• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DOM FRAN KOLAJ NDEROHET NGA KRYEMINISTRI HARADINAJ

October 16, 2018 by dgreca

DOM FRAN KOLAJ NDEROHET NGA KRYEMINISTRI RAMUSH HARADINAJ ME MEDALJEN E GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT/1 Ramush haradinaj-“Për kontributin e tij madhor në shërbim të atdheut dhe kombit, në kultivimin e vlerave të traditës shqiptare dhe në forcimin e unitetit të popullit tone”…./

Prifti i devotshëm për Atdhe e Fe, dom Fran Kolaj, ish famullitari i Kishës Katolike Shqiptare “ShënPali” në Detroit, tash Misionar në famullinë e Gllogjanit, është vlerësuar si Misionar atdhetar i përkushtuar.

Dom Fran Kolaj, është nderuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj me medaljen simbol të Heroit Kombëtar. Lajmin e bëri të ditur në faqen e  tij në facebook vetë Kryeministri z. Ramush Haradinaj, i cili shkroi: “Për kontributin e tij madhor në shërbim të atdheut dhe kombit, në kultivimin e vlerave të traditës shqiptare dhe në forcimin e unitetit të popullit tonë, pata kënaqësinë ta nderoj Dom Franë Kolaj me medaljen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.”

Dom Fran Kolaj mbetet një mik e bashkëpunëtor i devotshëm i vatranëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur ishte në Famulline e Kishës së Shën Palit në Detroit ai bashkëpunoi ngushtësisht me degën e Vatrës atje. Po ashtu ai ka mbajtë marrdhënie të ngushta me Federatën Vatra, qendrën e saj në Nju Jork. Dom Frani ka marrë pjesë në shumë veprimtari të Vatrës dhe Diellit. Ai ishte pjesë edhe i koferencës shkencore kushtuar 100 vjetorit të gazetës Dielli, organizuar në qershor 2009 dhe në veprimtari të mëvonshme të Vatrës.

Dekorimi nga Kryeministri i Kosovës i dom Fran Kolaj është pritur shumë mirë nga shqiptarët e Amerikës, veçanërisht nga vatranët. Dega e Vatrës në Michigan komentoi me fjalë të ngrohta këtë vlerësim që Kryeministri Haradinaj i bëri misionarit të devotshëm për fe e atdhe. Vatranët e Michiganit shkruan në faqen e facebook-ut: I dashur Dom Fran Kolaj, urimet më të përzemërta për dekorimin tëvijnë nga vëllezërit dhe motrat tuaja, Vatranët në Michigan.
Medalja: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu,- Kjo është një dekorate që Ju e keni merituar shumë kohë më parë,erdhi në kohën e duhur,dhe për këtë e falenderojmë shumë mikun tonë, Kryeministrin e Kosoves, Z Ramush Haradinaj”…

Edhe miqtë e tij po në Detroit, Alfons Grishaj dhe bashkëshortja Mirela Grishaj, e kanë pritur me gëzim këtë vlerësim të dom Fran Kolaj prej Kryeministrit të Kosovës. Ata komentuan vlerësimin e kryeministrit në fb: “Lavdia e Zotit ështëe pakufijshme. Meshtari atdhetar sjell fjalën e lavdishme tëHyut , dhe Kombit aureolen mbrojtëse. Ka gjëmëmadhështore se kjo?
Prandaj , pjesa e asaj aureole qe u djersit për Komb tëtakon dhe ty o miku ynë.
Prandaj ,falenderoj Kryeministrin Haradinaj për vlerësimin e lartëqëJu ka akorduar.
Mik i dashur , lutu per ne mekatnorët…!”
Alfons dhe Mirela Grishaj

Federata Vatra dhe Gazeta Dielli i përcjellin urimet më të ngrohta shërbestarit të Kombit dhe të Fesë dom Fran Kolaj duke besuar se kjo medalje e akorduar nga Kryeministri Ramush Haradinaj do ta kurajojnë atë për ta uar më tutje Misionin për Atdhe e Fe.(Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Dom Fran Kolaj, Kryeministri Haradinaj, Medalja

Vrima të zeza

October 16, 2018 by dgreca

-….kur qeveria kontrollon shtetin, ligjet kontrollojnë ato që mendojmë në vend që të merren me ato që bëjmë. Kështu, mendimi i lirë përndiqet. Persekutimi i mendimit e transformon njeriun. Brenda kësaj qelie izolimi, ai provon metamorfozë; mund të shndërrohet në bandit e terrorist, ose ikën, arratiset, strehohet në një vend të lirë ku mund të transformohet në çdo gjë që do a mendon se mund të bëhet…/3-Astrit-Lulushi-286x300-2-250x262-1Nga Astrit Lulushi/
Mos lejoni që frika t’ju ndalojë. Mos u frikësoni nga talljet ose censura. A nuk është detyrë njerëzore për të qenë në paqe me veten? Censorët seç kanë një indinjate morale – një ndjenjë të rrezikshme dhe çorientuese. Ata janë tiranë të vegjël, me terren e aftësi të kufizuara. Duke u trembur nga arsyet e vërteta të indinjatës së tyre, me sjellje e veprime, ata mbrojnë veten nga frika se mund të manipulohen për gjërat që nuk i parashikojnë.
Opinioni i gabuar mund të tolerohet kur arsyeja lihet e lirë për ta luftuar. Por kur qeveria kontrollon shtetin, ligjet kontrollojnë ato që mendojmë në vend që të merren me ato që bëjmë. Kështu, mendimi i lirë përndiqet. Persekutimi i mendimit e transformon njeriun. Brenda kësaj qelie izolimi, ai provon metamorfozë; mund të shndërrohet në bandit e terrorist, ose ikën, arratiset, strehohet në një vend të lirë ku mund të transformohet në çdo gjë që do a mendon se mund të bëhet. Mendja e tij, dikur e burgosur, çlirohet nga frika. Kjo është arsyeja që njeriu në diasporë ndryshon, duke e rritur cilësinë e jetës së tij. Por në shumë raste, njerëzit e diasporës priten me dyshim, zili, smirë kur kthehen në vendin e tyre të parë. Dijet që ata kanë fituar në vendin e lirë, ndeshen me zbrazëtirën e mendjes në errësirë, e cila vepron si një vrimë e zezë kozmike që thith çdo dritë apo të gjitha energjitë e tyre. Eshtë e kotë të synosh diçka kur e di se kurrë nuk do ta arrish. Njësoj ndodh kur mendimi i lirë mbillet në tokë të djerë; punë e kotë, pa rezultat, kthehet çdo përpjekje e tyre.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi, Vrima të zeza

