
Dr. Bledar Kurti/
Magritte ishte artist belg, surealist. Artistët surealistë, të ndikuar nga psikologjia frojdiane, u angazhuan me idenë se ka të vërteta që qëndrojnë nën sipërfaqen e gjërave. Për ta, forma nuk është krijuar për të kënaqur syrin, por për të stimuluar mendjen që të njohë veten dhe gamën e fshehtë të aktivitetit të saj. Në artin e surealistit, bota objektive refuzon të mbetet një realitet i ndarë, por bashkohet në mënyrë aktive me imagjinatën tonë për të shembur muret kufizuese të këtij mashtrimi të thjeshtë racional, duke e çliruar mendjen për të përfshirë botën e arsyes me kuptimet e veta komplekse. Si rrjedhojë, ne shohim me sy ndryshe e me një vështrim të freskët, mbi objektet e hapësirës dhe me një kuptim të ri mbi hapësirën e mistershme të mendjes sonë.
Pikturat e Magritte kanë një logjikë të pamëshirshme, aq të pamëshirshme sa që shkatërrojnë vetë logjikën duke treguar se sa i varfër është një element për të kuptuar si perceptimin shqisor ashtu edhe imazhet e mendjes. Çdo pikturë më vete e bën shikuesin të vetëdijshëm mbi problemin pamor, idenë iluzive, dhe mbi imazhin provokues që duket transparent dhe i thjeshtë, por mbetet problematik në vetvete. Më tej, ato na bëjnë të vetëdijshëm për habinë e spekulimeve të mendjes sonë dhe jo thjesht një realitet personal i fantazisë që i përket vetëm artistit.
Mendja e dashuron të panjohurën, dhe shpirti i njeriut yshtet nga e paditura. Zemra e njeriut tërhiqet nga bukuria e mjegullës. Instinkti i njeriut i përgjigjet të përtejmes. Ndaj edhe Magritte krijoi imazhet më sfiduese për perceptimin njerëzor. Ato janë ftesë për një udhëtim drejt së panjohurës. Ato përmbajnë mister, iluzion, gjëzë, dhe poezi.