
Nga Visar Zhiti
Pjesa e dytë
TREKËNDËSHI I PLU(HU)RALIZMIT POLITIK
Botimi që kisha ndër duar, pa prangat e tyre tani, shoh se qenkësh i vonë dhe në kopertinën e pasme, ndër të tjera lexoj:
“…Gjithashtu, do të jepen me ngjyra sa më realiste dhe protagonistët e këtyre ndryshimeve, edhe politikanë që qenë aktorë të këtyre ndryshimeve politike, ekuilibrin, hutimin apo hipokrizinë e Ramiz Alisë si dhe për dy liderët e politikës pluraliste shqiptare Sali Berisha dhe Fatos Nano e të tjerë që i shaluan pas” Çështje akademike, do të thosha, politologësh dhe historianësh. Por hutimi dhe hipokrizia e Ramizit që përmenden aty, janë psikologji, etikë, letërsi… ndërsa kur përmend emrat Sali Berisha e Fatos Nano dhe vazhdohet: “dhe të tjerë që i shaluan nga pas” – kjo duket jo vetëm punë kuajsh e xhambazësh, por dhe ka misterin e shalimit, se cili i shalon? Teksti i mësipërm është vënë brenda një trekëndësh apo piramide me kokë poshtë, ndërsa në kopertinën e parë titulli i botimit është brenda një piramide me kulmin lart dhe në bazë të piramidës/ trekëndëshit janë fjalët “Sigurimi i Shtetit” dhe një sy misterioz përsipër. Po mendoja se trekëndëshi është dhe sinonim i shoqërive sekrete, i kontrollit botëror ose i elitave të fshehta. Edhe kjo kopertinë duhet ta ketë një simbolikë të asisojshme. Sipas kërkimit të specializuar, trekëndëshi i zi simbolizon rrezikun ose kontrollin e fshehtë, vetë strukturën e Sigurimit të Shtetit, si një fuqi që vëzhgon dhe mban gjithçka nën mbikëqyrje. Syri në qendër është simboli klasik i vëzhgimit, ndoshta “syri i madh” i shtetit totalitar që vazhdon edhe në kohë pluraliste. Ngjyrat e ylberit që shpërthejnë nga pas trekëndëshit, përfaqësojnë pluralizmin politik, shpresën, larminë, por edhe shpërthimin e kontrolluar nga e kaluara. Ato tentojnë të dalin jashtë kufirit të errët të trekëndëshit, por janë ende të mbikëqyrura. Fjalët “Pluralizmi shqiptar” në brinjët e trekëndëshit në shirita të verdhë duken si ato shiritat e paralajmërimit të policisë apo të krimit, që rrethojnë një vend, pra sikur thonë që pluralizmi e kemi të zaptuar apo nën hetim.
PERSONAZHE
NË SYRIN E “VËLLAIT TË MADH”
Po vazhdoja shfletimin, një si lexim shpejt e shpejt, stalinist, siç thuhet, Ndala te lidershipi i mbramë i tyre:
Ramiz Alia – një udhëheqës i hutuar dhe servil ndaj strukturave të Sigurimit… – Si ka mundësi të shkruhet kështu nga ata, a nuk ishte Partia mbi Sigurimin apo e kundërta? – i mbushur me hipokrizi, duke fajësuar (ai, Ramizi, Sekreatri i Parë, Presidenti) informatorët e vet. Alia i përdori institucionet e Sigurimit për të stabilizuar pushtetin e tij, shpesh për ta mbrojtur vetveten ndaj kritikëve. i përdorte dosjet për frikësim dhe mbrojtje personale, etj. – E ndala leximin. Ja, pra, nga ardhka kjo përvojë! Duket hapur simpatia e mbetur dhe e pandryshueshme e Sigurimet të Shtetit për Enverin. Ndryshimet që po ndodhnin në Shqipëri, kur në krye ishte pasardhësi i diktatorit, Ramiz Alia, janë ndjerë si lëkundje jo të mira për Sigurimin e Shtetit. Lexoj më tej: Partia Demokratike anonte në veprimet e dhunshme njëkohëshëm dhe vatër e ngrohtë e personave me prirje kriminale të të gjitha llojeve. Në këtë linjë ishte dhe Shoqata e të Përndjekurve Politikë, një organizatë me prirje të dhunshme psikologjike dhe hakmarrëse. Partia socialiste ishte dukshëm më paqësore, por e trembur…
Ja, pra, e pse duhen komentet e mia? Optika strabike e Sigurimit të Shtetit, syzet e tyre të errëta, që të mos kuptohet nga shohin. Vazhdoj shfletimin:
Sali Berisha & Fatos Nano – Përcaktohen si liderët kryesorë të pluralizmit duke vënë në dukje “ekuilibrin, pasiguritë dhe paqartësitë e tyre. Berisha & Nano – shoh që i kanë parë si hunj të pushtetit që u mbajtën nën sigurinë e mekanizmit të vjetër. Paqartësia e tyre, – mendoj, – është paqartësi e Sigurimit të Shtetit ndaj tyre. Azem Hajdari – Shihet në kontekst të studentëve dhe intelektualëve të rinj, por në diskursin e Sigurimit ai karakterizohet më shumë si produkt i intrigave të kohës, ndërhyrjeve nga Sigurimi dhe manipulimeve politike në prag të pluralizmit.