Fjala s’është e verbër

October 15, 2018 by dgreca

1 Petraq Risto

-Rreth vëllimit poetik “Piktura në fjalë” të autores amerikane Carrie Hooper-/

1 Petraqi dhe poetja.JPG

Nga Petraq Risto/

“E para ishte Fjala”, shkruhet në Dhjatën e Vjetër. “Qytetërimi zuri fill kur një person i zemëruar hodhi fjalën në vend të gurit.”, shprehet Sigmund Frojd. “I peshon fjala”, thotë shprehja popullore për njeriun e mençur. Fjala është një organizëm i gjallë: merr frymë, dashuron, urren, lufton, guxon, lodhet, fiton, lumturohet. Fjala shikon gjithçka. Fjala s’është e verbër. Këto mendova fillimisht kur sapo mora në dorë librin poetik të Kerri Huper “Piktura në fjalë”, publikuar nga shtëpia e njohur botuese në Prishtinë, “Buzuku” (ja, si rastësisht na shfaqet dhe “Meshari” i Gjon Buzukut, libri i parë në gjuhën shqipe)… “Jam nga Shqipëria”, tha studenti im. Kush do të kishte menduar, tri fjalë kaq të vogla mund të kishin pasur një ndikim kaq të madh mbi një jetë?”, kujton autorja në parathënien e saj.

Jeta e Kerri Huperit më ka bërë përshtypje të veçantë. Të trondit forca e saj, energjia e brendshme që çliron, dashuria që ushqen për njerëzit në përgjithësi dhe miqtë e saj, në veçanti; sakrificat e panumërta për të arritur gjer në thelbin e synimit të saj, pasioni për të zbuluar të rejat e kësaj bote, ngulmimi për të mësuar gjuhët e huaja e për të komunikuar lirshëm në këto gjuhë. Në këtë ngulmim titanik, Kerri Huper kthehet në një shembull për t’u pasur zili. Nëpërmjet këtij ngulmimi, jo vetëm ajo, por edhe ne kuptojmë se Fjala s’është e verbër, Fjala ka shikim të thellë, sugjestionues. Fjala në librin e Kerri Huperit ka peshë të veçantë, ka ngjyresa emocionale, ka dritën e shpirtit të saj. Ajo përgjithësisht në të gjitha poezitë është e drejtpërdrejtë, e hapur, e kthjellët. Në të shtatë ciklet e këtij vëllimi, spikat shpirti i saj i lirë, dashuria për njeriun. Në dy ciklet e para Kerri është shqiptare e vërtetë, ajo këndon, gëzon, shpërthen me një temperament shqiptar, përdor thuajse gjithnjë vetën e parë: : fëmijë i Shqipërisë në shpirt dhe zemër jam”, “Flamuri ynë i çmuar”, “Sa kërcen shpirti i Arbrit kur gjuhën e paprishur dëgjon!”.

Kerri Huper ka gjetur sekretin që nëpërmjet gjuhëve të popujve të ndryshëm të arrij në zemrën e Dashurisë, në zemrën e të vërtetave të mëdha. Ajo tashmë është një misionare e Dashurisë. Poezitë në ciklet “Të vërtetat thelbësore”, “Vallja e paqes”, “Jeta: një poezi hyjnore”, “Këngë filozofike” dhe “Koncerti i natyrës” përcjellin te lexuesi gjithë dritën e shpirtit të saj dhe hera herës poezi, strofa apo vargje të veçantë, na tingëllojnë si psallme. Kjo poezi shpesh ka karakter universal; edhe kur proteston, edhe kur përcjellë dhembje autorja është e kujdesshme, nuk do të lëndojë njeri dhe shpesh vargjet kthehen në balsam. E lexon apo e dëgjon të recitohet dhe ndjehesh i qetë, mes një atmosfere paqësore, të ngrohtë dhe padashur kupton se poetesha të është kthyer në një motër. Natyrisht nuk është e lehtë të përjetosh një gjendje të tillë. Këtë e bën vetëm një krijues që çliron mirësi.

Kerri Huper ka shumë miq, anëekënd botës. Ka dhe shumë miq shqiptarë. Disa poezi të këtij vëllimi janë me përkushtim, ku autorja shpreh mirënjohje, rrespekt, adhurim. Këtë e bëjnë ata poetë që dinë ta pjesëtojnë Shpirtin dhe ta shumëzojnë Dashurinë.

Disa nga miqtë e Kerrit janë dhe miqtë apo të njohurit e mi. Rastësi e bukur! Me piktorin Dashamir Gurabardhi jam mik, njihemi që në rininë e hershme në Durrësin tonë të bukur. Tani në emigracion, ka rreth dy vjet që takohemi shpesh, pimë kafe, flasim për letërsinë dhe artin, për gëzimet dhe hallet tona. Ai më ka folur dhe për babain e tij, atë orëndreqësin mjeshtër që Kerri i kushton poezinë e ngrohtë “Orëndreqësi”.

