-Në qytetin e Gencit, françeskanët e “bekum” kishin hapur shkollën e parë Shqipe qysh në vitin 1861/
– Françeskanët e Shqipërisë hapën të parët siparin e Teatrit Kombëtar. Ishte vitit 1890./
– Thuhet se vjershëtori lind, e gojëtari bëhet. E Fishta për një mend kishte lindur poet./
– Viti 1899 qe viti i një ngjarje të veçantë për Fishtën. Bëhet anëtar i Shoqërisë Bashkimi/
– Viti 1900 shënoi për Fishtën pikënisjen e vërtetë letrare./
– At Fishta me natyrshmërinë e rrjedhshmërinë e mendimit, luftoi për ta radhitur Shqipërinë me popujt e Europës/
– Në vitin 1902 Fishta merr drejtimin e shkollës fretnore në Shkodër./
– Si vendosi në rrethana kritike e të vështira Gjuhën Shqipe si gjuhë mësimi/
– Fishta e Gjeçovi themeluan të parën Bibliotekë Shkollore në vitin 1907/
– Dijetari i Austrisë së vjetër Maksimilan Lombertz e paraqet Fishtën si një “poet gjeni”/
– At’ Giuseppe Valentini një erudit e albanalog me formë botërore thotë: “Fishta ka cilësitë e Homerit dhe prirje mikelangjelike/
Mark Topollaj- Kinoregjisor/
Vjeshta e dytë e vitit 1871. Shqipëria ishte nën sundimin Otoman. Binte shi. Familja e Ndok Simon Ndocit në Fishtë të Zadrimës, kishte zbritur nga mallet e Mirditës për një jetë më të mirë. Në mëngjesin e datës 23 tetor, u dëgjuan breshana (pushkë). Kjo familje shtohej me një djalë tjetër. Fshatit ju shtua një armë, famullisë një engjëll. Kombi një Zheni.
At’ Leonardo de Martino një poet italo-shqiptar ishte famullitar në Trashan. Engjëllin e vogël ai e pagëzoi me emrin Zef dhe e lau me ujët e pagëzimit. Ishte shenjë e një profecie hyjnore. Harpa Leonardiane i dha drurin Lahutës fishtiane. U rrit me puthjet e nënës dhe përkëdhelitë e babës. Fretnit françeskan falë inteligjencës së tij e morën nën kujdestarinë e tyre. Në qytetin e Gencit, françeskanët e “bekum” kishin hapur shkollën e parë Shqipe qysh në vitin 1861. E para shkollë popullore shkollë popullore në Shqipëri. Ishte shkolla e të varfërve, e këmbëzbathurve, e të harrumve e fshatarëve. Historianët tanë heshtin. Një heshtje e qëllimtë e trupshme. Një heshtje e diktuar nga kulturua orientale. Politika është mjerane. Në ambientet e kësaj shkolle u shfaq për të parën herë ?Nata e Këshndellave” në gjuhën Shqipe. Një melodramë e përpunuar nga At’ Leonardo de Martino. Historianët heshtin pse nuk duan të pranojnë se Françeskanët e Shqipërisë hapën të parët siparin e Teatrit Kombëtar. Ishte vitit 1890. Dhjetë vjet më vonë Kolegji Soveriana e Etërve Jezuit filloi aktivitetin e vet Teatral. Pra gjuha Shqipe po flet Françeskan e Jezuit po ndezin zemrat e të rinjve që është fryti i gjenisë së racës Arbënore.
Pikërisht këtë vit Kuvendi i Fretënve i Troshanit hapi për të parën herë Kolegjin Françeskan Shqiptar nga At’ Martini nga Palmanova e At’ Gianpiero nga Bergoma. Zefi i vogël ishte ndër të parët.
