
Në të gjitha ditët e fundjavëve të muajit maj, ku pemët janë mbushur me lëng jete të gjelbër dhe dita më ditë shohim shpërthimin e bulëzimet e gjetheve që tashmë pemët janë shndërruar në kurora të lulëzimit mbretërojnë në ngjyrat e tokës, në njërën nga sallat e Producer Club Theatër në New York City, u shfaq për artdashësit “Net të Bardha” të Feodor Dostojevski, me produksion skenik nga Bujar Alimani.
“Net të Bardha”, një roman i shkurtër sentimental, është një nga krijimet më të hershme të Dostojevskit, ku paraprin temat dhe shqetësimet që karakterizojnë romanet e tij më të pjekur, duke u konsoliduar si një nga mjeshtrit më të mëdhenj të letërsisë psikologjike dhe humaniste. Kjo vepër është sjellë në gjuhën shqipe nga shumë përkthyes, po më ka bërë përshtypje midis tyre është Luan Myftyu edhe Islam Spahiu të dënuar politik, ku përkthimi i kësaj vepre u shndërrrua në akuzë, krahas akuzave të tjera për t’i dënuar politikisht ata. “Net të Bardha” mbetet një dëshmi prekëse e aftësisë njerëzore pë të dashur dhe ëndërruar edhe në mes të vetmisë më të thellë.
Autori është një nga shkrimtarët më të njohur në Rusinë Cariste duke krijuar vepra që eksplorojnë psikologjinë njerëzore në konteksin social, politik, ekonomik dhe shpirtëror që përjetoi vendi gjatë gjysmës së dytë të shekullit 19-të. Ai konsiderohet si një nga gjenitë më të mëdhenj letrarë të perëndimit. Niçe, një nga filozofët më të mëdhenj të kohës e lavdëroi duke deklaruar : – “Dostojevski, i vetmi psikolog me që ra fjala, nga i cili më është dashur të mësoj diçka. Ai është një nga goditjet më të bukura të fatit të jetës sime.” Nuk ka dyshim se stili i tij tregimtar dhe morali i tregimeve të tij janë të përjetshëm dhe se është nevojshme ta lexojmë atë për ta kuptuar shoqërinë në të cilën ka jetuar. Romani përbëhet nga katër kapituj dhe një epilog (4 netë dhe një mëngjes). Titulli – Netët e bardha i referohet një fenomeni natyror që zakonisht ndodh në Rusi gjatë solsticit të verës, kjo, në zonat me gjerësi të madhe. Në të, perëndimet e diellit janë vonë dhe lindjet e diellit ndodhin më herët. Për rrjedhojë, muzgu nuk është kurrë plotësisht i errët.
Ngjarja përdoret nga Dostojevski si mjedisore ashtu edhe metaforike. Leon Daudet- shprehet për Dostojevskin: – “Nuk është gabim të thuhet që është një mbret, i një esence dhe cilësie të tillë që, te modernët, vetëm Shekspiri mund të krahasohet me të. Mundet që pas Shekspirit dhe Eskilit ai që njeriu që ka zbritur më thellë, më ashpërsisht në honin e zemrave të trupave… Pra, rinia e sotme duhet të ketë parasysh jo vetëm atë që është e përjetshme:- ndjenjat rinore, cilado qofshin ato janë të natyrshme, e natyra ka ligjet e saj që nuk vdesin,por përtërihen pafundësisht, janë aktuale. “Net të Bardha”, roman sentimental (nga kujtimet e një ëndërruesi)- “Qielli ish aq i yjëzuar aq i ndritur sa, duke e parë, pa dashur pyesim veten :-a është e mundur që nën një qiell kaq të bukur të ketë njerëz të këqij?…….. një brengë. M’u duk papritmas se po më braktisnin të gjithë, se të gjithë po më largoheshin…… A është e mundur të jetë mëkat të ndiesh një mëshirë vëllazërore për ju?… Unë jam një ëndërrues.”
Si shumë histori të tija, edhe kjo është treguar nga një norator pa emër. Noratori është një burrë i ri, që interpretohet mrekullisht nga aktori i njohur Erjon Mustafaraj, një burrë që vuan nga vetmia. Është historia e një të riu që lufton kundër gjallërisë së tij rinore dhe që bie në vuajtjet e dashurisë. Ai bie në dashuri me një vajzë të re Ana (Nastjenka), interpretuar me zhdërvjelltësi nga Yllka Lola; por dashuria ngelet e pakthyer, pasi ajo ka një të dashur, që i mungon, dhe me të bashkohet së fundmi. Loja e aktorëve, mjeshtëria deri në detaje më të imta për dhënien e fabulës nga produksioni, Bujar Alimani, manaxheri i produksionit Damian Pervizi, ndriçimi, zëri dhe efektet e saj prej Tan Kazasi, Ilir Dhamo; muzika nga violinisti Arenc Leka, si skenat me detajet specifike sjell te spektatori gjithë historinë e protagonistes sonë Ana. Skenografia Albulena Beqiri, sidomos mbyllja e dramës leximi i letrës që i ka shkruar ëndërrimtarit të saj është një gjetje që transmeton te spektatori i pranishëm gjithë botën reale dhe atë shpirtërore me luhatjet dhe kontradiktat ndjesore.
Sjellja në skenë e kesaj vepre klasike eshtë ashtu si shprehet vete B. Alimani :-“Të merresh me art është sa zgjedhje po kaq dhe luks. Nuk e kanë fatin ta bëjnë të gjithë thelbësisht, sepse nuk është e lehtë. Të vendosësh të notosh në ujëra të thella është akoma më e vështirë. Të bësh film është një gjë e lartë. Por të bësh teatër është një akt suprem…..Teatri është një tempull ku këmbejmë në heshtje mendimet, ku përfitojmë ide e dalim më të mirë sesa kur hymë në sallë.. “Net të Bardha” është një shfaqje teatrale ku do mund të jepej në çdo sallë të botës për nivelin e ofertës estetike që ofrohet në çdo element artistik”.
Violeta Mirakaj
New York, Maj 2025