Po në Durrës kam njohur Mira Krujën e vogël, e bija e Pertef Krujës, atëherë drejtor i bibliotekës së Durrësit, një intelektual i kompletuar, me kulturë të gjerë, një burrë fisnik. Para disa vitesh shtëpia ime botuese “Globus R.” nën kujdesin e familjes së Pertefit, botoi romanin e tij “Brezi krahëthyer”. Janë të shumta përkthimet e babait të Mirës, mjaftojmë të kujtojmë “Ditari i Ana Frankut”, “Kryqi i shtatë” i Ana Zegers, apo baladat e famshme të Gëtes, ku spikat poezia “Mbreti i Tulës” dhe shqipërimi i Pertef Krujës më ka pëlqyer po kaq shumë sa dhe përkthimi i Mjedës. Në poezinë “Artiste e bekuar” kushtuar pianistes shqiptare Mira Kruja, Kerri shkruan:

Me ngjyrat e tingujve të pianos

Që nga duart e tua engjëllore burojnë

Ti çdo ndjenjë pikturon: trishtimin, gëzimin, pasionin, dashurinë…

Te poezia “Për Isuf Luzajn”, poetesha ngre lart figurën e këtij personaliteti të madh të letrave shqipe, duke e quajtur “Tempull i dijes”, apo “korife i atdhetarizmit për çlirimin e shqiponjave të robëruara”.

Më poshtë vazhdon me një metaforë të goditur:

“Mirëpo nga rrushi i fatkeqsive një verë të ëmbël prodhove

Duke ndriçuar universitetet amerikane me zgjuarsinë tënde”

Me të birin e Isuf Luzajt, poetin Dalan Luzaj, jam mik në facebook. Natyrisht Isuf Luzajn e kam njohur nëpërmjet krijimtarisë së tij: një intelektual i klasit të parë, të cilit i takon një vend i nderuar në panteonin e letrave shqipe. Me mikun tim, poetin e njohur dhe redaktorin sqimatar Xhevat Beqaraj, me të cilin punonim çdo ditë në sallën e Bibliotekës Kombëtare, Tiranë, ku ai merrej intensivisht me përgatitjen për botim të shumë librave të Isufit nga shtëpia e njohur botuese “Ombra GVG”, kemi folur shpesh rreth kësaj figure të madhe, krijimtarinë voluminoze të të cilit Xhevati e njihte shumë mirë dhe e quante “një krijues me shpërthim vullkanik”.

Kam njohur dhe disa nga të afërmit e Simon Dedvukajt, që u vra nga sulmi terrorist i 11 shtatorit, të cilit Kerri Huper i kushton poezinë e ndjerë “Malësori krenar”

Shpirt i tronditur nga të gjitha pse-të, pa asnjë përgjigje logjike…

Thelbin tënd as tmerri më i egër nuk e vrau dot.

Kështu mund të ndalesha dhe te poezitë e tjera që i kushtohen Nënë Terezës, Merita McCormak, kamarieres Njomza, familjes shqiptare në Kanada, etj. dhe për të gjithë, ajo shprehet thjeshtë, me respekt e mirënjohje, pa zbukurime të tepruara. Sepse poetesha Huper e njeh thelbin e shpirtit njerëzor, i njeh plagët dhe di që fjalën e saj poetike ta kthejë në melhem për këto plagë. Në shtatëdhjetë poezitë e këtij vëllimi buron mirësi, sinqeritet, dritë dhe ngjyra. Fjala e Kerri Huper sheh shumë qartë.

E falenderoj Kerrin për punën e saj titanike për të ngjitur këto shkallë të vështira! Falenderoj botuesin Abdullah Zeneli për këtë libër të veçantë dhe cilësor edhe nga ana tipografike! Falenderoj zotin Adnan Mehmeti që ka bërë një punë tepër serioze në përgatitjen e këtij vëllimi!

Së fundmi, e uroj dhe e falenderoj autoren edhe në emër të vajzës time të madhe, Sidorelës, e cila ashtu si ajo, është poete dhe pianiste dhe shpresoj që shumë shpejt ju të dy të takoheni si dy intelektuale, si dy shoqe, si dy motra.

Nju Xhersi, 14 tetor, 2018

Filed Under: Featured Tagged With: carrie hooper, Fjala s’është e verbër, Petraq Risto

PROJEKTI PËR HEROIN KOMBËTAR PREZANTOHET NË VATËR

October 15, 2018 by dgreca

1 a a luani spjeg1 a ball Tashi1 Bujar vani1 a murale1 faqe dyshe1 Portret Gjevukaj1 a dalipi em ciftin1 luani me zonjen
Nju Jork, 15 tetor 2018- Sot, e Hënë 15 tetor, Luan Tashi, Grafic Desjner në Kosovë, ishte për vizitë në selinë e Vatrës dhe prezantoi projektin e tij të titulluar”Portrete të Skënderbeut gjatë shekujëve”. Libri, që nuk është vetëm një album fotografish, portrete e tablosh për heroin kombëtar, por dhe një histori e shkruar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, e ka marrë dorën e fundit që në korrik 2018, dhe pas printimit të një kopje treguese, është gati për botim.
Autori ka punuar më shumë se 3 vjet në projektin e tij voluminoz prej më shumë se 670 faqesh dhe ka vizituar për këtë qëllim galeri, muze, arkiva të kryeqendrave të Europës dhe ka sjellë portrete dhe tablo interesante, duke dhënë spjegime për seiclin, për autorin, kohën kur u realizua etj. Përvec grafikave bardh e zi, përmendoreve, busteve, në libër gjenë portrete interesantë, shumica me ngjyra dhe që shquhen për rezolucion të lartë.Punimet jane paraqite sipas kohepunimit dhe vijne sipas shekujve kur u krijuan.
Projekti është përgatitë në kuadër të Vitit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Autori, që për profesion ka Art Graphic Designe, ka sjellë një punim serioz që mertiton vëmendjen e institucioneve përkatëse në Kosovë dhe Shqipëri dhe ka nevojë për mbështetje.
Autori u prit nga Editori i diellit, Dalip Greca.(Per me shume fotografi shkoni ne Facebook-dielli vatra)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Luan tashi, Projekt per Heroin Kombetar

