• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kapitullimi i individit dhe lartësimi i idhujve të rremë

September 6, 2018 by dgreca

Nga Marjana BULKU/
Në kohë varfërish materiale, varfëritë shpirtrore janë ato që shpalosin drama të thella  njerëzore .Jo gjithmonë krizat ekonomike janë shkak i atyre familjare , përkundrazi janë ato veçse stimulojnë dhe e bëjnë skenike e të dukshme vuajtjen materiale e cila nuk lind kurrë rastësisht , ka shkaqe të thella politike, të trashëguara që në kohë idhujsh të rremë “lulëzojnë” ironikisht edhe me themele shtëpish të rrënuara, mure prej balte e copëza suvatimesh dhe fytyra të mpihta e sy të jeshilta shprese. Kjo dramë e thellë mjerimi migjenian na rishfaq idhujt e rremë që zbulojnë mjerimin ulëritës qindravjeçar i cili e ka një shkak , ulur këmbëkryq në çdo lagje, fshat e qytet ku gjithsejcili e njeh tjetrin, ia din pamundësitë e ndofta ia ka rrënuar mundësitë. Kapitullimi i individit jo pak herë sjell lindjen apo më saktë rilindjen e idhujve të rremë, atyre që rrënimin material të turmës e shohin si kulmim të pushtetit, fuqisë.Përpara këtij rrënimi material që natyrshëm prodhon rrënim shpirtëror e mbase edhe moral çdo shfaqje, video apo foto liderash politik nuk është gjë tjetër veçse dështim i asaj fuqie që duke dashur të amortizojë fuqitë individuale , bëhet edhe më e pa fuqi.
Memorja jonë i ka të freskëta kujtimet e diktatorit gju më gju me popullin që nuk bëzante , nuk kërkonte, por vetëm duartrokiste edhe kur lakun e vështirësi ve e kishte në fyt.Individi sistematikisht u bë kurban i totalitarizmit, duke unifikuar në këtë mënyrë heshtjen me varfërinë, të drejtën me padrejtësinë, pronën me dhunimin e saj…
Kapitullimi i individit, nënshtrimi i tij ndaj heshtjes, varfërisë morale e materiale, padrejtësisë është drama më e thellë sociale që mund të përjetojë një shoqeri në stadet moderne të saj. Aktet individuale që unë preferoj ti quaj humanitare frymëzojnë dhe shërojnë përtej politikës pa e dobësuar atë, përkundrazi e pasurojnë.Pafajsia e individit të ndershëm që me punë ia doli por edhe nuk ia doli në një realitet ku të gjithë janë kundra gjithkujt por jo kundra të keqes , është momenti analitik që përgjithëson dhe specifikon fatin e unit në shqipëri dhe lartësimin e idhujve të rremë kur e keqja kërcënon dhe frika pushton çdo liri.

Filed Under: Opinion Tagged With: idhujt e rreme, individi, Marjana Bulku

Precedenti i “korrigjimit të kufijve” midis Kosovës dhe Serbisë!

