Ditën e mërkurë, datë 23.04.2014, Akademia e AIITC “Popuj dhe Kultura” organizoi takimin e saj të katërt me temë: “Arbëreshët e Italisë dhe revista arbëreshe “Lidhja” – Një kontribut i çmuar kombëtar jashtë Shqipërisë”, ku i ftuar ishte At Antonio Bellusci, themelues i revistës dhe drejtor i Bibliotekës Ndërkombëtare Shqiptare “A.Bellusci”, Frascineto (Cosenza).
Ky takim vinte në kuadër të leksioneve që kjo akademi organizon, me synim për të kontribuar pozitivisht në kulturën shqiptare me këndvështrime të reja dhe me prurje të larmishme nga qytetërimi botëror.
Një pjesë e pandarë e kulturës kombëtare shqiptare është kultura e trashëguar nga arbëreshët e Italisë. Për t’u njohur më thellë me jetën kulturore dhe intelektuale të kësaj popullsie, si dhe për të mësuar më shumë rreth përpjekjeve të tyre për ruajtjen dhe forcimin e traditave dhe identitetit të tyre kombëtar në Itali.
Në takim referoi At Antonio Bellusci, i cili ka dhënë një kontribut të shquar në këtë drejtim, duk e themeluar i një sërë institutesh kulturore dhe akademike si: revista arbëreshe “Lidhja” dhe Biblioteka Ndërkombëtare Shqiptare”A.Bellusci”, në Frascineto (Cosenza).
I gjendur në Shqipëri në kuadër të një delegacioni arbëresh nga rajoni i Unggrës, z.Antonio Bellusci iu përgjigj pozitivisht ftesës nga AIITC, për të zhvilluar një takim në mjediset e Institutit, me qëllim prezantimin e veprimtarisë së tij në shërbim të kulturës arbëreshe.
Me këtë rast, delegacioni arbëresh, i shoqëruar nga Kryetari i Komitetit Shtetëror të Kulteve z. Ilir Hoxholli, kreu një vizitë dhe në ambientet e AIITC. Atje u pritën nga Drejtori i AIITC Dr. Ramiz Zekaj, Kryetari i Bordit Dr. Faruk Borova, kryeredaktori i revistës “Univers” prof. dr. Arian Kadiu dhe një numër bashkëpunëtorësh.
Në takim morën pjesë një numër studiuesish, intelektualë dhe njerëz të librit si, gjuhëtarët prof. dr. Emil Lafe, prof. dr. Hasan Çipuri dhe Dr. Genciana Abazi, historianët Bedri Telegrafi dhe Ibrahim Hoxha, botuesi Xhevahir Lleshi dhe shumë të interesuar të tjerë.
Akademinë e hapi At Antonio Bellusci me një prezantim të veprimtarisë së Bibliotekës së tij. Z. Bellusci tregoi se Biblioteka Ndërkombëtare Shqiptare”A.Bellusci”, Frascineto (Cosenza) u themelua në vitin 2001 me ndihmën e baskisë së qytetit Frascineto, për të qenë në shërbim të komunitetit italo-arbëresh prej 30 mijë vetësh.
Ishte kjo nismë finalizimi i përpjekjeve shumëvjeçare të bëra prej tij si etnolog, folklorist dhe studiues i gjuhës shqipe dhe traditave arbëreshe. Biblioteka përmbante një literaturë të pasur në gjuhën shqipe nga të gjitha kohët. Por ai që binte në sy, ishte fakti se biblioteka ishte kthyer si një muze etnografik. Përveç librave, ajo përmbante piktura, një vegjë tezgjahu, qilima me motive shqiptare, fotografi edhe shumë objekte të tjera të kulturës kombëtare, të cilat arbëreshët ia kanë ruajtur ndër shekuj.
Më pas ai prezantoi veprimtaritë e ndryshme që kishte zhvilluar biblioteka këto 13 vite, ku vuri një fokus të veçantë te vizitat e shumta të zhvilluara nga personalitete të ndryshme shqiptare ndër vite. Artistë, shkrimtarë, politikanë, nxënës e studentë të shumtë nga Italia, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ka pritur ajo bibliotekë. I gjithë prezantimi u shoqërua me një kolazh këngësh tradicionale arbëreshe, që z. Bellusci i kishte mbledhur për këtë rast.
Më pas fjalën e mori kreu i delegacionit arbëresh Mons. Donato Oliverio, i cili e falënderoi Institutin për mundësinë që i dha të takohej me një auditor të nderuar dhe u shpreh se një nga vlerat më të çmuara të popullit shqiptar që ai e vuri re shumë qartë gjatë kësaj vizite, është toleranca fetare e mrekullueshme që ekziston mes shqiptarëve, çka duhet ekspozuar më shumë ndërkombëtarisht.
Në përfundim të takimit, Drejtori i AIITC dr. Ramiz Zekaj e falënderoi At Antonio Belluscin dhe delegacionin arbëresh që e kishin pranuar ftesën e tij për vizitë. Ai rrëfeu mbresat e tij gjatë një vizite që kishte kryer disa kohë më parë në bibliotekën “A. Bellusci”, ku kishte mbetur i habitur nga mënyra si kishin mbetur të ruajtura shumë elementë të traditës kombëtare shqiptare atje. Dr. Zekaj u shpreh se tashmë At Bellusci kishte pranuar ftesën për të qenë anëtar i Bordit Këshillimor të revistës “Univers” dhe i uroi mirëseardhjen në gjirin e kontribuuesve të kësaj reviste. Pas disa konsiderata nga të pranishmit, veprimtaria u mbyll me një koktej të përgatitur me këtë rast, gjatë të cilit At Bellusci pati mundësi të shënonte përshtypjet e tij në Librin e Vizitorëve të AIITC.