Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 21 Qershor 2023/ “Shqiptarët rikthehen në klinikat e Prishtinës, ftohen të gjithë mjekët shqiptarë të Kosovës që të kthehen urgjentisht”, është titulli i lajmit të 21 Qershorit 1999 që e risjellim ashtu si e kam dërguar atëherë në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH). E kam pas raportuar edhe në Radio Tirana – Radio Televizionin Shqiptar.
Lajmin e pata shkruar me llaptopin që për printim lidhej pa kabëll me një printer të vogël e për ta dërguar nga Prishtina në Tiranë -ATSH mundësonte lidhje telefonike (telefaxi) satelitore – ma kishte dërguar vëllau Demë Jashari nga Zvicra për të më mundësuar raportimet nga lufta në Kosovë.
LAJMI I PLOTË I 21 QERSHORIT 1999:
SHQIPTARËT RIKTHEHEN NË KLINIKAT E PRISHTINËS, FTOHEN TË GJITHË MJEKËT SHQIPTARË TË KOSOVËS QË TË KTHEHEN URGJENTISHT
PRISHTINË, 21 QERSHOR (ATSH-BEHLUL JASHARI).- Në Kosovë rikthehen institucionet. Klinikat e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë u janë rikthyer sot mjekëve dhe pacientëve shqiptarë, pas dhjetë vjet dëbimi me dhunë nga ato. Kthimi u bë në bashkëpunim e në prani të forcave përgjegjëse të KFOR-it. Pati mjaft kundërshtime e ragime të ashpra të personelit mjekësor serb dhe paramilitarëve serbë që barrikadonin para dyerëve të klinikave, por falë pjekurisë së shqiptarëve dhe ndërhyrjeve të forcave të KFOR-it nuk pati incidente serioze. Edhe tentimet e serbëve për të marrë me vete paisjet e klinikave nuk patën sukses. Menjëherë pas lirimit të Klinikës së Kirurgjisë aty u dërguan urgjentisht më shumë se 40 shqiptarë të plagosur kohë më parë nga bombardimet serbe në rrethinat e Ferizajt, e që ishin në gjendje shumë të rëndë në male.
Dr. Isa Haxhiu, i cili është vënë në krye të udhëheqjes së përkohshne të klinikave të Universitetit të Mjekësië në Prishtinë në një deklaratë dhënë korrespondentit të ATSH-së iu drejtua me thirrje urgjente mjekëve dhe punonjësve tjerë shëndëtësorë shqiptarë që, nga kudo të janë në botë, të kthehen menjëherë në klinika e në Kosovë, sepse ka shumë nevojë, ka shumë të plagosur, të smurë dhe të traumatizuar nga lufta. Vetëm me eksertët dhe punonjësit tjerë shëndetësorë shqiptarë mund të rikthehen instiucionet e shëndetësisë në Kosovë, si pjesë e institucioneve të shtetit të Kosovës, që ndertohet, theksoi dr. Haxhiu, i papokthyer nga malet, ku ishte me UÇK-në.