PRIORITETI I SHQIPTAREVE, BASHKIMI KOMBETAR

October 15, 2018 by dgreca

Prioritet mbi prioritet vetëm bashkimi, jo “neo-osmanizmi”,  nuk është çështje e shqiptarëve/

 Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI/1 Mehdi_Hyseni

Prioritet mbi prioritet bashkimi kombëtar, jo “neo-osmanizmi”,  nuk është çështje e shqiptarëve-

*** Detyrë dhe përgjegjësi morale, profesionale dhe kombëtare e çdo shkencëtari,  studiuesi, analisti, publicisti dhe gazetari, është që të pohojë, të shkruajë  dhe ta mbrojë të vërtetën, jo ta shtrembërojë dhe ta sakrifikojë për interesa të ulta meskine personale, ideologjike, politike, mafioze, grupore, partiake, karrieriste dhe latifundiste. –Flerti me të vërtetën është tradhti dhe përgjegjësi ndaj së vërtetës, ndaj ndërgjegjës njerëzore, ndaj profesionalizmit, ndaj interesit të përgjithshëm kombëtar, si dhe ndaj humanizmit  dhe drejtësisë si vlera universale.  

-JO stretegjisë së frikësimit dhe të dezinformimit të kombit shqiptar, me qëllim të shpërqendrimit nga sundimi i kolonializmit gjenocidal sllav (1878-2018) !

Duhet ta themi të vërtetën se pas përfundimit të Luftës së Ftohtë mes dy superfuqive botërore, SHBA-së dhe BRSS-së ( 1989-2018) shqiptarët ende nuk kanë pranuar kurrfarë oferte zyrtare nga politika dhe nga diplomacia e Anakarasë, që të mbështesin  strategjinë dhe doktrinën e  “neo-osmanizmit”. Mirëpo, nëse pranojnë një ofertë tillë për shqyrtim, dihet se cila, do të ishte përgjigjja e Tiranës dhe Prishtinës,  një JO e Skënderbeut dhe e Ismail Qemalit, sepse shqiptarët përjetësisht   fatin e tyre e kanë të lidhur me Evropën Perëndimore dhe me Amerikën, JO me  Turqinë, as me Rusinë, as me   satelitët e saj  të Ballkanit, të Evropës Juglindore, as me vededet e Afrikës  e as të Azisë.

Prandaj, nuk kemi pse të frikësoemi, të preokupohemi dhe të bëhem robër të propagandës zhurmuese sllave dhe filosllave të “neo-osmanizmit”, sepse ky fenomen nuk ka asnjë gjasë reale, që të ringjallet në katër vilajetet shqiptare, të cilat dikur ishin nën sundimin e Perandorisë Osmane (1385-1912). Pra, mos u friksoni nga propagandimi i “neo-osmanizmit”, por nga kolonializmi dhe nga neokolonializmi gjenocidal sllav. Ky është rreziku permenant dhe varri i hapur i shqiptarëve të copëtuar dhe të aneksuar nga amalgama sllavo-bizantine (1878-2018). Ndërrimi i kësaj teze justifikon dhe legalizon politikisht dhe juridikisht kolonializmin dhe neokolonializmin gjenocidal sllav mbi gjysmën e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike.

  -Po, supozojmë se, edhe sikur të ishte i shpërfaqur “neo-osmanizmi” (teorikisht  dhe praktikisht) hëpërhë  shqiptarët nuk janë superfuqi ballkanike e as evropiane, që të luftonin në pesë (5) fronte me pesë (5) kundërshtarë në të njëjtën kohë, sepse ky do të ishte epilogu tragjik për lirinë dhe për vetëvendosjen e  kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan.

Mirëpo, pavarësisht nga spekulimet dhe nga dezinformimet  me “pompë” të  “politikës matematikore” të   qendrave të ndryshme kishtare dhe shtetërore të aleancës sllave ballkanike dhe të eksponentëve të tyre “kujdestarë” në përhapjen e strategjisë së frikësimit nga “neo-osmanizmi” as shqiptarët, as kroatët e as popujt e tjerë josllavë në rajonin ballkanik nuk kanë pse të frikësohen nga një “fantazmë” e tillë e paragjykuar, e ekzagjeruar dhe e dramatizuar  ( me qëllim që sa më parë shqiptarët t’i fusin në luftë me Turqinë, sepse kjo do të ishte strategjia  më e sigurt  dhe më e leverdishme politike dhe gjeopolitike, që Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia ta “konservonin” edhe më tej kolonializmin gjenocidal të tyre mbi gjysmën e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike), SEPSE  Ballkani nuk është më  zonë e kontrolluar vetëm nga Turqia si dikur para 600 vitesh, por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga aleatët e saj të Evropës Perëndimore (Gjermania, Britania e Madhe, Italia dhe Franca), si dhe nga Rusia.

