Nga Skifter Këlliçi
Përsijatje rreth procesit gjyqsor kundër atdhetarit të madh Themistokli Gërmenji dhe pushkatimit të tij mizor nga Sigurimi i Ushtrisë Franceze, (9 nëntor 1917)
(Pjesa e parë)
Nëntori i këtij viti përkon me 105-vjetorin e dënimit me vdekje të atdhetarit të madh, Themistokli Gërmenji, që ishte “Veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe demokratike para dhe pas Pavarsisë së Shqipërisë… Bashkëpunoi me qeverinë e Ismail Qemalit në Vlorë, më 1913 -1914 dhe kreu detyra të rëndësishme në administratën shtetërore”, (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vëllimi 1, faqe 764, 2008).
Ndonëse ka kaluar një periudhë më shumë se një shekullore, kanë mbetur ende të panjohura shkaqet sipas të cilave , bazuar nga të dhënat e SURETE-së, (Syrte- Sigurimi i Ushtrisë Franceze ), Gjykata Ushtarake e Shtabit të Armatës së Lindjes me qendër në Selanik, gjatë Luftës së Parë Botërore,(1914-918), mori vendimin e pushkatimit të Germenjit, si agjent austro-hungareze. Dhe kjo ndodhte kur disa ditë më parë, gjenerali Sarraj, komandanti i përgjithshëm i kësaj armate, në një ceremoni të posaçme e kishte dekoruar Themistoklin për “merita të veçanta trimërie, në luftë kundër forcave austro-hungareze”.
Po cilat ishin këto akuza që sollën marrjen e një vendimi kaq të papritur, kaq të rrufeshëm, dhe kaq mizor, nga i cili Gërmenji, nga besnik i vyer i Francës, u shndërrua nga ushtarakët e lartë francezë në armik të urryer të saj , deri në atë pikë sa t’i merrej jeta?
Të gjitha këto hamendësime duhet të dalin në pah dhe do të vërtetohen, kur të hapet dosja e procesit gjyqsor ushtarak kundër tij. Mirëpo , siç thekson dhe studiuesi i njohur, Aurel Plasari, në artikullin “E vërteta e ekzekutimit të Themistokli Gërmenjit nga francezët”, ( “Tema”, 16 shkurt 2016 “), dosja “misterioze” e procesit gjyqsor ruhet xhelozisht nga shteti francez”. Më tutje ai vë në dukje dhe citimin e mëposhtëm të pr. Muhin #amit nga libri i tij “Shqiptarët dhe francezët në Korçë, (1916-20):
”Edhe tani…mund të themi se nuk kemi dokumentacionin e plotë….Na mungojnë p.sh. aktet e gjyqit të Themistokliut , kërkimi i të cilave ka qenë në qendër të vemendjes së studiuesve shqiptarë, por ende pa rezultatet e dëshiruara. Mungesa e tyre përbën një boshllëk të ndjeshëm”. (faqe 72).
Sidoqoftë, në këtë dosier, duke u bazuar në vepra të botuara dhe hulumtime të miat, do të përpiqem të argumentj mënyrat djallëzore që Sigurimi i Ushtrisë Franceze, SURETE, (Syrte), përdori ndaj atdhetarit tonë të shquar,Themistokli Germenji, për ta mposhtur, për ta gjunjëzuar dhe pastaj për ta asgjësuar.
…Në dhjetor të vitit 1973, atëherë gazetar në TVSH, së bashku me një grup xhirimi u ndodha në Korçë, për të realizuar një reportazh televiziv. Ndër pamjet simbolike të këtij qyteti , zgjodhëm edhe përmendoren e Themistokli Gërmenjit, vepër e skulptorit të njohur, Odhise Paskali, ngritur me 1932, me ndihmesën e vetë qytetarëve atdhetarë korçarë.
Një burrë gjigant, me pallto zbërthyer, duar të kryqëzuara nga prapa, fytyrë me tipare të theksuara, ku bien në pah mustaqe të dëndura, sy të përqëndruar diku në horizont, me një vështrim ngulmues, ja se ç’përfaqësonte ajo përmendore vigane e këtij atdhetari të madh, copëzë e pandarë e historisë së Shqipërisë.
Kundroja shtatoren e Themistokliut dhe më dukej se vështrimi i tij depëretonte tutje horizontit, sikur t’u thoshte jo vetëm shqiptarëve, por historisë: ”Mos harroni kurrë! Unë as u shita, as u bleva!”.
I ngacmuar këto mendime, vendosa së bashku me shokët e grupit të xhirimit të vizitonim shtëpinë e Themistokliut, ku jetonte e shoqja, Evdhoksia.
DUKE RIKUJTUAR PUSHKATIMIN
Një shtëpi tipike korçare, një shkallë e gjerë, pas saj një mesore dhe përballë një dhomë e madhe, me tavan të lartë, me minderë të mbuluar me shilte, jastekë, një tryezë në qoshe, në mure foto të Themistokliut , midis të cilave edhe foto të tij me Evdoksinë dhe vajzën e tyre të vetme, Elçen.
Evdoksia na pret me përzëmërsi, aq më tepër që është mësuar të kuvendojë me gazetarë, shkrimtarë, studiues. Eshtë pasqyrë e gjallë e të shoqit. Ndërsa ajo rrëfen, mua më ndërmenden #erciz Topulli, Isa Boletini, Bajram Curri, Avni Rustemi…Sa të përafërta këto figura njera me tjetrën, sa të ngjashme!…Të gjithë të vrarë pabesisht: #ercizi dhe Isai, nga shovinistët malazezë, Bajrami dhe Avniu, nga të shtënat pas shpine të njerëzve të Zogut.
Këtë fat pati edhe Themistokliu, por këtë radhë i pushkatuar nga… miq.
-U tmerrova kur më dhanë mandatën që Themistoliun e kishin vrarë frëngjtë, – zuri të na thoshte Evdhoksia.
Duke thënë këto fjalë, fytyra e saj u zymtua.
-Tërë mllef e pezm, – vazhdoi ajo, – kërkova të di se për çfarë shkaku ata e kishin dyfeqisur burrin tim, ndaj kërkova të takohesha me shefin e Sigurimit të ushtrisë frënge në Korçë. Ai më priti e më tha, gjoja me keqardhje se Themistokliu ishte pushkatuar sipas provash të sigurta. ”M’i tregoni këto prova!”, sa nuk ulurita në kulmin e dhëmbjes. Më premtoi, por këto prova nuk m’u rrëfyen kurrë.
Ajo heshti një grimë e shtoi:
-Themistokliu shtrëngoi frengjtë që ta linin Korcën të mëvetme, që të kishte guvernë të sajën, vetëm me shqiptarë. E kur panë se punët po shkonim më mbroth se ç’e mendonin, që ta hiqnin qafe përgjithmonë, sajuan mënyra se gjoja ai merrte e jepte me austro-hungarezët, që ishin kundërshtarët e tyre në Luftën e Parë Botërore.
I nxitur nga ky rrëfim i së shoqes së Themistokliut, që atëherë më lindi mendimi të shkruaj ndonjë tregim a novelë. Por kjo do të ndodhte më pas, kur do të lexoja studimin e historianit Muhin #ami, “Rreth dënimit të Themistokli Gërmenjit dhe ekzekutimit të tij” dhe sidomos librin “Themistokli Gërmenji” të studiuesit, Pirro Tako, dy miq të mi të hershëm. Atëherë nuk do të shkruaja as tregim as novelë, por romanin me titull “Vrasës me duar të bardha”, (1991).
CILI ISHTE THEMISTOKLI GERMENJI ?
Lindur në Korçë më 1871, detyrohet që i ri të mërgojë në Rumani, ku lidhet me shoqëritë atdhetare “Drita” dhe “Dituria”. Më pas veprimtarinë tij atdhetare e vazhdon në Korçë, Monastir dhe më vonë krijon nje çetë luftëtarësh që vepronte në rrethinat e Korçës kundër pushtuesve turq.
Pasi Korça pushtohet nga forcat e armatosura greke, vihet në shërbim të qeverisë së Ismail Qemalit në Vlorë. Më 1914 shkon në Rumani e më pas në Bullgari, ku boton revistën “Biblioteka, zëri i Shqipërisë”, në të cilën shtron probleme të rëndësishme që i dilnin Shqipërisë pas Shpalljes së Pavarësisë, veçanërisht kur një pjesë e shtresës së feudalëve të pasur po luante rol negativ në çeshtjen kombëtare.
Veprimtaria e tij atdhetare arriti pikën kulmore ë vitet 1916-17, kur u kthye në Shqipëri. Aty nisi menjëherë organizimin e luftës së armatosur për çlirimin e krahinës së Korçës dhe të gjithë Shqipërisë së Jugut nga pushtuesit grekë.
Vimë kështu në çastet që shënojnë periudhën e fundit dhe më të ndritur të veprimtarisë së tij atdhetare, që u mbyll në mënyre aq tragjike, periudhë që përbën edhe qëllimin e këtij dosieri.
NJE PUSHTUES ZEVENDESOHET ME NJE TJETER, POR…
Gjatë Luftës së Parë Botërore Shqipëria u bë shesh luftimi midis forcave ushtarake ndërluftuese të Antantës, (Francë, Rusi, Itali, Angli dhe më pas SHBA … ), dhe të Fuqive Qendrore, (Gjermani, Austro-Hungari,Bullgari…).
