
Agim Baçi/
“Njohja është i vetmi moral i romanit”, shkruan Milan Kundera në librin e tij “Arti i romanit”. Vetë Kundera, përshkrues i absurdit që përfshin njeriun në regjimet diktatoriale në romanet e tij, ka mundur të sjellë rrugët që çuan në dehumanzimin e njerëzve të cilët humbën busullën për të kuptuar veten dhe tjetrin, duke iu dorëzuar vetëm urdhrave. Ashtu si Kundera, qindra shkrimtarë të tjerë në botë, por dhe në Shqipëri, kanë përshkruar njeriun nën diktaturë, duke na dhënë bindjen se letërsia është ajo që e ka ruajtur dhe e ruan Njeriun.
E megjithatë vlen të pyesim: Por, ai njeri që pranoi të bëhej pjesë e makinës çnjerëzore, që nuk u zhduk për një ditë, që vijoi jetën e tij edhe më pas, a u pendua, a kërkoi falje?
Shumë vende që kaluan diktatura mundën të shihnin veten në sy, edhe pse me vështirësi. Ndërsa në Shqipëri shumë krime e pasojat e tyre mbeten ende të panjohura për një pjesë të shoqërisë. Më e vështira për t’u kuptuar ka mbetur njohja e pasojave të “Njeriut të ri”, pasi ata që u edukuan dhe u përgatitën si të tillë, vijuan ntë ishin në këto 35 vite kudo, në institucionet kulturore, historike, arsimore, e sidomos në politikë. Mungesa e zbardhjes së të shkuarës në regjimin komunist dhe e pasqyrimit të saj në libra shkollorë, e la mes nesh pasojën e njeriut që “tund kokën për gjithçka e mendon shumë pak”. Pasojë e asaj kulture janë ata që mendojnë se “pushteti ka të drejtë”, e që dalëngadalë, me mësimin për t’u përshtatur, lëshojnë çdo ditë nga vetvetja, duke e shuar zërin, deri në kufijtë e murmurimës.
Duhet të pohojmë se, edhe letërsia shqipe prej disa vitesh, me disa autorë, ka tentuar ta ndërtojë grafikën e njeriut të përçunduar nga përbindëshi i asaj kohe, që përgatiti rezervatin me “Njeriun e ri”, i cili më pas ishte njeriu që ndërmerrte praktikimin e modeleve që shpikte diktatura – një model që bazohej te njeriu që kishte humbur moralin, që kishte humbur dinjitetin. “Njeriu i partisë” duhej të shkundej më parë nga çdo vlerë. E ç’mund të ndodhë me njeriun që humb gjithçka? Cila është fytyra e mëpastajme morale? Ç’mund të prisnim nga njeriu që partia e gradonte “i ditur” pikërisht për të qenë veçse veshi dhe syri i partisë, duke synuar vetëm të frikësojë, spiunojë, e të mbjellë frikën.
E megjithatë, pavarësisht emrave që në këto 35 vite kanë sjellë rrëfime dhe dëshmi të forta letrare, ka pak pasyqrim në filma apo tekste shkollore, që mund të hapin një shine bashkëbisedimi lidhur me perceptimin që kanë sot shqiptarë mbi diktaturën, krimet e saj dhe çmimin e bashkëpunimit me të keqen.
“Unë e kundërshtoj të drejtën e doktrinës për të përligjur krimet e kryera në emër të saj. Unë e kundërshtoj të drejtën e atij njeriu bashkëkohës për të gjykuar sipas kritereve të veta të kaluarën dhe të ardhmen, ndërsa harron se është krej i mjerë me atë çka njeriu mund të jetë”, thotë në librin e tij “Mendja e robëruar” (f.16) nobelisti Çesllav Millosh teksa përshkruan gjithë mekanizmin kur, arti i pari, u kthye në pasqyrë të fytyrës së të keqes, duke fjetur mbi autoçensurë – një sëmundje që vijon të mbetet ende e pashëruar për shumë nga ata që e jetuan atë kohë. Dhe ai e thotë këtë duke pohuar se ka qenë nga ata që sistemi diktatorial e ka përdorur.
Letërsia e ka këtë “detyrim” për ta treguar gjithnjë njeriun, siç ka qenë e si mundet, sepse është rojtarja e fytyrës dhe zemrës njerëzore. Ndërsa studiuesit kanë detyrë që këtë roje të njerëzores, ta nxjerrin në pah dhe ta sugjerojnë sa më shumë. Jo më kot, pas librave të shenjtë, ajo që i ka mbijetuar më shumë se gjithçka kohërave është Letërsia. Për të përshkruar veçantinë e madhe të librit në historinë njerëzore, por edhe raportin e tij me atë që duhet të kujtojmë dhe mbrojmë, do të kujtoja për këdo thënien e Jose Luis Borges: “Ndër instrumentet e shumta të njeriut, pa dyshim, libri është më i mahnitshmi. Instrumentet e tjera janë zgjatim i trupit të tij. Mikroskopi dhe teleskopi janë zgjatim i shikimit; telefoni është zgjatim i zërit; kemi edhe parmendën dhe shpatën, kuptohet zgjatime të krahut. Por libri është diçka tjetër: libri është zgjatim i kujtesës dhe imagjinatës” (Ligjërata, f. 141).