Shkruan: Sokol PAJA-Para 13 vitesh një emër i lartë i Kishës Katolike, një shqiptar dhe Françeskan i madh At Zef Pllumi do largohej nga kjo jetë për të shkuar në jetën e pasosur të cilën e predikoi dhe shuguroi trupin e shpirtin e tij të veçantë. At Zef Pllumi ishte qëndresa e gjallë përballë përbindëshve komunistë, ishte mëshira në dyluftim me krimet e torturat mizore, ishte falja përballë hakmarrjes, ishte dashuria përballë urrejtjes, ishte e mira përballë të keqes, ishte drita përballë errësirës. At Zefi përfaqësonte qytetërimin perëndimorë përballë injorancës, mizorisë e halabakërisë komuniste. At Zef Pllumi ishte jeta përballë vdekjes, ishte drejtësia përballë padrejtësisë, ishte kujtesa përballë harresës, ishte liria përballë prangave. Me emrin e At Zef Pllumit lidhet e gjithë historia tragjike e persekutimit të Kishës Katolike përgjatë regjimit diktatorial. Kryevepra e tij “Rrno vetëm për me tregue” është një kronologji persekutimi, dhimbje, tmerri, por edhe të një qëndrese fisnike në kushtet kur regjimi i kohës po i asgjësonte klerikët katolikë, fizikisht, institucionalisht dhe ideologjikisht. At Zef Pllumi na la një trashëgimi të jashtëzakonshme, veprat, jetën dhe mësimet e tij të vyera sesi njeriu nuk duhet ta humb shpresën, besimin dhe shpirtin e tij por të qëndrojë dhe të mos i nënshtrohet asnjëherë të keqes, dhe pas frymës së fundit. Ajo trashëgimi që na ka lënë At Zef Pllumi është një institucion atdhedashurie, feje, morali e shprese. Më 14 dhjetor 1946 në moshën 22 vjeçare At Zef Pllumi arrestohet dhe dënohet me tre vite burg. Në vitin 1958 shugurohet meshtar, dhe për 12 vite shërben si meshtar i Dukagjinit. Në vitin 1967 kur në Shqipëri u instalua ateizmi zyrtar, At Zef Pllumi arrestohet dhe për 23 vite vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme si Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Shën Vasil dhe Tiranë. Një rrugëtim i stërmundimshëm i një njeriu të pafajshëm që ashtu si shumica e popullsisë civile në Shqipëri u persekutua në mënyrën më të pashembullt vetëm se pse deshën lirinë. Veprat testament që na la At Zef Pllumi janë: “Rrno vetëm për me tregue”, “Françeskanët e mëdhaj”, “Frati i pashallarëve Bushatli”, “Histori kurrë e shkrueme”, “Ut heri diçebamus-siç i thonim dje”, dhe “Saga e fëmijnisë”. Sot si kurrë më parë, fjalët e tij tingëllojnë aq të forta dhe frymëzuese. Ajo çka na përcjell At Zefi është një kushtrim për liri, për atdhe, për dinjitet, për moral për dashuri ndaj njëri-tjetrit. At Zef Pllumi ishte heroi i dritës në terrin dhe ferrin komunist. Me dhimbje por kurrë me urrejtje, At Zefi shkroi historinë e përgjakshme të Kishës, një dëshmi tronditëse sesi bisha sllave shkallmoi me tërbim gjithçka fetare në shtetin monist. Dëshmia e At Zef Pllumit për vuajtjet dhe masakrat e komunistëve mbi shqiptarë e klerikë të pafajshëm, është një dritë e pashuar në errësirën staliniste që sundoi në Shqipëri për 50 vjet.