërtimet e programeve të tyre i kanë në këtë gjuhë të huaj, sikur nuk u drejtohen shqiptarëve, por anglezëve. Këto televizione të infektuara nga kjo sëmundje e keqe, kanceri, po e vdesin gjuhën shqipe. Gazetarët e tyre infatilë dhe ruralë, në çdo fjali që flasin, më shumë se gjysmën e fjalëve e kanë në këtë gjuhë të huaj. Një fjali e tillë e anglikanizuar dhe kancerizuar e paralizon dhe e ngrin fjalinë duke e bërë një fjali sakate që do paterica që ta kuptosh. Dhe shqiptarët, flas për shqiptarët e thjeshtë, jo për shqiptarët e “kënduar”, të cilët i kanë “bërë paçet” gjuhës shqipe, qëndrojnë para televivizorit si guakë pa kuptuar asnjë fjalë.
Një nga arësyet kryesore që gjuha shqipe po kancerizohet me shpejtësi; ku metastazat kanceroze i kanë mbërthyer gjithë trupin, ndërsa qelizat kanceroze, fjalët anglikane, sulmojnë edhe qelizat e fundit shqiptare të gjuhës tonë, e cila po lëngon dhe po jep shpirt; është ruralizimi i shoqërisë shqiptare. Administrata shtetërore, qeveria, bashkitë, televizionet dhe të gjitha institucionet arësimore dhe kulturore janë të ruralizuara deri në palcë. Një shoqëri e tillë e ruralizuar, duke ndier inferioritetin e vet, me qëllim që të duket ashtu si nuk është, si dhe për ti bërë një makiazh, apo llustër kulture vetes, fut fjalë të huaja në gjuhën tonë të shenjtë duke e përdhosur atë, duke e harbutëzuar atë, duke e baltosur dhe fëlliqur atë. Pas kësaj pispillosje vulgare dhe të baltosur këta kapadainj ruralë mbahen me të madh para shqiptarëve, ndërsa para të huajve sillen si majmunë servilë dhe jargavitës.
Nuk po flasim për Ministrinë e Arësimit, e cila paguhet të mbrojë gjuhën shqipe, por që në të vërtetë shfaqet si armikja më e madhe e gjuhës shqipe. Pasi kjo ministri dhe ministreshat antishqiptare që e kanë drejtuar dhe po e drejtojnë atë, kanë vendosur që fëmijët e shqiptarëve para se të mësojnë gjuhën shqipe, të parën do të mësojnë gjuhën angleze, sikur ne jemi koloni e Anglisë. Kështu fëmijët, pesë apo gjashtë vjeç, fillimisht duhet të mësojnë gjuhën angleze, pastaj, më vonë do të mësojnë gjuhën shqipe. Kjo bëhet me qëllimin satanist që gjuha shqipe të zhduket që në farëzim, pasi këta fëmijë që do të mësojnë të parën gjuhën angleze, jo vetëm që nuk do ta mësojnë me zell gjuhën shqipe, jo vetëm nuk do ta dinë atë, por, më e keqja do ta përbuzin atë si një gjuhë inferiore, të ulët, pasi kështu jua ka paraqitur shteti i tyre servil, i shitur dhe antishqiptar.
Nuk po flasim për ministritë e tjera që të gjitha punët i bëjnë në gjuhën e inglizit, shkruajnë në gjuhën e inglizit, raportojnë në gjuhën e inglizit, të gjitha programet e kompjutrave i kanë në gjuhën e inglizit, të gjitha veprat që ndërtojnë i shkruajnë në gjuhën e inglizit. Shikoni në rrugë dhe pranë objekteve që ndërtohen, të gjitha tabelat e tenderave që bëhen si nga ministritë, qeveria, por edhe nga bashkitë, që të gjitha, pa përjashtim, shkruhen në gjuhën e pushtuesit, inglizit.
Po Akademia e Shkencave, po Instituti i Gjuhësisë, apo ku e di unë si ja kanë vendosur emrin, çfarë bëjnë?!!! Jua them unë. Kanë hapur gojën të çuditur nga zgjuarsia e kryeqeveriut, dhe tani ka mbetur që këto gojë të hapura të kenë si vizitorë mizat fluturake. Do zoti që ato miza të jenë shqiptare, se mos o zot, të jenë të huaja dhe t’u zhuzhurisin anglisht, frengjisht, italisht, apo ku di unë.
Besnik Imeraj
10 mars 2025.