Dr. Nikollë Loka/
Në konkurrencë me kulturën sllave dhe italiane në Zarë, e cila u përpoq t’i asimilonte kombëtarisht, identiteti etniko-kulturor i arbëneshëve tregoi qëndrueshmëri përgjatë shekujve XVIII dhe XIX. Për më tepër, qysh në fillim të shekullit XX, arbëneshët e Zarës treguan një interes të organizuar për ngjarjet në atdheun e vjetër. Në fund të shek. XIX edhe ata dhanë një kontribut të shquar në lëvizjen për çlirim kombëtar. Idetë e tyre atdhetare, intelektualët arbneshë i publikuan përmes gazetës së tyre “Zani i Shqyptarit”, që u botua në disa numra në Zarë. Përpjekjet për të mbështetur vendin e origjinës u shprehën edhe nga telegrami i urimit që “Komiteti Kombëtar i Arbëneshëve të Zarës” i dërgoi kreut të Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë Ismail Qemalit, me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 nëntor 1912. Lidhjet me shtetin shqiptar u zgjeruan gjithnjë e më shumë deri në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, kur dolën vështirësi të reja, sidomos pas vitit 1920, kur Zara u aneksua nga Mbretëria italiane.
Nga viti 1814, në Zarë funksiuan dy shkolla: njëra e tipit të liceut francez dhe tjetra, Seminari i Zmajeviçit. Ndërkaq, nga viti 1817, atje nis të funksiononte edhe Normalja në gjuhën italiane, kurse në Arbënesh vepronin dy shkolla fillore dhe bashkë me atë të Zarës edhe dy shkolla të mesme: njëra italiane dhe tjetra kroate. Shkolla italiane kishte më tepër karakter komunal, kurse kroatja karakter krahinor. Në ato shkolla arsimoheshin edhe arbëneshët. Ndër mësuesit e gjimnazit të Zarës në vitin shkollor 1833-1834 përmendet Ivan Marushi, mandej Mitër Stipçeviçi, Spasoje Albanezi e ndonjë tjetër. Në Arbënesh, nga viti 1864, me nisjen e punës së Shkollës Normale për meshkuj me mësim në gjuhën kroate (e vetmja e këtij lloj për tërë Dalmacinë), nis edhe procesi i arsimimit masiv të arbëneshëve. Ajo, do të kthehet në një vatër të rëndësishme për përgatitjen e kuadrove të propagandas kombëtare, si një qendër me rëndësi e përhapjes së ideve të Rilindjes kombëtare kroate dhe si njëri prej faktorëve më të rëndësishëm që ka përshpejtuar procesin e kroatizimit të arbëneshëve.
Midis 800 nxënësve, sa kanë kaluar në bankat e asaj shkolle brenda 55 vjetëve, përmenden edhe një numër i madh arbëneshësh, ndër ta: Kërto Vukiçi, Mate Kërstiçi, Ante Vukiçi, Marko Petani, Niko Stipçeviçi, Ivan Buliçi, Kërsto Kërstiçi, Mate Marshani, Josip Petani, Josip Vladoviç Rela, Marko Marushiçi, Bozho Deshpali, Kërle Qurku, Josip Gjergja, Shime Deshpali etj.
Në Arbënesh, nga viti 1897 nisi të funksionojë një shkollë fillore private, e cila është e para dhe e vetmja për të gjithë Dalmacinë. Në atë shkollë mësimi zhvillohej në gjuhën italiane dhe ndiqej nga shumë arbëneshë. Në këtë kohë punonte edhe një shkollë popullore dyvjeçare për femra, e cila më 1903 numëronte 189 nxënëse. Për shkak të numrit të madh të nxënëseve, ajo shkollë ngrihet në triklasëshe.