September 5, 2018 by dgreca

Nga Enver Bytyçi /

Sot presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është përpjekur nga Prishtina të bindë OJQ-të si dhe komunitetin ndërkombëtar se “Korrrigjimi i kufijve nuk krijon asnjë precedent për raste të tjera”! Ky refren i tij përsëritet vazhdimisht që kur ai ka ndeshur në murin e madh të rezistencës kundër ndarjes së Kosovës. E përsëriti edhe sot. Në fakt Thaçi po përpiqet që të bindë Europën dhe të marrë mbështetjen e saj në aventurën e përbashkët të tij me Viçiqin për këtë çeshtje. Ndërsa rrena e madhe se “Presheva, Bujanovci dhe Medvegja do i bashkohen Kosovës, pa dhënë asnjë pjesë të territorit të saj” është një tjetër absurditet dhe kontradiktë në diskursin e presidentit të Kosovës. Vetëm në Beograd dhe Moskë thonë se ndryshimi i kufijve nuk përbën precedent për raste të tjera. Por më pas po prej tyre do të thuhet: “Ja i ndryshuam me Kosovën, pse jo edhe me Bosnjën e rastet e tjera analoge në rajon”?! I gjithë ky lëmsh desinformimi dhe mashtrimi është i koordinuar midis Hashim Thaçit, Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit. Ata kanë ndarë rolet në funksion të asaj që presidenti i Kosovës të përçojë tezat e Beogradit, me qëllim që të mos kontestohet nga vendet kryesore të Bashkimit Europian. Dmth nëse Thaçi thotë se “ndryshimi i kufijve ka vetëm efekte pozitive dhe nuk krijon precedente të tjera”, atëherë kjo tezë bëhet “më e besueshme” dhe “më e pranueshme” në kryeqendrat europiane si Berlin, Londër e ndoshta edhe në Paris”, i cili ka filluar të ndjejë rrezikun e asaj që po ndodh në dialogun Prishtinë – Beograd. Politikanët ballkanikë nuk i ndahen vesit. Historikisht ata kanë luftuar kundër njëri-tjetrit duke mashtruar diplomacinë dhe politikën europiane se po bëjnë “më të mirën” për rajonin. “Dëgjoni, u thoshte Pashiçi në fillim të vitit 1913 europianëve, “shqiptarët nuk janë të aftë të vetëqeverisen. Na i lini ne t’i edukojmë, sepse ne dijmë ta bejmë këtë gjë”. Dhe një pjesë e europianëve i besoi ish-kryeministrit serb. Prandaj e bënë lëmsh Ballkanin, duke fut ashklën e zjarrit për një shekull të tërë. Tani nuk është vetëm presidenti i Serbisë, por edhe presidenti i Kosovës, ai i cili po përpiqet në stilin e Pashiçit të mashtrojë kancelaritë europiane. Sot Thaçi lëshoi rrenën e madhe. Tha se “Ka zëra që thone se korigjimi sjell konflikt. Ky është absurditet. Një marrëveshje mes nesh dhe Serbisë, flas me përgjegjësi, do të sjell paqe dhe stabilitet në rajon”. Ndërkohë në këtë lloj propagande mashtruese ka angazhuar gjithë lakejtë e vet. Një farë ish-zv.ministër i Jashtëm, Petrit Selimi, pa turp fare replikonte me gënjeshtrat e Beogradit me ekspertin më të madh të çeshtjes së Kosovës, profesorin e shquar, Daniel Serwer dhe i thoshte se “Ndryshimi ose korrigjimi i kufijve sjell stabilitet dhe nuk krijon precedent”. Derisa Serwer detyrohet t’i thotë këtij zëdhënësi të politikave serbe se “Ndryshimi i kufijve e shpërben