Prandaj, pavarësisht nga propaganda perfide sllavo-bizantine dhe kusilinge në “elektrizimin” dhe në provokimin  shumëtehësh të shqiptarëve, se gjoja “ka ardhur koha të dalin në mal për ta luftuar neo-osmanizmin”, ne nuk duhet të bijmë viktimë e kësaj propagande  serbo-greke antishqiptare, sepse realisht as në afat të shkurtër e as në afat të gjatë nuk ekziston asnjë shans më i vogël, që të vijë në shprehje “neo-osmanizimi” e as “sllavizimi” i Ballkanit mbase ky, tanimë është zonë e sferës së interesit

PERËNDIMOR (AMERIKA, GJERMANIA, BRITANIA E MADHE, FRANCA DHE ITALIA) dhe e atij LINDOR (Rusia).

 Ndaj si politika, diplomacia, ashtu edhe propaganda masmediale shqiptare nuk preferohet, që të  “karrabythen” me të,  sepse nuk është detyrë e as përgjegjësi e tyre kinse  për “korrigjimin” e “neo-osmanizmit”, në asnjë fromë,  sepse,  nëse ky fenomen ekziston si i tillë ka të bëjë vetëm me politikën e brendshme  të Turqisë, jo të Shqipërisë e as të Kosovës.

 Prandaj, para së gjithash dhe, mbi të gjitha objektiv prioritar i interesit të përgjithshëm nacional, duhet të jetë shkolonizimi dhe ribashkimi  i Shqipërisë Natyrale, JO hapja e ndonjë konflikti eventual me Turqinë, sepse kjo do të ishte fitorja më e madhe e aleancës ortodokse sllave me Rusinë në krye ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë Etnike në Ballkan.

Për krijimin e një konflikti të tillë mes shqiptarëve dhe Turqisë, qe më se një shekull janë duke punuar  intensivisht “fabrikat”  dhe “kuzhinat” politike dhe propagandistike të  kishave ortodokse të Athinës dhe të Beogradit, me qëllim që të fitonin aleatin e pestë-Turqinë për luftimin e shqiptarëve në Ballkan.

Mirëpo, shqiptarët nuk duhet të jenë aq naivë dhe mendjelehtë, që t’i fryjnë një zjarri të tillë serbo-grek (kinse për ta luftuar “neo-osmanizmin”), sepse do të digjeshin në flakën e tij sikurse më 1878,  1912, 1913, 1919, 1945, 1989 dhe më 1999, kur Slobodan Milosheviqi me ndihmën, me mësimet dhe me bekimin e Kishës Ortodokse  Serbe dhe të Kishës Ortodkse Greke, bëri 3 gjenocide kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës (1989-1999).

Jo konflikt, por bashkëpunim dhe miqësi me Ankaranë

 Deri tani kemi dëshmuar se ne  nuk duan kurrfarë konflikti me Turqinë, sepse  mjaft i kemi mbi kokë 4 armiq shekullorë sllavë ballkanikë, të cilët edhe sot mbajnë në sundimin e tyre kolonial mbi 3 milionë shqiptarë dhe më se gjysmën e Shqipërisë etnike (1878-2018). Ky është problemi  i shqiptarëve, JO “neo-osmanizmi” i imagjinuar  dhe i fabrikuar sllavo-bizantin  i “Unholly Alliance”  ortodoks i Beogradit dhe i Athinës.

Nëse Ballkani qenka në rrezik nga “neo-osmanizmi”, atëherë le t’i përgjigjet aleanca sllave ortodokse me Serbinë dhe me Greqinë në krye, sepse kanë në mbështetje Rusinë,  jo shqiptarët (myslimanë, katolikë dhe ortodoksë), sepse më se 50% e tyre ende janë nën çizmen e kolonialzimit gjenocidal sllav. Zgjidhja e  këtij problemi jetik ka prioritet për kombin shqiptar dhe për Shqipërinë Etnike, Jo kurrfarë “neo-osmanizmi”  i Turqisë.

        Gjenocidi  serb dogji Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën, jo  “neo-osmanizmi” turk !

-Vërtet,“neo-osmanizmi” nuk e shkatërroi Jugosllavinë Socialiste të Titos (1945-1990), por Serbia e Madhe me 3 gjenocidet e saj kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës, me ç’rast rrezikoi jo vetëm Ballkanin, por  edhe sigurinë dhe paqen e Evropës dhe të bashkësisë ndërkombëtare (1990-1999). Kjo ishte arsyeja pse  RFJ-ja (Serbia+ Mali i Zi)e drejtuar nga kryekkrimineli Slobodan Milosheviq, u bombardua nga forcat ushtarake të Alencës së Atlantikut Verior (NATO), jo më pak se 78 ditë (24 mars-10 qershor 1999).

Ndaj e gjithë amlagama slavofile, duhet ta ketë të qartë se Shqipëria Etnike Natyrale  dhe shqiptarët në Ballkan janë në konflikt të hapur më se njëshekullor (1878-2018)  me  kolonializmin gjenocidal sllav të Serbisë, të Greqisë, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Ky është problemi kyç që  prêt zgjidhje nga shqiptarët dhe nga aleatët e tyre ndërkombëtar, JO   shpallja e luftës  dhe propaganda mediale filosllave kundër Turqisë, gjoja për  ta luftuar “neo-osmanzimin” e saj në Ballkan, duke e harruar kolonializmn gjenocidal sllav ortodoks! Kjo nuk është “detyrë shtëpie” parësore e politikës, e propagandës as e diplomacisë  shqiptare, POR   ndërtimi i strategjisë së përbashkët konzistente, konsensuale dhe afatgjatë për luftimin e kolonializmit gjenocidal  sllav nga territoret e Shqipërisë Etnike.