Thuhet se vjershëtori lind, e gojëtari bëhet
Thuhet se vjershëtori lind, e gojëtari bëhet. E Fishta për një mend kishte lind poet. Edukimin fetar e mori njëkohësisht me edukimin e dashurisë për Atdheun. Aty ku ishte frati, aty ishte flaka e ungjillit, vatra e kulturës dhe pishtari i atdhedashurisë. Në moshën 23-vjeçare në Kishën e Trashanit dha meshën e parë. Akti i këtij djaloshi ishte i jashtëzakonshëm. Në gëzimin e kësaj feste në Trashan ishin dhe fshatrat për rreth. Kishin ardhur edhe nga Mirdita. Një festë që po i kushtohej Zotit, gjuhës Shqipe e Kombit. Në mes njerëzve, bariu i ri hetoi vetitë shpirtërore të një race të virgjër e të vendosur. Shijoi gjuhën e gjallë të maleve dhe kuptimin e plotë të së folmes me frazeologji të pasur. Gjeniu i ardhshëm hetoi hapësirën letrare të rapsodisë Ilire. Ndjenjat popullore e gjuha e shpirtit shqiptar po priste Homerin e vet, ta ujdis kangën në harkun e lahutës. Poetit të ardhmes i dha zemër visar i rujtur gjuhësor i cili ishte barometri i shprehjes së dashnisë kombëtare.
Viti 1899 qe viti i një ngjarje të veçantë për Fishtën. Edit Durham ka respekt të veçantë
Bëhet anëtar i Shoqërisë Bashkimi. Kjo shoqëri u themelua nga fort i përmenduri Imzot Prend Doçi abat i Mirditës. Ky ishte mendjezgjuar, i pajisur me një kulturë të gjanë e me zotnime gjuhësh të huaja. Kishte përvojë jete dhe i pajisur me një personalitet me parashikime të sakta e me ndjenja fetare e politike të hapura. Edit Durham thotë për Abatin e Mirditës: “Ishte fort i mençur, me një kulturë të gjerë e me plane të madhnueshme. Ishte një nacionalist shqiptar me largpamësi në botëkuptimin Europian ishte i kuptueshëm. Shpirti i tij organizativ i dha mundësi të mbledhë rreth vetes ajkën e personaliteteve të vendit. At Gjergj Fishta menjëherë u bë dora e djathtë e këtij njeriu të shndritshëm. Nuk ju nda në të gjitha iniciativat letrare e politike duke zanë fill nga Abetaria e Gjuhës Shqipe. Kjo abetare është ajo që ne flasim sot e mot.
Viti 1900 shënoi për Fishtën pikënisjen e vërtetë letrare
Pak ma vonë na befason me satirën e hollë, i cili e vendos mendimin në kuptimin artistik të fjalës. Aftësia e tij bëri që të cilësohet si një nga shkrimtarët e satirës me vlera europiane. Fishta me punë të jashtëzakonshme i bindi shqiptarët se në letrat shqipe është ma i mirë dhe i shumëtrajtueshëm. Harmonia specifike në mes temave të trajtuara, gjensia kohore dhe përsëritja e historisë në kontekstin kombëtar është një angazhim shembullor i Fishtës. Ky zheni konsiderohet shtylla vertebrale e kombit të ri Shqiptar. Në fushën e publicistikës ky vigan krijoi aktin politik me përmasat e njohjes së Shqipërisë nga zonja e vjetër.
At’ Fishta luftoi për ta radhitur Shqipërinë me popujt e Europës
Ndërlikimet historike Shqipërinë e shkëputën nga Europa por At Fishta me natyrshmërinë e rrjedhshmërinë e mendimit, luftoi për ta radhitur Shqipërinë me popujt e Europës. Ai ngriti në art elementin e qenësishëm të kulturës, të bazuar në fakte historike. Kundra Shovinzimit ballkanik ai mbajti një qëndrim të prerë e sarkastik. Çdo orë poeti bëhej fli me fratin, frati për atdheun e atdheu rraskapitej për të pas gojëtarin, dramaturgun, regjisorin, publicistin….sepse Shqipëria kishte nevojë për të gjitha. Sfidat dhe liritë e arsimit kombëtar kanë ngjashmëri dhe vazhdimësi me vendet e tjera. Kjo do të thotë se nga mot jemi pjesë përbërëse e kontinentit të vjetër.
Në vitin 1902 Fishta merr drejtimin e shkollës fretnore në Shkodër
Këtu, Ai mori një veprim ma me rëndësi për arsimin e kulturën shqiptare. Ai vendosi në rrethana kritike e të vështira Gjuhën Shqipe si gjuhë mësimi. Asnjëherë nuk ju përmend kjo iniciativë Fishtës gjatë anatemimit të tij të gjatë dhe u përdor heshtja e cila është më e rëndë se vrasja. Historiografia shqiptare është një mashtruese e vërtetë, ajo përsëri hesht.
– Fishta e Gjeçovi themeluan të parën Bibliotekë Shkollore në vitin 1907
Ata heshtin edhe për faktin se ishte Fishta e Gjeçovi që themeluan të parën Bibliotekë Shkollore në vitin 1907. Karakteri polemizues i Fishtës është se ai hartoi apologjinë Shqiptare me terminologjinë e Shovinizmit ballkanik që deformonin embrionin e së drejtës së shqiptarëve për mëvetësi.
Gjeniu i letrave shqipe ishte një njohës i shkëlqyer i frymëzimit popullor, i cili në veprat e tij solli qarkullimin e vlera të qytetërimit duke e shpreh cilësitë estetike të popullit të vet. Këtij populli i cili është mbështetur mbi ligjet e veta shoqërore e historike dhe mbi vlerat estetike nuk mund ti mohohet vetëvendosja dhe legjitimi i pavarësisë. Ky korife i racës ka shprehur haptazi të vërtetën e heshtur dhe asnjëherë nuk bëri tërheqje taktike përballë absurditetit të politikës europiane.
“Diplomacia e Europës thotë ai: nuk ka nder e burrni, është vet faqja e zezë, e marrja, e turpi i gjithë njerëzimit”.
Jemi në vitin 1908. Një nëntor
Është data historike e Kongresit të Manastirit. Këtu është bashkuar ajka e Shqipërisë letrare. Fishta dhe përfaqësuesit e Shoqërisë “Bashkimi” ishin prezent. Ai nuk ishte aty për të detyruar të tjerët që të pranojnë Alfabetin e Abatit të Mirditës Prend Doçi, por për të shkoqitur çështjen dhe për të gjetur një rrugë të mesme në dobi të gjuhës e të shqiptarëve që të bashkohemi. Fjala plotë kuptim, logjika dhe oratoria e françeskanit nga Shkodra e bani të dallohej prej të tjerëve dhe në këtë mjedis mundësoi që nga 52 anëtar të Kongresit 49-të të votojnë Alfabetin e hartuar nga Prend Doçi Abati i Mirditës. Qe një triumf i kapacitetit individual të oratorisë Fishtiane dhe të vërtetësisë shkencore të Alfabetit që fëmijët tanë mësojnë sot. Abati Prend Doçi i Gjergj Fishtës në bashkëpunim me korifenjtë e tjerë të racës përbëjnë Kostehrecionin e Harushës së Madhe në qiellin e Veriut Shqiptar. Por nuk duhet të harrojmë se në pesë dekadat e zymta të Utopisë Komuniste, mbi figurën e Viganit të letrave Shqipe është hedh shumë pluhur. Mospërfillja dhe harresa vazhdojnë edhe sot. Kultura e menisë orientale ka hedhur të keqen për të deformuar keqas shtatoren e tij madhështore. Edhe pse njerëzit e shquar të botës e kanë vendosur krah për krah me Homerin.
Dijetari i Austrisë së vjetër Maksimilan Lombertz e paraqet Fishtën si një “poet gjeni”.
Ky mendim është shpreh në raportin e botuar në Anzeiger, Organ i Akademisë Perandorake të Shkencave Vjeneze.