shtetin e Kosovës”! Amerikani Serwer kujdeset që ta mbrojë shtetin e Kosovës nga shpërbërja, ndërsa “shqiptari” Thaçi, apo servilët e tij si ky Selimi apo Baton Haxhiu, kujdesen që të realizojnë projektin e Vuçiqit!!! Por në Europën e sotme gjeopolitika studiohet dhe vlerësohet me instrumente të ndryshme nga ato të vitit 1913. Nëse asokohe Pashiq i vetëm mundi ta gënjejë Europën e më pas të ushtronte dhunë e terror në Kosovë për ta serbizuar atë në “emër të qytetërimit”, në kohët e sotme Europa ka përvojën dhe instrumentë të shumtë, të cilët nuk e lënë të gabojnë së paku nga pikëpamja gjeopolitike. Në Europë vetëm aleatët e Rusisë do të donin që të ndodhë ndarja e Kosovës e më pas të vijojë ky precedent në disa vende të rajonit e më gjerë. Kjo kuptohet qartë dhe nga interesimi i jashtëzakonshëm i këtyre ditëve për referendumin në Maqedoni. Gjatë kësaj jave së paku tre “musketierë të fuqishëm”, Angela Merkel, Stoltenberg dhe Sebastian Kurz do ta vizitojnë Shkupin, për të inkurajuarPO-në në referendum dhe ankoruar Maqedoninë në NATO e BE. Por nëse ndodh ndryshimi i kufijve Kosovë-Serbi nuk do të bëjnë punë më as “musketierët” , as ndonjë tjetër europian i fuqishëm. Duket qartë se konflikti amerikano-europian për tregëtinë dhe çeshtje të tjera e ka zbehur interesin e Uashingtonit për stabilitetin në Europë. Edhe nëse Rusia vjen dhe instalohet në Ballkan, për disa zyrtarë amerikanë nuk ka ndonjë shqetësim. Për këta Rusia gjendet më afër interesit amerikan sesa vetë Europa. Prandaj dhe ndryshimi i kufijve në fjalë është hapi i parë i falangave ruse për ta realizuar politikën e ekspansionit në Ballkan. Ky ekspansion do të shtrihet jo vetëm në Serbi, por edhe në Bosnjë-Hercegovinë, ish vendin protektorat të Austro-Hungarisë. Republika Srpska edhe pa një precedent të tillë është në prag të një lëvizjeje për shkëputje nga Federata e Bosnjë-Hercegovinës. Ndërsa në rastin e realizimit të këtij precedenti Dodik do të ishte i papërmbajtshëm e ligjërisht nga pikëpamja ndërkombëtare askush nuk mund të ndalonte atë. Kështu Kremlini do të krijonte një mini Sevastopol në bregdetin Adriatik. Hashimi dhe Aleksi thonë jo. Kjo është e pamundur. Por në Europë e dijnë mirë se çfarë përfaqëson Dodik. Edhe po të donte Aleksi i Beogradit nuk do të mund ta ndalonte një zhvillim të tillë. Ndërkohë që Hashimi i Prishtinës nuk imponon dot vullnetin e shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi e kudo që ndodhen. Ai imponon vullnetin e tij vetëm tek ata që i binden Beogradit! Kësisoj Maqedonia nuk do të ekzistonte më. Ndërsa vetë Moska do të legjitimpjë jo vetëm pushtimet e saj të dy provincave në Gjeorgji dhe të Krimesë, por edhe ndarjen e Ukrainës Lindore , Moldavisë etj. Nëse në Prishtinë dhe në Beograd do të varroset parimi i mosndryshimit të kufijve, atëherë vizitat e Merkel, Kurz dhe Stoltenberg kësaj jave në Shkup do të kujtohen thjesht si përpjekje për ta shpëtuar Ballkanin e Europën. Tirane, 05.09.2018

