
Lumnie Thaçi-Halili/
(Vështrim analitik për librin me tregime “Argumentum baculinum” (Argument shkopi) të Fatmir Terziut)
Biografi e fragmentuar në faqet e kohës
Brenda panteonit të historisë së kulturës shqiptare, Fatmir Terziu qëndron si një shtyllë rrënjësore (pa pilastra mbajtëse), një krijues i mirënjohur mirëfilli me gjurmë të thella në letërsinë shqipe. Ai njihet më shumë se një krijues, ai është një urë mes kohëve dhe horizonteve, një timbër që nuk njeh kufij. Me penë, ia heq mjegullnajën kujtimeve dhe gdhend kujtesën kolektive të popullit të tij, jo vetëm të një kohe, ai përfaqëson edhe frymën që i përket artit të madh, duke e bërë fjalën shqipe të frymojë përtej brigjeve të atdheut, aty ku jeton e vepron, në Londër.
Edhe pse jeton jashtë vendit, ai nuk e ka humbur asnjëherë lidhjen me rrënjët. Përmes krijimtarisë së begatë të tij, e cila është pasuri e madhe letrare në të gjitha zhanret, mban të gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare, duke i dhënë fjalës shqipe një tribunë të denjë në hapësirën ndërkombëtare. Me këtë mision të pashoq, ai jo vetëm që ruan traditën, por edhe i jep asaj një frymë të re, duke bashkuar krijues nga të gjitha anët e botës shqiptare tek “Fjala e lirë” dhe revista e tij në print “Albanian Post”!
Një mendje që peshon thellësitë e kohës dhe penën si shpatë për fjalë, krijimtaria e tij është kurorëzuar me më të lartat Çmime Kombëtare Shqiptare: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, një nderim për ata të cilët mbajnë të shenjtë frymën e kombit, dhe tjetrin çmim “Mjeshtër i Madh”, një titull i cili u takon vetëm atyre, në kohën kur arti dhe veprimtaria e tyre bëhet vetë pasuri kombëtare përkatësie. Me një interpretim figurativ, mund të formulohet se tashmë gurthemeli i krijimtarisë së F. Terziut është gurëzuar e lartësuar si shtyllë monumentale unike në kuadrin e letërsisë moderne shqipe. Realisht mund të themi, se vepra e tij nuk është vetëm letërsi e kufizuar, ajo përkufizohet si një testament që dëshmon se gjuha shqipe nuk njeh largësi, se arti nuk shuhet aspak nga distanca, por arti rritet, lulëzon dhe mbijeton sa herë që ka udhëzjarrë të tillë, të cilët ndriçojnë rrugëtimin e një populli!
Nga gjithë kjo veprimtari letrare, me një linjë të pasur krijuese, vjen edhe libri i radhës me titull “Argumentum baculinum” (Argument shkopi), tregime, autor Fatmir Terziu, botuar nga Shtëpia Botuese “URA” në Prishtinë, (2025), për të cilën mund të pohohet, se është ndër veprat që shënon kulmin e mendimit dhe stilit të tij. “Argumentum baculinum”, spikat mbi gjithçka si një krijim i thelluar mbi kohën-kohët; kujtimet e shfaqura përmes një rrëfimi krejt ndryshe, me shumë filozofi dhe intuitë intelektuale; me postmodernen nga aspekti ontologjik për të sfiduar idenë e një realiteti të unifikuar dhe të pandryshueshëm, duke eksperimentuar narrativat e shumëfishta dhe realitetet paralele; me kohën si koncept filozofik dhe tematik; autorin dhe kontekstin etj…
