Dr. Ervin Kujtila/
Shkëmbi ku gjenden rrënojat e vendbanimit që në pjesën më të madhe të tij është i fortifikuar në mënyrë natyrore njihet me emrin Shkëmbi i Qytekut.
Kështjella natyrore “Shkëmbi i Qytekut” ndodhet në luginën e Shkumbinit të Mesëm dhe është pjesë e territorit të fshatit Mirakë. Fshati Mirakë tani bënë pjesë në njësinë administrative Polis, bashkia Librazhd. Ky fortifikim ndodhet në majën e Shkëmbit me lartësi 638 m mbi detare. Shkëmbi është tepër i thiktë dhe në të mund të ngjitesh vetëm nga veriu(fig. 1).
Fig. 1. Pamje e fortifikimit të Qytekut
Shkëmbi i Qytekut ndodhet midis dy shkëmbinjve, i pari ngrihet direkt mbi lumin Shkumbin, kurse i treti i quajtur Maja e Qishës ngrihet më sipër Shkëmbit të Qytekut. Të dy këta shkëmbinj janë bien thikë nga tri anë, kurse në pjesën veriore ata janë të sheshtë. Në pjesën e sheshtë të shkëmbit të parë, ende e pa dëmtuar nga pranija e një guroreje, gjenden në sipërfaqe fragmente të periudhës antike ilire, kurse shkëmbin e tretë ne nuk mundëm ta vizitonim. Sipas banorëve në pjesën e sheshtë ka gjurmë muresh dhe këtë e përforcon edhe vetë emri që mbart ai. Të tre këta shkëmbinj nga ana lindore bien direkt në shtratin e përroit të Lugjeve. Gjatë pellgut të përroit të Lugjeve ka një shteg kalimi që niset nga lugina e Shkumbinit drejt qafës së Barit për ta lidhur me fshatrat e malësisë së Çermenikës.
Pozicioni i përshtatshëm dhe dominues i Shkëmbit të Qytekut bën të mundur jo vetëm vrojtimin e rrugëve për gjatë luginës së Shkumbinit, ku më e rëndësishmja është ajo që në periudhën romake mori emrin Egnatia, por dhe shumë nga majat e kodrave ku gjenden rrënoja kështjellash të periudhave të ndryshme (fortifikimi i Shkëmbi Mbret, fortifikimi i Menglit, etj).
Burimet historike dhe identifikimi
Emri i shkëmbit sipas banorëve lidhet me fjalën “qytet”, por që në zonën e Librazhdit dhe Elbasanit dhe më gjerë përdoret forma e saktë “qytet” ose “qytezë”. Një variant tjetër mund të lidhet me fjalën “qytyk” që është një sinonim i fjalës trung. Ndër burimet e shkruara, ku më e plotë është lista e kështjellave të ndërtuara ose rindërtuara nga perandori Justinian I të dhënë nga Prokopi i Cezaresë, nuk ka ndonjë përafërsi me emrin që trashëgon kjo kështjellë apo ndonjë në afërsi të saj.
Historiku i kërkimeve arkeologjike
Për herë të parë Shkëmbi i Qytekut është vizituar nga grupi i arkeologëve që ka ndjekur gjurmët e vendbanimeve arkeologjike në luginën e Shkumbinit në vitin 2002, por nuk i kanë publikuar të dhënat që ata kanë parë gjatë kësaj vizite. Më pas në vitin 2017 mjediset rreth saj janë vizituar nga arkeologët N. Ceka, S. Muçaj, S. Xhyheri të cilat panë aty një kohëzgjatje me ndërprerje nga koha e periudhës së bronzit të vonë deri në antikitetin e vonë, të dhëna që m’i komunikuan gojarisht. Në vitin 2018 u realizua një vëzhgim i plotë i kësaj qendre rezultatet e mbledhura për periudhën prehistorike janë objekt i këtij disertacioni.