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Bytyci, i "korrigjimit të kufijve" midis, Kosovës dhe Serbisë!, Precedenti

Senatori Ron Johnson, I dërguari i Trumpit, do të vizitojë Ballkanin

September 5, 2018 by dgreca

1 kesh TrumpitSenatori amerikan dhe kryesuesi i Komisionit për Siguri Kombëtare i Senatit të Shteteve të Bashkuara, Ron Johnson, do të vizitojë javën e ardhshme Greqinë, Maqedoninë, Serbinë dhe Kosovën, konfirmoi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë Ambasada amerikane në Beograd.

Johnson, gjatë turneut në Ballkan, do të takohet me udhëheqësit rajonalë, tha ambasada.

Ai është një nga bashkëpunëtorët e lartë të presidentit amerikan, Donald Trump, i ngarkuar me misione të posaçme.

Vizita e tij vjen në kohën kur Kosova dhe Serbia po shqyrtojnë idenë e ndryshimit të kufijve, ndërsa këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton, ka thënë se SHBA-ja nuk i përjashton korrigjimet territoriale.

Filed Under: Rajon Tagged With: Senatori Ron Johnson, viziton Ballkanin

Petritsch pret declaratë para takimit Thaçi-Vuçiç

September 5, 2018 by dgreca

Petritsch para takimit Thaçi-Vuçiç: Unë pres një deklaratë/

1 Petrish

Diplomati dhe politikani austriak, Wolfgang Petritsch shihet si moderator në zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi. Adelheid Feilcke bisedoi me të para zhvillimit të takimit Thaçi-Vuçiç ditën e premte në Bruksel.

Nga Adelheid Feilcke/DW/

Deutsche Welle: Tema është e qartë Kosova- Serbia. Ju keni folur kohë më parë në një intervistë për Deutsche Wellen dhënë në fund të vitit të kaluar për mundësitë e ndryshimit të kufijve duke thyer kështu një tabu. Për ç’arsye?

Wolfgang Petrisch: Në shumë vite që është duke u zhvilluar dialogu i sponsorizuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës, janë diskutuar variante të ndryshme dhe në përgjithësi është patur gjithnjë parasysh parimi i mosndryshimit të kufijve. Këtë vit gjatë zhvillimit të dialogut në Bruksel është arritur në një situatë të re diskutimi, ku të dy presidentët kanë folur për këmbime territoresh. Refleksi im i parë ishte se kjo bie në kundërshtim me parimin shumëvjeçar të deritanishëm të lënies së kufijve në gjendjen që janë. Nga ana tjetër pata përshtypjen, se për herë të parë në historinë e Ballkanit është duke u bërë një përpjekje për ndryshimin e kufijve jo me gjakderdhje dhe me armë, dhe jo e njëanshme por një përpjekje me rrugë paqësore, për gjetjen e një kompromisi nëpërmjet bisedimeve. Kjo më dha shtysën për të thënë se Bashkimi Evropian duhet ta shohë me kujdes këtë propozim, ose këto propozime, duhet t‘ i shohë më nga afër. Pse? Sepse unë jam i mendimit se duhen marrë seriozisht dhe duhet parë nëse ky variant funksionon apo jo. Unë as tani nuk jam i bindur se mund të funksionojë. Por unë mendoj se përgjegjësia që kanë politikanët kur bëjnë një propozim të tillë është shumë e rëndësishme, sepse nga Bosnja unë e di se zgjidhjet e detyruara nga jashtë nuk mund të funksionojnë.

Deutsche Welle: Ju shiheni si motor i këtij diskutimi. Përveç jush ka pak njerëz të tjerë që e lejojnë këtë opsion. Pse ndodh kjo?

Wolfgang Petritsch: Në përvojën time në Ballkan, në Bosnjë, ku kam marrë shumë vendime që dhe i kam zbatuar pastaj, disa kanë qenë të qëndrueshme. Por vendimet më të mira, kompromiset më të mira që kanë qëndruar deri më sot i kam arritur duke qenë moderator midis interesave të ndryshme. Mbas kësaj përvoje unë thashë, se duhet t’i shohim këto propozime. Bisedimet zhvillohen në Bruksel. Ato nuk janë të lira, që ata të dy të bisedojnë në fshehtësi, bisedimet janë shumë profesionale, një proces që zhvillohet në Bruksel, moderuar prej Mogherinit. Dhe ato aty e kanë vendin, aty duhen diskutuar.

Deutsche Welle: Po, ju e quajtët veten moderator të procesit. Mediat njoftojnë se zyra juaj e avokatisë paguhet prej qeverisë serbe për këto këshillime, prandaj në Kosovë ka kundërshtime…

Wofgang Petritsch: Ky është një keqkuptim. Zyra ime e avokatisë është përgjegjëse për procesin e pranimit në BE, merret me kapitujt e ndryshëm juridikë. Merret me çështjet teknike. Kryesisht merret me shpjegimin e sfondit politik për juristët.

