




Skulptori Ardian Pepa autor i mbi 60 monumenteve dhe shtatoreve brenda dhe jashtë vendit, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Italinë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, aspekte dhe detaje të panjohura të realizimit të punimeve të tij kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, Nënë Terezës, Migjenit, Pashko Vasës etj, analizon skulpturën cilësore në ditët e sotme në betejë me shëmtinë, nepotizmin, mediokritetin e korrupsionin institucional, shkatërrimin e imazhit madhështor të personaliteteve kombëtare nëpërmjet skulpturës së dobët. Me skulptorin Ardian Pepa bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.
TË VEÇANTAT E PUNIMEVE TË GJERGJ KASTRIOTIT NË TUZ, SHQIPËRI, ITALI
Skulpturat që kam realizuar për figurën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut janë të shumta dhe të shpërndara në disa vende si Shqipëri, Mal i Zi dhe Itali. Secila prej tyre ka një karakter unik, të lidhur ngushtë me kontekstin historik dhe gjeografik ku është vendosur. Në Tuz, për shembull, shtatorja ekuestre në bronz është një ndër realizimet më monumentale. Figura e Skënderbeut mbi kalë është paraqitur me një forcë dinamike, me shpatën e ngritur, duke transmetuar jo vetëm heroizëm por edhe vendosmëri dhe krenari kombëtare. Në Itali, bustet e vendosura në komunat San Benedetto Ullano dhe Cerzeto janë të ngarkuara me simbolikë, sepse ndodhen në qendra të arbëreshëve – pasardhës të drejtpërdrejtë të heroit kombëtar. Teknikisht, veprat janë të realizuara me mjeshtëri të lartë në modelim dhe përpunim të detajuar të formës, ku materiali si balta dhe bronzi përdoret për të nxjerrë në pah fizionominë dhe karakterin e figurës historike. Nëpërmjet këtyre skulpturave kam synuar të ndërtoj ura mes brezave, duke i kujtuar publikut se Skënderbeu është jo vetëm një figurë historike, por një simbol i përhershëm i identitetit tonë.
PERSONALITETE KOMBËTARE, HISTORI DHE FRYMËZIM
Një pjesë e madhe e krijimtarisë sime i kushtohet figurave të shquara shqiptare. Kam realizuar shtatore të Nënë Terezës në disa qytete, përfshirë Kamzën, Trieshin dhe Laç-Vau Dejësin, secila me një frymëzim të veçantë për vendosmërinë dhe dashurinë njerëzore që ajo përfaqëson. Skulptura e Pashko Vasës në Shkodër është një tjetër vepër e dashur për mua, sepse ai ishte jo vetëm patriot, por edhe një figurë kulturore e rrallë. Monumenti i Migjenit në Pukë është konceptuar me një gjuhë më lirike, për të shprehur shpirtin e tij poetik dhe rebel kundër padrejtësive. Puna për këto figura nuk është thjeshtë një detyrë artistike, por një dialog i brendshëm mes meje dhe historisë sonë. Këto janë figura që më frymëzojnë, dhe përmes skulpturave dua t’i bëj të pranishme fizikisht në jetën tonë të përditshme. Kam realizuar shtatoren e Koço plakut, një ndër gjeologët e parë shqiptarë i vendosur në Fier dhe Françesk Radit, një ndër këngautorët e parë shqiptar e shumë buste e shtatore të tjera.
SHKATËRRIMI I IMAZHI MADHËSHTOR TË PERSONALITETEVE KOMBËTARE NËPËRMJET SKULPTURËS SË DOBËT
Kur një figurë e madhe kombëtare paraqitet në mënyrë të pasaktë, pa shpirt dhe pa dinjitet në një vepër publike, ndodh një dëm i dyfishtë: nuk fyhet vetëm arti, por edhe kujtesa kolektive. Fatkeqësisht, janë të shumta rastet kur për shkak të mungesës së profesionalizmit, interesave të ngushta apo nxitimit, vendosen monumente që nuk i bëjnë aspak nder figurave që përfaqësojnë. Një bust i Skënderbeut që nuk shpreh forcën e tij, një Nënë Terezë e ftohtë dhe e largët – këto nuk janë thjesht dështime estetike, por deformime të imazhit tonë kombëtar.
SKULPTURA CILËSORE NË BETEJË ME SHËMTINË, NEPOTIZMIN DHE MEDIOKRITETIN
Në shumë raste, konkursi artistik nuk fiton më i miri, por ai që ka lidhje të forta apo që ofron çmimin më të ulët. Kjo e ul nivelin e skulpturës publike dhe demotivon artistët e vërtetë që punojnë me përkushtim. Korrupsioni institucional është një faktor real që ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e hapësirës publike. Ka artistë të talentuar që nuk kanë mundësinë të shprehen, sepse sistemi nuk i përfshin, nuk i dëgjon dhe nuk i mbështet.
FILLIMET NË ARTIN E SKULPTURËS
Rruga ime nisi që në fëmijëri, duke modeluar me baltë forma që më dukeshin të gjalla. Studimet në Liceun Artistik me profesor Skender Kraja dhe më pas në Akademinë e Arteve me profesor Hektor Dule dhe Thoma Thomai më dhanë formim të strukturuar. Pas diplomimit, iu përkushtova krijimtarisë së lirë duke realizuar skulptura të karakterit monumental. Një prej veprave të para që shënoi karrierën time ishte shtatorja e fotbollistit te ravenes dhe kombëtares shqiptare Brian Filipit në Itali, një punë me shumë emocion dhe përgjegjësi.
SHPIRTI I SHQIPTARIT DHE HISTORIA SI BURIM FRYMËZIMI
Frymëzimi im më i madh është vetë njeriu dhe historia e këtij vendi. Shpirti i malësorit, përkushtimi i mësueses, sakrifica e luftëtarit – këto janë imazhe që më ndjekin gjithmonë. Skulptura shqiptare sot vuan nga mungesa e politikave kulturore afatgjata, nënvlerësimi i rolit të artistit dhe shpesh nga mungesa e edukimit estetik te publiku. Të rinjve u them gjithmonë: mos e bëni artin si zanat për bukë, por si një formë të lartë përjetimi dhe shërbimi ndaj së bukurës dhe kombit.
KUSH ËSHTË SKULPTORI ARDIAN PEPA?
Jam lindur më 2 mars 1977 dhe prej më shumë se dy dekadash i jam përkushtuar artit të skulpturës. Jam diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe kam përfunduar Masterin Ekzekutiv për Skulpturë në Universitetin e Prishtinës. Kam realizuar mbi 60 monumente dhe shtatore brenda dhe jashtë vendit, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Italinë. Kam qenë pjesëmarrës në shumë simpoziume ndërkombëtare dhe kam çmime të fituara në konkurse të rëndësishme. Jam Laborant mësimor në degën e skulpturës monumentale në Universitetin e Arteve dhe vijoj të krijoj me pasion dhe përkushtim. Arti për mua është një mision që nuk mbaron kurrë – është mënyra ime për të jetuar, për të dhënë dhe për të lënë gjurmë.