Vlora, Gjirokastra, me rrethinat e tyre, ishin pushtuar nga Italia, Shqipëria e Veriut, deri në kufijtë e Elbasanit dhe Pogradecit, nga ushtritë e Fuqive Qendrore, kurse krahina e Korçës nga ushtritë franceze.
Së bashku me to në pranverë të vitit 1916 ishin bashkuar edhe forcat e ushtrise greke të Venizelosit, i cili iu kundërvu mbretit Kostandin dhe partizanëve të tij, të cilët kërkonin që Greqia të mbetej asnjanëse në këtë luftë.
Si pasojë, Venizelosi u vendos në maj të atij viti në Selanik, ku ndodhej edhe komanda e përgjithshme e Armatës së Lindjes, komanduar nga gjenerali Sarraj. Pranë tij qëndronte edhe Esat pashë Toptani me një tabor kaçakësh, gjoja si aleat, me dëshirën që pas përfundimit të Luftës, natyrisht, siç po parashikohej, me fitoren e Antantës, të kthehej me ndihmën e francezëvë në krye të shtetit shqiptar.
Ndërkohë, Venizelosi krijoi qeverinë e “Mbrojtjes Kombëtare” , e cila kishte si synim të vinte në jetë synimet ambicioze të qarqeve shoviniste grekepër realizimin e ëndrrës së madhe të “Vorio Epirit”. Këto synime kishte edhe mbreti Kostandin, të cilit Gjermania, nga ana e saj, i kishte premtuar Shqipërinë e Jugut.
Themistokli Gërmenji së bashku me Sali Butkën, një tjetër atdhetar i madh, arritën në përfundimin se nga Fuqitë Qendore, nuk i priste asgjë e mire. Dhe kjo, qoftë edhe vetëm për faktin se gjermano-austriakët,” në vend që të pranonin kërkesën e tij për ngritjen e një administrate shqiptare në Kolonjë, lejuan atje vendosjen e bandave greke të Papagjeorgjiut, Dakasit dhe të Karvunit.”( Pirro Tako,”Themistokli Germenji”, faqe 223).
Mirëpo, kur forcat e Armatës së Lindjes u dukën në Fushën e Korçës, Themistokliu e ndjeu veten të lehtësuar. Shanset e fitores në Luftën e Përbotshme, nga sa shihej, se po anonin nga Antanta.
Meqë ushtritë gjermano-bullgare nuk kishin forca të mjaftueshme tëluftonin kundër forcave franceze të Armatës së Lindjes, u detyruan të tërhiqeshin nga krahina e Korçës, pa hyrë në luftime. Ndërkohë,Themistokliu vendosi të rrethonte Korçën, i mbështetur edhe nga çetat e Sali Butkës.
E ndodhur në këto kushte, komanda e ushtrisë franceze kuptoi se shqiptarët donin të ishin të lirë dhe të pavarur, se ata nuk pranonin anjë qeveri greke, qoftë venizeliste a mbretërore, të cilat synonin të mbanin nën sundimin e tyre Korçë me krahinat e saj, se ata ishin gjithashtu kundër ndërhyrjes italiane. Së fundi, donin, gjithashtu, nje regjim demokratik dhe refuzonin t’i bindeshin Esat pashës. Me këto kushte ishin gati të merreshin vesh me francezët, në qoftë së këta mbronin rregullin dhe u siguronin shqiptarëve pavarësinë.
Sidoqoftë, francezët, duke gjykuar se kishin epërsi ndaj forcave shqiptare, vendosën të futeshin në luftë me çetat e tyre që i cilësonin banda. Mirëpo, duke u ndeshur me to, forcat franko-venizeliste të komanduara nga koloneli Burnazel, u thyen keqas nga çetat e Themistokliut, të mbështetura edhe nga ato të Sali Butkës.
Në këto rrethana, duke parë se ushtria franceze do ta kishte pisk me këto formacione kaq të shkathëta dhe të rrezikshme të kryetrimave shqiptarë të sipërpërmendur, gjenerali Sarraj, kryekomandanti i Armatës së Lindjes, e pa të arsyeshme që të mbështeste dëshirën e shqiptarëve për vetqeverisje. Kështu mund t’u arrihej synimeve ushtarake: Të mbulohej me shpenzime sa më të pakta mbrojtja e Korçës me rrethinat e saj, nga ku tashmë nuk kishte rrezik, duke e përqendruar luftën vetëm kundër ushtrive gjermano-austro-bullgare.
Si pasojë, pas disfatës së Burnazelit, Sarraji vendosi të dërgonte si komandant të qarkut të Korçës kolonelin Dakoen. Po me urdhër të tij u shkarkua prefekti venizelist Argillopullos. Kështu u hap rruga për të arritur një marrëveshje me drejtuesit shqiptarë sipas parimit: ”Përpiquni t’i bëni për vete shqiptarët. Këtë e kërkojnë interesat tona deri në mbarim të luftës”. (P.Tako “Themistokli Gërmenji”, faqe 234).
Dakoeni arriti në Korçë më 21 nëntor 1916. Pas katër ditësh Themistokliu bashkë me familjen, i shoqëruar nga 120 luftëtartë të çetës së tij, hyri në Korçë, ku u prit me brohoritje nga populli që mbushte rrugët dhe që andej u paraqit në prefekture, ku u takua me Dakoenin. (Sipas revistës “Rilindja”, Korçë, 1935-36, nr. 3-4).
Në librin e tij me kujtime “Gjashtë muaj të historisë së Shqipërisë” (Six mois d’histoire de l’Albanie”, Paris 1930 , faqe 14), të cituar nga Muin #ami, në studimin e tij të mësipërm Dakoeni e përshkruan kështu Themistokliun:”Me fytyrë të çiltër e të sinqertë, i gjatë në trup, me qëndrim burrëror, sjellje të përsosura, i veshur me kostum gjahtari, Themistokliu më bëri përshtypjen më të mirë. Në thelb më tha:”Nuk kam arsye të kem armiqësi me francezët dhe s’kam qenë kundër jush. I quaj shovinistët grekë armiqtë tanë më të këqinj. Jam me ata që garantojnë lirinë e mëmëdheut tim”.
Të nesërmen, më 24 nëntor, Themistokliu iu drejtua me një thirrje popullit të Korçës, i cili, edhepse vinte nga zona bullgare e pushtimit, kishte besim tek ai që as nuk shitej as nuk blihej, as nuk gënjehej, prandaj edhe adhurimi ndaj tij ishte i pakufizuar dhe i sinqertë”.(Gazeta e Korçës” , 20 korrik 1929).
Në fund Themistokliu u bënte thirrje kryetarëve të çetave që të mos përdornin armët kundër ushtrisë franceze, duke lënë të kuptohej se ndryshe nga Fuqitë Qendrore , Franca nuk ndiqte qëllime pushtuese ndaj vendit tonë dhe se me mbarimin e luftës ushtritë e saj do të largoheshin. Me fjalë të tjera, theksonte se “…pushteti ishte i përbashkët dhe përkonte me interesat e të dyja palëve. (P.Tako “Themistokli Gërmenji”, faqe 239).
Por për fat të keq, siç do të shohim më pas, nuk do të ndodhte kështu…
(Vijon në numrin e ardhshëm)
PLUMBA MBI PAFAJESINE
Pjesa e dytë
Nga Skifter Këlliçi
Protokolli i 10 dhjetorit të vitit 1916
Më 8 dhjetor gjenerali Sarraj i dërgoi një telegram Dakoenit, tashmë komandant i forcave ushtarake franceze në Korçë, në të cilin e njoftonte që të krijonte sa më parë një admnistratë me nëpunës shqiptarë dhe polici vendore, nën drejtimin e prefektit. Ndërkohë, komanda ushtarake franceze do të kishte të drejtën e mbikqyrjes administrative dhe ushtarake në të gjithë qarkun e Korçës. Këto rekomandime ishin pasojë e bisedimeve që kishte pasur Dakoeni me Themistolkiun disa ditë më parë, “…përfundimet e të cilave komandanti francez ia kishte paraqitur Sarrajit, kryekomandanti i Armatës Franceze të Lindjes, me qendër ne Selanik”. (P.Tako “Themistolki Germenji”, faqe 243).
Si pasojë, më 10 dhjetor të vitit 1916, një komision shqiptar, i kryesuar nga dr.Haki Mborja, ku bënte pjesë edhe Themistokliut , u prit në prefekturë nga autoritet ushtarake franceze, të cilave iu shpreh në mënyrë zyrtare dëshira e popullit të Korçës për vetqeverisje nën mbrojtjen e Francës.
Lidhur më këtë çështje të rëndësishme, nga komisioni shqiptar dhe Dakoeni u nënshkrua një protokoll. Pastaj të gjithë pjesëmarrësit e këtij akti historik dolën në ballkonin e prefekturës, nga ku Themistoki Gërmenji ngriti flamurin e Shqipërisë, shoqëruar nga brohoritjet e popullit korçar, që priste me padurim para sheshit të prefekturës, me thirjet:”Rroftë Shqipëria!”,”Rroftë flamuri!..”, (gazeta “Adriatik”, 13 dhjetor 1916).
