Dr. Marin HAXHIMIHALI
Universiteti i Tiranës
Fakulteti Histori-Filologji
Departamenti i Historisë
PJ.1
Arsyeja se përse studimet e mirëfillta kushtuar historisë kishtare të provincës së Epirit të Ri janë të rralla është pasojë sa e varfërisë së burimeve të shkruara, aq edhe e faktit se shpesh kjo provincë është konsideruar si shtojcë gjeografike e simotrës së saj jugore. Por siç do të shohim më poshtë, jo gjithmonë fatet e dy provincave fqinje, Epirit të Ri dhe atij të Vjetër, kanë qenë tërësisht të përputhura. Duke u nisur nga ky fakt, e gjykuam të arsyeshme t’i rikthehemi edhe njëherë rrethanave të depërtimit dhe zhvillimit të krishtërimit pikërisht në territorin në jug të Matit, ose përafërsisht në kuadratin Durrës-Dibër-Ohër-Vlorë, i cili sipas Shuflait « do të bëhej për një kohë të gjatë rregullator i marrëdhënive dinamike midis Lindjes dhe Perëndimit ». Ndërkaq varfëria e burimeve na detyron t’u referohemi shpesh herë kronikave fetare apo letrave të Papëve si e vetmja mundësi për të rikrijuar historinë kishtare të kësaj treve.
Si në të gjitha provincat e tjera të Perandorisë Romake, organizimi kishtar dhe në Epir u zhvillua në përshtatje me strukturat politike dhe administrative. Krijimi i provincës së Epirit të Ri erdhi si rezultat i ndryshimeve të rëndësishme administrative që sollën në Ballkan reformat e Dioklecianit. Territori i Ultësirës Adriatike, që deri atëhere bënte pjesë në provincën fqinje të Maqedonisë, u shkëput prej saj duke krijuar një provincë më vete. Kjo provincë e sapokrijuar u quajt Epiri i Ri për t’u dalluar nga provinca Epiri i Vjetër, që përfshinte territoret më në jug dhe që në fakt përputhej me nocionin e gjeografëve antikë mbi Epirin.
Nuk ka një datë të saktë të krijimit të provincës së Epirit të Ri. I pari Praeses provincia Epiri Novae i njohur nga burimet është Fl. Hyginius (324-327). Ndërkaq, një të dhënë të tërthortë, por deri tani të pakundërshtuar mbi krijimin e kësaj province e sjell edhe mbishkrimi i zbuluar në Paleokastër, datuar në vitet 311-313 nga autori i gërmimeve (A. BAÇE, Kështjella e Paleokastrës, «Iliria» 2, 1981,f. 207 – 208). Kjo do të ishte dëshmia më e hershme e krijimit të provincës së Epirit të Ri.Sipas Laterculus Veronensis, që mendohet të jetë hartuar midis viteve 328 dhe 337, Epiri i Ri bënte pjesë në dioqezën e Mëzisë (Diocesius Moesarium). Në gjysmën e dytë të shek. IV (para vitit 369) kjo e fundit ndahet në dy dioqeza : atë të Dakisë në veri dhe të Maqedonisë në jug. Vija ndarëse kalon pikërisht në kufijtë veriorë të Epirit të Ri, pak a shumë sipas drejtimit Dyrrahium – Skupi – Serdika. Prefekti i ri, Praefectus praetorio per Illyricum, ushtronte pushtetin njëkohësisht mbi të dyja dioqezat e sapokrijuara.