Për të parë, radhazi, më tutje se çfarë e bën “Argumentum baculinum” një libër të veçantë në krijimtarinë e tij?! Çfarë na përcjell si mesazh a çfarë na bën me dije neve si lexues (jo një lexuesi të rëndomtë, por një lexuesi, i cili ka pasion letërsinë dhe mund të shkërmoq idetë filozofike të tekstit në libër). A provokon ndërgjegjen dhe mendimin kritik? A na fton për reflektim mbi kuptimet e thella të ekzistencës dhe botës që përshkruan? Duke pasur parasysh se F. Terziu është eksperimentues i veçantë i formës dhe stilit në prozë: simbolizëm të thellë me referenca dhe shtresime, gjuhë të pasur dhe të dendur, fjali të gjata e fjali të shkurtra, përdorim të madh të figurave letrare, përshtrirje barabarësie të narrativës (jo)lineare me zëra të shumtë tregimtarë, e ndonjëherë edhe me ndryshime të papritura të perspektivës… Ai është modernist dhe filozofik, këtu i shkon përshtat një thënie e R. Qosjes: Sa të pasur e ka gjuhën, sa të pasur e ka imagjinatën, sa befasuese e ka figurshmërinë (R. Qosja, Dëshmitar në kohë historike, Ditar IX- (libri i nëntë), Botimet Toena, f. 378). Mbi bazë krahasimesh, proza e Terziut, emeton të njëjtat valë të ndërlikimit stilistik dhe mendimit filozofik si ajo e J. Joyceit, Th. Manit dhe M. Proustit. Kërkohet një qasje që përmbys narrativën klasike, sepse Terziu ndërton një univers letrar, ku simbolika, sintaksa jo e lehtë ndonjëherë dhe shtresëzimi i ideve, kërkojnë lexuesin e përgatitur për të zbërthyer, apo deshifruar të fshehtën e mesazhit pas strukturave të ndërthurura artistikisht në mënyrë mjeshtërore. Përveç kësaj, ai është simbolist dhe ekzistencialist. Ashtu si A. Kamy, ai ndërton prozën e tij mbi disa pyetje ekzistenciale dhe krizat e ndërgjegjes njerëzore në vend, por jo vetëm. Këto tregime të “Argumentum baculinum”, nuk janë thjesht tregime, por një analizë e thellë e natyrës njerëzore, të një vendi e më gjerë në hapësirë, të cilat shpesh nuhaten përmes situatave dramatike dhe refleksioneve të thella filozofike. Nga ana tjetër, mund të krahasohet me postmodernizmin dhe eksperimentimin narrativ, në mënyrë të ngjashme me J. L. Borgesin dhe U. Ekon, ngase Terziu krijon tekste ku realiteti dhe fiksioni ndërlidhen aq fort e nuk ndahen dot. Eksperimentimi me formën e rrëfimin, referencat kulturore të ndërlikuara qëllimshëm dhe simbolizmi i pasur, i bëjnë tregimet e tij fusha hapësinore të hapura për interpretime, duke sfiduar lexuesin e rëndomtë, që të mos kërkojë, thjesht, vetëm një histori, por një përvojë letrare shumëdimensionale. Nisur nga perspektiva tjetër, rrëfimet e F. Terziut duket të kenë lindur nga dritëhijet e kujtesës, aty ku trishtimi dhe mëdyshja bëhen nxitje, për të shpalosur ngjarje të shpërndara në kohë, por të bashkuara nga tensione të brendshme. Në këtë udhëtim drejt origjinës, ai ngjan me figurën e përshkruar nga E. Sabato: “Përreth gjysmëhijeve që mundohem të rrëmoj, në mes të ligështimit e trishtimit, si një nga ata të vjetrit e fisit, që kujtojnë mitet e lashta dh legjendat, po bëhem gati të rrëfej disa vargje, të pleksura mes tyre, të shpërndara, të cilat kanë qenë pjesë tensionesh të thella e kontradiktore, të një jete plot mëdyshje, lakonike, kaotike, në një kërkim të dëshpëruar të së vërtetës.” (Ernesto Sabato, Përpara fundit-rrëfim mbi njëshekull, Botimet DRITAN, Tiranë, 2003, f. 17).