


Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by dgreca



by dgreca
-E gjeta …Tek rubrika e mirëmëngjesit, ku kryeministri shpalos si arritje qeveritare, meremetimin e një shtëpie kuvli, diku në një majë kodre, në afërsi midis Tiranës a Elbasanit. Në rastin e sotshëm, në fshatin Vajzë të Vlorës./

Nga Ilir Levonja/
Eshtë një nga ato shprehitë tashmë standarte në botën shqiptare. Emocionale, plot frymë, mjaft të themi diçka të madhe. E gjeta aty në atë dialogun midis qytetarëve tek faqja në FB e Edi Ramës. Tek rubrika e mirëmëngjesit, se si kryeministri shpalos si arritje qeveritare, meremetimin e një shtëpie kuvli, diku në një majë kodre, në afërsi midis Tiranës a Elbasanit. Në rastin e sotshëm, në fshatin Vajzë të Vlorës. E gjeta në ato gërr-vërret midis qytetarëve që sheshit janë të mbushur plot emocion. Më shumë nga xhesti se sa nga raporti që ka propaganda me realitetin. Kjo e dyta nuk ka asnjë rëndësi. Nuk ka se si gjen terren tek ne, jo, jo. Shqiptarëve në një pjesë dërrmuese më shumë u intereson propaganda se sa realiteti. Dhe këtë më mirë se kushdo tjetër e ka kuptuar Edi Rama dhe kasta e tij. Ndaj sot kemi një dominim total të përhapjes së lajmeve qeveritare përmes FB dhe ERTV. Nuk ka më konferenca shtypi televizive të drejtpërdrejta. Ku pyetje përgjigjet deri në konflikte verbale të dominiojnë javën dhe ta fusin në shina përditshmërinë e demokracisë sonë. Jo, jo asesi! Ka vetëm arritje ”madhështore” të ERTV-ës, FB së kryeministrit dhe atyre kronikave të mjaftistit Erion Veliaj. Një shpëlarje sociale që nuk ta takonte ta kishim si shanc, por ja që na ka zënë rrugën. Një bravo të madhe kryeministër, që po meremeton ato shtëpi kuvli. Që po konkurron atë çunin e rubrikës një fund javë ndryshe.
Nuk dua të më keqkuptojnë ata të cilët, nuk kanë shtëpi, apo nuk i kanë në gjendje të mirë. Dhe me siguri bien të flenë me dëshirën ëndërr se mos u troket në derë fati i Nikos nga Vajza e Vlorës. Dhëntë e dalshin ato ëndrra me sy hapur. Këto ëndrra llotari. Të më ndjejnë që në fillim se, e di se çfarë është mospasja. Ia njoh kurmin. Ia njoh grahmat. Por ia njoh më mirë propagandës dhe këtyre punëve me urra. I kërkoj ndjesë Nikos së lodhur nga hallet, që po ia përmend edhe emrin. I varfri qytetari, ngjante si një ndërmarrje grumbullimi, kurse kryeministri me atlete adiddas, edhe pse pa rruar i shkëlqenin qimet. I shkëlqenin atletet e bardha. E qeshura propogandë. Ky është raporti mes qytetarit dhe shqiptarit në ballkanin perëndimor. Në një vend të dhembshur me emrin Shqipëri. Propoganda është rrebesh që të vret me gjumë pambuku. Se si vijon më tej, me kameramanët që presin prapa derës së FB dhe ERTV-ës, së fundi edhe Twitter-it që aq në ”modë” është në Shqipëri, mbushet kuadrati i lajmeve.
Mund të jemi vendi kampion për mos pasqyrimin e realitetit se si nuk duhet. Dhe jo si duhet… Megjithëse në botën e madhe gazetarët debatojnë ashpër me shtetarët, siç qe dhe rasti i fundit i kronistit të CNN, Jim Acosta me të parin e shtëpisë së bardhë.
Sot në Vajzë të Vlorës qe një ditë me diell, ditë e bardhë. Dhe ajo shtëpi dhuratë rrezatonte. Por unë do të doja që kryeministri të shkonte aty në një ditë me shi. Dhe mundësisht me atleta. Sepse meremetimi i një shtëpie nuk është gjithçka. Nuk është zgjidhja. Këtë duhet ta ngulisni mirë në kokë. Por është edhe infrastruktura përqark, ajo që u mungon në masë periferive të qyteteve. Po fshatrave po e po. Se jeta jonë nuk ka vetëm ditë me diell. Ka edhe me shi, njomen këpucët, baltosen etj. Në tërësinë e arsyetimit e kam fjalën tek ajo që puna më e paqme për një shtetar, është ajo kur u jep mundësinë qytetarëve ta ndërtojnë e meremetojnë vet