





Sokol Paja/
Arbëreshët nga Kalabria Ettore Bonanno përgjegjës i marrëdhënieve publike e ndërkombëtare në shoqatën “Fili Meridiani” në Pallagorio, Kalabri dhe Alessandro Frontera përgjegjës i guidës turistike vizituan Federatën Vatra. Ata u priten nga z.Ilir Cubi anëtar i kryesisë së Vatrës dhe Editori i Diellit. Ata u njohën në detaje me historinë e lavdishme të Vatrës e Diellit, kontributin e jashtëzakonshëm për komb, atdhe e komunitet shqiptar në Amerikë. Editori u shpjegoi rrugëtimin patriotik të figura të shquara kombëtare në mërgatën e Amerikës. Arbëreshët shpalosën punën e fuqishme kulturore dhe komunitare për të ruajtur traditën kombëtare dhe identitetin shqiptar në Kalabri. Shoqata “Fili Meridiani” është themeluar prej 4 vitesh dhe ka në fokusin e saj zhvillimin e turizmit, kulturës, gjuhës dhe historisë te arbëreshët e Italisë. Kjo shoqatë viziton për herë të parë Amerikën dhe është prezantuar para shqiptarëve të Amerikës me disa aktivitete kulturore shumë dinjitoze. Ata i dhuruan Vatrës përzëmërsisht një kopje të gazetës “La Nazione Albanese” gazetës së famshme të shqiptarëve të Kalabrisë që u shërbeu arbëreshëve për 27 vite. Aktivitetet e shoqatës kulturore e sociale “Fili Meridiani” kanë në thelb komunitetin shqiptar me synim lidhjen e gjallë të Arbëreshëve me mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.