Udhërrëfyesi i Hieroklit, që mendohet të jetë hartuar rreth viteve 527-528 përmend 9 qytete në territorin e Epirit të Ri (HONIGMANN 1939, f. 5). Krahas Durrësit, kryeqendrës së provincës, aty renditen dhe Scampa, Apolonia, Bylis, Amantia, Pulcheriopolis, Aulona, Lyhnidi si dhe dy qytete vendndodhja e të cilëve nuk është e qartë: Alistron e Skepton. Kjo situatë administrative, e cila i përgjigjet gjendjes së krijuar qysh gjatë sundimit të Teodosit II (408-450), nuk ka pësuar ndryshime të rëndësishme administrative të paktën deri në kohën e Justinianit. Dihet se aktiviteti ndërtimtar në shkallë të gjerë, që ky perandor ndërmori në Ilirik menjëherë pas ardhjes në pushtet, synonte para së gjithash rindërtimin e të gjitha qendrave të fortifikuara të lëna në harresë ose që ishin ende në përdorim si dhe, në një masë më të kufizuar, ndërtimin ex novo të fortifikimeve të reja.Përvojat e hidhura nga inkursionet e gotëve, barbarëve dhe sllavëve si edhe pasojat e tërmetit katastrofik të vitit 522 e detyruan Justinianin t’i kushtonte një vëmendje të posaçme fortifikimeve në Epir. Por strategjia fortifikuese në Epirin e Ri dallohej qartë në krahasim me atë që u përdor në provincat fqinje. Ky dallim pasqyrohet edhe në burimet e shkruara ku po t’i referohemi Prokopit, numri i fortifikimeve të reja në Epirin e Ri ishte 33, ose pothuajse tri herë më i madh sesa në provincën fqinje të Epirit të Vjetër (!).Ndërkaq numri i fortifikatave të rindërtuara për të dyja provincat është i përafërt : 26 me 24.
Veç arsyeve të përmendura më lart ky ndryshim sipas mendimit tonë ka të bëjë edhe me rolin në rritje të qytetit të Durrësit, i cili doradorës po shndërrohej në një qendër të fuqishme rajonale, si edhe me domosdoshmërinë e garantimit të sigurisë përgjatë rrugës Egnatia. Një sistem i tërë fortifikimesh synonte mbrojtjen e kryeqendrës së Epirit të Ri. Vetë qyteti i Durrësit që prej kohës së Anastasit ishte pajisur me mure të forta. Në “Exerpta historica jussu imperatoris Constantini Porphyrogeneti confecta. II, De virtutibus et vitus”; (botimi Bütnner-Wobst), I, 1906, f. 205thuhet shprehimisht: «Anastasi urdhëroi ekzekutimin e punimeve të mëdha publike për rimëkëmbjen e qyteti si dhe ndërtimin e një muri rrethues».Sipas francezit Leon Hezey që vizitoi qytetin më 1876 ky sistem fortifikimesh përbëhej nga tri rradhë muresh. Vulat e stampuara mbi tullat e përdorura dëshmojnë se punimet fortifikuese vazhduan edhe gjatë sundimit të perandorëve Justin dhe Justinian (A. GUTTERIDGE, A. HOTI, H.R. HURST «The walled town of Dyrrachium (Durres): settlement and dynamics », JRA 14 (2001), f. 390-410).Kështu qyteti u shndërruanë një nga metropolet e Perandorisë Bizantine.
Durrësi, ashtu si dhe Nikopoja më në jug, nuk ishte thjesht një qendër administrative e provincës, por njëkohësisht seli peshkopale dhe vatër e përhapjes së krishtërimit në të gjitha territoret përreth. Ndonëse gjurmë të bashkësive të para të krishtera mungojnë, mund të thuhet se në Durrës krishtërimi ishte përhapur që në kohët më të hershme. Sipas të dhënave të Acta Sanctorum(Biblioteca Sanctorum, II, 512, Roma 1962)Shën Asti, peshkopi i dikurshëm i Durrësit, u martirizua në kohën e perandorit Trajan nga viti 100. Kujtimi i këtij martiri të fillesave të krishërimit në provincën e Epirit të Ri dhe në gjithë Ballkanin ka qenë i pranishëm deri në kohët më të vona. Këtë e dëshmon dhe paraqitja e portretit të Shën Astit të Durrësit në kishën mesjetare të Rubikut, ku ka qenë i dukshëm deri nga fundi i shek. XIX. Mendohet se edhe përpara tij dy peshkopë të tjerë kanë ushtruar aktivitet në Durrës, gjë që e shtyn praninë e kishës në këtë qytet deri në epokën apostolike.
SipasFarlatit rezulton se vetë Shën Pali ka ushtruar aktivitet misionar në Durrës dhe se në vitin 58 në këtë qytet ekzistonte një bashkësi e krishterë e organizuar që drejtohej nga peshkopi Cesar (D.FARLATI, Illyricum Sacrum, vazhduar nga J.COLETI,VII, f. 341, Venezia 1819). Ndërkaq historiani dhe teologu dominikan francez Michel Le Quein jep një person njëkohshëm me Shën Palin me emrin Apollon si peshkop të Durrësit, por kjo duhet marrë me rezerva pasi sipas traditës i njejti person del të ketë shërbyer edhe në Korinth (LE QUEIN, Oriensis Christianus, In quatuor Patriarchatus digestus, II, Parisiis 1740, f. 240).
