
Prof. Muhamed Mufaku/
Në Damask, si në shumë qytete në Lindjen e Mesme, mbahen gjatë muajit Ramazan iftare me karakter familjar të gjerë ose shoqëror, që mbledhin një familje të madhe ose një komunitet, ku shtrohen atje muhabete të ndryshme që kanë të bëjnë me preokupimet e ndryshme, e sidomos tani gjatë luftës së re në Lindjen e Mesme, ku raketat iraniane gati kalojnë për ditë mbi Damaskun për në Izrael.
Mirëpo, iftari kësaj here ishte më ndryshe se iftari i 2025 si nga numri i të pranishmëve ashtu edhe nga temat që u shtruan. Iftari në 2025 u mbajt vetëm disa muaj pas rrëzimit të diktaturës së familjes Asad që sundoi gjatë 1970–2024, pra kur vendi sa kishte dalë prej një lufte shkatërruese që i shtyu miliona të ikin jashtë Sirisë. Tani, pasi që regjimi i ri u stabilizua duke marrë përkrahje të mirë ndërarabe (e sidomos nga Arabia Saudite) dhe ndërkombëtare (sidomos nga SHBA dhe presidenti Trump personalisht), e duke hapur rrugën për shpresa të reja në jetën politiko-ekonomike dhe shoqërore, iftari që u mbajt më 5.3.2026 tregoi disa shenja të reja për atë ç’ndryshoi në Siri.
Iftari, si vjet, me nja 90 arnautë, u mbajt në një restorant të madh në qendër të Damaskut shumëmilionësh. Kjo vetvetiu tregon shumë. Në kohën kur u formua Shoqëria e parë shqiptare në Damask (1947) kryeqyteti nuk kishte më shumë se 250 mijë banorë dhe ishte lehtë të kalohej nëpër lagje të Damaskut në këmbë ose në tramvaj midis lagjeve ku banonin shumica e shqiptarëve në veri të Damaskut. Mirëpo, më vonë Damasku u shtri në katër anët nëpër fusha e male dhe shqiptarët u shpërndanë në shumë lagje prej viteve 60 të shek. XX.
Nga ana tjetër, me vendosjen e regjimit njëpartiak më 1963 e më pastaj të sundimit të dinastisë Asad gjatë 1970–2024, liritë politike dhe shoqërore u kufizuan dhe u përqendruan në shërbim të pushtetit, kështu që shqiptarët që janë afër 10 mijë në Siri pësuan më shumë sepse nuk kishin ndonjë të veten në pushtet. Më 1974 u hap një dritare e një shprese të madhe me fillimin e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhë, Letërsi e Kulturë Shqiptare për të Huaj (SNGJLKSH) në Prishtinë, sepse prej 1975 shkonin atje arnautët e Damaskut për ndonjë paraqitje ose për kurset e gjuhës shqipe. Ky kanal ishte edhe organ frymëzimi pasi që i lidhte shqiptarët e Sirisë, që janë me shumicë prej Kosove, me trungun kombëtar. Mirëpo, nga 2008 u mbyll ky kanal për shkak të ashpërsimit të sistemit të vizave për sirianët, deri kur me një përpjekje maksimale e me një mirëkuptim të MPJ u hap përsëri më 2024 për një kategori të kufizuar.
Në këtë iftar të madh morën pjesë përfaqësues të gjitha shtresave dhe gjeneratave të shqiptarëve të Damaskut: klerikë, intelektualë, biznesmenë, ushtarakë, punëtorë, studentë, pleq e të rinj. Iftarin e hapi solemnisht gjenerali i ushtrisë siriane Andyl Jashari, me origjinë prej Kosove, i cili mbajti edhe një fjalë përshëndetëse. Në fund të iftarit u mbajtën tri fjalime. Fjalimin e parë e mbajti kleriku Abdylkader Numani, imam i një xhamie në jug të Damaskut, përndryshe me origjinë nga Kosova, që e theksoi rëndësinë e këtij takimi që i mblodhi kaq shqiptarë për herë të parë prej 1947, sa që shumë prej tyre u njohën mes veti në këtë rast. Për këtë ai theksoi edhe rëndësinë e gjuhës shqipe që po asimilohej.
Fjalën e dytë e mbajti autori i këtij teksti që e lidhi rëndësinë e mësimit të gjuhës me riaktivizimin e Shoqërisë shqiptare të themeluar më 1947 dhe të pasivizuar më 1949, përkatësisht me grushtetin e parë ushtarak në Siri, pasi që me rrëzimin e diktaturës më 8.12.2024 nuk ka më pengesa as politike as ligjore. Në këtë drejtim u theksua edhe njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Sirisë, që pritet të kurorëzohet me marrëveshje për ngritjen e marrëdhënieve diplomatike dhe hapjen e një ambasade ose konsullate në Damask, që do të kishte një domethënie të madhe për arnautët e Sirisë. Në fjalën e fundit, gjenerali Jashari e përkrahu idenë për riaktivizimin e Shoqërisë shqiptare dhe u zotua se pas Bajramit të fillojë sendërtimi i iniciativës për riaktivizimin e Shoqërisë.
Ky iftar që mori këtë drejtim dhe u kurorëzua me zotimin për riaktivizimin e Shoqërisë shqiptare në Damask ka kontekstin e vet më 2026, sikurse ai më 1947 kur u themelua kjo shoqëri. Viti 1947 karakterizohet në Sirinë e dalë prej Luftës II Botërore me një skamje të madhe që përfshinte shqiptarët që me shumicë erdhën dhe u vendosën në Damask midis dy luftërave botërore. Po në atë kohë (1947–1948) erdhën edhe emigrantët politikë nga Kosova e Shqipëria si dhe u vërshuan refugjatët palestinezë sa që qeveria siriane nuk ishte më në gjendje të ofronte më ndihmë për refugjatët. Kjo skamje ishte ajo që e shtyri parinë shqiptare të mblidhej e të formonte Shoqërinë mirëbërëse shqiptare, që kishte për qëllim urgjent ndihmën për nevojtarët.
Ky kontekst del tani edhe më i prekshëm. Pas një lufte të vazhdueshme 15 vjet dhe shkatërrimit deri në themel të një lagjeje shqiptare në jug të Damaskut, shumë shqiptarë mbetën pa strehim e punë. Sipas të dhënave të organizatave ndërkombëtare 90% e sirianëve jetojnë në varfëri, që përfshin edhe shqiptarët. Por në të njëjtën kohë kemi tani edhe biznesmenë shqiptarë që janë në gjendje të ofrojnë ndihmë. Njëri prej tyre është edhe Kenan Hixhazi, i cili ishte kosponsor i këtij iftari të madh, po i cili ofroi shumë paketime me ushqim që i prodhon fabrika e tij New Park.
Në këtë kontekst, pjesëmarrësit në këtë iftar dolën me një shpresë të re për ditë më të mira, sepse u përmend se Shoqëria e re shqiptare nuk do të japë vetëm ndihma për nevojtarët por edhe libra dhe kurse të gjuhës shqipe për ata që shprehën interesim ta mësojnë gjuhën shqipe.
Legjenda: Gjeneral Andyl Jashari, i dyti nga e majta, midis arnautëve në iftar.