Deutsche Welle: Ju jeni vendosur në shënjestër në njëfarë mënyre. Gazeta gjermane taz nga Berlini, shkruante së fundmi se mbas kësaj fshihen forcat ruse që nxisin këmbimin e territoreve…

Wolfgang Petritsch: Kjo është shumë interesante dhe tregon konfuzionin. Apo jo? Për shembull nëse arrihet ndonjë këmbim territoresh, kjo ka si parakusht që Serbia të njohë Kosovën. Sepse Paktet mund të lidhen vetëm me partnerë të njohur nga e drejta ndërkombëtare. Për mua është mister çfarë kanë të bëjnë rusët këtu. Nëse Kosova njihet atëherë kjo çështje shtrohet para Kombeve të Bashkuara. Që do të thotë se problemi që rusët për shkak të serbëve pengojnë hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara, do të zgjidhet.

Deutsche Welle: A mund ta konkretizoni pak këtë. Çfarë duhet të ndodhë sipas mendimit tuaj për të kryer këtë proces?

Wolfgang Petritsch: Unë besoj se ajo që duhet të ndodhë tani dhe shpresoj që të ndodhë është që të peshohen të mirat dhe të këqijat e këtij procesi. Për mua ka rëndësi që njerëzit e prekur, qytetarët në të dy anët e kufirit të përfshihen në këtë proces. Unë mendoj për referendum apo instrumenta të tjera, sigurisht edhe parlamentet në mënyrë që të respektohet i gjithë procesi demokratik. Dhe unë kam besim të madh se Bashkimi Evropian do ketë kujdeset që kjo të ndodhë. Çështja e dytë e rëndësishme është që duke patur parasysh përvojat e përgjakshme të viteve nëntëdhjetë të merren masa që të pengohet të shkohet deri aty ku qytetarëve t‘u duhet të largohen nga shtëpia, fshati ose qyteti. Pika e tretë është që nëse arrihet një zgjidhje, pavarësisht si do të jetë ajo, atëherë ajo do të jetë zgjidhja e një konflikti të madh historik në këtë zonë, në ish-Jugosllavi, konfliktit midis shqiptarëve dhe serbëve. Ky do të ishte fillimi në një të ardhme pozitive. Tani Bashkimi Evropian dhe presidenca e radhës e BE, njëqind vjet pas përfundimit të Luftë së Parë Botërore, tani më 2018, duhet të nxjerrë një deklaratë të detyrueshme ndërkombëtare për të gjitha grindjet kufitare, të cilat nuk janë pak. Procesi i Berlinit ka nxjerrë një listë.

Deutsche Welle: Por gjithë ky diskutim për korrigjime ose ndryshime kufijsh që shkon deri tek çështja e këmbimit të mundshëm të Veriut të Kosovës me Jugun e Serbisë has në kundërshtime masive. Dy argumente të rëndësishme vijnë nga kritikët. E para të mos ketë zgjidhje etnike për vendosjen e kufijve dhe frika nga efekti domino. Si i përgjigjeni ju atyre?

Wolfgang Petritsch: Së pari, është krejtësisht i kuptueshëm shqetësimi, sepse siç e thashë në të kaluarën ka pasur ndryshime kufiri të përgjakshme. Kjo nuk duhet të ndodhë. Së dyti, ka pasur për shembull një arbitrazh ndërkombëtar midis Kroacisë dhe Sllovenisë për korridorin e Adriatikut, në kuadër të të cilit disa fshatra që flasin kroatisht kaluan në Slloveni…

Deutsche Welle: Dimensioni është natyrisht më i madh…

Wolfgang Petritsch: Më i vështirë, por principi i prekjes së kufijve u mirëseardh për shembull më 2008, kur Kosova deklaroi pavarësinë, e cila u njoh menjëherë nga shumë vende të BE, megjithëse kjo ishte në kundërshtim me Rezolutën 1244.

