-Në Kuvend, një nga çështjet e debatit ishte marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilën kryeministri Hoti ka siguruar se nuk do rihapet dhe se zbatimi i saj do të bëhet vetëm pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe vetëm në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës/
-Kosova ka gjithësej 38 komuna, nga 10 komunat me shumicë serbe 5 janë të reja sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së/
-Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj./
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 18 Shtator 2020/ Raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, ishte në axhendën e seacës plenare të Kuvendit Kosovar, me shumë debat që u zhvillua dje deri në orët e mbrëmjes dhe do vijojë edhe sot edhe me një draft-rezolutë së paralajmëruar.
“Republika e Kosovës, e 17 Shkurtit 2008, është projekt i patjetërsueshëm, i mbrojtur nga Kushtetuta”, ka theksuar Kryeministri Hoti.
Një nga çështjet e debatit ishte marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilën Kryeministri ka siguruar se nuk do rihapet dhe se zbatimi i saj do të bëhet vetëm pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe vetëm në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës Kryeministri Hoti mes tjerash tha:
“Lidhur me temën e asociacionit, qëndrimi i jonë është se kjo temë nuk hapet në dialog, pasi ka një marrëveshje të arritur për këtë më 2013, që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Përtej kësaj, ekziston marrëveshja e parimeve për asociacionin dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje.
Për të gjitha temat që diskutohen në Bruksel, vlen parimi se ‘Asgjë nuk dakordohemi derisa nuk dakordohemi për të gjitha’.
Pra, asgjë nuk nënshkruhet derisa të dakordohet marrëveshja e plotë, përfundimtare, ligjërisht e obligueshme, që përfshinë njohjen reciproke.
Marrëveshja përfundimtare do të jetë marrëveshje e parimeve për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve pas njohjes reciproke.
Kjo marrëveshje nuk do të ofrojë zgjidhje kreative të çështjeve të hapura në mes të vendeve. Por, do të ofrojë zgjidhje sistematike, bazuar në konventat ndërkombëtare.
Marrëveshja nuk do të ofroje zgjidhje të përkohshme apo afatgjate, por zgjidhje të përhershme.
Ndryshe nuk do të ketë marrëveshje.”
Koordinatori Shtetëror i Kosovës në dialogun me Serbinë, Skender Hyseni pas takimit dje në Bruksel me delegacionin e Serbisë, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, deklaroi se nuk është diskutuar fare për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe delegacioni Kosovar ka refuzuar përpjekjen serbe për ta hapur këtë temë
“Natyrisht se delegacioni serb bëri përpjekje që ta hapë këtë temë, por ne e refuzuam kategorikisht”, ka theksuar Hyseni.
Para më shumë se shtatë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut, të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. Marrëveshja 15 pikëshe, në 6 pikat e para ka Asoaciacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në tekstin e Marrëveshjes, nën një, përcaktohej: “Do të ketë një Asociacion / Bashkësi e komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët pajtohen”.
Asociacioni i komunave me shumicë sebe në Kosovë është një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd të nënshkruara në mbrëmjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel, nga krerët e atëhershëm të dy qeverive, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, në raundin e 28-të të dialogut në nivel kryeministrash.
Në marrëveshje, që në fillim përcaktohet:
“Korniza ligjore
1) Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë themelohet si një Asociacion/Bashkësi i komunave siç parashihet me Marrëveshjen e Parë, Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Ligjet e Kosovës.
2) Në bazë të Marrëveshjes së Parë, e cila njeh karakterin e tij të veçantë, Qeveria e Kosovës do të aprovojë një dekret drejtpërdrejtë të aplikueshëm, i cili do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Bashkësia/Asociacioni do të jetë entitet legal i definuar nga statuti i tij, që do të përbëhet së paku nga elementet e mëposhtme:
3) Statuti do të aprovohet nga kuvendi themelues të përbëra nga anëtarët e votuar të kuvendeve të komunave pjesëmarrëse. “
Mes tjerash, në marrëveshje, te “Objektiva” thuhet se Asociacioni “vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare”.
Ndërsa, te “Buxheti dhe përkrahja” theksohen “kontributet, grantet, donacionet si dhe përkrahja financiare nga asociacionet dhe organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare si dhe nga Republika e Serbisë”.
Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.
Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.
Kosova ka gjithësej 38 komuna. Nga 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë 5 janë të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.
Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.
Një komunë, Mamusha, është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen në regjistrimin e popullsisë të katër komunave veriore të Kosovës, ku serbët e kanë refuzuar.
Numri i votuesve në këto katër komuna veriore me shumicë serbe, sipas një regjistri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës për zgjedhjet lokale 2017, ishte: Mitrovicë e Veriut – 21.797, Leposaviç – 17.747, Zveçan – 9.069 e Zubin Potok – 8.400.