SHKRONJAT OGURZEZA “IK” Kështu titullohet kreu për shkrimtarin Ismail Kadare, më i gjati se i personazheve të tjerë dhe jo vetëm. Ata s’kanë se si ta shkëpusin nga politika për ta parë vetëm si shkrimtar, ndjehen të lidhur. Nuk është mendimi im, por sipas tyre I. K. është i shënjestruar dhe i monitoruar, por jo i kriminalizuar në mitizimin e frikës, – lexoj. Sipas këtij botimi, “I. Kadare u shqetësua për pozitën e tij personale, megjithese kishte të gjitha përparësitë mbrojtëse.”… Dhe krijohet misteri i “miqësisë Ramiz Alia – Kadare”, si mbi Sigurimin e Shtetit. Autori i këtij botimi kërkon(?!): “më dinjitet nga Kadare në pritje të denigrimit të tij, duke mos gjetur rrugëdalje tjetër, veçse të fshihej, – thotë. – Nuk ka ndonjë dosje agjenturore ndaj tij, megjithatë Sigurimi pyeste: për kë punon ky, për Ramiz Alinë apo Parisin?” “Pena e artë’ – pseudonimi i një informatori, informon nga burime të sigurta se ditët e Kadaresë në Tiranë “numërosheshin me gishta, siguria e tij do të ishte në Paris”. “Kur Ramiz Alia u njoftua se I. Kadare kishte kërkuar azil politik në Francë, qe i mpirë i tëri dhe kish tundur kokën, duke mos pranuar ta besonte atë që kishte dëgjuar”… Pseudonimi “Pena e artë” (është dhe në dosjen time, por s’duhet të jetë i njëjti person me atë të Kadaresë, është virtuoz sipas autorit, ai imi ishte ca i mangët), informonte se Kadare “Ka cilësi të veçanta, që përshtaten në shkallën më të lartë që mund të merren me mend. Shfaq talent të rrallë (- po prisja të thoshte për romanet, por jo, shën. imi.-) për të bërë një jetë të sigurtë dhe të shumfishtë”. Replika mund të bëhet me ata që i shkruajnë këto. Kam dëgjuar të thuhet se ai që ka qenë prokuror i Shtetit ka dëshmuar në një intervistë televizive që e ka shpëtuar Kadarenë nga arrestimi, duke i thënë Enverit se na duhet, etj, etj, por te ky botim del se Enveri e ka shpëtuar Kadarenë nga Sigurimi i Shtetit. “Duke ditur raportet e SSH me atë, Enver Hoxha do të shkruante me dorën e tij mbi Dosjen e Kadaresë: “Lëreni djalin të punojë”. Siç e thoshte dhe vetë Kadare që Enveri më mbrojti nga Enveri.
