Shkruan: Enver Sulaj/
Mes atdhetarizmit si diskurs politik dhe akuzave të ndërsjella pozitë-opozitë, duket se po zhvillohet ajo, që mund ta quajmë fushatë e heshtur apo parafushatë e subjekteve politike për zgjedhjet e 9 shkurtit. Secili subjekt politik ka krijuar tashmë strategjinë e vet, ka targetuar grupin e votuesve dhe ka vënë në veprim analistët, opinionbërësit dhe militantët partiak, të cilët dikur brohorisnin në tubime publike, me flamuj partie e pankarta në dorë, ndërsa sot i gjejmë në rrjete sociale, duke sharë e duke u hakërryer ndaj kundërshtarëve politikë, apo edhe ndaj atyre që shprehin lirshëm mendimin e tyre. Shumë shqetësuese mbetet klima e komunikimit të ashpër e barrikadimit ideologjik, jo rrallë me një diskurs të thjeshtë e shumë transparent propagandistik. Nuk vërehet një debat i hapur, i prajshëm e intelektual mbi shqetësimet që e rëndojnë shoqërinë tonë, për të ofruar zgjidhje përmes programesh konkrete dhe pa mohuar edhe arritjet tona si shoqëri në tërë periudhën e pasluftës, por edhe dështimet e keqpërdorimet, që janë jo të pakta, e, për të cilat, secili subjekt politik ka paguar dhe do të paguajë gjithmonë faturën e duhur.
Në mungesë të ideve të guximshme e zgjidhjeve për çështjet e zhvillimit ekonomik, të integrimeve evropiane dhe të raporteve me Serbinë, streha më e sigurtë e subjekteve politike në krejt këto vitet e pasluftës, madje edhe në këto zgjedhje, nga të cilat do të dalë përbërja e re e Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbetet retorika e mbështetur mbi idetë e atdhetarizmit dhe populizmit, për të vënë në lëvizje votuesit e për të tërhequr sa më shumë votat e tyre.
Ne nuk jemi qendra e botës dhe jo gjithçka varet nga dëshirat dhe ëndrrat tona për t‘i zgjidhur problemet që gjenden mbi tavolinë, por çdoherë janë kompromiset ato që i shtyjnë çështjet përpara, për të gjetur zgjidhjen më të mirë në situatën aktuale. „Status quo“-ja dhe konflikti i ngrirë nuk janë garancione se në një kohë tjetër, në të ardhmen, do të kemi zgjidhje më të mira, ngase gjithçka varet nga interesat gjeostrategjike të lojtarëve të mëdhenj në skenën globale, por edhe nga zhvillimet dhe orientimet e brendshme ideologjike e strategjike tonat.
Lëvizja e lirë e qytetarëve dhe shtrirja e institucioneve në veri të Kosovës, programet e ndihmave për pensionistët, fëmijët e programet sociale, sigurisht që janë arritje e pamohueshme e Qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Kurti, që në sytë e opinionit të përgjithshëm krijojnë perceptimin e një mirëqenieje, pa pasur nevojë fare t’i amplifikojë këto arritje në sytë e publikut, sepse disa parti opozitare, me akuza e sharje primitive, duket se po ia bëjnë shërbimin më të mirë, që do të shihet më 9 shkurt.
Nepotizmi, keqpërdorimi i buxhetit të shtetit, pasurimi i dyshimtë i grupeve të caktura, mungesa e sigurimeve shoqërore shëndetësore, mosndërtimi i një sistemi të drejtë e të sigurtë pensional, mungesa përditë e më shumë e fuqisë punëtore, si pasojë e largimit të popullatës, janë tregues të gjendjes ku jemi, por edhe të së ardhmes, për të cilën, nga ajo që shihet në horizont, askush nuk na garanton se do të jetë më e mirë.
Dora e shtetit duhet të jetë e gjatë dhe të arrijë te të gjithë. Në një vend ku pritjet janë të mëdha, sigurisht që edhe zhgënjimet mund të jenë të tilla, që në shoqërinë tonë, fatkeqësisht, si alternativë të dhembshme e të vetme kanë ikjen, braktisjen e atdheut. Motoja e lashtë romake „Ubi bene, ibi patria“, duhet të shndërrohet në „Ubi patria, ibi bene“. Kjo e fundit është vështirë t‘i imponohet gjeneratës së re, që tashmë kufijtë e lirisë, kreatitivitetit dhe të hapërimit i ka të pafundmë, ndërkohë atyre që pretendojnë ta udhëheqin shtetin u mbetet të bëjnë parashikimet e duhura, të domosdoshme e urgjente, që dikur të mos bëhet vonë.