
Kosta Nake/
Të gjitha rrugët të çojnë në Romë. Musine Kokalari arriti atje duke ndjekur njërën prej këtyre rrugëve. Sepse rrugët e diturisë në Shqipërinë e viteve ’30 mbylleshin me arsimin e mesëm. Kujtimet e saj për katër vitet e studimeve në Itali nuk janë vetëm një shikim në pasqyrë për shkrimtaren, por edhe për të kuptuar atë dritë që vjen nga Perëndimi dhe që e sollën me punë e sakrifica mendjet e ndritura të Shqipërisë. Përtej kësaj, çdokush do të lexonte me ëndje përballjen e një vajze shqiptare të një vendi të prapambetur me një nga kryeqytetet me më shumë gjurmë të qytetërimit në botë.
Ditët e para të qëndrimit janë një krahasim i papërfytyrueshëm mes vendlindjes me natyrën e pasur dhe botës ku shpirti humb mes asfaltit dhe rrënojave të antikitetit, mes të njohurës dhe të panjohurës, mes rrugëve me dredha dhe shtëpi të vjetra të Gjirokastrës dhe rrugëve të drejta e pallatave të reja të Romës. Është një fillesë e re ku janë krejt të turbullt kufijtë mes ëndrrës dhe zhgjëndrës, ku soditja ia lë vendin zbulimit të shpirtit dhe karakterit italian që është i lidhur ngushtë me fenë e vet, me historinë e vet të ngurtësuar te Koloseu, te Shën Pjetri, te shtatorja e Laokontit, pastaj më tej Napoli e Pompeu, ku zbulon se njohuritë e fituara në shkollën e mesme nuk kanë plotërinë e nevojshme, prandaj jo vetëm që duhet të lexojë, por edhe t’i japë studimit gjysmën e ditënatës. Dhe ja, kjo zhvendosje nuk e shkëput nga atdheu, por i nxit interesin për mbledhjen e folklorit duke shfrytëzuar çdo kohë të lirë dhe kontakt me njohësit dhe interpretuesit e këngëve popullore.
Viti i dytë i studimeve lë pas soditjen e mahnitjen dhe e tërheq studenten drejt vëzhgimeve të thella dhe meditimeve, zbulon ngjashmërinë e jetës njerëzore me natyrën dhe botën e zogjve. “Vetëm natyra është e përjetshme… ekzistenca jonë nuk është veçse një vazhdim i botës dhe një ecje përpara e kohës.” (f.149)
Italia e viteve ’30 nuk ishte vetëm një prej vendeve me universitete të konsoliduara, si “La Sapienza” ku u regjistrua Musineja, por edhe një mundësi më shumë për të vazhduar betejat për jetën në raste të sëmundjeve për të cilat mjekësia shqiptare nuk kishte as mjetet, as përgjigjet e nevojshme. Musineja nuk ishte vetëm studente, por edhe kujdestare e vazhdueshme për njerëzit e rrethit të vet familjar duke harxhuar kohë dhe energji, duke përjetuar dhimbje e stres. “Është e trishtuar të shohësh një fëmijë që vuan.” (f.179)
Viti i tretë ishte sfida e moshës, kishte ardhur koha e zgjedhjes së një partneri për jetën dhe, mes mëdyshjeve dhe ndjesisë për humbjen e lirisë vetjake, ai qëlloi të ishte italian. Ndryshimeve mes mendësisë së dy popujve që i ndan një det, iu shtua dhe atmosfera e luftës, me një negativitet të ushqyer nga lufta italo-greke ku formacionet ushtarake shqiptare nuk i qëndruan besnike fashistëve. Një sjellje false e të dashurit dhe nënës së tij sollën zhgënjimin dhe ndarjen. Edhe Italia nuk ndryshonte nga Shqipëria për thashethemet. Ftohja e të dashurit do të fillonte nga Afrika me njohjen nga afër të popujve të lindjes dhe me mburrjen prej perëndimori se kishin krijuar një ideal të ndryshëm për besimin dhe për gruan.
Në vitin e katërt të studimeve Musineja eksploruese futet në rrugicat periferike të Romës dhe do zbulojë se mjerimi është gjithandej njëlloj dhe shfaqet në fytyrat e zbehta, sytë e zymtë dhe buzët e shtrënguara, te mjedisi i pistë me mure të rrjepur e shkarravina, te zhurma e rrugës ku s’ka trotuarë dhe tavernat ku burrat luajnë me letra. Musinesë iu bë ftesa për të shkruar për shtypin italian përshtypjet e një gruaje shqiptare në Itali që, me kërkesën e vëllait të vet, do të përmblidheshin më vonë në librin “Nënua plakë në Romë.”
Në mënyrë rastësore Musineja erdhi në Shqipëri dy ditë para 7 prillit 1939 dhe kjo kaloi pa ndonjë trazim të veçantë, por më 10 qershor 1940 Italia hyri në luftë dhe sirenat e alarmit u dëgjuan edhe në Romë. I dashuri shkoi në luftë në Libi dhe Egjipt, kurse Musineja përjetoi një vetmi të bukur: “Është kaq bukur të jesh vetëm, të përhumbesh në mendime… të ëndërrosh. Është zemra ajo që gëzon e kënaqet, pa e ditur arsyen. Shpirti përflaket në soditjen e modeleve hyjnore dhe kështu fisnikërohet. Atëherë është ndjenja ajo që zotëron pa dhënë arsye.” (f.191)
Drama e dashurisë e bën Musinenë më meditative për fatin që komandon ekzistencën tonë; për të vërtetën që është më pak e pëlqyeshme, por që të shëron; për lumturinë që është vetëm iluzion, prandaj nuk ia vlen ta kërkosh; për dashurinë që i duket si fantazmë aq sa i vë në dyshim dhe krijimet e poetëve dhe zhgënjimi prej saj i duket rrjedhojë e dobishme. “Qeshë zhytur në vetminë më të plotë… Flisja lirshëm dhe haptas me zemrën time, në një bashkëbisedim të thellë, në një monolog të ëmbël… synimi më i mirë dhe më i madh është që të bëhemi të aftë për veten dhe të mjaftohemi me veten.” (f.219)
Kjo botë meditative është tregues i një studenteje që pas maturimit ka filluar të shkelë në trasenë e pjekurisë. Njëzet provime për katër vjet, me nevojën e perfeksionimit të leximit dhe komunikimit në gjuhën italiane, me sfidën e fituar me latinishten, me mbrojtjen e diplomës me studimin për Naim Frashërin, janë esenca e viteve dhe jetës studentore. Shpesh kjo pjesë e jetës është çështje e privacisë, atë mund ta ruajmë si një thesar të çmuar që nuk do të hapet kurrë për botën. Hapja e saj kërkon shumë guxim dhe Musine Kokalari këtë forcë të pazakontë do ta demonstronte në kalvarin që përshkoi pas vitit 1946 deri sa mbylli sytë në vitin 1983.
(Libri me kujtime “Jeta ime universitare” i Musine Kokalarit, Vepra e zgjedhur 3, Tiranë 2017, f.125)