Për herë të parë në burimet e shkruara një peshkop në Durrës citohet me emër në vitin 381. Ai është Euhari, që merr pjesë në Konsilin Ekumenik të Kostandinopojës (Acta Conciliorum Oecumenicoroum, (më poshtë ACO), I, 7, Berlin 1927, f. 114).Qendrat e tjera peshkopale të Epirit të Ri përmenden sipas kësaj kronologjie: Amantia në vitin 343, Apolonia më 431, Scampa dhe Aulona më 458. Në të gjitha rastet përmendja lidhet ose me pjesëmarrjen e peshkopit përkatës në koncile: Eulali i Amantias në koncilin e Serdikës (L.THALOCZY, C.JIRECEK, M.SUFFLAY, Acta et Diplomata res Albaniae Mediae Aetatis, I, Vindobonae 1913, (më poshtë A.ALB), I, nr. 1, f. 1), Feliksi i Apollonisë në Efes (ACO, I, 1, 2, f. 4, nr. 47), ose me nënshkrimin e peshkopit në letrën kolegjiale të sinodit provincial të Epirit të Ri drejtuar perandorit Luan: Nazari i Aulonës (ACO, II, 5, f. 96) dhe Artemi i Scampas (po aty).
Sesa fragmentare janë këto burime dëshmohet edhe nga fakti se një seli peshkopale e Epirit të Ri si Bylisi, ku gërmimet arkeologjike kanë nxjerrë në pah një aktivitet të dendur fetar, tashmë të dokumentuar mirë të paktën që nga shek. V, përmendet vetëm dy herë në burimet e shkruara, aty nga mesi i këtij shekulli (në 431 dhe 458), për të rënë më pas sërish në harresë.Përmendjet e Bylisit në burimet historike janë tepër fragmentare dhe problematike. Emri i qytetit në trajtën e tij të mirfilltë nuk përfshihet as në listën e fortifikimeve hartuar nga Prokopi, pavarësisht se në terren janë gjetur mbishkrime që flasin për aktivitetin ndërtimor të Viktorinit, kryearkitektit të Justinianit në Bylis. Këtyre problematikave u kemi kushtuar edhe një punim të veçantë:M. HAXHIMIHALI, Byllis et sa région à la lumière des sources écrites du VIe siècle (Bylisi dhe rrethinat e tij në dritën e burimeve historike të shek. VI), botuar në L’Illyrie méridionale et l’Epire dans l’Antiquité, Actes du IVe colloque international de Grenoble (10-12 Octobre 2002), Paris 2004, f. 463-465.
Edhe pse nga pikëpamja administrative Iliriku ishte pjesë e Bizantit, organizimi fetar varej nga Papa i Romës. Të paktën që rreth vitit 325 Papa ushtronte autoritetin mbi kishën e Ilirikut përmes peshkopit të Selanikut, i cili nga pozita e Vikarit të Papës mbikëqyrte klerin e dioqezave të Ilirikut. Kryepeshkopët (metropolitët) e secilës provincë (dioqezë) ishin të barabartë midis tyre dhe gëzonin një autonomi relative brenda kufijve të provincës (kufijtë administrativë të provincave përputheshin me ato të dioqezave përkatëse). Ndërkaq përmes vikarit të Selanikut Papët këmbëngulnin vazhdimisht për respektimin e kompetencës së tyre në emërimin e peshkopëve të Ilirikut. Në një letër që Papa Nikolla I i dërgon perandorit Mihal III, në të cilën autorirendit të gjithë paraardhësit e tij që e gëzonin të drejtën për këtë emërim, përmendet dhe Papën Damas (366-384). Prej këtej rrjedh se juridiksioni i Romës mbi peshkopatën e Epirit fillon pra që nga mesi i shek IV, d.m.th. përpara ndarjes së perandorisë dhe vazhdon jo pa luhatje deri në kohën e Papës Luan i Madh (440-461).
Strategjia e Selisë së Shenjtë synonte që qendra e gravitetit të organizimit kishtar në Ilirik të bëhej Selaniku, ashtu siç ishte Roma për gadishullin Apenin. Studime serioze kanë provuar tanimë se « duke iu përshtatur situatës politiko-administrative papët e Romës arritën ta ruajnë për një kohë të gjatë ndikimin e tyre në Ilirik » (CH. PIETRI, Roma Christiana, (BEFAR, 224), II, Rome 1976, f. 776 – 789).