Kështu me dëshirën e popullit, qyteti i Korçës, bashkë me qarqet e Bilishtit, Kolonjës, Gorës dhe Oparit, formuan Krahinën Autonome të Korçës, të qeverisur prej shqiptarëve nën mbikëqyrjen e autoriteteve ushtarake franceze.
Krahina do të qeverisej nga një këshill i përbëre nga 14 vetë, 7 të krishtërtë dhe 7 myslimanë, me nëpunës shqiptarë, të miratuar nga autoritetet franceze. Prefekt u emërua Themistokli Gërmenji. Ai kishte të drejtë të drejtonte xhandarmarinë dhe policinë vullnetare për ruajtjen qetësisë dhe rregullit. Në rast lufte, këto formcione do të viheshin nën urdhërat e komandës franceze.
Nënshkrimi i këtij protokolli pati rëndësi historike, sepse në këtë mënyrë “…u njoh karakteri etnik i popullsisë së trevës së Korçës dhe u krijuan gjithashtu kushte më të përshtatshme për të luftuar më me forcë edhe pretendimet shoviniste greke mbi Shqipërinë e Jugut. (“Studime Historike”,1977/1,M.Cami”Lëvizja patriotike në trevën e Korçës në vitet 1916-17”, faqe 74-76).
Këtë mendim e përforcon edhe ushtaraku Tyber, me të cilin do të njihemi më mirë në vazhdim të këtij dosieri, kur në një raport të tij dërguar Komandë së Armatës së Lindjes, me qendër në Selanik, shkruante:”Shqipëria, në kundërshtim me legjendën, nuk është një vend hajdutësh, kusarësh dhe vrasësish, përkundrazi të gjithë shqiptarët kanë një pikëpamje të përbashkët dhe kjo është pavarësia e vendit, e ndezur edhe kjo nga shtypja turke dha nga tirania e mërzitshme e grekëve…”, (po aty).
Dhe në një raport tjetër Tyberi vazhdonte:”Dhuna dhe intolerimi që kanë treguar grekët (pushtues), ndaj shqiptarëve, i kanë bashkuar këta të gjithë, myslimanë e të krishterë, në një urrejtje të përbashkët.”
Edhe një ushtarak tjetër francez, kapiteni Holc, që është takuar më pas me atdhetarin e shquar Sali Butka, nga fundi i muajit gusht 1917, nënvizon në një relacion dërguar eprorëve të tij fjalët që i ka thënë Themistokliu: ”Unë nuk jam armiku i Francës…Ne ndjekim zhvillimin e ngjarjeve dhe kemi vërejtur se administrata juaj në Korçë u siguron shqiptarëve lirinë. Por, në qoftë se Franca do të sjellë aty grekët, ne do të jemi gjithnjë të gatshëm të derdhim gjakun tonë për atdheun tonë.”. (Muin #ami,”Rreth dënimit dhe ekzekutimit të Themistokli Gërmenjit”, ”Studime Historike” nr.4, 1977, faqe 113).
FRANCEZET SULMOHEN NGA ALEATET
Ndërsa ky protokoll pati jehonë në Shqipëri dhe te shqiptarët jashtë atdheut, në SHBA, Kanada e gjetkë, siç e përshkruan gazeta “Dielli”, Boston, 30 janar 1916, 20,21 mars 1917, për më tepër nga shqiptarët në zonat e pushtimit gjermano-austro- bullgar, pushtuesve italianë në zonat e Vlorë e Gjirokastrës nuk u erdhi aspak mirë një veprim i tillë i aleatvë të tyre francezë.
“Franca po luan një lojë të keqe duke lejuar ngritjen e flamurit shqiptar në prefekturën e Korçës . Kjo do të krijojë telashe , – deklaroi shefi i shtabit të shtatmadhorisë italianë të Vlorës. (P.Tako,”Themistokli…”,faqe 249).
Roma protestoi pranë Ministrisë se Jashtme franceze për këtë veprim, pa u këshilluar me qeverine italiane. Nga ana e tyre, edhe zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Francës, u befasuan nga një veprim i tillë që ishte bërë, pa pyetur qeverinë franceze dhe i kërkuan menjëherë shpjegime gjeneralit Sarraj, siç është shkruar mësipër, kryekomandant i ushtrisë franceze në Frontin e Lindjes me qendër në Selanik. Ky i fundit iu përgjigj menjeherë se koloneli Dakoen, që ishte komandant i forcave ushtarake franceze në Korçë, me këtë veprim kishte marrë parasysh kërkesën e popullit që kazaja e këtij qyteti të bëhej krahinë autonome.
Nga këto reagime dilte se ushtarakët francezë nuk kishin marrë për këtë qëllim pëlqimin e Parisit. Por tashmë kjo ishte bërë fakt i kryer.
Kuptohet që edhe qarqet shoviniste greke, jo vetëm që nuk e pranuan veprimin e mësiperm , por edhe u fyen. Aq më tepër Venizelosi që ishte tashmë aleat i Antantës pra, edhe i Francës. Ai i nuk e aprovoi dëbimin e Argjillopusit, ish- prefekti grek i Korçës dhe zëvendësimin e tij me Themistokli Gërmenjin.
Që këtu nis një etapë e re në zhvillimet e kësaj ngjarjeje që do të karakterizohen nga sulmet ndaj Krahinës Autonome të Korçës dhe Themistokli Gërmenjit, i cili vazhdonte detyrën në dobi të çeshtjes atdhetare.
Një ndër vendimet e rëndësishme të tij ishte mbyllja e shkollave greke dhe hapja e shkollave në gjuhën shqipe, midis të cilave edhe të ngritja e liceut të parë shqiptar. Veç kësaj, Themistokliu mori masa, sidomos për sigurimin e drithit në kushtet e një urije që kishte pllakosur në Korçë, si dhe masa për ruajten e kufijve që dhunoheshin herë pas here nga xhandarët e Venizelosit.
DYSHIME MBI THESTOKLIUN
Këto dyshime nisën në javën e parë të shkurtit të vitit 1917. Gjeneral Groseti, komandant i forcave franceze me qendër në Follorinë, zuri të dyshonte për Themistokliu, që, siç kemi përmendur, kishte ardhur me komitët e tij nga zonat e pushtimit armik, ku ende vepronte bashkëluftëtari i tij, Sali Butka, me të cilin mbante lidhje, se një ditë bashkë me komitët e tij mund t’ia behte në Korçë. Ndaj, për këtë qëllim, ai i dërgoi një raport gjeneralit Sarraj. Por ky i fundit, duke pasur besim te Dakoeni, nuk i vuri aspak rëndësi këtij raporti.
Ndërkohë, në lojë u fut Syrteja,(Surete), pra, Shërbimi i Sigurimit të ushtrisë.
Një nga punonjësit e saj, Lycieni, i dërguar nga Selaniku në Korçë, pati disa takime me Dakoenin dhe Themistokliun, natyrisht “për çeshtje pune”.
Me t’u kthyer në Selanik, Lysieni u paraqiti eprorëve të tij një raport ku theksonte se Themistokli Gërmenji “është shumë inteligjent dhe paraqet aktualisht të gjitha garancitë për besnikëri. Por nuk duhet harruar që ai ka luftuar kundër nesh në krahë të bullgarëve.” (P.Tako“Themistolki…”, faqe 266).
Më pas, për të kufizuar kompetencat e prefektit të Korçës, propozonte që xhandarmaria, e cila varej nga Themistokliu, të përforcohej në mënyrë serioze dhe për këtë qëllim të ngarkohej një komandant i kualifikuar francez. Ky mund të ishte oficeri francez, Tyber, i cili do të kombinonte punën e xhandarmarisë, me atë të shërbimit informativ të ushtrisë. Dhe kështu u bë. Si përfundim, u krijua batalioni i xhandarmarisë lëvizëse shqiptare, me komandant Tyberin.
Duke filluar nga puna, Tyberi nisi të ndikohej shumë nga Drioja, inspektori i Sigurimit të ushtrisë në Korçë, i cili ishte i pakënaqur nga Dakoeni, që i nënvleftesonte raportet e tij, sidomos lidhur me Themistokliun. Kësisoj, edhe Tyberi, tashmë mik i Driosë, u përfshi në vorbullën e kësaj pakënaqësie. Shkak u bë çeshtja e Adem Beqirit, një bashkëpunëtori të ngushtë të Themistokliut, i cili ishte ngarkuar me detyra në zona e pushtuara nga forcat austro-hungreze të pushtimit, ku vepronin çetat e Sali Butkës.
Por edhe këtë radhë Dakoeni nuk u dha rëndësi raporteve “sencacionale” të Driosë.
Mirëpo Drioja më pas zuri të ndiqte edhe më më këmbëngulje “#ështjen Beqiri”, duke tërhequr vemëndjen edhe të Benuasë, që ishte shefi i i përgjithshëm i Syrtesë. (P.Tako,”Themistokli…” faqe 270).
Benuaja kishte zili që Syrteja nuk ishte treguar aq vigjilente sa policia e e komanduar nga Themistokliu. Si rjedhim, nisëm ndjekje ndaj shqiparëve të pafajshëm, që u burgosën dhe internuan si të dyshimtë për hiçgjë, për më epër, pa marrë pëlqimin e Themistokliut, pra, prefektit.