PROTESTA E MADHE
Po lexoja, kur populli i rebeluar donte të sulmonte “Bllokun” sundimtarë të kuq. Sigurimi i Shtetit e dinte. Mes protestueve kishte të futur bashkëpunëtorët e vet. “Agjentët e kundërzbulimit lëshuan me xhiro maksimale makinën disiinformuese, që e mbytën turmën (nuk thotë popullin, shën. imi) me një lumë informacionesh të gënjeshtërta, gjysmë të vërteta duke krijuar pasiguri që turma të sprapsej (Prapë jo populli). Dhe vazhdon: “Duke ditur planin për të djegur ‘Bllokun’, morëm një nismë paraprake, njotuam S. Berishën të ndikonte për tërheqjen e manifestuesve, duke i kërkuar të dërgonte për këtë qëllim politikanin Neritan Ceka”. Nuk kam koment. S’e di a ishte ashtu. Kur ne kujtonim se ishim në protesta… Gjithkushi ka përvojën e vet, provën e vet, mendimin e vet, besimin dhe zhgënjimin e vet. Shoh ç’thuhet në botim për kryeministrin e tanishëm. Lexoj.
Edi Rama – “Kështu ndodhi në mitingun e bërë nga Partia Demokratike pas themelimit… ku do të regjistrohej edhe fjalimi arrogant i Edi Ramës, i cili bënte thirrje për destabilizim… duke imponuar modelin karakteristik të mendimit anarkist. Në fytyrë i përdridhej një përçmim i fryer (gabim shtypi, besoj), që të jepte alergji. Ai kishte një orattori të egër që e shfaqte me karagjozllëk irritues. U mendua të niste proçedimi për të. Por informacioni i dërguar në ministri ishte parë nga Ramiz Alia duke lenë porosi të thirrej e të lihej i lirë, si djali i Kristaqit”, etj, etj. Dëshira e Edit për të ndejtur përgjithmonë në Greqi, et, etj, dhe kulmi kur shoh rreshtat: “Nga verifikimet në terren rezultoi se vuante nga astma dhe sociopatia patologjike…” Sipas autorit fjala e Edi Ramës “shkelte ligjin për simbolet kombëtare, miratuar ekstra nga parlamenti”. Po sot Kryeministri këtë ligj sikur e ka adoptuar për t’u dënuar ata që do flasin “kundër”, kur bota, në emër të lirisë, njeh dhe të drejtën për të gabuar? Edi, po sipas autorit operativ, si “shakaxhi i përparimit”, nuk duronte asnjë rival, të vërtetë ose imagjinar. Anarkist deri ne palcë, nuk pëlqente ligjin, rregullin, kënaqej kur dilte mbi të tjerët…”
Drejtori i Ministrisë së Përbrendshme çuditet “me ata lart që nuk besonin në karakterin e tij të deformuar. (Fjala është për Edi Ramën). Dhe në këtë rast, babai i tij na vështronte vetëm me përulje?” Dhe a lejohen të nxirren këto lloj informacionesh? Pa miratim… Doktori i nderuar që e kuronte pak fshehurazi… sipas Sigurimit të Shtetit kishte shpjegur se “klienti i tij ishte sociopat i lindur, por i sukseshëm, ama duhej trajtuar klinikisht dhe në kartelën e hapur kishte shënuar diagnozën ‘sociopath me simptoma patologjike’”. Gjithsesi këto përbëjnë sekrete. Shtetërore? Medikoligjore? Morale? Shkelje e privatësisë? E të drejtave të… Institucionalisht jo dhe jo, që nuk i takon të flasë kështu ose porositë vijnë më nga lart se kryeministri i vendit, etj, etj. (Edi dikur, pedagog në Akademinë e Arteve, që të më mbronte, i është vërsulur një operativi, i cili, pasi kisha dalë nga burgu, më përndiqte dhe donte të më bënte bashkëpunëtor… tani njëri nga ata po i vërsulet atij, duke qenë dhe kryeministër… Pse kjo pakënaqësi me atë? Duhet përballja… e atij apo jona?)
* * *
Politikanët e pluralizmit shfaqen aty si aktorë të hutuar, por dhe viktima të “qeverisjes paralelë” që Sigurimi ende ushtron pas ’90-ës. Në botim-raport vazhdohet me përshkrime të dosjeve, të informatorëve, hetimeve që shënjuan të gjitha nivelet e shoqërisë, jo vetëm duke e normalizuar rolin e shërbimit sekret, por dhe duke e himnizuar.
Përse duhen dhe bëhen këto botime? Mos duan të forcojnë dyshimet që Sigurimi është protagonist real i historisë së pluralizmit? Politikanët nuk paraqiten përtej statusit të aktorëve të konsumuar nga një sistem i ndarë, ku Sigurimi i Shtetit kërkon të mbetet Sovran.
