
Prof. Dr. Begzad Baliu/
Me rastin e 85-vjetorit të lindjes, Profesor Isak Shema e ka parë të arsyeshme që nga korpusi i veprimtarisë së pasur arsimore, kërkimore e shkencore ta ribotojë veprën e tij Arbëneshët e Zarës – Shqiptarët e Zarës (Histori, gjuhë, arsim, letërsi, kulturë), botuar një dekadë më parë. Në të vërtetë ky vëllim studimesh, kërkimesh e dokumentesh është një sintezë materialesh, kumtesash, vlerësimesh e tekstesh të tjera nga Profesor Isak Shema dhe studiues të tjerë, të cilat në një mënyrë apo një tjetër ndërlidhen me jetën dhe trashëgiminë materiale e shpirtërore të arbëneshëve të Zarës, si dhe me studimin e tyre.
Vëllimi Arbëneshët e Zarës – Shqiptarët e Zarës (Histori, gjuhë, arsim, letërsi, kulturë), është strukturuar nga katër pjesë. Në pjesën e parë janë botuar temat nga fusha e historisë, qofshin ato tekste të Profesor Isak Shemës, qofshin ato tekste të studiuesve më të shquar të kësaj fushe. Numri i madh i studimeve, që me përmbajtjen e tyre paraqesin pothuajse një tërësi mjaft të ngjeshur, hapet me studimin e Profesor Aleksandër Stipçeviqit me titull përkushtues e krahasues “Ilirët, shqiptarët, kroatët”, për të vazhduar me studimin themeltar të Profesor Idriz Ajetit, Mbi zhvillimin e së folmes së arbneshëve të Zarës dhe lidhjen e tyre me truallin autokton të Shestanit. Më tej zë vend një studim mjaft i shtrirë në kohë dhe hapësirë për prozatorin emblematik të arbneshëve të Zarës, Shime Deshaplin, të cilit i pasvinë edhe tekste të tjera autoriale dhe të shtypit të kohës sonë.
Arbneshët e Zarës, e kaluara historike, si dhe gjendja e sotme etno-kulturore e tyre nuk ka ndonjë histori të gjatë në raport me historinë e tyre të brendshme. Mund të thuhet se historia e studimit të veçorive historike, etno-kulturore e gjuhësore e tyre në Prishtinë, është zbulim i gjysmës së dytë të shekullit XX, sado nuk mungonin njohjet nga literatura italiane dhe gjermane. Por se historia e këtyre kërkimeve, studimeve dhe sidomos botimeve të trashëgimisë, gjuhës dhe letërsisë së arbneshëve në Prishtinë është gjithashtu e veçantë dhe pothuajse e pazakonshme. Historia e ndërlidhjes së individëve, revistave dhe institucioneve kulturore të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi me arbneshët mund të quhet një histori e zbulimit të një ishulli pothuajse të panjohur. Një Ishull i Robinson Kruzos, në të cilin, “shqipen e shkruante një grusht arbëreshësh, para se gjithash Josip Rela , theksonte Profesor Idriz Ajeti, në një nga kërkesat e tij drejtuar udhëheqjes së Institutit Albanologjik (1954), për të ndërmarrë kërkime për tezën e tij të doktoratës , ndërkohë që në revistën autoritative “Jeta e re”, drejtuar nga Esad Mekuli dy vjet më parë (1952), kishte filluar vit pas viti të botohej vepra letrare e Josip Relës, Shime Deshapalit. Budimir Petroviqit, historianit Aleksandër Stipçeviq, ndërsa studiuesit si Profesor Ajeti e të tjerë, mbanin raporte të veçanta me enciklopedistin e linguistin Kruno Kërstiq , ilirologun Radoslav Katiçiq etj. Pa dashur të ndalem gjerësisht te historia e këtyre interesimeve e marrëdhënieve të studiuesve dhe institucione të Prishtinës dhe Shkupit për arbneshët e Zarës, dua të theksoj këtu se ato janë zhvilluar në tri rrafshe:
a. rrafshi i parë, botimi prej dy dekadash i veprës letrare të Josip Relës në revistën “Jeta e Re”, e cila kulmoi me botimin e veprave të plota të tij , si dhe me një përzgjedhje të prozave të Shime Deshpalit ;
b. rrafshi i dytë, botimi i studimeve dhe vëllimeve shkencore të Aleksandër Stipçeviqit , përkthimit të studimeve të Radoslav Katiçiqit, si dhe një botimi posaçërisht të veçantë dhe më pak i njohur i Henrik Bariqit në Zagreb.
c. rrafshi i tretë, ngritja e studimeve ilire në ish-Jugosllavi dhe institucionalizimi i teorisë së origjinës së popullit shqiptar e gjuhës shqipe deri tek botimet zyrtare të Enciklopedisë së Jugosllavisë, nga ana e studiuesve shqiptarë, Esad Mekuli, Idriz Ajeti dhe Ali Hadri, me ndihmën e arbneshëve Aleksandër Stipçeviq, Kruno Kërstiq e studiuesit kroat Radoslav Katiçiq, duke përfshirë edhe bardin e këtij institucioni shkrimtarin e lavdishëm kroat Miroslav Kërlezha, pavarësisht reagimit jashtëzakonisht të madh të qendrës enciklopedike serbe, Akademisë së Serbisë, qendrave të tjera shkencore, si dhe shtypit shkencor, ditor e madje atij bulevardesk.