shtëpinë. Dhe ti u ndreq rrugët e të tjera shërbime sociale, sigurisht. Kjo mundësi është ai shkopi magjik që dërrmon propagandën. Dhe kjo ndodh kur qytetarët kanë punë, paga të mjaftueshme, siguracione a mundësi kreditimesh etj. Jo kur ata presin se mos u bie llotoja që kryeministri t’u meremetojë shtëpitë kuvli. Bëni ca llogari të thjeshta si qytetarë. Mos u kënaqni kurrë me atë që Rama i tha atij të llaçit nis ca muratorë e ca kamion me gurë e zhavorr dhe bëja shtëpinë filanit. Është robërim, varfërim më i keq se ai që po të mbyt. Eshtë marrja e erzit a e dinjitetit. Ti, ai, ju, nuk keni nevojë për dhurata lëmoshë. Po për punë, punë, punë dhe pikë.
by dgreca
Endrra e Platonit/
Volteri (1694-1778)
Platoni ishte ëndërrimtar i madh, dhe shumë të tjerë u bënë të tillë që nga koha e tij. Ai ëndërronte se qenia njerëzore fillimisht kishte qenë e dyfishtë; dhe se, si ndëshkim për paudhësitë, u nda në mashkull dhe femër. Platoni u përpoq për të provuar se nuk mund të ketë më shumë se pesë botë të përsosura, sepse ka vetëm pesë trupa të rregullt matematikorë. Republika e tij ishte një nga ëndrrat kryesore. Ai ëndërronte, gjithashtu, se zgjimi lind nga gjumi dhe gjumi nga zgjimi; dhe se një person i cili përpiqet të shikojë një eklips, si një kovë uji, me siguri do të verbohet. Ëndrrat ishin në atë kohë me reputacion të madh. Dhe kjo ishte një nga ëndrrat e tij jo më pak interesante — Ai mendonte se Demiurgos i madh, gjeometër i shkëlqyer, që kishte popullarizuar pafundësinë e hapësirës me botë të panumërta, vendosi të bënte gjykimin e njohurive të personave që kishin qenë dëshmitarë të veprave të tij. Ai i dha secilit prej tyre një pjesë të vogël të çështes për ta zgjidhur, pothuajse në të njëjtën mënyrë si Phidias dhe Zeuxis do t’u jepnin të pranishmëve nga një statujë për të gdhendur ose një pikturë për të pikturuar, nëse mund të lejohemi t’i krahasojmë gjërat e mëdha me të voglat.
(Shqipëroi Astrit Lulushi)
by dgreca
Shtëpia e Bardhë shënon për të dytin vit Ditën Kombëtare të Viktimave të Komunizmit/
NGA FRANK SHKRELI/
Deklarata e Shtëpisë së Bardhë mban datën e 7 Nëntorit 2018, ditës që Shtëpia e Bardhë ka vendosur për të dytin vit, t’ia kushtojë viktimave të komunizmit në botë. “Në Ditën Kombëtare të Viktimave të Komunizmit, ne nderojmë kujtimin e më shumë se 100-milionë vetave të vrarë dhe të persekutuar nga regjimet totalitare komuniste”, në mbi 40 vende të ndryshme të botës. “Ne ritheksojmë mbështetjen tonë të patundur ndaj atyre të cilët luftojnë për paqe, begati dhe liri, anë e mbanë botës”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, të shpërndarë për medien, më 7 Nëntor, data që shënon ditën e Revolucionit Bolshevik në Rusi.
Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë nënvizohet se, “Që prej Revolucionit Bolshevik të vitit 1917 në Rusi, ne kemi qenë dëshmitarë të pasojave të anktheve të mëdha, shtypjeve dhe vdekjeve të shumta. Komunizmi ka përfunduar në eliminimin e lirisë së fesë, të pronës private dhe të lirisë së fjalës. Këto tmerre kanë përfshirë vrasjet e qëllimshme të ukrainasve duke përdorur urinë si mjet eliminimi të tyre gjatë Holodomorit, përndjekjet e mëdha të rusëve gjatë Terrorit të Madh; zhdukjen e kamboxhianëve në fushat e eliminimit dhe vrasjen e qytetarëve të Berlinit ndërkohë që përpiqeshin të arratiseshin nga komunizmi gjermano-lindor për në liri në ish-Gjermaninë Perëndimore. Këto viktima dhe vuajtjet e tyre janë një dëshmi e gjallë e një fakti të pamohueshëm, se komunizmi do të jetë përgjithmonë shkatërrimtar ndaj shpirtit të njeriut dhe ndaj begatisë së njerëzimit”, theksohet në deklaratën me rastin e Ditës Kombëtare të Viktimave të Komunizmit.