Hapja e shkollave në gjuhën shqipe nga Austro-Hungaria brenda territoreve shqiptare kishte filluar që nga mesi i viteve 50-të të shek. XIX dhe do të zgjerohej gjatë gjysmës së dytë të atij shekulli. Në vitet e fundit të shek. XIX, Qeveria austro-hungareze filloi të interesohet për kolonitë shqiptare, të vendosura jashtë vendit. Ky interesim ishte rezultat i rritjes së rivalitetit midis qeverive të Vjenës dhe të Romës për sfera ndikimi në Shqipëri. Duke përkrahur zhvillimin e arsimit dhe të kulturës shqiptare, Vjena mendonte të fitonte simpatinë e popullit shqiptar. Për të formuar identitetin e dëshiruar kombëtar të arbëneshëve, mësimi i gjuhës shqipe u fut në shkollën italiane në vitin 1896 dhe nga viti 1901 në shkollën fillore kroate për nxënësit që gjuhë amtare kishin arbënishten.
Mësuesi i parë i gjuhës shqipe në shkollën kroate është At Pashk Bardhi, pas të cilit mësimi i shqipes u dha nga mësues të tjerë: Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Koleci, Anton Paluca, Nikollë Rrota, si dhe Pal Gjerga, Josip Gjergja etj,(arbëneshë nga Zara). Shkolla funksionoi deri në vitin 1921, kur u mbyll nga italianët që e morën në zotërim Zarën dhe e mbajtën deri në vitin 1943.
Mësimi i gjuhës shqipe nisi në Shkollën Normale kroate me tri orë në javë dhe në shkollën profesionale ngjitur Normales, me katër orë në javë. Ndërkohë u organizua kursi për të rritur. Këta të fundit i ndiqnin mësimet e kursit dy herë në javë. Nga viti 1903, filloi mësimi i gjuhës shqipe edhe në shkollën femërore me nga tri orë në javë.
Në vitin 1905, Konsullata e Përgjithshme e Austro-Hungarisë në Shkodër i kërkoi Pashk Bardhit që të përgatiste një raport në lidhje me numrin e nxënësve që ndiqnin kurset e gjuhës shqipe në Zarë. Sipas raportit të përgatitur nga ai, të cilin Konsulli i Përgjithshëm Kral ia dërgoi Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, del se “kurset e gjuhës shqipe i ndiqnin 130-150 nxënës; mësimet e gjuhës shqipe në Institutin Pedagogjik i ndiqnin 7-10 nxënës me nga tre orë në javë; në shkollën ushtrimore mësimet i ndiqnin 60-70 nxënës me nga katër orë në javë, si dhe 60-70 nxënëse të Shkollës së vajzave i ndiqnin mësimet e atij kursi me nga tre orë në javë”. At Bardhi e konsideronte si “tepër të vlefshme futjen e gjuhës shqipe si lëndë fakultative edhe nëpër gjimnaze”, pasi sipas tij “nxënësit më të talentuar arbëneshë i ndiqnin mësimet në gjimnaze dhe jo në Institutin Pedagogjik”. Nga ana tjetër, Konsulli Kral i këshillonte eprorët e tij në Vjenë që “t’i mundësonin mësuesit Pashk Bardhi që të zhvillonte mësime private edhe në shkollën italiane”, ku gjuha shqipe do të mësohej njësoj si në të dy gjimnazet shtetërore, si lëndë fakultative, për çka kishin dhënë pëlqimin e tyre edhe Guvernatori austro-hungarez i Dalmacisë dhe Inspektori i shkollave provinciale.
Gjatë sundimit austro-hungarez në territoret shqiptare kanë dhënë mësim në shkollat shqipe disa mësues nga Arbëneshi si: Kërsto Peroviçi, inspektor i shkollave të Malit të Zi dhe mësues në Guci; Tomë (Ivo) Moroviçi dhe Nikollë Peroviçi; Milan Kërstiçi në Plavë; Shtjefën Peroviçi në Martinaj; Josip Vladoviç Rela në Vuthaj etj.
Pas Luftës së Parë Botërore, Zara u bë pjesë e MBretërisë së Italisë dhe, gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore, shqipja fillimisht u tolerua, por në vitet e mëvonshme u ndalua të flitej dhe të mësohej në shkolla. Aktualisht në Zarë mësohet gjuha shqipe si lëndë me zgjedhje në nivelin e arsimit bazë dhe të arsimit të mesëm.