Kosta Nake/
Preç Zogaj vjen me një roman klasik dhe një batalion personazhesh të rreshtuar në një subjekt linear, me plot ndalesa analitike për të sjellë çdo argument të mundshëm, në përputhje me qasjen e tij të njohur prej analisti, për një temë që, edhe pse është vendosur në një kornizë të përcaktuar kohore, është universale, rrok gjithë hapësirën globale dhe lexuesi me përvojat e veta zbulon zgjatimet e saj edhe tek e tashmja, edhe tek e ardhmja. Vajza dhe gruaja është krijesa e lindur për të qenë e bukur në sytë e djalit dhe të burrit, për të qenë joshëse në atë masë që çon domodoshmërisht në ruajtjen dhe shtimin e racës njerëzore, por natyra ose Zoti nuk e shpërndan bukurinë në masë të barabartë, disa i përzgjedh për të shkëlqyer, pse jo dhe për t’i verbuar ata që nuk e përballojnë dot me shikimin e tyre. Pikërisht këtu fillon problemi që, sipas shumë veprave artistike, ka përcaktuar rrjedhat e historisë botërore duke filluar që Semiramida e Babilonisë dhe Helena e Trojës dhe duke vazhduar me një gjerdan çiftesh të dashuruar që kanë ushqyer me ndjenja të bukura lexuesit nëpër shekuj. Qindrat e kryeveprave dhe mijërat e subjekteve konvergojnë në një hulli: e bukura i përket më të fortit duke kaluar nga forca fizike te forca e pushtetit.
E veçanta e romanit të Zogajt është se edhe një fshat i zakonshëm si Patalana mund t’i japë shoqërisë shqiptare një të Bukur të Dheut si Anjeza Jakaj me tipare fizike të përkryera, por edhe një vajzë krenare me një botë të pasur, e aftë për t’u përballur në tregun e vlerave. Pika e lidhjes së subjektit shënohet me përzgjedhjen e Anjezës për t’i dhënë lule Udhëheqësit komunist që do vizitojë zonën, akt i fiksuar në fotografi që e nxjerr bukuroshen nga mjedisi i ngushtë te një vëmendje më e gjerë publike.
Cilët ishin të fortët e Shqipërisë socialiste që mund ta kthenin Anjezën në pronë erotike të tyre? Ishin fëmijët e pushtetarëve të lartë. Tashmë që avllitë e oborrit sulltanor, të quajtur Bllok, kanë rënë, shumë histori dashurie kanë dalë në shesh. Ky roman është një ilustrim artistik i asaj që prodhonte Blloku apo bota e njerëzve të nomeklaturës.
E etur për të realizuar ëndrrën si aktore, Anjeza humb dashurinë e parë dhe bie në grackën e rrjetës së “bamirësve” që përcaktojnë fituesit e konkurseve. Tragjedia e Anjezës qëndron në faktin se ajo ishte fituese për shkak të përgatitjes së vet, por “bamirësit” investimin e tyre e rimarrin në trajtën e favoreve seksuale që e depersonalizojnë dhe e viktimizojnë fituesen. “Bamirës” të tillë jo vetëm shkelin mbi dashurinë e të tjerëve, në këtë rast mbi lidhjen e David Gjikës me Anjezën, por edhe i zhvendosin dhe i bëjnë të pavlefshme përpjekjet e tyre për qëndresë. Romani fillon si një romancë e bukur duke sfiduar zakonet vendore dhe përfundon si tragjedi për shkak të përdhunimit, akt barbar që mund të sjellë shtazani dhe mëmësi të padëshiruar, prandaj dhe Anjeza, e goditur pa mëshirë në themelet e krenarisë së vet, zgjedh të bjerë në një gjumë barnash për të mos u zgjuar më.
Jeta dhe vdekja e Anjezës, fati dhe destini i saj përcaktohen nga mjedisi shoqëror, prandaj linja e dashurisë dhe ambicjeve artistike ndërthuren natyrshëm me problematikat e jetës së fshatit Patalanë dhe qytetit të Lezhës, duke i dhënë përparësi marrëdhënieve mes të rinjve, si humbja e Marta Ballgjinit dhe misteri i vdekjes së saj, paralelizmi mes Rudinit të Turgenievit dhe David Gjikës, lidhja e Ilirit dhe Maries, virgjëria dhe zhvirgjërimi, nevojat e rinisë për të dalë nga jeta e vakët e fshatit, pengesat e punësimit në sektorin shtetëror dhe kthimi i ikanakëve, kriteri i fortë biografik i përzgjedhjes së njerëzve për arsimin e lartë, shpërndarja e përgjegjësive për dështimet ekonomike, liberalizimi i qeverisjes në fund të viteve ’80, etj.
Është meritë e shkrimtarit që marrëdhëniet erotike i ka parë gjerësisht edhe me sytë e femrës, në një raport të komplikuar midis nevojës dhe rrezikut, midis pëlqimit dhe dashurisë, midis traditës dhe përparimit, midis ndihmës dhe mashtrimit.
Përtej romanit, përzgjedhja dhe përdhunimi është një problem i mprehtë edhe i shoqërisë shqiptare të tranzicionit, madje dy dhjetëvjeçarët e parë pas ndryshimit të sistemit politik, e kthyen prostitucionin në një nga burimet e pasurimit të shpejtë për tregëtarët e seksit me eksportim dhe importim të mishit të bardhë, me drama dhe tragjedi tronditëse. Në ditët e sotme, kur ka shenja të forcimit të shtetit, përzgjedhja dhe përdhunimi ka kaluar në organizime mafioze, por edhe në trajtën e përfitimeve seksuale për shkak të pozitës administrative dhe favoreve që burojnë prej saj.
Tema e zgjedhur e ka vënë autorin para një sfide të vështirë të skenave seksuale dhe erotike me fjalorin përkatës, ai e ka shkelur vijën e kuqe, pa arritur te niveli terminologjik i Edmond Tupes dhe Agron Tufës. Analisti i vetëpërmbajtur i paneleve televizive vjen me po atë kostum sjelljeje edhe si rrëfyes para lexuesve të vet.
Duke qenë se mjedisi i ngjarjeve është kryesisht fshatar, lexuesi shpesh do të shohë se rrëfyesi ndryshon regjistrin duke iu dorëzuar shpirtit poetik kur ndodhet para natyrës.