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë përfundon duke u kujtuar amerikanëve se, “Sot ne kujtojmë të gjithë ata, të cilëve u janë mohuar bekimet e mëdha të lirisë, nën regjimet shtypëse komuniste. Së bashku ne mbajmë zi, duke kujtuar humbjet e mëdha që shumë prej tyre kanë pësuar nën komunizëm dhe njëkohësisht të angazhohemi rishtas për të vazhduar përpjekjet tona për avancimin e kauzës së lirisë dhe të mundësive për një jetë më të mirë, për të gjithë”, përfundon deklarata zyrtare e Shtëpisë së Bardhë, me rastin e Ditës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, kushtuar viktimave të komunizmit në botë, më 7 nëntor 2018. Vendimi për të kujtuar artë nga 100 milionë viktimat e komunizmit botëror në nivel kombëtar këtu në Shtetet e Bashkuara ishte marrë vitin që kaloi nga Shtëpia e Bardhë e Presidentit Trump, me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik, më 1917-n.
Në atë përvjetor vitin e kaluar, në gazetën “Telegraf” kisha shënuar se në Washington u organizuan ceremoni dhe konferenca akademike ku morën pjesë ekspertë dhe historianë nga e mbarë bota, për të kujtuar krimet e komunizmit anë e mbanë botës. . Ishte me atë rast që administrata e Presidentit Trump kishte vendosur që të caktonte datën e 7 Nëntorit, të ditës së Revolucionit Bolshevik Rus, si një datë kujtese për miliona viktimat e komunizmit në botë – një revolucion Bolshevik ky, që sipas deklaratës së parë të Shtëpisë së Bardhë mbi këtë ditë përkujtimore botuar vitin e e kaluar – “shënoi fillimin e disa dekadave të errëta të komunizmit shtypës,një ideologjie politike, e papajtueshme me lirinë, begatinë dhe dinjitetin e jetës njerëzore”, thuhej në deklaratën e vitit të kaluar të Shtëpisë së Bardhë me të cilën u njoftua shpallja e 7 Nëntorit si Dita Kombëtare e Amerikës kushtuar Viktimave të Komunizmit në botë.“Gjatë shekullit të kaluar”, thuhet më tej në atë deklaratë “Regjimet totalitare komuniste anë e mbanë botës kanë vrarë më shumë se 100 milionë veta dhe kanë shfrytëzuar, dhunuar dhe shkaktuar dëme të papërshkrueshme për miliona të tjerë. Këto lëvizje, nën pretendimin se ishin lëvizje çlirimtare kombëtare, në të vërtetë, kanë shkelur, sistematikisht, të drejtat e njerëzve të pafajshëm, dhënë atyre nga Perëndia, siç janë liria e fesë, liria e asociimit dhe një numër lirish të tjera bazë të njeriut që ne i konsiderojmë si të shenjta.

”Siç dihet, deri vitin që kaloi, Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur një ditë të tillë, kushtuar viktimave të komunizmit, ndoshta për arsyen logjike se në Amerikë nuk ka pasur viktima të komunizmit. Por u vendos data e 7 Nëntorit, ditës së Revolucionit Bolshevik rus, për të kujtuar viktimat e komunizmit kudo në botë. Sivjet, Shtëpisë së Bardhë iu bashkëngjit edhe shteti Virxhinia, ligjvënësit e së cilës vendosën marsin që kaloi, që në shtetin Virxhinia të shpallet gjithashtu 7 Nëntori i këtij viti dhe për vitet në vijim, si dita e kujtimit të viktimave të komunizmit në botë. Ka gjasë që edhe shtete të tjera të ndjekin shembullin e Virxhinias.