At’ Giuseppe Valentini një erudit e albanolog me formë botërore thotë: “Fishta ka cilësitë e Homerit dhe prirje mikelangjelike, ose ma përpiktas ai është në analogji propocionale me të. Dy vepra Iliada dhe Lahuta e Malësisë po të ishin dy piktura do ti vinin në të njëjtën dhomë galeria përballë njëra-tjetrës duke mohuar prerazi se njëra është kopje e tjetrit. Kjo analogji proporcionale nuk e vendos nxënësin në një shkallë ma të ulët se mjeshtrin, apo si një shtojcë, por baras me të. Janë shumë figura letrare të botës dhe shqiptare me mendimet e shprehura, se forca e mendjes së tij e ka vendos në volumin e një gjeniu si Homerin tek kryevepra e tij Iliada.
Ky është pra Fishta i madh. kur u nis për në Francë bashkë me Imzot Bumçin u ndaluan në Romë. Këtu u pritën nga Papa Benedikti i XV-të. Me këtë Papë Shqipëria ndjeu shpëtimin e Korçës dhe Gjirokastrës. Sipas akordit, Titon-Venizelos këto dy qytete do ti lëshoheshin Greqisë. Të parën ditë të Janarit të vitit 1920 Papa tha: “Kam me ba ç’ka të mundem për me e ndihmuar Shqipërinë”. Mbasi morëm bekimin e Papës Benedikti i XV-të u nisën për Paris në Konferencën e Paqes. Në këtë Konferencë u mbajt një fjalim madhështor i përgatitur nga At Gjergj Fishta dhe i ligjëruar nga Imzot Bumçi. Do të citoj vetëm hyrjen. “Prej brigjeve gjimuse t’Euksinit e me borë të amshume të Alpeve Julje, prej bigave bubulluse t’Akrokeraunve e Karmat të thepisurave të Karpateve, ende të rime me gjak njeriu, n’atë Kavaljetet e kalume, të vjetra, banonte ajo familje e madhe thrako-ilire me nam e në za në historinë e fiseve e të kombeve”.
Ky është edhe sot një shembull oratoria ciceroniane i veshur me kostumin Arbënor.
Një person me pseudonimin Ilirias parashtron idenë se katolikët nuk përkojnë me çështjet e ndryshme kombëtare. Kundër përgjigjia e Fishtës artikullusit të “Shpnesës” është një prej apologjive më të frymëzuara në botën e Kulturës Shqiptare.
Euridicioni argumentues i shkrimtarit i jep klerit katolik dhe çështjes Shqiptare vlera të pa krahasueshme me modelin e një retorike të lartë. Aktiviteti i tij politik e artistik është i përmasave të mëdha.
Anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të poetëve. Lahuta e Malësisë u vlerësua si degë e pavdekshme e blerimeve Olimpike
Ai u gëzua për pranimin e tij si anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të poetëve. Organizat kjo e themeluar në Nju Jork ku përfaqësoheshin nga 60 kombe të botës. Kryevepra e tij Lahutën e Malësisë e varshin në degë të pavdekshme të blerimeve Olimpike.
Ata që ndoshta se dinin se ku gjendej Shqipëria gjeografike tani e dinin se në këtë vend të panjohur ishte e ligjëronte me artin e hyjnive një poet, një shkrimtar, një Homer modern i cili këndon në gjuhën e përbashkët të zemrës e ndjenjave të njerëzimit.
Në vitin 1937 u bë publikimi definitiv i “Lahutës së malsisë”, kryevepra e letërsisë Kombëtare me përmasa botërore.
Lufta Ruso-Turke dhe Cari i Rusisë kundër Shqipërisë
Lufta Ruso-Turke e ligështoi portën e lartë. Popujt e ballkanit e kishin fituar pavarësinë. Shqiptarët e gjetën të vetmuar. Mendojnë edhe ata të fitojnë lirinë por u ndeshën me një armik të ri. Cari i Rusisë i shtyn sllavët e jugut për ta gërvisht Shqipninë.
At Gjergj Fishta ky burrë i ditur i devotshëm për fe e atdhe e studion madhështinë e kombit të vet nëpërmjet historisë. Parabola njerëzore e këtij talenti me famë botërore shënoi faqen më të lartë të lavdisë tonë. Por tragjedia e Shekullit të kaluar ishte e dhunshme dhe i lodhi shqiptarët. Fuqitë e mëdha e detyrojnë Turqinë që të lëshojë trojet shqiptare sllavëve të jugut dhe Greqisë. Por poeti i madh një personalitet poliedrik e kishte kuptuar se heroizmi i shqiptarit është poezi dashurie. Filloi punën me Lahutën e Malsisë. Ai krijoi një vepër momentale. Në brendësinë e saj ka një humanizëm sublime dhe emocionet janë prekëse e rrënqethëse. Vepra ka një shtrirje të ngjarjeve e problemeve universal në kufirin e një vendi që po e zvogëlon çdo ditë. Kush e lexon dhe e studion veprën e tij, ajo të le shenjën e përjetësisë.
Poeti është i shqetësuar për fatet e kombit. E thërret zanën e malit dhe bisedon me të.
“Hej moj Zanë! Si të duket ty? A thue se unë do ta arrij me pa rreth flamurit Kuq e Zi e kanë me u ba bashkë Geg e Toskë me derdh gjakun për Shqipëni”.
Kultura e pushtuesit oriental penetroi në jetën tonë dhe la gjurmë dëshpërimi si personazhi i Faustit. U krijua një ankth malli i harruar. Aftësia patriotike e humbi origjinën dhe krijoi tension në mes dëshirës e mos dëshriës dhe shënoi debolesën mentale.
Shqipërinë e zuni nata. E nata ringjalli të gjitha principet kozmike. Fëmijët e saj janë qielli e toka, gjumi e vdekja. Pashë njat zot këtë copë tokë e këtë copë qiell pse doni me na e marr, e kujt doni me ja dhanë?
Të vdekurit që popullojnë mbretërinë e natës i dhanë shkas të lëvizë ritmin e gjakut Shqiptar dhe i drejtohet Europës!….
– uh! Europ kurva e motit
që i ra mohit besës së zotit
po, aky a sheji i qytetërimit
me da tokat e Shqipnisë
për me mbaj këlyshët rusis.
Frymëzimi hyjnor në ndërtimin e shtatores kombëtare, krjoi epopen e një populli të lodhur nga pushtimet e një pasnjishme. Misteri i personalitetit të tij është se ai këndoi shqip. Këngët e tija janë erë e tokës, janë ngjyra qiellore, janë gurgullima e lumenjve dhe fërshëllima e pyllit. Por pushtimet vazhdojnë!
7 prill i vitit 1939. Italia fashiste e pushtoj Shqipërinë.
Shpata e fashizmi kishte për anëtar Musolinin dhe Konti Çiano. Kërkonin italizmin e Shqiptarëve. Më 12 prill përfaqësuesit e 10 prefekturave të Shqipërisë u thirrën në Tiranë për të legalizuar etikën pushtuese dhe për ti venë vulën robërisë me lirinë. Në dhjetë prefekturat e Shqipërisë vetëm ajo e Shkodrës protestoi. Komisioni ishte i përbërë nga katolikët. Padre Anton Arapi një nga korifejt e racës e ngriti zërin kundra okupacionit fashist Italian, ashtu qartë dhe pa kompromis Ai u tha: “Ju s’keni vend këtu. Ne kërkojmë Indipendencë absolute të Shqipërisë me flamurin e vet të pa prekur. Administrata shtetërore e shkollat dhe gjuhën shqipe nuk pranon cënim. Ushtria e jonë dhe përfaqësues para shteteve të huaja, do të jetë si një komb Sovran dhe i pavarur”.
O Zot na thuaj çfarë duhet bërë më shumë për vendin tënd? Padre Anton Arapi me kryyelartësinë e racës e kundërshtoi drejt për së drejti okupacionin fashist. Kurse të heshturit u bënë heroj. Padre Anton Arapi në vitin 1946 komunistat e pushkatuan si tradhëtar. I pushkatuan dhe i burgosën të gjithë klerinë katolike.
Mizorinë komuniste nuk arriti me epa poeti ynë i madh por ai e kishte parashikuar duke e ngrit tonet e madhërishme heroike, në përfytyrimet e papërsëritshme të burimeve njerëzore. Ndërthyrjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin pamsllav e ka theksuar tek lahuta Malsisë.
Homeri shqiptar i vrullshëm në ashpërsim e stilit, i fuqishëm në mendimin filozofik e dramatic e ka bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Geten e Danten Aligerin.
Në mbarimin e vitit 1940 e ndjente vehten të lodhur. Due me shkue në Fishtë në vendlindjen time thotë Padre Gjeri. Më ka marr malli me pa varret e njerzve të mi. due të pushoj pak në atë vend vaji. Diçka parandiente. As me shkrue nuk mundet ma.
Këtu nana më ka përkundur në djepin e drujtë dhe më ushqej me gjinin e saj.
Ndarja nga jeta
Ishte dimër, dhjetor. Më 10 të këtij muaji ai u sëmur. Gjithnjë e po keqësohet. E çuan në Shkodër. Binte borë, ftohtë. Murlani po i përzinte flokët e borës në drejtime të paditura. Sëmundja po i rëndohej. Shkodra me çati të zbardhura e rrugë të përbaltura mori lajmin e hidhur në orën 0.45 të datës 30 dhjetor të vitit 1940. Gjeniu i kombit u shua. Dielli në mëngjezin e kësaj dite nuk u pa. binte dhe binte borë. Shqipëria e përlotur mbeti jetime. Në Gjuhadolin e fretnve shkodranët e varrosën me dnerime të mëdha. Veprat e tij kanë pavdekësinë, çdo varg është një temë dhe çdo temë komenton heroikën dhe vitalitetin e racës për rigjenerim. Ai krijoi shqiptimin e ndërgjegjes kombëtare. Ky ishte biri i polemit shqiptar me një personalitet të shumaanshëm dhe i papërsëritshëm. Shpirti poliedrik i Fishtës zbuloi në botën e artit sekretin e fuqisë epike. Ky gjeni edhe me një plis dheu krijonte kombin. Ai ishte kryengritës, burrënor, i ushqyer si rrënjët e lisave nga toka nënë. Në fushën e satirës vraponte me Molierin. Bota At Gjergj Fishtën e kanë quajtur Homeri i ri. Nuk duhet të jetë krahasuar në letërsinë europiane ndonjë shkrimtar apo poet me Homerin. Fishta po. Për respektin e Lahutës së Malsisë që krahasohet me Iliadën e Homerit. Fishta quhej edhe TIRTEU i SHQIPNISË. Në veprën e tij ritmi i gjakut të shqiptarëve pasqyrohet fytyra e kreshnikëve. Ky i takon pavdekësisë si një vigan i racës që lëshoi kushtrimin për mbrojtjen e tokës arbënore. Në luftë për drejtësi njerëzore u ba Orfeu i Shqipërisë. Me mprehtësinë Horaciane ai ishte një zë vuajtjesh e fatkeqësish dhe u bë Apostull i Lirisë. Gjergj Fishta ka zenë vend përkrah Gjergj Kastriotit. Dy emra të njëjtë në një flamur të vetëm.
Trupi i tij u kthye në dhe Shqipërie.
Fritz Radovani says
Ju pershndes z. Topallaj, per kete material me vlere. Kam frike se mosha nuk do te me lejoje me pa “NJE FILM PER KETE KOLOS TE POPULLIT SHQIPTAR”, tue udhtue me IMZOT BUMCIN per Paris…Ju uroj shndet me respekt F Radovani.