Deutsche Welle: Zoti Petritsch, kundërshtime nuk ka vetëm nga BE por edhe nga Kosova ku është duke u formuar një rezistencë e madhe. Pyetur ndryshe a mund të ndodhë që Kosova të jetë humbësja në këtë marrëveshje? Kjo është frika e popullsisë në Kosovë? 

Wolfgang Petritsch: Jo. Unë kam respekt të madh për protestat nëse ato duan të thonë se nuk duan të arrihet tek një shtet i plotë nëpërmjet kritereve të vjetra etnike dhe të arrihet futja në OKB me anë të kësaj sakrifice. Ne duam një Kosovë ku kufijtë mbeten aty ku janë dhe prandaj ne e hedhim poshtë këtë propozim. Kjo është legjitime. Sipas mendimit tim do ishte madje rruga më e mirë, e cila do mbështetej nga Evropa. Pa dyshim. Por çështja është e thjeshtë, ajo është pranuar nga Bashkimi Evropian dhe Mogherini dhe tani jepen gjykime të tjera. Këto gjykime duhen marrë seriozisht.

Deutsche Welle: Ju përmendët propozimin e Zonjës Mogherini. Më datën 7 zhvillohet takimi Thaçi- Vuçiç- Mogherini ku edhe do të diskutohet ky propozim. Çfarë prisni prej takimit?

Wolfgang Petritsch: Unë pres një deklaratë. Mogherini tha edhe në takimin e ministrave të Jashtëm në Vjenë se shpreson që deri në fund të vitit të ketë një zgjidhje për këtë çështje. Unë mendoj se kjo është optimiste, por nga ana tjetër e përshëndes atë. Duhet të mendoni në çfarë situatë ndodhemi, si në nivel rajonal ashtu edhe atë evropian dhe global. Situata ka ndryshuar në Ballkan në mënyrë radikale në shumë pikëpamje. Në vitet nëntëdhjetë aty kishte dy aktorë të mëdhenj amerikanët dhe evropianët. Amerikanët janë duke u tërhequr në përgjithësi. Evropianët, siç e dini dhjetë vitet e fundit nuk kanë qenë në formë të shkëlqyer. Ndërkohë Kina ndërton rrugën e mëndafshtë nëpër Ballkan. Rusia është shumë aktive me manovrat politike dhe ekonomike. Turqia është lojtari i tretë i rëndësishëm në rajon. Aty shtohen edhe Shtetet e Gjirit që kanë investuar qindra miliona në Bosnjë dhe Serbi. Kina ndërton për shembull urën më të madhe të autostradës në Kroaci dhe linjën hekurudhore Budapest-Beograd. Këto janë sfida të rëndësishme për Evropën. Nuk jam kundër që Kina investon, por dua të them, se kjo duhet bërë sipas rregullave europiane, Por kur nuk e gjejmë kohën për këtë, se prej vitesh merremi me probleme si ai i Kosovës, atëherë them: shikoni që të gjejmë një zgjidhje. Ka dy presidentë që duan një zgjidhje.

Deutsche Welle:…dhe pa tabu?

Wolfgang Petritsch: Kjo është e nevojshme. E di që është e pazakontë. Që do të përdoren formulat e asaj që ka ndodhur para 20 vitesh. Mirë që e kemi kujtesën historike. Por kemi edhe një të tashme, dhe të ardhme,. dhe ka disa politikanë në Ballkan, që arrijnë zgjidhje të mëvetësishme. Shikoni kryeministrin Zave. 26 vite u përpoqën europianët, por nuk arritën gjë. Tani kemi dy presidentë në rajon, që kanë një propozim. Ndoshrta është igabuar, ndoshta ka diçka aty, por ai vjen prej rajonit.

Deutsche Welle: Nëse në takimin e të premtes arrihet një marrëveshje e përbashkët, kur mund të ndodhë zgjidhja me ndryshime të mundshme kufiri?

