-Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve ka rreth 140 shtete anëtare me mbi 60 mijë gazetarë nga e gjithë bota. /
PRISHTINË, 8 Qershor 2016-B.Jashari/Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), prej sot, është anëtar i barabartë me organizatat e tjera të gazetarëve të përfaqësuara në Federatën Ndërkombëtare të Gazetarëve – International Federation of Journalists (IFJ).
Vendimi për pranim është marrë në kongresin e 29-të të IFJ-së që po mbahet në Angers, Francë, dhe vjen si rezultat i përmbushjes së kritereve të kërkuara nga AGK.Njoftimi i dërguar pak më parë thekson se, pranimi në IFJ është mundësi shumë e mirë për ta fuqizuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar derisa do t’i hapet rrugë forcimit të rolit të gazetarëve në Kosovë.
Në këtë kongres, AGK po përfaqësohet nga kryetari, Shkëlqim Hysenaj dhe anëtari i bordit, Fidan Rama, të cilët kanë raportuar në sesionin e parë para komisionit. Përfaqësuesit e AGK-së do të jenë të pranishëm edhe gjatë dy ditëve në vijim, deri në zgjedhjen e strukturave të reja të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve.
Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve ka rreth 140 shtete anëtare me mbi 60 mijë gazetarë nga e gjithë bota.