Vërtet politikanët e lartë janë siç paraqiten, si instrumente ose të veneruar ose të zhytur në varësi të strukturave sekrete? Më shumë lojtarë të mbështetur, sesa udhëheqës të lire?…
TREKËNDËSHI TJETËR I TYRE:
Siç duket e shkuara si regjim kërkon të arrijë: 1.Të mbajë dhe të krijojë nostalgjikët dhe ekstremistët e vet, sabotues të rendit, po të flasim me gjuhën e tyre, armiq të demokracisë si një e tashmes e përbashkët nëpërmjet shtetit, duke bërë pro tij ose kundër sipas rastit,
2. Që shkruesit e të shkruarës si regjim saj të mos dëshmojnë, histori jo se jo të asaj që përjetuam, por retorikë politike me të njëjtën frymë ku çdo kundërshtar të shmanget, të neutralizohet, të zhduket.
3. Ndërkaq spikat përpjekja nervoze e rehabilitimit të formave dhunuese ndaj politikës pluraliste… dhe më e keqja duke përhapur idenë se pluralizmi ka në themel Sigurimin e Shtetit, tani si mbrojtës të tij dhe shkatërrues të tij.
Gjithsesi unë do të thosha se nuk duhet heshtur, Heshtja sot është kompromis me të djeshmen vrastare që vret edhe sot. Një krim i ri në emër të një krimi të vjetër. Një tentativë për t’i kthyer në pushtet moral ata që do të duhej të ishin në bankën e të pandehurve të tyre. E them prapë, ata dhe mund të hakmerren, hapur apo fshehurazi siç dinë ata, me heshtje vigjilente apo me shpifje, – i pres, – por dhe duke vepruar prapa shpine, me linçime, aksidente apo helmime, punë e tyre, por sidoqoftë dikush duhet të përgjigjet. Ketë radhë m’u dha rasti mua…
NË VEND TË GJYQIT.
DISA GJYKIME…
S’e kam fjalën për ndonjë botim të veçantë, por në përgjithësi për ato botime e mendësi e veprime me alibitë dhe revanshin e së keqes, për klimën e krijuar si të absurdit socrealist…
A duhen ndaluar? Siç benin ata? Jo, mendoj, u duhet përgjigjur.
Botime kësisoj, pa zhurmë e promovime, që gjithsesi çorodisin opinione si thashethemnajat, mbase më shumë gjakojnë, besoj, që t’i mbeten së ardhmes si dosje të pluhurosura. Unë i shoh dhe si dëshmi të një gjëme që nuk ka përfunduar, por ka ndërruar vetëm formë: nga akt-akuzat, dhuna e torturat qelive e vendeve të fshehta e të errëta, në gjykatat kafkiane etj, është kaluar në retorikë, disinformim dhe ideologji e kërcënime të nënkuptuara. A mos pret të kthehet prapë nga dosjet në dhunë mashtrim e dënime e sistem? Është kuptuar një si strategji, jo dhe aq e re, për të rehabilituar të pakthyeshmen, që ka nisur, me shenja si rastëdore, psh, duke i kthyer ca nga spiunët e aftë në “analistë”, operativët në “veprimtarë të shtetit” e “avokatë” dhe vetë Sigurimin famëkeq në “institucion që kreu detyra kombëtare”, në fakt kreu detyrat më të errta e kriminale partiake. Duan të bindin se diktatura kishte arsye, madje meritohej, se dhuna ishte e nevojshme dhe se e vërteta mund të kontrollohet, të privatizohet dhe të shitet si t’u duhet dhe si e pavërtetë dhe e ndërsjellta. Një krim i ri mbi të vërtetën si një vazhdim ogurkeq dhe me libra, me mjete letrare madje, e bashkëpunëtorëve apo që nuk shkëputen dot nga trama e adhurimit të së kaluarës së keqe, kur vetë janë ndjerë më mire e jo vendi, që shfaqet si pa kuptuar që nga sharjet e rëndomta në rrugë e pastaj kalon media, në kritikën e socrealiztave të mbetur, në punësimet në institucione, arrin deri në presidencë, me presidentë figura me uniormë të së kalurës, mërgon dhe në diasporë, ku marrin qytetarinë e