Wolfgang Petritsch: Komisioni i tanishëm i BE ka afat. Deri në mars të vitit tjetër duhet gjetur një zgjidhje, pastaj Komisioni i BE dhe Mogherini kthehen në histori. Nëse çështja dështon dhe kthehet në gjendjen e mëparshme, atëherë unë nuk mund të garantoj që Komisioni i ri dhe pasardhësja e Mogherinit të merren me këtë çështje.

Filed Under: Opinion Tagged With: Adelheid Feilcke, kosova, Petritsch, Thaçi- Vuçiç

Kosovë-Kuvendi dy seanca të jashtëzakonshme

September 5, 2018 by dgreca

Kosovë-Kuvendi dy seanca të jashtëzakonshme, njëra nuk përfundon e tjetra as nuk fillon/

1 Kuvendi 4 shtator-Kuvendi i Kosovës sot me dy seanca të jashtëzakonshme të ftuara. Shtyrje pas shtyrje, pas nisjes, në të parën seancë, të kërkuar nga qeveria, paralajmërohet të vijojë nesër në orën 14:00/

-Seanca e dytë e jashtëzakonshme, e kërkuar nga opozita,  e ftuar për në orën 10:00 as që ka nisur fare/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 4 Shtator 2018/ Shtyrje pas shtyrje ka  vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të ftuar për sot në ora 9:00 dhe të nisur me një orë vonesë, me vetëm një pikë në axhenë:  “Shqyrtimi i Propozim-vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

Seanca e bojkotuar nga opozita, nisi me vetëm 61 deputëtë të pranishëm të Kuvendit 120 anëtarësh, mes tyre Teuta Rugova nga grupi më i madh parlamentar i LDK-së opozitare, që e bënte forumin me numër minimal – një më shumë se gjysma.

Pas debatit, kur pritej të votohej për ekipin negociator të emëruar dje nga qeveria e që sot kryeministri Ramush Haradinaj ia prezantoi Kuvendit,  u dha pushim 15 minutësh, i cili po zgjatë me orë, duket në pritje të sigurisë për kuorum e vota të mjaftueshme.

Në dy njoftime të dërguara nga Kuvendi u njoftuan dy shtyrje të seancës gjatë pasditës.

Në njoftimin e parë bëhej e ditur se, “me kërkesë të iniciuesit, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit shkon në pauzë deri në orën 16:30”, ndërsa në njoftimin e dytë  theksohej se pushimi-pauza shkon “deri në orën 18:30”.

Seanca jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e ftuar pas kërkesës së qeverisë, e nisur dhe ndërprerë paraditen e sotme, nuk vijoi as  pas “pauzës deri në orën 18:30”, dhe as në ora 20:00 nuk ka njoftim zyrtar dhe nuk dihet kur do vijojë.

Seanca e jashtëzakonshme, sipas paralajmërimeve pas orës 20:00 pritet të vijojë nesër në orën 14:00.

Kuvendi i Kosovës nisi sot sesionin vjeshtor pasi ishin ftuar dy seanca të jashtëzakonshme për t’u mbajtur brenda kësaj dite të martë të 4 shtatorit, ku rikthehet debati për dialogun Prishtinë-Beograd në Bruksel, me të cilin u përmbyll sesioni vjeshtor me një seancë të papërfunduar në 30 korrik.

Seancat e jashtëzakonshme u ftuan gjatë ditës së djeshme në dy mbledhje të  Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare, njëra e mbajtur pasdite pas një kërkese javën e kaluar nga opozita e tjetra në mbrëmje pas kërkesës së qeverisë pasditen e djeshme.