Kjo e revoltoi pa masë Themistokliun, cili nuk po arrinte ende të kuptonte se Benuai me anë të Tyberit po përpiqej të krijontë një komplot kundër Krahinës Autonome të Korçës që tashmë shqiptarët e quanin “republikë”, dhe, për më tepër, kundër atij vetë.
KTHETRAT E SURETESE e SYRTESE NDERREN NGA THEMISTOKLIU
Aty nga prilli i vitit 1917 ndodhën të papritura. Tyberi u zëvendësua nga kapiteni Holc. Dy javë më pas gjenerali Sarraj u detyrua ta largonte Dakoenin nga Korça, ndonëse ishte i sigurtë që raportet e Syrtesë kundër Themistokliut ishin të gënjështërta.Vendin e tij e zuri gjenerali Sal, nje njeri i ngurtë, i prerë dhë cinik.
Mbase edhe ai kishte krijuar bindjen se Dakoeni ishte gjunjëzuar nga Themistokliu. Veç kësaj, gjenerali Sarraj e kuptonte se me krijimin e Krahinës Autonome të Korçës, pa pëlqimin e Parisit, e kishte tepruar.
Vetë korçarët nuk e pritën mirë largimin e Dakoenit.Veçanërisht Themistokliu. Largimi i tij u pa nga prefekti i Korçes si hapi i parë për minimin e Krahinës Autonome. Megjithatë, lufta nuk do të zgjaste, Antanta do të fitonte dhe francezët do të largoheshin nga Korça, ashtu sic kishin premtuar, duke e lënë atë të pavarur. Kështu, me sa duket, gjykonte Themistokliu.
Por, ndërkohë, trysnia e Syrtesë ndaj tij po rritej. Tashmë arkitekti i rritjes së kësaj trysnie ishte vetë Benuai, veprimet e të cilit fillloi t’i miratonte pa ngurrim gjenerali Sal.
Ai nënshkroi menjëherë vendimin për dënimin e xhandarit shqiptar, Mehmet Aliu, gjoja sepse kishte bashkëpunuar më armikun dhe kërcënoi se edhe të tjerë do të pësonin të njejtin fat. Si pasojë, disa shqiptarë që shërbenin në xhandarmari, nga frika, dezertuan.
Këto veprimë kundër shqipatrëve e revoltuan përsëri Themistokliun. Ai u shtrëngua t’i dërgonte një letër eprorëve francezë në Selanik, në të cilën e quante krejt të padrejtë dhe imorale mënyrën si veprontë Syrteja kundër atdhetarëve të burgosur dhe u kërkonte autoriteteve franceze që t’i jepnin fund kësaj komedie. Po dënoheshin kështu pa fakte Ahmet Beqiri dhe Abedin Binjaku. (P.Tako “Themistokli…”, faqe 281).
“ Në është se Franca është penduar për sa bëri dhe tani për njerën arsye a tjetrën kërkon të abrogojë marrëveshjen, unë, për të mos marrë më qafë shqiptarë që hidhen në gjyq pa faj, jam gati të hiqem. Në është se Franca nuk është penduar dhe do të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, atëherë ju lutem, ndërhyni aty ku duhet dhe të dalë e drejta në shesh.”, (Muzeu Historik i Korçës, letër e Themistokliut e datës 29 qershor 1917).
Gjenerali Sarraj, me të lexuar letrën, i dërgoi përgjgje Themistokliut, në të cilën e porosiste të vazhdonte detyrën, se “simpatia dhe besimi i kryekomandantit te personi i tij, ishin të pacënuara”. (“Posta e Korçës”, ”Vrasja e dëshmorit kombëtar”, 11.2.1930).
Por Benuai nuk tërhiqej dhe vazhdonte të ushtronte gjithnjë e më shumë dhunë mbi shqiptarët e burgosur, midis të cilëve, siç thamë edhe më sipër, ishte Adem Beqiri. Ai së bashku me Abedin Binjakun u transferuan nga burgu i Follorinës, në burgun e Selanikut dhe pas një procesi të shkurtër që të dy u dënuan me me vdekje, si bashkëpunëtorë të austro-hungarezëve.
Ademi, sipas vendimit, duhej të pushkatohej më 23 gusht 1917, por Benuai e shtyu dënimin qëllimisht deri më 27 gusht, që ai ai t’i jepte “të dhëna” e pastaj edhe ta falte. Dhe kur Ademi nuk pranoi, mbi të xhelatët e Benuait ushtruan tortura çnjerëzore, deri sa ai u detyrua të pohonte ato që i kërkonte shefi i madh i Sigurimit francez. Pra, se ishte dërguar tri herë me detyrë nga Themistokliu në Plasë, për të dorëzuar një pako për oficerët gjermanë.
Ishin trillime të neveritshme, sepse Themistokliu, po të donte, mund të gjente mënyra të tjera për t’u lidhur me shqiptarë në zonat e pushtuara nga austro-hungarezët. Për më tepër, gjatë atyre ditëve kur akuzohej se kishte qenë në Plasë, (12 shkurt 1917), Adem Beqiri ishte ndodhur me shërbim në Korçë dhe këtë e dëshmonte takimi që kishte pasur me Themistokliun dhe oficerë francezë, që e kishin ngarkuar me detyra tjera.
Në të njejtën kohë, inspektori i Syrtesë, Drio, nuk ndalej me raporte të tjera fantastike kundër Themistokliut që i dërgonte Benuait dhe ky ia përcillte gjeneralit Sal. Sali e kuptonte se Drioja shpifte, por, megjithatë i miratonte në heshtje raportet e tij.
Ishte koha kur Parisi, pas transferimit të qeverisë së Venizelosit, aleat i Antantës, nga Selaniku në Athinë, në verë të vitit 1917, po afrohej me politikën shoviniste greke ndaj Shqiqërisë.
Si pasojë, gjenerali Sal i propozoi Themistokliut të hapeshin përsëri shkolla greke. Por Themistokliu iu kundërvu hapur: ”Kurrë ndonjëherë qeveria shqiptare nuk do të lerë hapjen e shkollave greke në Korçë. (Petro Harizi,”Histori kronografike” , faqe 204).
Kështu dalëngadalë kthetrat e Syrtesë u nderën mbi Themistokliu, edhe me miratimin e heshtur të oficërevë madhorë Groseti dhe Sal.
Ata nuk e kishin të vështirë ta zhduknin Themistokliun me një plumb pas shpine, por e dinin se nuk do ta kishin të lehtë, po të marrim parasysh autoritetin e madh që gëzonte ai në Korçë. Ndaj prisnin të kurdisnin një rrjetë të dendur me “fakte të reja komprometuese”, për të goditur prefektin dhe Krahinën Autonome të Korçës, ose Republikën Shqiptare të Korçës.
Prandaj arrestuan Fehmi Zboqin dhe Ciz Mehmetin, të cilët Themistokliu i kishte dërguar në zonat e pushtuara nga austro-hungarezët. Që të dy iu nënshtruan torturarve, ashtu si Adem Beqiri, madje në prezencë të vetë inspektorit Drio. Në këto rrethana, ata të dy pohuan se prefekti i Korçës, Themistokli Germenji, kishte bashkëpunuar me armikun.
“Pohimet e tyre, vinte në dukje Benuai, vërtetojnë kategorikisht fajësinë e Themistokliut, vepër e përfshirë në nenin 25 të Kodit të Ushtrisë, i cili në këtë rast parashikonte dënimin me vdekje”. (P.Tako,”Themistokli…”, faqe 289). ”Ndaj, Themistokliu duhej arrestuar se mban lidhje me armikun, me qëllim që të ndihmojë në planet e tij”. (po aty).
Kështu, plot kënaqësi, Benuai nxitoi të shkonte në Follorinë, që të njoftonte Grosetin, komandantin e forcave franceze në këtë qytet. Dhe ky dha alarmin që prefektit të Korçës nuk i duhej zënë më besë.
Kthetrat duhet të shtrëngoheshi tashmë në fytin e Themistokliut. Për këtë qëllim, Groseti ngarkoi togerin Dë Mari që të shkonte nga Follorina në Korçë, për të plotësuar përfundimisht dosjen e e Themistokliut. Në rast se ai do ta realizonte këtë me fakte të reja edhe më komprometuese, Groseti i premtoi se do ta dekoronte me “Kryqin e Legjionit të Nderit”.
PLUMBA MBI PAFAJESINE
Pjesa e tretë
USHTARAKET FRANCEZE NE MEDYSHJE
Po afronte vjeshta e vitit 1917. Lufta dukej sikur po kalonte një periudhe qetësie. Por, ndërkohë, aeroplanët austriakë bombardonin Korçën dhe, jo vetëm ngjallnin tmerr mbi popullsinë e pambrojtur, shkatërronin shtëpi, por edhe shkaktonin të vrarë e të plagosur.
Francëzët përgatiteshin për marrjen e Pogradecit, që ndodhej nën pushtimin e forcave austro-hungareze. Megjithëse i mbikqyrur nga Syrteja, Themistokliu, si prefekt, u ngarkua me detyra informimi dhe zbulimim, aq më tepër që i njihte rrethinat e Pogradecit, ku parashikoheshimn të zhvilloheshin luftimet, gjë që ndihmoi së tepërmi forcat franceze.
Jo vetëm kaq, por njësitet e xhandarmarisë shqiptare bashkëvepruan me forcat franceze në luftimët e ashpra me forcat armike, të cilat nuk rezistuan gjatë dhe u thyen.
Menjëherë pas luftimeve Themistokliu qe ndër të parët që u fut në Pogradec dhe ngriti atje flamuri shqiptar, ndërsa populli këtij qyteti e priti plot brohoritje”. (“Posta e Korcës”,12 gusht, 1929). Pas luftimeve ai kërkoi qe me pëlqimin e qytetarëve pogradecarë edhe ky qytet të kishte vetqeverisje si Korça. Mirëpo komanda franceze nuk e miratoi këtë kërkesë. (Po aty).
Ndërkohë, Syrteja vazhdonte misionin e saj të mbrapshtë kundër Themistokliut. Ajo për këtë qëllim shfrytëzoi njerëz shpirtkëqinj, egoistë, që e kishin halë në sy Themistokliun dhe që ishin gati “të bënin çdo krim e poshtërsi, pavarësisht se u shërbenin të huajve duke dëmtuar atdheun”. (Posta e Korçës”,”Vrasja e dëshmorit”, 12.2.1930).
Këta njerëz të paskrupullt hartuan një dokument “…ku shprehej pakënaqësia e popullsisë së Korçës ndaj Themistokliut dhe qeverisjes dhe ia dorëzuan Syrtesë franceze. (P.Tako,”Themistokli…”, faqe 298).
Themistokliu u vu në dijeni të këtyre makinacioneve dhe, megjithatë, vazhdoi i qetë punën, duke iu përmbajtur Protokollit të 10 dhjetorit të vitit 1916 me palën franceze. Ai kuptoi, ndërkohë, se Shqipërisë i kanosej një rrezik tjetër….
THEMISTOKLI GERMENJI DHE ESAT pashë TOPTANI
Pasi ishte dëbuar nga Shqiqëria, Esat pasha, siç u përmend më sipër, ishte vendosur me një tabor ushtarësh të hurit dhe litarit pranë komandës së Armatës Franceze në Frontin e Lindjes, me qendër ne Selanik, pra, pranë gjeneral Sarrajit. Për më tepër, kishte marrë pjesë në luftimet e Pogradecit.
Esati prej kohësh i kishte kërkuar Sarrajit që të vendosej me gjithë “qeverinë e tij” në Korçë dhe për këtë kishte marrë edhe pëlqimin e ambasadorit të Francës pranë tij, të quajtur Fontenej. Kjo dëshmohet edhe nga një artikull i botuar te “Gazeta e Korçës”, datë 10 gusht 1930, në të cilin midis të tjerash shkruhet:
“Në ditë e para pas ngritjes së Krahinës Autonome të Korcës, Esat pasha dërgoi këtu tre nga “ministrat “ e tij, cilët gjetën strehë në ndonjë nga shtëpitë më të mira. Themistokliu i zemëruar i kërkoi kolonel Dakoenit largimin brenda njëzet e katër orëve të këtyre “ministrave” . Ata ikën pa u zënë këmbët dhe”.
Esati në Selanik takohej me njerëz të sferave të larta të politikanëve francezë dhe të aleatëve të tyre dhe villte vrer kundër Themistokliut, i cili e kishte demaskuar gjithnjë edhe në revistën e tij “Biblioteka, zëri i Shqiqërisë” që botonte më 1915 në Bullgari, si tradhtar të atdheut.
Eshtë interesante me këtë rast të citojmë një artikull shkruar nga gazetari i njohur francez i gazetës “Lë Pëti Parizien”, Gaston Rishar, më 15 qershor të vitit 1920, dy ditë pasi atdhetari i shquar, Avni Rustemi, vrau Esat pashën pas një atentati në Paris.
Duke përshkruar jetën ë tij të shthurur në Selanik, ku luante kumar e u zhvaste edhe qindarkën e fundit oficerëvë të gjeneralit Sarraj, dhe “kur nuk u bënte vizita të bukurave të tij, Esat pasha kridhej në mendime të zymta të ndërlikuara dhe misterioze për të shtënë në dorë ndonjë pasues besnik të Sali Butkës, armikut të tij personal…ose për asgjësimin e Themistokli Gërmenjit”.
Dhe ishte e çuditshme se si shumë politikanë të huaj u besonin këtyre shpifjeve të Esat pashës, i cili priste që pas Luftës, falë Francës, të kthehej në Shqipëri dhe të formonte një qeveri që të përmbushte interesat e saj ndaj në vendit tonë.
PLANE TE METEJSHME PER ZHDUKJEN E KKRHINES AUTONOME TE KOR#ES DHE ARRESTIMI I THEMISTOKIUT
Siç e pamë, para sulmit për pushtimin e Pogradecit, Themistokliu ndihmoi forcat franceze duke u dhënë shumë informata të rëndësishme me karakter luftarak. Punë të frutshme në këtë drejtim bëri bashkëpunëtori tij i ngushtë, Fehmi Zboqi. Këto informacione Syrteja herë i shihte me dyshim dhe herë tjetër i çmonte.
Ishte pikërisht Fehmi Zboqi që u vu në shënjestër nga Syrteja, si e si që të cilësohej agjent austro-hungarez. Benuai, shefi i Syrtesë, urdhëroi për këtë qëllim inspektorin e tij Drio, të merrej me Fehmi Zboqin, i cili duhej të dilte se bashkëpunonte me austro-hungarezët me dijeninë dhe për qëllimet e Themistokliu. Kështu Drioja hartoi një relacion ku shpjegonte se këto lidhje midis tyre bëhej me anë të një shqiptari tjetër të quajtur Pasho Kolaneci.
Tashmë kthetrat po ndereshin edhe më shumë drejt Themistokliut. Kjo ndodhi pas pushtimit të Pogradecit, kur Fonteneji, ministri i Francës pranë Esat pashës, i shkruante Sarrajit “…që Korça, dhe Pogradeci të quheshin si krahina të pushtuara, pra, që Republika e Korçës të likuidohej. (P.Tako,”Themistokli…”,faqe 303).
Në këto kushte, kryeministri francez Fosh i kërkoi Sarrajit t’i dërgonte nj relacion ku të shpjegonte se në ç’rrethana Korça, kaza e pushtuar prej francezëve, ishte shndërruar në krahinë autonome.
Kryekomandanti i Armatës së Lindjes u ndodh në një pozitë tepër të vëshirë. Ai duhej t’i jepte shpjegime kryeministrit, kur sapo ishte bërë gati të dekoronte me “Kryqin e Luftës”, se kishte vënë krye të kësaj krahine autonome, atë që me dëshirën e popullit korçar e kishte quajtur atë Republika Shqiptare e Korçës, pra, Themistokli Gërmenjin, i cili, kishte vë në qarkullim monedha me stemën e kësaj republike, madje, edhe pulla poste.
Sarraj mund ta mënjanonte këtë dekorim. Por nuk veproi kështu. Më 26 tetor 1917, me një ceremoni të posaçme Themistokliu, në emër të tij u dekorua nga vetë gjenerali Sal, komandanti i trupave franceze në Korçë, i cili, siç e kemi parë, jo vetëm nuk e kishte atë për zemër, por donte t’i bënte edhe varrin. Ai lexoi urdhërin e kryekomandantit Sarraj, ku thuhej:
“Themistokli Gërmenji, prefekti i Policisë së Korçës, duke qenë pranë një komandanti brigade, dha në kohën e e veprimeve luftarake për marrjen e Pogradecit lajme të vlefshme për komandën. U provua guximtar duke marrë pjesë vetë në luftime në udhëheqjen e trupave të xhandarmarisë shqiptare në ditët 8, 9 dhe 10 shtator 1917.
Nënshkruar, Sarraj”. (“Gazeta e Korçës”, 15 shkurt 1930).
Po sipas kësaj gazete, Themistokli Gërmenji iu përgjigj Salit se gëzohej për këtë vlerësim të Sarrajit që e dekoronte me “Kryqin e Luftës” dhe e uronte që miqësia midis dy popujve të të forcohej gjithnjë e më shumë.
Pas disa ditësh, më 29 tetor, me këtë rast, Themistokliu përshëndeti me një letër urimi ushtarakët e xhandarmarisë, e cila u botua në shtyp më 1 nëntor. (po aty).
Dhe, ja në mbrëmjen e kasaj dite Benuai, i ardhur posaçërisht nga Selaniku, e arrestoi Themistokli Gërmenjin, po në emër të… kryekomandantit Sarraj. (!?)
Sipas gazetës “Posta e Korçës”, të datës 15 shkurt,1930, Themistokliu dëgjoi me qetësi deklaratat e shefit të Sigurimit, Benua, dhe të dy agjentëve që e shoqëronin, të cilët e morën më vete në Selanik.
Habinë dhe tmerrin pasi mori vesh këtë lajme shoqja, Evdhoksia e ka përshkruar në në një libër me kujtime të grave veterane.
”Unë po e prisja të kthehej me tryezën shtruar, – kujton ajo, – kur në vend të tij më erdhi drejtori i Syrtesë dhe më tha greqisht:”Mos e prisni Themistokliun. E ka thirrur në Selanik gjenerali Sarraj dhe tani është nisur. Ne i thamë të vinte t’ju lajmëronte, por ai m’u përgjigj, se shtëpia e tij e di që ka shumë punë, prandaj dhe gruaja të mos bëhet merak. ”Mua nuk më vajti mendja për të keq, pasi gjithnjë kur e lajmëronin për ndonjë intrigë, thoshte:”Le të më thërrasë gjenerali Sarraj, dhe atje do të shpjegohem.”
PAS ARRESTIMIT TE THMISTOKLIUT
Syrteja, pra, Sigurimi francez, jo vetëm shpejtoi ta arrestonte Themistokliun tri ditë pas dekorimit me “Kryqin e Luftës”, por brenda një jave zhvilloi rrufeshëm procesin hetimor dhe gjyqsor, ku Këshilli i Lartë i Luftës dha me nxitim dënimin e tij me vdekje, si agjent i Fuqive Qendrore, dënim që u krye të nesërmen. Dukuri me të vërtetë shumë e rrallë në proceset gjyqsore!…
Përse ky nxitim?
Eshtë një pyetje qe ende nuk ka marrë përgjigje. Dhe kjo, sepse, siç u theksua, në krye të këtij dosieri, deri tani nuk janë zbuluar e studiuar dosjet e hetuesisë, (në qoftë se është zhvilluar ndonjë proces i tillë, dhe, për më tepër, as procesi gjyqsor që u zhvillua me dyer të mbyllura). Se çfarë trillimesh të tjera, veç atyre që kemi përmendur më siper u bënë në këtë proces për ta akuzuar Themistokliun si agjent austro-hungarez, këto janë ende të panjohura.
Këshilli i Lartë i Luftës mori vendimin me vdekje për Themistokliun sipas të dhënave të Syrtesë, të cilat më së fundi, i miratoi shtamadhoria dhe kryekomandanti i Armatës së Lindjes, gjenerali Sarraj. Ai, siç e kemi parë, për muaj me radhë kishte kundërshtuar trillimet e Syrtesë, që e akuzonte Themistokliu si agjent të armikut, por tani ishte dorëzuar.
Sigurisht që Sarraji shikoi në fund të fundit interesin e tij. Krahina Autonome e Korçës ishte krijuar me dëshirën e flaktë të korçarëve, por edhe me miratimnin e tij. Dhe jo më kot. Duke plotësuar dëshirën e shqiptarëve të kësaj krahine, ai ishte i qetë se trupat franceze nuk do të sulmoheshin më nga çetat e Themistokliut e të Sali Butkës. Me fjalë të tjera, ato do të luftonin vetëm kundër forcave të Fuqive Qendrore, madje, duke pasur përkrah edhe forcat shqiptare, siç ndodhi në luftimet e Pogradecit. Pra, këtë vendim e kishte marrë i shtyrë nga motive ushtrarake pragmatiste, për më tepër, pa pyetur qeverinë franceze.
Mirëpo ajo i kërkonte tani llogari për këtë veprim. #’duhet të bënte ai që e kishte dekoruar Themistokliun një javë më parë? Të pranonte që ai të dënohej?
Nuk kishte rrugë tjetër. ”Pra, dhe ushtarakët detyroheshin të tërhiqeshin përpara interesave politike dhe diplomatike franceze”. ( P.Tako,”Themistokli…”faqe 306).
“Dy duar për një kokë,”- thotë populli. Dhe Sarraji në përgjigjen dhënë kryeministrit Fosh, vinte në dukje se shndërrimi i Korçës në krahinë autonome, ndodhi në mars të vitit 1917, falë vullnetit të pupullit të kësaj krahine dhe aftësive të Thëmistokli Gërmenjit. Dhe hamendësonte se ai më pas kishte pasur si ambicje të bëhej president i shqiptarëve. Kësisoj, për të realizuar ambicjet e tij, ishte lidhur me fuqitë armike. (Por në fakt në asnjë dokument, qoftë edhe të Syrtesë, nuk zbulohet që Themistokliu të ketë qenë agjent).
Megjithatë, Sarraji ngulte këmbë që krahina e Korçës të mbetej ashtu siç kishte qenë dhe të mos fusnin hundët as venizelistët grekë, as italianët dhe as esatistët. Qeveria franceze duhej të ishte e kënaqur me kurbanin e bërë me këtë rast, pra, pushkatimin e Themistokliut, “të atij që guxoi t’ia ndryshonte emrin Krahinës Autonome të Korçës në Republikë Shqiptare’. (P.Tako,”Themistokli…”faqe 307).
Thamë më sipër se mungojmë dokumente arkivore të këtij procesi gjyqsor. Sidoqoftë, siç e kemi parë, në gazetën “Posta e Korçës”, të datës 13.2 1930, është botuar një artikull i një anonimi “Ë”, me titull’ “Vrasja e dëshmorit kombëtar”.
Nga sa del nga ky shkrim, autori është mbështetur në kujtimet e të dënuarve që u liruan nga burgu pasi kryen dënimin, ose që edhe u falën. Në bazë të tyre, mund të rindërtohet procesi gjyqsor, ndonëse sipas studiuesit Tako, autor i veprës “Themistokli Gërmenji”, që e kemi cituar shpesh herë në këtë dosier, ka edhe pasaktësi, por gjithsesi, që e bëjnë këtë proces të besueshëm.
PLUMBA MBI PAFAJESINE
Pjesa e katërt dhe e fundit
Nga Skifter Këlliçi
SI U ZHVILLUA PROCESI GJYQSOR
Pala paditëse në procesin gjyqsor kundër Themistokli Gërmenjit përbëhej nga Benuai, shefi i Syrtesë, pra, Sigurimit të ushtrisë, Drioja, inspektori i Sigurimit, dhe Glavani, edhe ai oficer i lartë i Sigurimit. Në përbërjen e Këshillit të Lartë të Luftës ishin pesë ushtarakë francezë, si edhe avokati mbrojtës, Tyber.
Duket e çuditshme se si një oficer si Tyberi, një ndër intrigëthurësit për ta futur Themistokliun në kurth, të ishte avokat i tij mbrojtës !?…Këtë dyshim shpreh edhe historiani i njohur, Muin #ami, në studimin e tij “Rreth dënimit të Themistokli Gërmenjit dhe ekzekutimit të tij”, (“Studime Historike” nr 4, 1977, faqe 118), ku ai, ndër të tjera, shkruan:”Në rast se kapiteni Tyber qe me të vërtetë avokati mbrojtës i Themistokliut, atëherë kemi plotësisht të drejtë të pohojmë se ishte sajuar gjithçka, në mënyrë të përsusur, jo vetëm nga akuza, por dhe vetë gjyqi”.
Themistokliu u akuzua për tradhti të lartë, bazuar në aktakuzën, mbështetur në përfundimet e fundit të Syrtesë,sipas të cilave:
A .Të gjitha veprimet armiqësore të ndodhura në krahinën e Korçës nga ana e austriakëve, janë bërë me ndihmën e e agjentëve të prefekturës.
B. Në zonën austro-hungareze agjentët e rekrutuar prej shërbimit informativ francez, janë paditur dhe ekzekutuar, kurse familjet e tyre janë internuar e burgosur.
C .Këto,(A dhe B), janë shkaktuar si nga shërbimi informativ austriak, ashtu dhe nga partizanët e tij.
Autori anomim i shkrimit të botuar në gazetën “Posta e Korçës”, më 13.2.1930, me titull “Vrasja e dëshmorit”, që përmendëm më sipër, pasi radhit këto pika të rëndësishme të aktakuzes, vazhdon në këtë shkrim edhe fakte të tjera, që nuk janë gjë tjetër, veçse sajime absurde dhe qesharake të Syrtesë.
I tillë është gjoja fakti se para luftimeve të zhvilluara në Boboshticë, Adem Beqiri, bashkëpunëtor i Themistokliut, qenkësh dërguar në zonat e armikut dhe paskësh takuar gjeneralin austriak, Vazari, për t’i dhënë informacione. Jo vetëm kaq, por Themistokliu paskësh shkruar një letër i që i drejtohej shefit të zbulimit austriak, e cila qënkesh gjetur në astarin e një kapote të një oficeri austriak, siç dëshmonte togeri Dë Mari.
Por të tëra këto bien poshtë nga një raport i gjeneralit Sal drejtuar komandës së përgjithshme të Armatës së Lindjes, në të cilin ai dëshmon se spiuanzhi austro-hungarez në drejtim të Korçës, udhëhiqej në Sovjan nga oficerët madhorë, Semere, dhe më pas Vitner, me ndërmjetës një agjent, të quajtur Muharrem, rekrutuar nga prej tyre. (P.Tako,”Themistokli…”,faqe 309). Pra, vetë gjenerali Sal, që , siç e kemi parë, kishte zevendësuar muaj më parë Dakoenin, i respektuar nga shqiptarët, në këtë raport nuk përmend gjëkundi Themistokliun.
Në shkrimin e tij të botuar te “Posta…”, anonimi vë në dukje se në procesin gjyqsor u lexuan edhe disa dëshmi të të burgosurve. Po ato ishin marrë pas torturash të vazhdueshme, ashtu siç do të deklaronte vite më pas #iz Mehmeti, një xhandar i forcave të Themistokliu. Për me tepër, siç pohon anonimi, këta dëshmitarë nuk u thirrën të depononin gjatë procesit gjyqsor.
Një ndër këta dëshmitarë ishte dhe shqiptari Pasho Kolaneci, i cili u dënua me vdekje, por më pas u fal nga Syrteja. Ishte pikërisht ky që i dha informacione Benuait se gjoja kishte qenë ndërlidhës i Themistokliut me Fehmi Zboqin, një tjetër shqiptar i akuzuar për tradhti ndaj Francës. Kësisoj Pashoja u fal e bashkë më të edhe Fehmi Zboqi, që u lirua më pas.
Sipas anonimit, Themistokliu me një gjakftohësi të pashembullt i hodhi poshtë këto dëshmi, që nuk kishin asnjë bazë. Si përfundim, trupi gjykues nuk mundi të vertetonte akuzën kundër Themistokliut për tradhti të lartë.
Në vazhdim të artikullit të tij te “Posta…”Anonimi shkruan se avokati mbrojtës, Tyber, vuri në dukje se Këshilli i Luftës nuk mund ta gjykonte Themistokliu si francez, por si shqiptar. ”Mbrojti tezën që njeriu nuk mund të quhet tradhëtar, përveçse kur punon kontra kombit dhe atdheut të vet, qoftë i vetëm, ose në bashkëpunim dhe në marrëveshje me fuqi të huaja. Themistokliu, si patriot shqiptar dhe nëpunës i lartë i atdheut të tij, për veprat e tij është përgjegjës vetëm përpara kombit të vet.” Ndaj, kërkoi pafajësinë.
Ndoshta anonimi në fjalë 13 vjet pas kësaj ngjarjeje ngatërron Tyberin, armik të Themistokliut, me dikë tjetër që mund t’i ketë shprehur këto fjalë, i cili është treguar jo vetëm i ndershëm gjatë këtij procesi gjyqsor të montuar, por edhe objektiv, siç pohon edhe studiuesi Tako në veprën e tij kushtuar Themistokliut.
Më tutje Tako shkruan se më vonë një profesor i shquar i Universitetit të Parisit ka shprehur thuajse të njejtin opinion për dënimin e padrejtë të Themistokliut. Profesori nënvizon se gjatë këtij procesi u bënë shumë akuza të cilat, sipas mendimit të tij, ishin të sajuara. Mund që edhe vetë Tyberi pas shumë vitesh të ketë shprehur ndjenja pendimi për dënimin e padrejtë që e dërgoi Gërmenjin në plumb.
Në librin e tij “Gjashtë muaj të historisë së Shqipërisë”, (frengjisht), botuar në Paris më 1929, Dakoeni, ish-komandanti i forcave franceze në Korcë, që më pas u zëvendësua nga Sali, “…ka dhënë mendimin se drejtësia franceze duhej ta rishikonte procesin, sepse në gjykimin e çeshtjes “pati gabime juridike”. Këtë mendim ka shprehur edhe miku i Shqipërisë, Zhysten Godar, në parathënien e këtij libri. Edhe francezë të tjerë që kishin simpati për Shqipërinë kanë qenë të këtij mendimi”. (P.Tako.”Themistokli…”, faqe 311).
Trupi gjykues, pas kësaj farse të neveritshme, me tri vota pro dhe dy kundër, e dënoi Themistokliun me vdekje. Syrteja kështu mposhti përfundimisht Sarrajin dhe shtatmadhorinë, që e kishin mbrojtur Themistokliun.
Të ndalemi tani te artikulli “E vërteta e ekzekutimit të Themistokli Gërmenjit nga francezët” shkruar nga studiuesi dhe shkrimtari, Aurel Plasari, botuar më 16 shkurt të vitit 2016 në gazetën “Tema”, ku jepen disa të dhëna të reja nga procesi i mësipërm gjyqsor.
”Dëshmitari kryesor ishte një Demir Hasan”,- thekson Plasari.- Ky ka qenë pjesëtar i çetës së Sali Butkës, ndërkohë që ka punuar edhe për organet e sigurimit francez, në kuadrin e shërbimit të informacionit tëArmatës së Lindjes. Me pohimet e tij gjatë procesit ka dëshmuar për kontaktet e fshehta që ka mbajtur Th. Gërmenji me “anëm tjetër” të frontit, atë të forcave ushtrake të pushtimit në Shqipëri. Për komandën e Armatës së Lindjes kontakte të tilla konsideroheshin si “tradhti”, në kuptimin e “bashkëpunimit me armikun”. Pra, del se në këtë proces gjyqsor të këë qenë një dëshmitar shqiptar, por, nisur nga qëllimet cinike të Syrtesë, që pa tjetër të akuzojë Themistokliun për “bashkëpunim me armikun”.
“Nga pikëpamja shqiptare kontakte të tilla të Gërmenjit,- vazhdon Plasari, – përbënin një qëndrim largpamës politik në të mirë të ruajtjes së stabilitetit të Republikës Autonome të Korçës, si dhe së ardhmes së saj, kur Lufta e Parë Botërore të kishte përfunduar. Më vonë, gjenerali francez Dakoen, dashamirës i shpallur i Korçës dhe i shqiptarëve, në përgjithësi, – vazhdon Plasari,- e ka shprehur hapur këtë pikëpamje: “Themistokliu kishte lidhje TEK armiku, çfarë nuk do të thotë Me armikun. Ne i kemi shfrytëzuar ato lidhje së bashku në shumë raste”. (Gen. Descoins, Six mois d’histoire de Albanie, novembre 1916- mai 1917, A. Costes. 1930, f 51)”.
Pasi dëgjoi vendimin e jurisë, Themistokliu tha i qetë: “Sidoqë u dënova me vdekje, unë po vdes i pafajshëm dhe jam i bindur që vdekja ime ka për t’i shërbyer Shqipërisë. Dhe më poshtë shtoi: “ Më vjen keq që po vdes nga plumbat e francezëve, me të cilët lidha besë për t’i shërbyer çështjes shqiptare dhe miqësisë me Francën. Kjo dhëmbje do të jetë e ëmbël duke ditur që vdes në luftën për lirinë e atdheut tim të dashur, Shqiqërisë….Vdes i lumtur dhe i kënaqur, se e kam ndërgjgjen të pastër dhe shpirtin e qetë në përmbushjen e detyrave kundrejt Shqipërisë. Lutja e fundit që u drejtoj francëzëve është të mos rrëzojmë flamurin kombëtar që kam ngritur në Korçë dhe të mos bëhen shkak që të prishet ajo copë Shqipëri.”
Sipas Anonimit “…këto fjalë tronditën ata që u ndodhën në sallë, sa mjaft prej tyre ulën kokën nga turpi, se nuk mund ta shihnin atë drejt e në sy”. (“Posta…”, 25.2.1930).
Logjikisht kështu duhet të këtë ndodhur sepse, në mjediset ushtarake franceze kishte njerëz që e kuptuan se sa poshtë kishin rënë ata që montuan një proces të tillë të turpshëm, për të bërë theror Themistokliun dhe për t’i dhënë goditjen vdekjeprurëse Krahinës Autonome të Korçës.
Dhe kjo, sepse pushtuesit francezë tashmë kuptuan, gjithashtu, se krijimimi kësaj krahine qe një fitore e madhe jo vetëm e Korçës, por edhe e Shqipërisë, që cënonte interesat e tyre në të ardhmen. Ata edhe pas përfundimit të Luftës së Përbotshme, mendonin të ruanin zona ndikimi në Ballkan e në Shqipëri. Jo më kot e mbajtën Esat pashën në Paris që më pas ta kthenin në Shqiqëri për të luajtur kartat franceze dhe serbe.
PUSHKATIMI
Në atë kohë, pra, më 9 nëntor të vitit 1917, Themistokliu nuk ishte veçse 46 vjec. Që Sigurimi francez e kishte mbërthyer në kthetrat e tij gjakatare, këtë e kishte parandier. Megjithatë, ai nuk u largua nga Korça, gjë që mund ta bënte fare lehtë, sepse askujt nuk do t’i jepte llogari, aq më tepër pushtuesve francezë. Madje, ka pohime se shokët i kishin thënë të largohej, e, megjithatë, ai nuk u largua, i bindur në drejtësinë e tij. (“Gazeta e Korçës”, 11.2 1930).
Në çastet e pushkatimit të Themistokliut ka qenë Ogyst Mortieri, ushtarak francez që më 1914 ishte martuar me një vajzë pogradecare, të quajtur Athina Sotiri. Dhe më 1917, pas luftimeve në Pogradec, ku mori pjesë edhe Themistokliu, u emërua komandant garnizoni. ”Skuadra,- dëshmon ai,- gatitej të shtinte.Themistokliu hapi gjoksin dhe me trupin përpara e priti batarenë e plumbave burrërisht, si shqiptar i vërtetë.” (“Kuvendi Kombëtar”, Ilo Mitkë Qafëzezi, “Vrasja e Themistokli Gërmenjit”,17 dhjetor 1933) .
Më poshtë po aty: ”Kur do ta pushkatonin, – ka deklaruar një oficer i shtabit madhor francez ,- nuk pranoi t’i lidhnin sytë dhe i kërkoi një copë letër oficerit të togës së pushkatimit, me lutjen që të lexohej pas mbarimit të detyrës. Dhe në kohën që zbrazeshin pushkë, u dëgjua nga goja e tij:”Rroftë Shqipëria! Rroftë Franca!”. Themistokliu ra ngadalë, ashtu siç pritet një lis i madh. Oficeri çeli letrën dhe sytë iu mbushën me lot kur lëçiti:”Dhe mbas vdekjes sime,”Rroftë Franca!”.
Me tutje në këtë shkrim, I.M.Qafzezi shkruan:”Pushkatimin e ndiqnin së largu dy hije. Donin të bindeshin me sytë e tyre për vdekjen e tij. Dhe u zhdukën përsëri si fantazma, porsa panë që trimi vaditi me gjakun e tij të pafajshëm dheun e huaj. Cilët mund të ishin këta? Ndoshta Esat pasha dhe Eftim Gjini”.
Gërmenji nuk u varros në Korçë, ku pati shprehur dëshirën, por në Zeitenlik të Selanikut. Madje as në varrezat qytetare, por në ato të robërve austriakë. Dhe kjo ndodhi, sepse pushtuesit francezë kishin frikë se varrimi i Themistokliut në Korçë do të kthehej në manifestime të furishme popullore kundër tyre. (Muin #ami, ”Studime…”, nr.4 1977, faqe 120). Eshtrat e Themistokliut u varrosën pas shumë vjetësh në varrezat e Korçës.
Një ditë pas pushkatimit të Themistokliut, më 10 nëntor, gjenerali Sal, komandanti i forcave pushtuese në Korcë, mblodhi këshillin qeveritar të Krahinës Autonome dhe me cinizëm njoftoi se një natë më parë Themistokli Gërmenji ishte pushkatuar si bashkëpunëtor i armiqve të Francës dhe aleaëve të saj.
Ky lajm tronditi pa masë të pranishmit, sepse askush nuk besonte në fjalët e gjeneralit francez. Por, çuditërisht, një major francez, i quajtur Masje, i tha Salit pa drojë: ”Nëse Themistokliu ishte fajtor, unë jam fajtori më i madh”. Pra, dëshmonte se Themistolkiu nuk kishte tradhtuar. Nuk kaluan veçse disa ditë dhe Masjeja nuk u pa më në Korçë. (“Drita”, “Themistokli Gërmenji një nga përpjekësit për vetqeverimin e Shqipërisë”, 23.11.1973).
Me të marrë këtë mandatë, e shoqja e Themistokliut, Evdhoksia, u takua me Glavanin, shefin e Sigurimit francez në Korçë dhe i kërkoi atij t’i shpjegonte arsyet e pushkatimit të burrit të saj.
– Cilatdo qofshin ato, unë protestoj për vrasjen tij , se Themistokliu ishte i pafajshëm dhe ra viktimë e shpifjeve, – shtoi ajo.
– Shikoni, zonjë ,- u përgjigj Glavani, duke përdorur të gjitha argumentet e mundshme .- Ju duhet të pranoni faktin, sado i hidhur të jetë, se Këshilli i Luftës, që dënoi burrin tuaj, u mbështet në prova të sigurta.
– #farë provash? M’i jepni ato , – ia preu me zemërim dhe e hidhëruar ajo. – #farë gjyqi qe ai, kur nuk u thirr asnjë dëshmitar për të fajësuar burrin tim?
E veja e shikoi me qortim dhe inat e shtoi:
-Themistokliu asnjëherë nuk ka vepruar me kokën e tij dhe pa biseduar me Dakoenin e më pas me Salin. Për çfarë u akuzua? Ju lutem edhe një herë, më paraqitni provat.
Glavani u zu ngushtë.
– Gjykata e mbështeti vendimin ,- tha ai ,- në provat që u paraqitën , sipas të cilave u vërtetua se Themistokliu i kishte dhënë armikut informata ushtarake mbi Korçën e krahinën e saj.
– Nuk është e mundur, – iu përgjjigj ajo . – Ju lutem, më lejoni të shkoj në Selanik për të mbledhur të dhënat e e nevojshme. Dua që gjyqi i burrit tim të përsëritet duke u bindur në pafajësin e tij. (P.Tako,”Themistokli…”, faqe 323).
Por këto prova Glavani dhe oficerë të tjerë madhorë francezë, nuk ia dhanë kurrë Evdhoksisë. Kuptohet, nuk kishin çfarë t’i ipnin.
Megjithatë, Evdhoksia në qershor të vitit 1920 u takua me gjeneralin tjetër francez, Dë Bartu, dhe iu lut t’i jepte një kopje të aktit gjyqësor. Dhe Dë Bartui i premtoi. Por kur shkoi në Selanik, pa se të gjitha aktet gjyqsore të Armatës së Lindjes ishin dërguar në Paris. Megjithatë, ai kërkoi nga Ministria e Drejtësisë në Paris që t’i dërgohej një kopje e procesit të Selanikut kundër Themistokliut. Mirëpo ky proces nuk ra në dorë të tij dhe, rrjedhimisht, në dorë të Evdhoksisë. (Arkivi i Shtetit, dosje 27, faqe 5, letër e dë Furtusë, Sofje, 7.7.1920).
Pas pushaktimit të Themistokliut në shenjestër të Syrtesë u vunë komisarët e policisë, Kozma Trebicka e Llazo Progri, Tefik Panariti, Mehmet Starova e më vonë te Qamil Panariti etj. Disa prej tyre vdiqën në kampin e përqendrimit në Bitinckë, madje edhe në Guajanën franceze .
Pushtuesit francezë abroguan pa ngurrim Protokollin e 10 dhjetorit, në bazë të të cilit Korça, siç e kemi parë në pjesët e para të këtij cikli, shpallej krahinë autonome dhe ajo u quajt thjesht kazaja e Korçës, pushtuar nga forcat e ushtrisë franceze.
“ Ne, ushtarët e Francës, – tha Sali me hipokrizi në në një takim me anëtarët e shoqërisë “Përparimi”, – po luftojmë për të përhapur në të gjithë botën fjalët e lirisë,,barazisë dhe të vëllazërimit. Të tërë ata që i kuptojnë ç’duan të thonë këto fjalë, janë miqtë tanë, ata që nuk duan t’i kuptojnë, janë armiqtë tanë.” (“Gazeta e Korçës”, 24 korrik 1917).
Lajmi i pushkatimit të Themistokliut shkaktoi hidhërim, dhëmbje dhe indinjatë tek të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë atdheut. Midis tyre e ndjeu këtë humbje shoku i tij i armëve, Sali Butka. Lajmin e vdekjes e botuan shume gazeta , ndër të cilat edhe gazeta “Dielli”, që botohej në Boston, e cila shkroi: ”Frenqtë dyfeqisnë prefektin e Korçës, atdhetarin e madh, Themistokli Gërmenji”, (18 dhjetor 1917). Kjo ishte e kuptueshme. Duke vrarë kaq mizorisht Themistokliun, Franca kishte vrarë dhe zemrat e shqiptarëve, të cilët tek ai shihnin një atdhetar të madh të çështjes kombëtare.
EPILOG
Një mëngjes janari të vitit 1999, disa muaj para se të nisesha për në Amerikë, tek shetisja me publicistin e njohur Pirro Naçe, një burrë më pamje të qeshur, u ndal para nesh. Pasi na përshëndeti, nisi të fliste frengjisht.
-Njihu me ambasadorin francez në Tiranë, – m’u drejtua më pas Pirroja duke shtuar emrin e tij.
Pastaj edhe unë i thashë se cili isha. Si u mendua një grimë, ai me një shqipe të përsosur më pyeti se mos isha autor i romanit “Vrasës me duar të bardha”, kushtuar Themistokli Gërmenjit. Pohova me kënaqësi. Pastaj fytyra e tij u mbulua një çast nga një hije trishtimi.
-Para disa ditësh, – zuri të fliste ai, – bëra një vizitë në varrezat e ushtarëve francezë, të rënë në Korçë gjatë Luftës së Parë Botërore. Dhe aty vura një kurorë edhe te varri i atdhetarit të madh shqiptar, Themistokli Gërmenji, që u pushkatua padrejtësisht nga ushtarakët tanë më 1917.
Pas kaq dekadash, Franca, nëpërmjet ambasadorit të saj, kërkonte falje. Me pak fjalë, por domethënëse.
Sidoqoftë, nuk mjaftojnë veprime të tilla fisnike që janë përsëritur edhe nga diplomatë të tjerë francezë, të cilët kanë punuar në Tiranë. Bazuar në fakte që do të zbulohen nga hapja e dosjes së këtij procesi të kurdisur gjyqsor, do të vërtetohet, tashmë juridikisht, pafajësia e Themistokli Gërmenjit. Dhe shpresohet se kjo dosje, më së fundi, jetë sa më shpejt që të jetë e mundur në duart e studiuesve tanë, pra, 105 vjet nga dita e dënimit me vdekje të këtij veprimtari të shquar të lëvizjes sonë kombëtare.
Fund
.