Nga Astrit Lulushi/
Individi është pakica më e vogël. Kur nuk i përfillen të drejtat, ai shtyhet me forcë në rrugën e përshtatjes apo asimilimit ose në udhën e kundërshtimit a protestës. Dhe pas kësaj nuk mund të pretendohet se të drejtat e tij janë të mbrojtura nga qeveria ose nga shtypja e shumicës. Një shoqëri e tillë sikur është dënuar të jetojë në një epokë të cilës i mungon arsyeja. Vendi i ngjan një klubi bilardoje, ku lejohet të luajnë, dhe të merren me politikë, vetëm njerëz të ardhur nga prindër të frikshëm, dhe nga ata që kishin frikë të shkruanin, të flisnin, të bashkoheshin dhe të kundërshtonin shkaqet që për momentin ishin të papëlqyeshme, të padurueshme, të pa imagjinueshme madje edhe për çdo vend tjetër komunist.
Nga kjo pikëpamje, është vështirë të parashikohet një demokraci e vërtetë, e pastër, që është pritur për afër 30 vjet. Për shumë vetë, shpresa të tilla po fiken, ndërsa shohin se shoqëria përfaqësohet nga një grup njerëzish me mendje të çimentuara me dije të errëta të trashëguara. Çdo 4 vjet prej tyre del një elitë, e cila krijon qeverinë dhe nuk pranon asnjë kurë për ligësitë e së kaluarës. Një ditë, nuk dihet se kur, një pasion ose interes i përbashkët ndoshta do të ndihet, një lloj komunikimi do të krijohet mes njerëzve për të grumbulluar pakënaqësitë e kundërshtimet, për të sakrifikuar një parti, ose një të padurueshëm. Historia ka treguar se “demokraci” të tilla janë bërë jo rrallë shkaqe të trazirave dhe grindjeve, pasi janë të papërputhshme me sigurinë e individit, ose me të drejtat e pronës. Përgjithësisht ato kanë patur jetë të shkurtër, ndonjëherë me fund të dhunëshëm. Politikanët teorikë, të cilët patronizojnë këtë lloj të qeverisje – shkruante James Madison* – mendojnë se duke ulur njerëzimin në një barazi të përsosur në të drejtat e tyre politike, njerëzit do të bëheshin njëkohësisht të barazvlefshëm dhe të asimiluar.
—
*James Madison (1751-1836), një nga etërit e Kushtetutës amerikane, hartuesi i Billit të të Drejtave, Presidenti i katërt i SHBA-së, dhe kundërshtar i ashpër i pushtetit të centralizuar. Ashtu si Uashingtoni e Jeffersoni, edhe James Madisoni e la presidencën, më i varfër sesa kur u zgjodh.
Sent from