Nga Fadil LUSHI-Tetove/
Një mikut tim, një ditë i ishte fiksuar në mendje ideja rreth gjurmimit të historive të ca shqiptarëve të cilët dikur moti, kishin kërkuar lirinë e vonuar të vatanit të tyre. M’u duk një ide mjaft fisnike, humane dhe mbase emancipuese, por në fakt ishte një punë bajagi e sikletshme. Kur ky im mik më takoi në sabah, më tha: “Këtë punë do ta bësh ti, pasi që ti di më mirë të bësh gjurmime të ti-lla… dhe, nëse do ta bësh këtë, mos harro t’ia (për)caktosh me përpikëri dallimet”. Ia ktheva se po ta bëj, do ta bëj me përkushtim, aq sa di dhe aq sa mundem. Nuk do ta bëj ashtu shkel e shko, pasi që njerëzit e tillë gjegjësisht ata që jetuan para vaktit tonë, nuk meritojnë dedikime me shkarravina!
Para se të filloja ta ndërtoj paragrafin e parë, më “iku” mendja te Visari nga Durrësi. Të gjithë ata që kanë pasur mundësi ta lexojnë veprën e Visar Zhitit, “Ferri i çarë”, pa dyshim se kishin gjetur një mal me histori të denigruar dhe të llahtarshme, një histori që llafos vuajtjet e njerëzve të lanë pas dore edhe nga shteti, edhe nga… Ajo vepër shpërfaq edhe ca vaki të nënës së Visarit, e cila në muajin dhjetor të motit 1979 kishte TROKITUR në derën e Dritëro Agollit, që asokohe kishte qenë kryetar i shkrimtarëve të Republikës së Shqipërisë, kishte TROKITUR edhe në derën e Ismail Kadaresë, edhe në derën e Bashkim Shehut, të birit të kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu, si edhe në dyert e institucioneve qendrore, institucione këto që të “padëgjueshmëve a armiqve të popullit ua merrnin “masën e samarxhiut”. Kjo nënë kishte kërkuar prej tyre që t’i ndihmojnë për t’ia liruar të birin e saj nga burgu i Tiranës dhe më pastaj nga ai i Spaçit. Fatkeqësisht, ajo nënë asnjëherë nuk e shijoi a nuk e mori ndihmën e tyre. Se pse nuk e shijoi atë ndihmë, ne nuk e dimë…, mbase këtë informacion mund ta kenë emrat e lartpërmendur…, po edhe ata që dëshmuan kundër Visarit në procesin gjyqësor, ata të cilët ishin në cilësi të kodoshëve dhe në cilësi të dëshmitarëve të rremë.
Sot të kërkosh të bësh paralelizëm a të bësh dallimin, sado qoftë i vockël, mes diktaturës shqiptare dhe asaj të ish-Jugosllavisë së Titos, mes diktaturës së shtetit ku aktualisht “frymojnë” shqiptarë “maqedoncë”, mes Burrelit, Spaçit, Goli Otokut, Idrizovës, mes proceseve të montuara politike (pjellë e Enverit dhe di-ktatorëve të tjerë të tillë si ai), mes “Sopotit”, Gostivarit, Brodecit dhe së fundi edhe me atë të “Monstrës”, do të ishte një marrëzi e radhës, jo se nuk e bën dot, por edhe sikur ta bësh nuk të del hesapi, sepse nuk do të gjesh kurrfarë dallimi mes tyre…, atë dallim që ma kërkoi miku im “ta bëj“ në fillim të shkrimit(!?). Dikur moti, gjegjësisht në vitet e gjashtëdhjeta, një shqiptar i dënuar politik, pas kushedi sa motesh kishte “braktisur” burgun në Petrova Rupa famëkeq dhe kur kishte arritur në stacionin hekurudhor të Shkupit, dikush e kishte pyetur: “Hë, more burrë, ku do shkosh tani”(!?)”. Ai ishte përgjigjur: “Eh, ç’të të them xhanëm, mos më pyet mua se ç’drejtim do të marr…, pyete rrugën me kalldrëm, ajo të tregon me tamam se ku do më çojë”(!?). Pasi “përfundoi” bisedën e shkurtër, tundi kokën dhe ktheu shikimin dhe mendjen në drejtim të Goli Otokut, duke menduar se e kishte pas shpine, e jo një mijë kilometra larg tij…, sikur donte t’i kthehej(!?). Ata që e mbajnë mend këtë njeri, thonë se ai nuk kishte askënd nga familja…, prindërit kishin ndërruar jetë derisa ai hiqte të zinjtë e ullirit…, zonjën ia kishin (ri)martuar me zor, me një komunist shqiptar, i cili në vaktin e sundimit të tij, urinonte në magjen e miellit të fqinjit të tij fukara. Thonë se askujt nuk i kishte hak, po përkundrazi, të tjerët i kishin hak. Kur ishte “ndërgjegjësuar” se nuk e “përfillnin” dhe nuk ishte në “shërbim” të mëhallës, në “shërbim” të vatanit e aq më pak të miletit, kishte vendosur që të mos TROKASË në asnjë derë…, kishte vendosur të çatdhesohet dhe të merrte arratinë, diku larg në tokë të huaj, për të kërkuar një copë tokë për një varr pa gur…, për një varr pa nam e pa nishan. Një hartuesi (“anonim”) të jetëshkrimit të tij, “i kishte ngecur lapsi” në momentin kur i ishte dashur ta lakojë, ta defino-jë dhe së fundi ta përcaktojë me tamam statutin e këtij të ish të burgosuri.., thje-sht, nuk i dilte hesapi, se ky a ishte disident, patriot, refugjat, njeri i pashpresë, njeri pa familje, njeri i çmendur, njeri jabanxhi a i huaj në vatrën e tij shekullo-re.., një njeri që asnjëherë nuk ishte i preokupuar me bukën e gojës së tij sa ishte në dilemë se ku do të strehohej…, një njeri, që nuk i besonte të vërtetës se “shqiponjat e tij të dikurshme ishin shndërruar në sorra të zeza”(!?).
Vakitë e njerëzve janë tronditëse, po një akoma ma tronditëse është edhe ajo e bashkëvendësit tanë, Hashim Toplica (ndjesë pastë), i cili në kazamatet e Enverit vuajti jo më pak se tridhjetë e nëntë vjet, pesë muaj dhe njëmbëdhjetë ditë… dhe, kur kthehet në “vatanin e tij të harruar”, fillimisht TROKET në derën e tij të madhe. Kur e bija e tij kishte hapur atë derë të fisme ishte ballafaquar me një njeri të panjohur, me një njeri jabanxhi, me një njeri i rraskapitur, me një njeri të vrarë shpirtërisht, me një njeri me zemër të dërrmuar. E bija, sikur donte ta “mbyllte” DERËN E HAPUR, sikur donte ta pyeste e t’i thoshte se kush ishte dhe kë kërkonte. Ndërkaq, njeriu që TROKITI në DERËN e tij, i thotë së bijës se po kërkonte të kaluarën e tij të vjedhur…, se po kërkonte të kaluarën e vet të lavdishme, se po kërkonte të kaluarën e vet të hidhur, se po kërkonte kalamajtë e vet, se po kërkonte kujtimet e veta, se po kërkonte… Ndaj, po t’i kishin, le t’ia kthenin…, se ato ishin të tijat. Se si kishte përfunduar ai takim aty në DERËN e hapur e të fisme, unë që po shkruaj këtë vështrim, asnjëherë nuk arrita të hetoj asnjë të vetmen provë. Një gjë e di, njeriu që TROKITI në derën e tij më vonë kishte trokitur edhe në dyert e ca institucioneve me kërkesën që t’ia kthejnë shtetësinë e humbur që prej kohësh. Thonë se është e zorshme dhe e sikletshme të trokasësh në dyer “të mbyllura”. Edhe unë dikur (me sebep) TROKITA në do dyer.., asnjëherë nuk m’i hapën… Ndoshta ishin dyer të gabuara(!?)… Ku ta dimë!