Me këtë rast dua të përsëris thirrjen time për të disatën herë, se edhe Shqipëria e Kosova, si dy vende që kanë vuajtur më së shumti nga komunizmi, që udhëheqësit aktualë të tyre, të bëjnë diçka simbolike për të kujtuar viktimat e komunizmit – duke caktuar, të pakën një ditë në kalendarin vjetor, kushtuar viktimave të komunizmit – ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore. Ky duhet të jetë një obligim solemn mbarë kombëtar shqiptar, një angazhim serioz dhe i pa hile i autoriteteve qeveritare dhe shtetërore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në qoftë se kombi shqiptar dëshiron të shkojë përpara, krah për krah, me kombet që kanë vuajtur nga komunizmi dhe të shënojë një pajtim të vërtetë kombëtar. Një vendim i tillë zyrtar për të kujtuar viktimat e komunizmit në trojet shqiptare – duke caktuar një ditë kushtuar kujtimit të tyre – kërkon kurajë morale, vendosmëri dhe vullnet serioz për të kujtuar ato viktima të pafajshme, të një regjimi ilegal dhe shtypës. Përcaktimi i një dite kushtuar viktimave të komunizmit në trojet shqiptare, do të lehtësonte gjithashtu edhe përballimin aq të nevojshëm të politikës dhe të shoqërisë shqiptare, me të kaluarën komuniste dhe do të ndihmonte edhe në zbardhjen e krimeve të komunizmit, kësaj ideologjie çnjerëzore,të një regjimi të imponuar sllavo-aziatik mbi Kombin shqiptar.


by dgreca
Në Shqipëri ministria e Brendshme njoftoi sot se ka vendosur të shpallë “persona non grata” dhe t’u ndalojë për pasoje hyrjen në të ardhmen në territorin shqiptar 52 shtetasve grekë, të cilët morën pjesë dje në ceremoninë mortore të minoritarit 35 vjeçar Kostandin Kacifas, i cili mbeti i vrarë disa ditë më parë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë në Bularat të Gjirokastrës. Sipas zëvendës ministrit të Brendshëm Sandër Lleshi masa ndaj tyre është marrë “për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike të këtij vendi”.
Tonet e forta nacionaliste dhe thirrje antishqiptare, mbizotëruan përgjatë ceremonisë së varrimit mesditën e së enjtes në Bularat nga qindra pjesëmarrës të ardhur kryesisht nga Greqia. Një grup pjesëmarrësish në kortezhin mortor shfaqi një flamur në përmasa të mëdha ku shkruhej “Vorio Epiri është Greqi” dhe “Maqedonia është Greqi “. Sipas organizatorëve flamuri ishte shpalosur në demostratat kundër marrëveshjes greko-maqedonase për emrin e Maqedonise në Athinë e Selanik pak kohë më parë ku Kacifas kishte qenë pjesëmarrës. Koret në ceremoni krahas toneve luftarake dhe heroizuese përmbanin edhe thirrje antishqiptare madje edhe ndaj gazetarëve shqiptarë që po përcillnin ngjarjen. Pas varrimit një grup pjesëmarrësish bllokoi për pak minuta segmentin që lidh Gjirokastrën me Pikën e Kakavijës dhe më pas vargu i makinave dhe autobuzëve u rikthye drejt Greqisë.
Pas ceremonisë mortore, policia shqiptare njoftoi mbrëmë se ka proceduar penalisht dy shtetas grekë për nxitje të urrejtjes dhe ka shoqëruar në mjediset e policisë, 12 shtetas të tjerë, 6 grekë dhe 6 minoritarë, ndaj të cilëve po kryhen veprime proceduriale nga Prokuroria shqiptare. Policia e Gjirokastres tha se ka bllokuar materiale që nxisin urrejtjen dhe se atyre u janë gjetur dhe sekuestruar: maskë ngjyrë e zezë; flakadanë; flamuj me mbishkrimin “Vorio Epiri”; A.H 1914; bluza me mbishkrimin Vorio Epiri AH1914, “Ethniko Metepo”, “Misos” dhe 2 aparate celularë. Të gjithë u lanë të lirë sot në mëngjes dhe do të ndiqen në gjendje të lirë.
Zëvendësministri Lleshi deklaroi se e konsideron “të papranueshëm, provokimin sa vulgar, aq edhe të rrezikshëm që iu bë dje shtetit shqiptar e qytetarëve të tij pa dallim, nga individëve e grupe të caktuara të ardhura nga Greqia, të cilët shpërdoruan respektin tonë ndaj normës tradicionale shqiptare të hapjes së dyerve të një familjeje në zi dhe e kthyen një ritual përbashkues varrimi, në një shfaqje të pa tolerueshme ekstremizmi”. Zoti Lleshi shtoi se “sskush nuk duhet ta marrë urtësinë tonë për dobësi dhe asnjë i huaj nuk mund të shkelë pa u përballur me pasojat, ligjin dhe traditat e mikpritjes së këtij vendi”.(Kortezi-Zeri i Amerikes)