Në fakt rëndësia e Selanikut si qendër ekonomike dhe administrative, pasi aty e kishte selinë prefekti i të gjithë Ilirikut, ia lehtësonte dukshëm peshkopatës së këtij qyteti rolin drejtues mbi klerin e gjithë trevave ballkanike. Por rrethanat historike dhe politike bënë që autoriteti i peshkopit të Selanikut, të ngritur në pozitën e Vikarit apostolik, të vijë duke u dobësuar. Vikariati duket se merr fund pikërisht në kohën e Luanit të Madh përballë një autonomie lokale në rritje të vazhdueshme në Ilirik.
Sinodet e mbledhura gjatë krizës monofizite dëshmojnë për zbehjen graduale të rolit të vikariatit të Selanikut. Në sinodin e Efesit (431), shumica e peshkopëve të Ilirikut përkrahu pozitat teologjike dhe politike të Papës së Romës kundër peshkopit të Kostandinopojës. Në gjirin e kësaj shumice, që kërkoi përjashtimin nga sinodi të atyre që kishin luftuar Cirilin e Aleksandrisë duke marrë anën e Nestorit, u rreshtuan dhe përfaqësuesit e Epirit të Ri, përkatësisht peshkopi i Durrësit (Eucharius episcopus Dyrachii) dhe ai i Apollonisë e Bylisit (Felix episcopus civitatisApolloniaeet Bellidis),(J.D. MANSI, Sacrorum Consiliorum nova et amplissima collectio. Florenz 1766, (Graz 1960-1962), IV, f. 1126).Këtu është interesant të vihet në dukje pozicioni i peshkopit Feliks,që mesa duket është pasqyrim i fazës së ndërmjetme gjatë së cilës Apollonia dhe Bylisi kishin një seli peshkopale të përbashkët (HAXHIMIHALI 2004, f. 464).
Dy dekadat që pasuan sollën ndryshime të thella në peshkopatën e Epirit të Ri. Këto ndryshime u pasqyruan në qëndrimin e mbajtur nga përfaqësuesit e dioqezës në sinodin tjetër të mbajtur në Efes. Në këtë sinod të mbledhur më 8 gusht 449, Papa i Romës përkrahte peshkopin e Kostandinopojës Flavin kundër murgut Eutuh dhe pasardhësit të Cirilit, Dioskurit të Aleksandrisë. Por duket se në këtë kohë ndikimi i Selisë së Shenjtë dhe bashkë me të edhe roli i Vikariatit si instrument i saj ishte zbehur dukshëm në Ilirik(CH. PIETRI, Roma, f. 1134 – 1139). Nga procesverbalet e sinodit del se kryepeshkopi i Epirit të Ri, Lluka i Durrësit, nuk i kurseu lëvdatat për Eutuhin (D.FARLATI, Illyricum, f. 344).Qëndrimi i tij nuk ishte thjesht një pozicionim personal, por ai i përgjigjej frymës që mbizotëronte në të gjithë dioqezën e Epirit të Ri. Në këtë këndvështrim duhet parë dhe fjalimi i përfaqësuesit tjetër të delegacionit modest prej dy vetësh që përfaqësonin gjithë provincën e Epirit të Ri. Peshkopi i Lyhnidit, Antoni, solidarizohej plotësisht me qëndrimin e metropolitit të tij(MANSI VI, 606.9).
Për shkak të situatave të turbullta që po kalonin si rrjedhojë e dyndjeve përfaqësuesit e provincave të Ilirikut ku flitej gjuha latine munguan në sinod (me përjashtim të kryepeshkopit të Dakisë Mesdhetare) dhe mesa duket kjo ndikoi edhe në vendimet përfundimtare që u morën atje. Studimi i dokumentacionit dëshmon se mungesa e solidaritetit të peshkopëve të Ilirikut ndaj Papës së Romës nuk ishte një veprim strategjik i organizuar. Përmbajtja e diskutimeve dhe rradha e nënshkrimeve,Lluka i Durrësit firmos i 51-ti në një listë me 137 emra ku nuk kanë rang të privilegjuar as Vikari i Selanikut e as peshkopi i Kostandinopojës, flasin më tepër për një pozicionim në rang province dhe në këtë kuadër peshkopët e Epirit të Ri shfaqen për herë të parë në kundërshtim të hapur me Selinë e Shenjtë(M. HAXHIMIHALI, La hiérarchie religieuse des provinces d’Epire et de la Dardanie face à la rivalité entre Rome et Constantinople en Illyricum, në L’Illyrie méridionale et l’Epire dans l’Antiquité, Actes du IIIe colloque international de Chantilly (16-19 Octobre 1996), Paris 1999, f. 308).