Planimetria
Shkëmbi Qytekut, i lartësuar nga terreni përreth krijon një masiv që bie thiktë në tri anë (jug, perëndim, lindje) kurse në veri ai lidhet me një qafë përmes një shtegu të ngushtë që kalon përmes dy rënieve shkëmbore. Nisur nga qeramika që gjendet në sipërfaqe pjesa e banuar shtrihet në pjesën më të lartë të shkëmbit, në pjesën e pjerrët që ndodhet midis platformës së sipërme dhe deri në buzën shkëmbore të anës jugore, si dhe një shesh që ndodhet në anën veriore midis rënies shkëmbore të majës dhe një rënie shkëmbore që zbret drejt qafës. Nga qafa vetëm një shteg i ngushtë midis dy shkëmbinjve lejon ngjitjen drejt sheshit dhe më pas një shteg i dytë që depërton midis shkëmbinjve të pjesës sipërme të faqes lindore të ngjitë në platformën e sheshtë të majës shkëmbore. Ky është shtegu i vetëm që ndërlidh qafën me masivin shkëmbore, që në pjesën më të madhe ka qenë përdorur si vendbanim në periudha të ndryshme historike.
Platforma shkëmbore në pjesën veriore ka vetëm hapësira të vogla midis shkëmbinjve dhe ka qenë e papërshtatshme për ndërtime, kurse në pjesën qendrore shkëmbinjtë janë më të rrallë dhe larg njeri tjetrit duke krijuar disa sheshe të vegjël për ndërtimin e banesave. Nga kjo pjesë mund të zbritet në pjesën jugore deri në buzën shkëmbore, megjithëse terreni është i pjerrtë, qeramika tregon se edhe aty ka pasur banesa. Po ashtu edhe në veri, poshtë majës shkëmbore dhe një brezi tjetër shkëmbore që mbyll faqen veriore dhe lindore të faqes lindore të masivit shkëmbor ka vende të përshtatshme për banim. Ne mundëm të kontrollojmë vetëm sheshet që ndodhen pranë qafës, kurse atë që është mbi rënien shkëmbore që zgjatet paralelisht me përroin e Lugjeve, për shkak të shkurreve të dendura qe e pamundur hyrja në të.
Në sheshin që ndodhet midis qafës dhe majës shkëmbore qeramika e shumtë tregon se edhe aty ka pasur ndërtime banimi. Mbetjet e shumta të grumbujve të gurëve poshtë rënies shkëmbore që qarkon sheshin e banuar si dhe në shtegun që lidh qafën me sheshin tregojnë për praninë e mureve me përmasa më të mëdha se ato të banesave. Të parët janë gurë të thyer, pa mbetje llaçi, kurse të dytët me mbetje llaçi. Këta të fundit kanë qenë në murin që mbyllte shtegun. Gjatë vizitës sonë kjo pjesë ishte e prishur nga punimet e bërë për të diagnostikuar shkëmbin nga punonjësit e karrierës për nxjerrjen e blloqeve të gurit. Të dhënat e sjella nga banorët tregojnë se aty ka pasur një mur mbrojtës të ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqereje.
Nisur nga qeramika që datohet kryesisht në shek. VI m. Kr. muri duhet të jetë pjesë e ndërtimeve të kësaj periudhe duke plotësuar sistemin fortifikues të luginës së Shkumbinit.
Shkumbinit. Poshtë buzës shkëmbore mbi të cilën ndodhet sheshi ka një grumbull të madh gurësh dhe më shumë gjasa ata duhet të kenë qenë pjesë e një muri të ndërtuar me gurë të vendosur në të thatë që do t’i përkiste periudhës prehistorike të cilës i përket dhe qeramika e gjetur në këtë vendbanim.
Vetë forma e shkëmbit të lartësuar dhe të shkëputur në tri anë nga pjesa tjetër ka mundësuar edhe formën e vetë këtij vendbanimi të fortifikuar në mënyrë natyrore. Vendbanimi i fortifikuar në mënyrë natyrore dhe i mbyllur me mur vetëm në shtegun pranë qafës ka një sipërfaqe të përgjithshme 1.5 prej ha dhe sipërfaqe ku mund të ketë pasur ndërtime banimi 0.3 ha. Këto sipërfaqe banimi janë vendosur në lartësi të ndryshme mbi nivelin e detit në qendër, në pjesën jugore në veri.