vendeve europiane apo të Amerikës, por nuk veprojnë si qytetarë të lirë. Ka një si përpjekje për të zbehur qendresën e atyre që qendruan diktaturës apo të atyre që hodhën të parët në protesta për ndryshime demokratike, kamuflohen për të zhbërë nevojën dhe detyrimin e ndjesës publike që shoqëria shqiptare ende nuk e ka marrë nga persekutuesit e saj. Kështu kemi një triumf të cinizmit mbi dhimbjen, i pushtetit mbi kujtesën deri dhe të të pashqetësuarve mbi të pambrojturit. Heshtja është dhe e dëmshme. Duhet ta kundërshtojmë me kujtesë, me drejtësi, me fjalën e përgjegjshme, me vepra…
Në vend që të zbulohen përgjegjësitë e krimit, institucioanle dhe individuale, morale, etj, të një makinerie të madhe dhune që vrau liritë dhe mbushi burgje e internime, himnizohen institucionet e dhunës dhe “burimet operative” të së keqes si të ishin heronj e jo keqbërës e spiunë. Bëhen zbulime për të fshehur dhe fshehin për të zhbërë. Është një strategji e vjetër: të hedhësh hije mbi të gjithë që të mos dallohet e zeza e vetes. Janë përpjekje për të ndryshuar narrativën kombëtare, për të bërë që shtypësit të duken shtetarë dhe viktimat – të padukshme. Janë, në fakt, burgje të reja të kujtesës. Këto janë strategji klasike të krijimit të një imazhi me armiq dhe paranoja. Retorikat e mbushur me tipare konspirative, duket se kërkojnë të heqin vëmendjen nga thelbi: shkelja e dinjitetit njerëzor dhe krimet ndaj shoqërisë të ushtruara për interesa të ulta politike, sipas porosive dhe urdhërave të sundimtarëve e interesave të tyre sot, kapitaliste por dhe antikombëtare. Psikiatrja amerikane, profesore në Harvard, Judith Herman. thekson se për të pasur shërim kolektiv, shoqëria duhet të njohë viktimën dhe të përjashtojë kriminelin nga roli moral i rrëfyesit. Nëse nuk ndodh kjo, trauma shoqërore përsëritet dhe viktimat rrezikojnë të heshtin për të mos u poshtëruar sërish. Kjo prani e njëkohshme në kujtime, dhimbja e të përndjekurve dhe krenaria e persekutorëve duhet të ngrejë alarmin “e përjetimit në një formë të re të dhunës qe s’po hesht, – riviktimizim kolektiv dhe përmes letrave.” Nuk mund të pranohet që historia të shkruhet në mënyrë simetrike, sikur të dy palët, i persekutuari dhe persekutori, thjesht “kanë rrëfimet e tyre”. Ky nuk është pluralizëm mendimesh, por plu(hur)ralizëm mohimesh, fyerje e njeriut dhe e kohës, jo analiza, por apologji të së keqes. Nuk ka zbulime, por fshehje. Sociologu francez Pierre Bourdieu do ta quante këtë “dhunë simbolike”, – më saktë “simbol dhune”, them unë, – kur elitat e vjetra rifitojnë pushtetin jo me dhunë fizike, por përmes kapjes së diskursit publik – dhe kjo është ajo që ndodh… Sipas meje mungojnë nismat reale për ndërgjegjësim publik, për debatin moral mbi transparencën dhe hetimet e krimeve të regjimit komunist e në postdiktaturë.. Në vend të kësaj, krijohet përshtypja e një “akuze” politike të nënkuptuar kundër pluralizmit. Filozofi dhe sociologu polak, Zygmunt Bauman, që përjetoi komunizmin në Poloni dhe përndjejkjet si hebre, (është autori i përcaktimit të shoqërive likuide), ka folur për “likuidimin e kujtesës” në shoqëritë post-totalitare. Kur shoqëria nuk ka kryer llogaridhënie të plotë, ajo rrezikon të rikrijojë mekanizmat e së shkuarës me mjete të reja: kulturën, letërsinë, median. Se mos jemi vonë? Patjetë që po, si përherë. Më mirë vonë se kurrë.