

Dr. Kriledjan Çipa/
Studiuesi anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond, Profesor në Universitetin e Bristolit, ishte një nga njohësit më të mirë të arkeologjisë së Epirit dhe Ilirisë, si dhe një nga kokat e arkeologjisë Europiane. E kishte eksploruar Shqipërinë e Jugut gjatë viteve 1930 dhe vëzhgimet e tij i ka publikuar në një numër artikujsh, si dhe në veprën e tij monumentale “Epirus”. Pas Luftës së Dytë Botërore, ai pati rastin të ballafaqohej me arkeologët shqiptarë në një sërë konferencash ndërkombëtare. Pavarësisht pikpamjeve të ndryshme që kishin mbi çështje të ndryshme, të cilat lidheshin kryesisht me Epirin dhe Ilirinë e Jugut, ai duke njohur mirë situatën e kërkimeve arkeologjike në Sqipëri para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, për punën e jashtëzakonshme që këta të fundit kishin realizuar, i vlerësonte shumë. Ja se si shprehet për 3 nga themeluesit e arkeologjisë Shqiptare, në një artikull mbi “Tumat në Shqipëri”, botuar në vitin 1976:
“Çdokush që ka udhëtuar në Shqipëri përpara Luftës së Dytë Botërore, siç bëra unë, është i vetëdijshëm se kushtet nuk ishin të favorshme për gërmime apo kërkime arkeologjike. Merita e madhe u duhet dhënë arkeologëve shqiptar Frano Prendi, Selim Islami dhe Hasan Ceka, për gërmimet e tyre ekstensive dhe sistematike, si dhe për raportet e publikuara në Shqipëri. Edhe pse kam kontradikta me ta për interpretimin dhe datimin e zbulimeve të tyre, e bëj këtë jo në shpirt kritik apo keqdashës, por në mirënjohje ndaj tyre, për shërbimin e tyre ndaj arkeologjisë Europiane.”