
Në historinë e letërsisë botërore, Anton Pavlloviç Çehov shfaqet si një figurë e dyfishtë, një njeri që mbajti në duar bisturinë e mjekut dhe pendën e shkrimtarit, duke i dhënë secilës prej tyre një dimension të ri.
Ai nuk e braktisi mjekësinë, por e shndërroi atë në një burim të pashtershëm vëzhgimesh, në një laborator të jetës njerëzore, ku dhimbja, shpresa dhe absurdi i ekzistencës merrnin trajtë artistike.
Çehovi është shembulli i rrallë i njeriut që, duke u nisur nga realiteti i ashpër, arriti të krijojë një univers letrar ku e zakonshmja bëhet e jashtëzakonshme.
Maksima e tij e famshme, “Mjekësia është gruaja ime, ndërsa letërsia dashnorja”, nuk është thjesht një lojë fjalësh, por një metaforë e jetës së tij. Mjekësia i dha disiplinën e mendjes, aftësinë për të parë me sy kritik dhe për të kuptuar trupin e njeriut si një enigmë të brishtë. Letërsia, nga ana tjetër, i dha mundësinë të depërtonte në shpirtin e njeriut, të zbulonte plagët e padukshme, ato që nuk shërohen me ilaçe, por me ndërgjegjësim dhe art. Në këtë bashkëjetesë të dy botëve, Çehovi ndërtoi një urë mes shkencës dhe estetikës, duke e bërë letërsinë një mjekësi të shpirtit.
Fëmijëria e Çehovit, e mbushur me kamxhikun e të atit dhe varfërinë e familjes, e mësoi atë se çfarë do të thotë dhunë, padrejtësi dhe mungesë lirie. Pikërisht këto plagë të hershme e bënë të ndjeshëm ndaj fateve njerëzore.
Ai e ndau jetën në dy periudha. Para dhe pas goditjeve me kamxhik. Ky ndarje nuk ishte vetëm biografike, por edhe filozofike, nga dhuna e përjetuar, ai nxori programin e tij etik, ku trupi, shëndeti, dashuria dhe liria ishin vlerat më të shenjta. Çehovi nuk shkruante për të dhënë receta morale, por për të nxitur ndërgjegjësimin, për të treguar se njeriu duhet të mësojë të dëgjojë dhe të kuptojë tjetrin.
Vëzhguesi i jetës së zakonshme
Çehovi ishte mjeshtër i detajit. Ai e dinte se “djalli qëndron në detaje”, por për të, detajet ishin antidoti i djallit. Në tregimet e tij të shkurtra, një shikim i thjeshtë, një heshtje e gjatë, një fjalë e papërfunduar, bëhen çelësa për të zbuluar dramën e brendshme të personazheve. Ai nuk kërkonte ngjarje të mëdha, por e shndërronte të zakonshmen në art. Kjo e bën Çehovin të krahasueshëm me Shekspirin: të dy e kuptuan se natyra njerëzore është një teatër i pafund, ku komedia dhe tragjedia bashkëjetojnë.
Udhëtimi i tij në Sakhalin, ku pa nga afër jetën e të burgosurve, është dëshmi e përkushtimit të tij ndaj njeriut. Ai nuk shkoi atje për të bërë karrierë, por për të dëshmuar, për të mbledhur histori që do të pasuronin veprën e tij. Çehovi nuk ishte një idealist naiv; ai e kuptonte se bota nuk ndryshon vetëm me dëshira, por me ekuilibër mes dhënies dhe marrjes. Megjithatë, ai bëri më shumë se shumë reformatorë: i dha njerëzimit një pasqyrë ku mund të shihte plagët e veta.
Dramat e tij, Pulëbardha, Xhaxha Vanja, Tri motrat, Kopshti i qershive, nuk janë thjesht pjesë teatrale, por meditime mbi kohën, fatin dhe marrëdhëniet njerëzore. Ato nuk kanë funde të bujshme, por heshtje që të mbeten në mendje. Çehovi e kuptoi se jeta nuk mbyllet me një akt të madh, por me një varg detajesh të vogla, të cilat e bëjnë njeriun të prekshëm dhe të vërtetë. Për këtë arsye, veprat e tij janë gjithkohësore: ato flasin për njeriun e shekullit XIX, por edhe për njeriun e sotëm.
Anton Çehov mbetet një gjeni i novelës dhe dramaturgjisë, një mjek i trupit që u bë mjek i shpirtit. Ai na mëson se arti nuk është luks, por nevojë; se letërsia nuk është arratisje, por mënyrë për të parë botën më qartë. Në përvjetorin e lindjes së tij, përulemi jo vetëm para një shkrimtari, por para një njeriu që e ktheu dhimbjen në art, heshtjen në dramë dhe jetën e zakonshme në një univers të jashtëzakonshëm. Çehovi është dëshmi se gjenialiteti nuk qëndron në madhështinë e jashtme, por në aftësinë për të parë thellë në shpirtin e njeriut dhe për ta bërë atë të flasë me gjuhën e përjetësisë.
Përgatiti: Albert Vataj