Por kjo kundërshti nuk zgjati shumë. Vetëm dy vjet më vonë, në tetor 451, në sinodin e Kalkedonisë pothuajse të gjithë peshkopët e Ilirikut pranuan se kishin gabuar. Në kushtet komode që garanton anonimiteti i grupit ata bënin thirrje tashmë për mbrojtjen e Dioskurit të Aleksandrisë, me të cilin sipas kërkesës së tyre, sinodi duhej të tregohej zemërgjerë. Përmes Atikut, kryepeshkopit të Nikopojës, që në sinod u bë zëdhënës i shumicës së peshkopëve të Ilirikut, ata kërkonin sanksionimin e së drejtës së kryepeshkopit për të mbikqyrur zgjedhjet e klerikëve në dioqezën përkatëse. Kjo ishte në fakt një kërkese për autonomi lokale, e cila binte ndesh me aspiratat e klerit të Kostandinopojës.
Por peshkopët e Ilirikut nuk u mjaftuan me kaq. Ata kundërshtuan gjithashtu kanonin 28 që kishte të bënte me privilegjet e klerit të Kostandinopojës dhe autoritetin e tij mbi dioqezat e Thrakës dhe Azisë. Duke qenë se këto probleme nuk preknin drejpërsëdrejti interesat e tyre, shumica e peshkopëve të Ilirikut abstenuan gjatë debateve mbi këto tema, sikurse pasqyrohet edhe në dokumentacion (E. SCHWARTZ, ACO, II, Leipzig 1933, dok. 1, 3, 8, 9, 10 ; f. 89 – 90). Edhe në këtë koncil Epiri i Ri përfaqësohej nga dy delegatë, ndërkohë që për arsye të njejta si dhe dy vite më parë munguan sërish përfaqësuesit e provincave latine (Dakisë, Dardanisë, Prevalit etj).
Nënshkrimet bëhen sipas parimit të vendosjes gjeografike : Lluka i Durrësit nënshkruan i 48-ti, fill pas kryepeshkopit të Epirit të Vjetër dhe para atyre të Kretës dhe të Thesalisë. Kështu në konsilin që konfirmoi qendrimin zyrtar të Kishës ndaj çështjes së natyrës së Krishtit, hierarkia e lartë kishtare e Epirit të Ri konfirmoi besnikërinë e saj ndaj ortodoksisë zyrtare. Në vitet në vazhdim zhdukja e Vikariatit kontribuoi në rritjen e autoritetit të metropolitëve, përpjekjet e të cilëve për të arritur një autonomi rajonale, sollën një distancim të paevitueshëm nga Roma. Përpjekje të tilla nuk kishin si të mos përkraheshin nga perandori bizantin Luan.
Ndryshe nga paraardhësi i tij Teodosi i Madh, që për të garantuar unitetin kishtar bazohej në disa qendra të mëdha dioqezash të privilegjuara, Luani ndërmori një konsultim në shkallë të gjerë të të gjithë peshkopëve të Perandorisë Bizantine lidhur me vendimet e Kalkedonit. Ky veprim ishte një lloj sprove besnikërie po të kihet parasysh fakti se për gjithë Perëndimin, perandori u mjaftua vetëm me konsultimin e Romës. Nga Epiri i Ri perandorit Luan i vjen një përgjigje pozitive : (A. ALB. I, nr. 23, f. 4: «Luchas Durrachiensis aliique ad Leonem imperatoremin factis Timothei Alexandriae»). Këtu mbetet të sqarohet se cili është « Paulus episcopus Prinatenus ». A është fjala për Palin peshkopin e Drishtit, siç mendon Farlati, që sheh këtu një gabim ortografik të trajtës Priuatenus në vend të Drivastenus (D. FARLATI, Illyricum VII, f. 234 dhe 346)? Në këtë rast kjo do të përputhej me «Paulus episcopus Drivastenus» të dhënë nga Le Quien (Oriens, f. 201).