Disa pyetje, që në asnjë formë nuk mund t’i atribuohen “neo-osmanizmit”, por kanë të bëjnë  me barbarizmin, me  gjenocidin, me terrorizmin, me shfrytëzimin, me korrupsionin, me terrorin, me krimin, me dhunën, me plaçkën e shqiptarëve dhe të Shqipërisë Etnike…

Së pari, për të hyrë in medias res në këtë “temë”, shtrohen këto pyetje: Kush janë ata, që pas përfundimit të luftës së ftohtë (1989-2018) po e rrezikojnë Ballkanin, janë turqit, grekët, shqiptarët, kroatët, myslimanët boshnjakë apo serbët me 3 gjenocidet e tyre (1990-1999)?   Kush bëri gjenocid ndaj Kosovës (1998/99)? Kush i vrau mbi 12.000 mijë shqiptarë në Kosovë? Kush i dhunoi mbi 20.000 mijë femra shqiptare në Kosovë? Kush i masakroi mbi 3.mijë foshnja dhe fëmijë në Kosovë? Kush i zhduku mbi  2.000 mijë shqiptarë nga Kosova? Kush i shpërnguli mbi 1 milion shqiptarë nga Kosova? Kush e ndërkombëtarizoi veriun e Kosovës? Kush  po kërkon këmbimin e kufijve të Kosovës? Kush e varfëroi Kosovën? Kush e korruptoi sistemin e drejtësisë në Kosovë? Kush e legalizoi krimin  dhe plaçkën e organizuar?  Kush shkaktoi papunësinë mbi 40%, kush po nxit eksodin sistematik të shqiptarëve nga Kosova dhe nga Shqipëria , e cila, edhe pse nuk ishte përfshirë në luftën e Kosovës, përjetoi ekzodin sistemtik të qytetarëve të vet, ku prej vitit 1990 e deri më sot (2018) mbi 1 milion shqiptarë kanë emigruar në vendet e Evropës, në Amerikë dhe në Greqi? Kush e shndërroi  Shqipërinë në “livadhe” kanabisi?  Kush e korruptoi  sistemin e drejtësisë në Shqipëri?  Kush po vret për çdo ditë në Shqipëri? Kush i vrau heronjtë shqiptarë të UÇK-së në Shqipëri, më 1998 (kolonel Ilir Konushevcin, kolonel Ahmet Krasniqi dhe Dr. Hazir Mala) ? Pse institucionet dhe organet përkatëse  të drejtësisë në Shqipëri, që 20 vjet (1998-2018) ende nuk kanë zbardhur këto krime të terrorizmit politik?

Të gjitha këto dukuri  të zeza negative dhe shkatërrimtare janë prodhim i drejtpërdrejtë i politikave të gabuara të dështakëve korrupcionistë, miliarderë dhe mafiozë  politikë  të Kosovës dhe të Shqipërisë, JO presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, e as  kurrfarë “NEO-OSMANIZMI” i Turqisë, i shpifur dhe i trilluar nga kuzhinat tradicionale sllavo-biznatine të  industrisë  politiko-propagandistike serbo-greke sllave të djeshme dhe të sotme (1331-2018).

 Fantazma e “neo-osmanizmit” makth për kolonialistët dhe për neokolonialistët sllavo-bizantinët në Ballkan

Derisa nuk ekziston asnjë fakt konkret për shfaqjen e “neo-osmanizmit” në Ballkan, me qëllim të mohimit të lirisë dhe të pavarësisë së shqiptarëve, si dhe të tëkurrjes së territorit të Shqipërisë Etnike, politika dhe propaganda shqiptare nuk duhet të bëhen robër  të këtij fenomeni të  “patentuar” dhe të përpunuar nga kuzhinat politike kishtare dhe shtetërore të Serbisë dhe të Greqisë   për të dominuar sllavët në Ballkan mbase  bashkëpunimi ekonomik, tregtar, kulturor, politik dhe diplomatik i Turqisë me vendet fqinje ballkanike,  në asnjë kuptim nuk mund të cilësohet si “neo-osmanizëm”, por  si bashkëpunim normal, i  vullnetshëm, reciprok, i ligjshëm, demokratik, miqësor dhe paqësor në frymën e standardeve  dhe të kritereve të axhendës së integrimeve të BE-së dhe të globalizmit.

Pse Turqia ka marrëdhënie të mira dhe të suksesshme  politike, ekonomike, tregtare, kulturore dhe të biznesit etj. me  të gjitha vendet e Ballkanit, kjo nuk mund  të paragjykohet dhe të akuzohet se, pas këtij bashkëpunimi të ndërsjellë dhe të  frytshëm fshihet   ndonjë “plaformë strategjike neo-osmaniste” e Turqisë për ta kolonizuar Ballkanin. Ky është nonsens, shpifje, dhe sulm i drejtpërdrejtë i “UNHOLLY ALLIANCE” i frontit të përbashkët të politikës së kishës ortodokse serbo-greke për ta destabilizuar bashkëpunimin, sigurinë dhe paqen në Ballkan, ashtu siç vepruan në dekadën e fundme të shekullit XX, me rastin e “bombardimit” dhe të shkatërrimit total të ish-RSFJ-së, ku Serbia me 3 gjenocidet e saj shkretoi Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën (1990-1999).

Në këtë kontekst si politika, propaganda shtetërore, ashtu edhe kisha ortodokse e Greqisë luajti rol të madh, duke e mbështetur kishën serbe dhe politikën gjenocidale të Serbisë së Slobodan Milosheviqit kundër kroatëve, myslimanëve  dhe shqiptarëve në Kosovë, të cilët me qindra e mijëra u maskaruan nga makineria çetniko-fashiste  hitleriste e forcave militare, paramilitare dhe policore  të Serbisë, të përgatitura, të komanduara dhe të urdhëruara nga kryekriminelët Slobodan Milosheviq, Vojislav Sheshel, Arkan, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mladiq etj.

Kjo luftë shfarosëse  nuk pati karakter të luftës civile, por thejsht, ishte një luftë me strategji dhe me përmbajtje  religjioze dhe të pushtimit territorial të kroatëve, të myslimanëve dhe të shqiptarëve në Kosovë. 

 Shqiptarët nuk duan luftë me Turqinë, sepse që 100 vjet jetojnë në paqe me të (1923-2018)

 Vetëm ndonjë politikë e paekuilibruar sllavofile, do të mund t’i konfrontonte shqiptarët me Turqinë, me qëllim që t’ia lehtësonte darën  aleancës  sllave ortodokse në Ballkan si  “sundues legjitimë” të territoreve të kolonizuara të Shqipërisë etnike (1878-2018).

Mirëpo,  shqiptarët, duhe të kuptojnë se nuk janë në konflikt me Turqinë, por me aleancën  kolonialiste sllave ballkanike antievropiane  dhe antiamerikane.

Prandaj, shqiptarët nuk duhet të bijnë viktimë e propagandës së boshtit ortodoks sllav (Beograd-Athinë),  duke e mbështetur dhe  afirmuar strategjinë e “neo-osmanizmit” të tyre,  se gjoja  “Turqia po paraqet rrezikun më të madh për shqiptarët në Ballkan”, sepse kjo është vetëm një gënjeshtër e madhe dhe provokim serioz për t’i futur në grindje shqiptarët me turqit e sotëm, si dhe me partnerët  dhe me miqtë shpëtimtarë të tyre evropianë perëndimorë (Amerika, NATO dhe BE).

Prandaj, ne duhet të jemi aq largpamës, që të mos i bëjmë “argatë”  një politike dhe një propagande të tillë antishqiptare, antiturke dhe antievropiane  perëndimore  të  “Anshlusit Sllav”, që me çdo kusht po lufton  dhe po trumbeton me të madhe se gjoja “Ballkani është në rrezik nga ringjallja e neo-osmanizmit”. Kjo është rrena  dhe shpifja më  absurde, që nuk ka lidhje me realitet e krijuara në Ballkan (1990-2018), sepse  “neo-osmanizmi” nuk bëri asnjë luftë terroriste dhe gjenocidale ndaj Kroacisë, ndaj Bosnjës dhe ndaj Kosovës (1990-2018), por Serbia  fashiste, kolonialialiste, militariste dhe gjenocidale është ajo që i bëri 3 agresione gjenocidale mbi bazën religjioze, raciste dhe gjeopolitike për rizgjerimin e territoreve të Serbisë së Madhe (1878-1999).

Ky ishte dhe, edhe sot është “neo-osmanzimi” serbo-greko-sllav, i ringjallur  edhe si doktrinë, edhe si praktikë në “luftën e shenjtë” për shfarosjen e popujve josllavë të Ballkanit. Prandaj, mendja e shëndoshë dhe interesi i përgjithshëm kombëtar, shtetëror dhe territorial shqiptar e thotë që, si politika, diplomacia, propaganda masmediale shqiptare, me çdo kusht, duhet të distancohen  dhe t’i shmangen  një rreziku të këtillë serbo-grek antishqiptar dhe antievropian, cili ka për qëllim që Shqipërinë Etnike  dhe Turqinë, t’i shndërrojë në një Siri të dytë.  Prandaj,  ne, në asnjë mënyrë nuk duhet të jemi as  avoaktë, as gjykatës, as  “gardianë, as “lojtarë” e as luftëtarë të Aleancës Serbo-Greke Sllave, e cila  për t’i mbrojtur  edhe më tej të paprekura  kolonitë shqiptare, si rrjedhim i gjenocidit kolonial të saj (1878-2018), i apelon shqiptarët, që të ngrihen në luftë kundër të ashtuquajturit  “neo-osmanizëm” të Turqisë së Rexhep Taip Erdogan.

Mirëpo, ky apel serbo-grek sllav nuk është ndonjë novus, por, theshjt një reprizë e apelit të aleancës së vendeve sllave ballkanike të viteve 1912 dhe 1913, kur u  bashkun me kryengritësit shqiptarë në luftën e kundër sundimit të Perandorisë Osmane për çlimin e Ballkanit. Mirëpo, pas çlirimit të Ballkanit nga sundimi osman, Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria pushtuan territoret shqiptare të KATËR VILAJETEVE SHQIPTARE (Manastir, Janinë, Shkodër dhe Kosovë), të cilat edhe sot i mbajnë si plaçkë koloniale jolegale.

Prandaj, duhet kuptuar qartë dhe objektivisht se zhvillimi dhe bashkëpunimi ekonomiko-tregtar, politik , kulturor, sportiv, diplomatik, si dhe marrëdhënet e mira e miqësore të Turqisë së sotme me vendet fqinje të Ballkanit, nuk mund të karakterizohen si “neo-osmanizëm” , sepse nuk përbëjnë kurrfarë rreziku për stabilitetin dhe për paqen në Ballkan. Përkundrazi, Turqia është faktor stabiliuzues dhe unifikues i të gjithë popujve të Ballkanit. Këtë e dëshmoi edhe mospërzierja dhe mosinvolvimi i saj në luftërat gjenocidale të Serbisë në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë (1990-1990).

 Fakte e as shembuj konkret të “neo-osmanizmit”  për gllabërimin e Ballkanit nuk ka, por ky është produkt i propagandës serbo-greke, i gatuar nga kisha serbe dhe nga ajo greke, që në dekadën e fundme të shekullit XX, kur si rrjedhim i ndikimit dhe i mbështetjes së tyre, edhe shpërthyen 3 gjenocide serbe kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës (1990-1999).

Për t’iu shmangur keqkuptimeve dhe keqinterpretimeve të gabuara dhe qëllimkëqia të propagandës mediatike serbo-greko-sllave dhe prosllave se gjoja “Neo-osmanizmi po paraqet rrezik për Ballkanin”, së pari, ֝ është  e domosdoshme, që masmediat shqiptare në Ballkan, si dhe ato në diasporë, në asnjë formë të mos ushqehen dhe të mos operojnë me burimet  dezinformuese të propagandës politike, publicistike, diplomatike shtetërore dhe kishtare serbo-greke, se gjoja  “Turqia e presidentit Taip Rexhep Erdogan po rrezikon Ballkanin me politikën e saj  për ringjalljen e osmanizmit”. –Jo,  Turqia nuk po kërkon asgjë specifike nga  partnerët fqinjë ballkanikë veç mirëkuptimit dhe bashkëpunimit recirpok në të gjitha fushat.

Këtë e provuan edhe tri gjenocidet e fundit të Serbisë në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë (1989-1999), jo “neo-osmanizmi” këto tri gjenocide nuk i bëri në asnjë pëllëmbë të Ballkanit. Përkundrazi, Turqia e sotme evropiane si anëtare e NATO-s,  e OKB-së dhe si aleate e Amerikës i denoncoi këto luftëra gjenocidale të Serbisë në Ballkan, ku trupat e saj morën pjesë edhe në kuadrin e OKB-së dhe të NATO-s në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë. Gjithashtu, Turqia është ndër shtet e para, e cila së bashku me Amerikën, me Britaninë e Madhe, me Francën, me Gjermaninë dhe me Italinë e njohu Republikën e pavarur të Kosovës (17 shkurt 2008).

Ballkanin po e kërcënon “Unholly Alliance” serbo-greke JO “neo-osmanizmi” e as Shqipëria Natyrale.

Për ata që nuk e dinë dhe për ata që nuk duan ta dinë “neo-osmanzimi” është pjellë politko-propagandistike e “Aleancës jo të shenjtë” serbo-greke dhe e bishtave të  agjenturave të tyre, që punojnë për interest e shërbimeve të zbulimit  dhe të kundërzbulimit sekret  shtetëror, kishtar, policor, ushtarak, informativ, publicisitik, diplomatik dhe shkencor, me qëllim të dezinformimit dhe të indoktrinimit të njerëzëve të painformuar dhe  të atyre, që ushqehen me  përfitime të ndryshme materiale, financiare dhe karrieriste, gjithnjë të disponuar dhe të gatshëm për t’i mbështetur dhe justifikuar tezat, shpifjet, gënjeshtrat dhe akuzat e rënda paragjykuese dhe paranoide të “Aleancës jo të shenjtë” sllavo-bizantine, përkatësisht serbo-greke, se gjoja “Turqia e sotme evropiane me presidetin e saj, Rexhep Taip Erdogan në krye  po rrezikon Ballkanin” !?

Mirëpo, kjo është vetëm propagandë e zezë (me burime të panjohura) dhe e bradhë(me burime të njohura), që si mjet kryesor operativ politiko-propagandistik, diplomatik, shtetëror, kishtar, publicistik dhe informativ medial po përdorë “NEO-OSMANIZMIN” e trilluar, edhe pse nuk ekzistojnë fakte e as argumente të qëndrueshme se “neo-osmanizmi po rrezikon Ballkanin”.

Përkundrazi, që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë (1948-1989) e deri më sot, politika e jashtme, as diplomacia e as masmediat turke nuk kanë dëshmuar  asnjë fakt dhe asnjë argument se  Turqia e sotme ka  pretendime për “neo-osmanizimin” e Ballkanit. Kjo akuzë nuk qëndorn as në “tokë, as në qiell”, por është produkt strategjik afatgjatë  i Platformës  së Aleancës jo të shenjtë serbo-greke për ta serbizuar dhe greqizuar-kolonizuar në tërësi Ballkanin me popujt sllavë, duke i luftuar turqit, shqiptarët dhe kroatët nga teritoret e tyre autoktone sikurse këtu e shumë shekuj më parë, që nga car Dushani-mizori (1331-1355), e, edhe sot në shekullin XXI (2018).

Sa më sipër, politika dhe diplomacia shqiptare, duhet  të fokusohen në përzgjedhjen e prioriteteve të veta kombëtare dhe shtetërore, gjithnjë duke u mbështetur në  respektimin e parimit të interesave vitale, që përbëjnë kuintesencën  e mbrojtjes së interesit të përgjithshëm nacional dhe shtetëror gjithëshqiptar, sepse kjo është froma më e qëndrueshme dhe më oportune për të mënjanuar çdo formë agjitacioni, propagande dhe dezinformacioni, si dhe format e e tjera subversive të ndërhyrjes  në çështje të brendshme, me qëllim të “bombardimit” të sovranitetit dhe të pavarësisë së Kosovës dhe të Shqipërisë, që të gjitha këo e pengojnë dhe e bëjnë të pamundur krijimin e atmosferës së mirëbesimit dhe të respektimit reciprok për zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar mes popujve dhe shteteve të ndryshme.

Filed Under: Politike Tagged With: Bashkimi Kombetar, Prioriteti i shqiptareve, Prof. Dr. Mehdi Hyseni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1228
  • 1229
  • 1230
  • 1231
  • 1232
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT