


Nga Juljana Latifi/
Pas muajëve të gjatë të dimrit, dielli me rrezet e tij të ngrohta, pemët me sythet plot jetë, kopshtet e lulëzuara na sjellin pranverën. Në kuadër të kësaj stine, shkolla shqipe “Skëndërbej” me qendër në Brooklyn, New York, ka zhvilluar një program dinamik dhe të pasur me nxenësit e saj për të kuptuar rendësinë e natyrës dhe për tu njohur në gjuhën shqipe më të gjitha ngjyrat që përfaqëson kjo stinë.
Nxënësit e grupmoshave të ndryshme e kanë nisur programin edukativ me një kolazh ngjyrash të ndryshme, ku në secilën prej tyre janë futur objekte me funksione të ndryshme, ku fëmijët me njohuritë e marra në këtë shkollë, i kanë shpjeguar duke vënë në dukje funksionin që kanë në jetë, emërtimin dhe se ku dhe për cfarë mund t’i përdorim.
Nxënësit me njohuritë e tyre të plota në gjuhën anglezë, i njihinin të gjitha objektet e shpalosura në tavoliën e punës të ndara sipas ngjyrave, por hasën vështirësi në emërtimin e tyre në gjuhën shqipe, ndaj ky aktivitet i ndihmoi ata që të pasuronin më tej fjalorin dhe secili prej tyre evidentoi të gjitha fjalët e reja që mësuan me ndihmën e mësuesve të pranishme të kësaj shkolle duke e bërë këtë orë mësimi interaktiv dhe duke i sjellë fëmijët më afër natyres.
Programi vijoi më tej me punimet e dorës, ku nxënësit krijuan objekte dekorative me lule dhe gjethe për ta prekur më afër natyrën dhe për t’i pasur ato krijime një kujtim të bukur në shtëpitë dhe dhomat e tyre. Mësueset, Adelina Lacaj, Geltjana Bulku dhe Anisa Gani Preza, siguruan materialet për nxënësit dhe dhanë kontributin e tyre në mësimdhënie duke e kthyer këtë orë mësimi në një ambient gjelbërimi dhe lulëzimi, ashtu sic vetë pranvera është. Një nga momentet e bukura të këtij programi edukativ ishte dhe vizatimi në fletë i natyrës, ku nxënësit me imagjinatën e tyre përdorën të gjitha ngjyrat për ta sjellë natyrën në dimesione të ndryshme. Ky aktivitet tregoi talentet e tyre në pikturë, ku vlen të theksohet se sa bukur është ta shikosh natyrën nëpërmjet syve të fëmijëve, pa filtra dhe zbukurime, por me ciltërsinë dhe dashurinë e tyre për të bukurën.
Nëpërmjet këtij aktiviteti nxënësit mësuan konceptin e natyrës dhe morën disa njohuri të përgjithshme për shtrirjen gjeografike të Shqipërisë dhe shtetet fqinjë që ajo kufizohet. Në programin në vazhdim nxënësit do të njihen më tej me natyrën shqiptare, malet, kodrat, fushat, lumenjtë dhe gjithë madhështinë e bukurive natyrore të Shqipërisë.
Programi vijoi më tej me këngët dhe vallet shqiptare, ku në fokus ishin këngët shqip për pranverën dhe natyrën si pjesë e kulturës artistike popullore nga të gjitha krahinat e Shqipërisë.