“Rusia e di mirë se lufta atomike nuk mund të fitohet prandaj nuk duhet të fillohet,” Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg
Rafaela Prifti
Ndërsa Rusisë i rrëshqet nga dora fitorja në fushëbetejë në Ukrainë, mundësia e një konflikti bërthamor, deri tani të paimagjinueshëm, merr përmasa më serioze çdo ditë e më shumë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg deklaroi, pas takimit të djeshëm të Ministrave të Mbrojtjes së vendeve anëtare të aleancës veri-atlantike, se “retorika nukleare e Putinit është e rrezikshme dhe e papërgjegjshme.” Ai tha se NATO ka rritur masat e sigurisë në instalimet strategjike ndërsa po furnizojnë Ukrainën me sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore, artileri etj. Ekspertët i klasifikojnë armët taktike bërthamore në bazë të karakteristikave të tyre të madhësisë, rrezes së veprimit, efektshmërisë për goditje të objekteve të përzgjedhura ushtarake. Qëkur Putini pushtoi Krimenë në vitin 2014, ai e artikuloj përdorimin e arsenalit bërthamor në emër të sigurisë së Rusisë në dekretin e lëshuar prej tij. Me agresionin e hapur rus në Ukrainë në shkurt të këtij viti, referencat për armët bërthamore janë intensifikuar dhe janë një nga temat më të nxehta të ditës.
A duhen kuptuar deklarimet e reja të Putinit si kanosje apo provokim nga ana e tij? A është në interesin e tij të përdorë këtë gjuhë si presion psikologjik parandalues ndaj perëndimit dhe veçanërisht vendeve anëtare të NATO-s?
Rreziku i shfarosjes bërthamore ka arritur pikën më të lartë në gjashtëdhjetë vitet e fundit, tha Presidenti Biden; ndërsa Putini ka kërcënuar se do përdorë gjithë arsenalin e mundshëm për të mbrojtur Rusinë përfshirë rajonet e sapoaneksuara të Ukrainës. Ndonëse Presidenti Biden tha se nuk mendon se Putini do t’i angazhoj armët taktike bërthamore, humbjet ushtarake të forcave ruse dhe tërheqjet nga zonat lindore nën kontrollin e tyre, e rrisin mundësinë dhe rrezikun e përdorimit të këtyre armëve për të shmangur humbjen dhe kapitullimin e Rusisë në Ukrainë. Nëse Putini nuk del dot nga lufta në Ukrainë me diçka që duket si fitore për të, analistët thonë se rreziku i përdorimit të arsenalit bërthamor vjen duke u rritur.
Armët Taktike Bërthamore
Për armët taktike bërthamore, nuk ka një përkufizim të përbashkët ndërkombëtar, dhe as një kriter të vetëm madhësie të pranuar nga të gjithë për t’i kualifikuar si të tilla. Ekspertët ushtarakë thonë se ato janë më të mëdha se bombat konvencionale, kanë forcë radioaktive dhe efekte të tjera veç shpërthimit fillestar detonues. Për dallim nga armët strategjike të cilat kanë si qëllim dobësimin e kapaciteteve luftarake të armikut në rast lufte, përshirë prodhimin, infrastrukturën dhe sistemet e transportit dhe komunikimit, armët bërthamore nuk i takojnë sferës strategjike, thotë Departamenti amerikan i mbrojtjes. Armët taktike kanë si qëllim përmbushjen e synimeve ushtarake më imediate dhe të përcaktuara paraprakisht në rast të një konfrontimi të armatosur. Këto armë u prodhuan në periudhën pas luftës së ftohtë, në vitet 1950, për t’i dhënë epërsi manovruese forcave të armatosura në situata taktike, sipas analistëve të mbrojtjes. Për dallim nga raketat balistike që arrijnë distanca kilometrike, armët taktike bërthamore montohen në bomba apo predha të artilerisë dhe raketa me rreze më të shkurtër. Forca shpërthyese shkon nga një fraksion i një kilotoni në 50 kiloton. Sa për të kuptuar shkallën e fuqisë detonuese, bomba në Hiroshima kishte përafërsisht 15 kilotonë TNT.
Kush i ka këto armë në dispozicion?
Në bazë të raportit të lëshuar nga Komisioni i Kongresit amerikan për hulumtime, Rusia ka 1,000 deri 2,000 koka bërthamore të gatshme në arsenalin e saj për t’u përdorur si armë bërthamore për qëllime jostrategjike. Putini që ka arsenalin më të madh bërthamor ka deklaruar se Amerika ka krijuar preçedencë për përdorimin e tyre kur hodhi bombën atomike në Hiroshima dhe Nagasaki në vitin 1945. Shtetet e Bashkuara kanë rreth 230 armë nukleare që nuk klasifikohen si strategjike, përfshirë edhe 100 B61 bomba të montuara në avionë ushtarakë në Evropë. Këtë javë Korea e Veriut ndërmori manovra të njëpasnjëshme raketore. Sipas medias shtetërore, ushtrimet synojnë të simulojnë goditje të stuhishme ndaj Koresë së Jugut me armë taktike bërthamore.
Pas takimit të djeshëm të grupit nuklear të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg tha se armët atomike e ndryshojnë krejtësisht natyrën e konfliktit. “Rusia e di mirë se lufta atomike nuk mund të fitohet prandaj nuk duhet të fillohet,” vërejti ai.
Parandalimi Afatgjat dhe NATO
I pyetur nëse do përdoren armët bërthamore në Ukrainë, Presidenti Biden shprehu mendimin se Putini mund të tregohet i përmbajtur por nga ana tjetër tha se përdorimi i armëve të vogla bërthamore mund të dalë jashtë kontrollit. Balanca delikate e forcave që ruajnë ekuilibrin e sigurisë është vënë tashmë në një sprovë që përfshin vende dhe rajone brenda dhe jashtë NATO-s.
Në mars trupat e NATO-s të 17 vendeve kryen ushtrime të përbashkëta në Arktik, pjesë e trajnimit të tyre të rregullt, por këtë vit simulimi ndihej shumë afër realitetit, thanë pjesëmarrësit. Javën e ardhshme vendet aleate do fillojnë manovrat ushtarake të parandalimit afatgjat të emërtuara ‘Pasdite e Pamposhtur’ (Steadfast Noon), tha për mjetet e informimit, Jens Stoltenberg. Në seancën e fundit të mbledhjes së djeshme të Ministrave të Mbrojtjes së NATO-s u diskutua për misionet e aleancës në Ballkanin Perëndimor deri në Irak.
Në seancë mori pjesë edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian Josep Borrell. “Në periudha të paparashikueshme, forcimi i kooperimit midis NATO-s dhe Bashkimit Evropian ka shumë rëndësi,” thuhet ndër të tjera në deklaratën për shtyp. Për sa i takon dialogut Beograd-Prishtinë, të ndërmjetësuar nga evropianët, aleanca tha se është e vetmja rrugë për të ecur përpara dhe theksoi se KFOR-i nën NATO-n vazhdon të kryejë misionin e tij në Kosovë në përputhje me mandatin e OKB-së.
Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës z. Armend Mehaj, i cili ndodhet për vizitë në Nju Jork, u takua mbrëmë me Kryetarin e Vatrës z. Elmi Berisha, me vatranë dhe përfaqësues të komunitetit në mjediset e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës. Raportin e takimit e paraqiti kryeredaktori i Diellit Sokol Paja. https://gazetadielli.com/vatra-takoi-ministrin-e…/