
Artan Kutra
Radio France International (RFI)/
Në përfundim të zgjedhjeve legjislative 2024 në Francë, deputetët e parë filluan të hyjnë në Asamblenë Kombëtare të Francës. Dyert e Pallatit Bourbon (Parlamentit) u hapën zyrtarisht në orën 14.00 për të mirëpritur disa nga 577 deputetët e legjislaturës së re.
Jo të gjithë deputetët e zgjedhur do të mbërrijnë në të njëjtën ditë. Deputetët e së majtës “La France insoumise” – “Franca e panënshtruar” kanë planifikuar të mblidhen të martën në mëngjes.
Një Asamble Kombëtare pa shumicë absolute.
Pas befasisë së zgjedhjeve legjislative ku u frenua qartë rritja e së djathtës ekstreme, Franca po kërkon tashmë një shumicë parlamentare përpara se të emërojë një personalitet të aftë si kryeministër për të bashkuar dhe udhëhequr një qeveri të re.
Është një kokëçarje e madhe, në një atmosferë politike të turbullt.
As Fronti i Ri Popullor (me rreth 190 vende), as Kampi Presidencial (me rreth 160 vende), e as Bashkimi Kombetar (me 140 vende) nuk mundën të arrinin shumicën absolute, pra që të kishin 289 deputetë. E majta ka nisur manovrat kryesore për të përzgjedhur brenda rradhëve të saj një kandidaturë për postin e kryeministrit. Kjo duhet të kristalizohet brenda kësaj jave. Sipas kreut të Partisë Socialiste, Olivier Faure, ka dy mënyra për të përzgjedhur kandidatin për kryeministër. Ose duhet gjetur një konsensus në rradhët e së majtës, ose duhet organizuar proçesi i votimit në mes tyre (të panënshtruarit, socialistët, të blertët dhe komunistët). Po në të njëjtat ujra të paqarta për momentin po lundrojnë edhe të djathtët e kualicionit të qendrës.
Pas përfundimit të balotazhit, kryeministri Gabriel Attal, mbërriti në Presidencë rreth orës 11 të mëngjesit për të paraqitur dorëheqjen e tij, në përputhje me traditën republikane. Por Macron ka refuzuar duke i kërkuar të qëndrojë në detyrë edhe për ca kohe, për të “siguruar stabilitetin e vendit”, ndërkohë që Parisi do të presë Lojërat Olimpike në më pak se tre javë. Pra nga këto zgjedhje legjislative u arrit t’i pritet rruga ekstremit të djathtë të Marinë Le Penit dhe Jordan Bardelës, por nuk është e thjeshtë të gjendet formula e bashkëjetesës midis presidentit Makron dhe kryeministrit të ardhshëm. Prej këtej do të qartesoheshin edhe rrugët e së ardhmes së Francës por edhe të politikës së jashtmë të saj.
Jashtë kufijve të Francës, situata politike ishte ndjekur me shumë vëmendje. Pothuajse të gjithë kryeministrat evropianë, liderët e forcave politike dhe diplomacitë e larta, i mbanin sytë tek vala e rritjes së ekstremit të djathtë dhe tek aftësitë për koalicionin e “Barrikadës” përballë ekstremeve.
Që nga Polonia e deri në Itali, nga Spanja në Gjermani, nga Brukseli e në Angli, të gjithë kërkonin të shquanin nuancat e ardhshme të Francës, të këtij vendi me pozitë të rëndësishme në Bashkimin Evropian.
Ndërsa në Lindje, Kremlini i njohur për simpatinë që kishte për Partinë e Le Penit, Bashkimi Kombëtar, tregoi se nuk kishte as “shpresën” dhe as “iluzionin” e një përmirësimi në marrëdhëniet e tij me Parisin.
Edhe Ballkani, Shqiperia apo Kosova nuk mund të shikonin pa vëmendje këtë proçes politik të fuqishëm të Francës në 4 javët e fundit.
Prej këtyre zgjedhjeve do të përcaktohej edhe një herë pozicioni dhe politika e jashtme e Francës dhe e Europës në lidhje me rajonin tonë.
Ishin zgjedhje me një rreze të gjerë influence në Evropé e në Ballkan.
Si reagoi Partia e Ekstremit të djathtë Bashkimi Kombetar ?
Ishte një surprizë dhe një zhgënjim për këtë parti të ekstremit të djathtë, duke pasur parasysh sondazhet e fundit paraprake që e nxirrnin në krye. Ishte një zhgënjim i papritur për këtë Parti të ekstremit té djathte të Marinë Le Penit dhe të Jordan Bardelës, që 4 javë më parë fituan zgjedhjet evropiane, dhe parashikonin të ngjiteshin për herë të parë edhe në pushtet.
Në kéto kushte, Marinë Le Penit, nuk i ngelet veçse të thotë se pas 1 apo 2 vjetësh do të vijë sërisht në skenën politike, me përpjekje më të mëdha, për të marrë postin e lartë të Presidentit.
E përsëri ngelet e hapur rruga e votës së popullit francez për të përcaktuar të ardhmen e tij, por në një farë mënyre edhe sferën e ndikimit më gjerë në Europë.