Jo sipas renditjes së kërkesave, fillimisht u ftua nga ora 9:00 të mbahet seanca e jashtëzakonshme me të vetmen pikë në axhëndë: “Shqyrtimi i Propozim-vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

Ndërsa, për në orën 10:00, ishte ftuar, por ende as që ka nisur fare, seanca e jashtëzakonshme poashtu me vetëm një pikë në axhendë: “Debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Në 29 gusht 2018 Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e mbështetur edhe nga dy partitë tjera opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, dorëzoi kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, siç theksoi, për të shprehur qëndrimin institucional kundër cenimit të territorit të Republikës së Kosovës. “Në këtë seancë do të propozohet për miratim rezoluta me vetëm një pikë, ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës. Pazare me shtetin e Kosovës nuk mund të bëjë askush”, ka thekusr opozita duke paralajmëruar që të hënën e para më shumë se një jave “seancë të jashtëzakonshme e Kuvendit para datës 7 shtator 2018”.

Pas kësaj këkresë, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, është mbledhur dje pasdite bashkë me kryetarët e grupeve parlamentare, për të shqyrtuar kërkesën e opozitës për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.

Kryesia vlerësoi se kërkesa i plotëson kushtet formale për mbajtjen e seancës dhe njëzëri vendosi që, konform saj, Kuvendi të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme të martën, në 4 shtator 2018, në orën 10:00.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës është mbledhur përsëri mbrëmjen e djeshme për të shqyrtuar kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinaj për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme dhe vendosi që konform praktikave dhe sipas kërkesës së parashtruar, seanca do të mbahet të martën, në 4 shtator 2018, në orën 9:00.

Qeveria e  Kosovës, në mbledhjen e pasditës së djeshme, ka emëruar ekipin negociator në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.Në këtë dialog, qeveria e Republikës së Kosovës do të përfaqësohet me këtë ekip negociator:  Zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate – kryesues,   Enver Hoxhaj, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës – zëvendëskryesues, Behxhet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re – anëtar,   Dardan Gashi (nuk përfaqëson ndonjë parti) – anëtar, si dhe dy anëtarë të tjerë- ministri i Administratës Publike  Mahir Yagcilar, kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, dhe  Avni Arifi – shef i kabinetit të kryeministrit, i cili  në mbledhjen e qeverisë në 12 janar 2018 u emërua shef i delegacionit kosovar në bisedimet teknike Kosovë-Serbi  në Bruksel.

Qeveria e  Kosovës në komunikatën nga mbledhja e ditës së djeshme për emërimin e ekipit negociator theksonte edhe se, po ashtu në këtë ekip rezervohen vendet për përfaqësuesit e opozitës: Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Socialdemokrate, si dhe për ekspertë nga shoqëria civile.

Kryeministri Haradinaj ka vlerësuar se ky është një ekip përfaqësues politik i koalicionit qeverisës, por edhe një ekip që do të prezantojë përgjegjësitë qeveritare.

Ai paralajmëroi se, ky vendim i qeverisë do të dërgohet në Kuvendin e Republikën e Kosovës për aprovim. Në lidhje me këtë kryeministri tha se do të kërkojë nga Kuvendi një seancë urgjente për diskutimin dhe aprovimin e ekipit dhe platformës së negociatave të Kosovës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në 30 korrik 2018 Kuvendi i Kosovës njoftoi mbylljen e sesionit pranveror pa përfunduar seancën plenare të debatit parlamentar për dialogun me Serbinë, ndërkohë që kishte edhe një propozim rezolute të paharmonizuar mes grupeve parlamentare, rreth së cilës kishte pikëpamje të ndryshme dhe replika.

Propozuesi, që është një nga partitë opozitare – PSD,  shprehu gatishmëri për takim me grupet parlamentare që ta diskutojnë dhe ta plotësojnë propozimrezolutën para se ajo të hidhet në votim në fillimin e sesionit vjeshtor.

Në dialogun Kosovë-Serbi në Beuksel një takim tjetër i nivelit të lartë presidencial është paralajmëruar për të premtën e kësaj jave – 7 shtator.

Filed Under: Politike Tagged With: 2 seanca, Behlul Jashari Kuvendi, te Jashtzakonshme

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1284
  • 1285
  • 1286
  • 1287
  • 1288
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT