Aleksandër Çipa/
Agim Sulaj është artist imponues për vëmendjen dhe vlerësimet e opinionit artistik dhe kritikës apo njohësve ndërkombëtarë të artit. Ka realizuar një udhëtim të shkëlqyer karriere, ka qindra stacione dhe data kalendarike ekspozimesh, konkurimesh, pjesëmarrjesh nëpër bienale dhe edicionesh përfshi galeri të famshme të kësaj bote. Suksesin e rroku dhe mishëron përmes talentit në penel, në dy lëmi të arteve figurative: në pikturë dhe në karrikaturë. Janë mbi 250 çmime ndërkombëtare të fituara prej tij…Ka udhëtuar, veçanërisht në tri dekadat e fundit, nëpër galeritë dhe ekspozitat më të famshme të Italisë që për ndryshe, cilësohet si “atdheu i arteve me shkëlqim të gjithëkohshëm”. Por jo vetëm aty! Në shumicën e vendeve të Europës dhe kontinente të tjera…Ka krijuar komunitetin e madh të adhuruesve të vet dhe e shton pothuajse pas çdo prurjeje pune e punësh. Ka lënë punë që mbeten hise vezulluese dhe magjepsëse nëpër galeri dhe pavione të shquara arti në shumë metropole.
Por, Agim Sulaj nuk heq dorë e nuk ndahet, prej ” vatrës së parë”, prej djepit të foshnjërisë së vet artistike, Atdheut dhe qytetit të lindjes, Vlorës. Rikthehet në Tiranë përsëritshëm, në të njëjtën kohë fundviti me ekspozitën e vet “Rrënjët”. Sjell me sqimën e vet prej Mjeshtri dhe kryemjeshtri, portretet dhe punët antologjike, të cilat janë mishërim i një vlere shquese dhe të lakmueshme, imponuese dhe dlirësuese. Karaktere të ashpra dhe të gdhendur me fuqi psikologjike dhe shprehjeje na vijnë prej këtij artisti që tashmë e ka zënë vendin, ndër më të shquarit e sotëm dhe të ardhëm të arteve figurative shqiptare.
Është fjala për një talent që vlen për krahasime në perimetra globalë.
Sa herë më jepet mundësia të gjej informacion për veprimtaritë dhe ekspozimet e tij, dua të ndalem e rikthehem. Sepse arti dhe talenti i tij janë në një udhëtim ngjitjeje dhe cilësish që ofron artisti me talente imponuese. Në mediat ndërkombptare gjenden qindra e ndoshta mijëra shkrime e vlerësime nga kuratorë dhe studiues e kritikë arti të cilët nëse do të njiheshin brenda Shqipërisë dhe hapësirës artistike shqiptare, do të imponohesh një vëmendje edhe më e madhe, edhe më e posaçme. Por ky nuk është pengu i Agim Sulajt, është thjesht qesëndia e tij për një gjetje vijuese karrikaturizimi për realitetet meskine të shoqërisë së vogël. Në pikturat e tij, këtë nuk ke mundësi ta gjesh, por në karrikaturat unike, (si krejt punët e Sulajt), të pret qeshja e imponuar prej talentit tjrtër të Mjeshtrit). Urime shumë Mjeshtër Sulaj!