Nga të gjithë arbneshët, gjatë kësaj periudhe, jeta dhe vepra e Josip Vllahoviq – Relës do të bëhen boshti i personaliteteve përfaqësuese të kësaj diaspore historike në katër aspekte: 1. botimi i plotë në revistën “Jeta e re” e pastaj i kompletit të tij të veprës letrare; 2. përfshirjen e krijimtarisë së tij në literaturën shkollore (poezisë së tij Liria, në Librin e leximit shkollor, dhe dramës së tij “Nita”, – lekturë shkollore); 3. Shfaqa e dramës së tij “Nita” në Teatrin Kombëtar (që në vitet ’60) dhe në teatrot amatore të qyteteve të tjera në Kosovë dhe Maqedoni; si dhe 4. studimi sintetik i veprës së tij , fillimisht si monografi më vete e më tej edhe si temë e doktoratës në Universitetin e Prishtinës.
Pjesa e dytë e vëllimit është menduar si një kapitull pothuajse i panjohur në rrethet tona shkencore të Prishtinës, mbi mësimin e gjuhës shqipe nga arbneshët e Zarës, për të cilën Profesor Isak Shema ka dhënë kontribut të veçantë. Tekstet e tij thellësisht të trajtuara me kompetencë në këtë fushë sjellin hulumtime të reja arkivore, të dhëna të pasura përmbajtjesore, dokumente të panjohura, analiza të reja dhe përpjekje për të sjellë rrafshe të reja njohëse në fushë të organizimit të shkollave dhe të mësimdhënies në gjuhën arbneshe në Zarë.
Po të bëhet bibliografia e kërkimeve, studimeve, sintezave dhe madje editimeve, nuk është vështirë të shihet se në rrethin e studiuesve, ligjëruesve ndër konferenca shkencore dhe edituesve të veprave të arbneshëve të Zarës, Profesor Isak Shema zë kryet e vendit, ndërsa ky vëllim është një sintezë tipike e gjithë kësaj periudhe pothuajse njëshekullore.
Pjesa e tretë e këtij vëllimi studimor, e cila zë edhe hapësirën më të madh të teksteve të tij, do të mund të quhej një kronikë e dekadave të fundit mbi zhvillimet arsimore, letrare e shkencore për kulturën arbneshe. Fjala është për një korpus tekstesh, dokumentesh, kronikash, studimesh, recensionesh, tryezash shkencore e kulturore, si dhe sesione letrare për çështje të ndryshme letrare e kulturore arbneshe. Në radhë të parë kemi të bëjmë me studimet, kronikat, shënimet e dokumentet e Profesor Isak Shemës për autorë të shquar të letrave (kryesisht Josip Relën e Shime Deshpalin); historinë, letërsinë e kulturën arbneshe, organizimin e mësimdhënies dhe lëvrimin e literaturës shqipe ndër shkollat arbneshe, organizimin e takimeve e përkujtimeve mbi trashëgiminë arbneshe të Zarës në Prishtinë e më gjerë në Kosovë, si dhe në Zarë e në hapësirat historike, institucionet shkencore, universitare e arsimore atje.
Nëse studimet shkencore dhe recensionet për arbneshët dhe veprat e Profesor Isak Shemës kushtuar trashëgimisë historike, shkollore, kulturore e letrare të arbneshëve janë tekste të formatit të mbyllur, kronikat, informacionet e pasura, katalogjet e sesioneve shkencore e letrare, fotografitë dhe dokumentet e tjera përcjellëse sjellin një pamje tjetër të hapur të pjesëmarrësve (Bashkim Kuçuku, Maximiliana Barançiq, Shyqri Galica, Besim Rexha, Dom Lush Gjergji, Nuhi Rexhepi, Persida Asllani, Mehmet Latifi etj.) e njohjes së tyre, si dhe një mundësi kërkimi, vlerësimi e nderimi për organizatorët e sidomos bardin e tyre Profesor Isak Shemën. Besoj se kjo është edhe arsyeja pse tekstet e kësaj pjese të librit janë botuar në gjuhën shqipe dhe në gjuhën kroate.
Vepra e Profesor Isak Shemës, Arbëneshët e Zarës – Shqiptarët e Zarës (Histori, gjuhë, arsim, letërsi, kulturë), në këtë rrjedhë është një krestomaci për historinë, gjuhën dhe sidomos arsimin, letërsinë dhe kulturën e arbneshëve të atij ishulli të diasporës historike të shqiptarëve dhe shqiptarëve të shekullit XX, të cilët për arsye historike e kanë ruajtur edhe etnonimin historik të tyre, ashtu sikur e kanë ruajtur etnonimin historik të tyre edhe shqiptarët në Itali, Greqi dhe Turqi e Lindje përgjithësisht, po jo edhe shqiptarët e diasporës historike në Amerikë, pasi i takojnë asaj periudhe postrilindase të shekullit XIX-XX.
Autori i këtij vëllimi Profesor Isak Shema jo rastësisht ka mundur të krijojë një vepër autoriale e shumautoriale e shumëdimensionale, po që funksionon si sistem brenda një teme, temës së madhe historike dhe bashkëkohore: historisë arsimit, letërsisë, gjuhës dhe kulturës së arbëreshëve.
Isak Shema, Arbëneshët e Zarës – Shqiptarët e Zarës (Histori, gjuhë, arsim, letërsi, kulturë), Prishtinë, 2015, ribotuar, më 2025, f. 364.