Teknikat e ndërtimit
Nga mbetjet e materialeve të ndërtimit, gurë pa gjurmë llaçi dhe me gjurmë llaçi ne mendojmë se në këtë qendër të fortifikuar në mënyrë natyrore, në mbylljen e të vetmit shteg që lejon ngjitjen në të i përkasin dy teknikave të ndryshme. Njëra teknikë me gur të thyer të madhësive të ndryshme të vendosur në të thatë dhe tjetra me gurë të thyer të lidhur me llaç gëlqereje. Nga mbetjet për të dy teknikat janë përdorur gurë gëlqeror të thyer me përmasa të mëdha dhe mesatarë.
Fortifikimi i fazës së parë (periudha prehistorike)
Muri i kësaj periudhe ka mbyllur jo vetëm shtegun në qafë por dhe një pjesë të vargut shkëmbor që zbret drejt përroit që në disa pjesë të tij ka mundësi ngjitje. Qeramika e gjetur në sipërfaqe tregon se në këtë periudha gjithë sheshi pas shtegut, platforma e majës shkëmbore si dhe një pjesë e rrafshit në jugë të majës kanë qenë të banuara. Jashtë këtij fortifikimi ka qenë e banuar dhe një pjesë e qafës. Nga kjo periudhë, përveç gjetjeve arkeologjike të lëvizshme (fragmente enësh dhe grih), ne nuk ndeshëm në sipërfaqe mbetje të strukturave të banesave.
Duke u mbështetur në elementët fortifikues të mësipërm, mendojmë që fortifikimi i përket fazës së Hekurit të Hershëm. Bazuar në tiparet teknike të sistemit fortifikues, të cilat janë të ngjashme me fortifikime të tjera të kësaj lugine si: Bodin, Valsh, Dragostunjë, Qafë Thanë etj. Por që ky përfundim kërkon mbështetje më të plotë arkeologjike.
Fortifikimi i fazës së dytë (periudha antikitetit të vonë)
Në këtë periudhë është fortifikuar me mur të ndërtuar me gurë mesatarë të lidhur me llaç vetëm shtegu i ngushtë i krijuar midis dy shkëmbinjve, në jug të qafës. Muri u gjet i gjithë i prishur nga ndërhyrjet me ekskavator kohët e fundit dhe vetëm pjesë të shkëputur në përmasa të vogla u gjetën të hedhura poshtë në greminë. Në këta gurë kishte mbetje llaçi që tregon se ato vijnë nga një ndërtim solid që për antikitetin e vonë i përkasin mureve rrethues dhe ndërtimeve kishtare, kurse ato banesave edhe në qytete kanë qenë të ndërtuara me gurë të lidhur me baltë. Meqenëse prania e një kishe është e përjashtuar nga mungesa e sipërfaqeve të mjaftueshme, atëherë këto janë mbetje të murit rrethues. Një gjë të tillë e pohojnë edhe banorë të zonën që kanë parë mbetje të murit me llaç në këtë shteg. Materiali arkeologjik i parë në sipërfaqe është i shpërndarë në tre pjesët e përshtatshme për banim dhe përbëhet nga mbetje tjegullash, fragmente pitosash dhe enë tavoline e kuzhine. Veç tyre u gjetën dhe dy fragmente mokrash.
Bazuar në teknikën opus incertum të ndërtimit të tij mendojmë që fortifikimi i mësipërm i përket periudhës së Vonë Antike, gjasisht periudhës së Justinianit(527-565).
Bibliografi
AMORE et al. 2005
M. G. Amore – L. Bejko-Y. Cerova – I. Gjipali, Via Egnatia (Albania) Project: Results of fjeld Work 2002.“JRA”, vol. 18, f.336 – 360.
ZAMPUTI 1965
I.Zamputi, Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore e të Mesme në shekullin XVII, Tiranë, 237 – 341
Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1980, 1625.
KUJTILA 2022
Fortifikimet prehistorike përgjatë luginës së Shkumbinit(Disertacion), Tiranë 2022, f.181-187.