• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROTESTA: Do të hapim një derë të re drejt të ardhmes

February 18, 2017 by dgreca

Nga Lulzim BASHA/*1 ok proteste 2

Nga Tirana dhe nga gjithë Shqipëria, shqiptarë të ndershëm, shqiptarë të lirë, bashkimi më i madh popullor që ka njohur ndonjëherë ky vend, është derdhur sot këtu në këtë shesh, sheshin e lirisë, sheshin e protestës, sheshin e vendimit të madh për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët.1 ok basha5

Mirësevini!

Ne jemi mbledhur sot këtu, ju keni ardhur sot këtu, sepse kjo qeveri e ka çuar vendin në mjerim, në varfëri dhe kaos, dhe tani që ju ka vjedhur gjithçka nga xhepat dhe shtëpitë tuaja, do t’ju vjedhë edhe zgjedhjet.

Ju të gjithë e dini mirë këtë.

Ju, ne jemi mbledhur sot këtu për të thënë: Boll më! Boll kemi duruar ato që durojmë përditë që kur erdhën këta në pushtet.

Sot, ne nisim rrugëtimin drejt një fillimi të ri për të cilën vendi ka kaq shumë nevojë, për të cilin ka nevojë kaq shumë çdo shqiptar, për të cilin ka nevojë çdo fëmijë, i ri dhe e re.

Sot jemi këtu për ta shpallur këtë vendim me zë të lartë: Po, duam zgjedhje të lira dhe të ndershme!

Duam ndarjen e politikës nga krimi!

Duam dinjitet!

Duam drejtësi!

Duam punë!

Duam ta vëmë interesin e njerëzve të thjeshtë të parin!

Duam një të ardhme dinjitoze që na bën krenarë për vendin tonë!

Duam shpresën, shpresën që po lind, nga ky bashkim më i madhi në historinë e shqiptarëve.

Vendimi për të ndalur maskaradën e grabitjes së zgjedhjeve

Sot jemi të bashkuar në këtë shesh sepse nuk e pranojmë dot më këtë gjendje; jemi të bashkuar sepse kemi besim se mund të ndërtojmë një jetë dinjitoze; jemi të bashkuar nga alarmi kombëtar dhe ndërkombëtar se pushteti i korruptuar dhe kriminelët duan të vjedhin zgjedhjet e ardhshme.

Sot jemi bashkuar për të marrë një vendim të madh, vendimin për të ndalur njëherë e mirë maskaradën e grabitjes së zgjedhjeve.

Ose do të bëjmë zgjedhje të lira ose zgjedhje nuk do të ketë.

Rrugë të mesme nuk ka. Rrugë tjetër nuk ka.

Zgjedhjet për fasadë, zgjedhjet e njollosura nuk do t’i pranojmë.

Zgjedhjet e standardeve të krimit në vend të standardeve të Evropës nuk do t’i pranojmë.

Zgjedhje me kriminelë të veshur me pushtet nuk do t’i pranojmë.

Zgjedhje që shtrembërojnë vullnetin tuaj, vullnetin e shqiptarëve nuk do të ketë më në Shqipëri.

Partia Demokratike lindi në rrugë dhe në sheshe, me ju popullin në krah.

Partia Demokratike lindi sepse e deshët ju, qytetarët e këtij vendi.

27 vite më parë, shqiptarët kishin nevojë për një lëvizje të madhe demokratike.

Sot, ne prapë kemi nevojë për një lëvizje të madhe kombëtare dhe demokratike.

Kjo qeveri palaçosh ka dështuar! Ju e dini këtë!

Kjo mazhorancë është një dështim total! Ju e vuani këtë!

Ky kryeministër është turpi i vendit! Ju e shihni këtë!

Garanci që qytetarët të ndihen të mbrojtur

Sot, ne nisim kthimin e Shqipërisë, sot ne nisim kthimin e vendit tonë në rrugën e sigurtë drejt të ardhmes.

Unë jam këtu, me ju, sepse dua që ju, njerëzit e lirë, shqiptarët e lirë, të jeni të parët për qeverinë e re që duam të kemi për Shqipërinë tonë.

Unë dua që ju, të jeni krenarë për vendin tuaj. Unë dua që ju të jeni e të ndiheni të sigurtë. Unë dua që ju të jeni e të ndiheni të mbrojtur. Të mbrojtur nga arroganca. Të mbrojtur nga padrejtësia. Të mbrojtur nga varfëria. Të mbrojtur nga korrupsioni dhe krimi. Të mbrojtur nga propaganda. Të mbrojtur nga ky sistem i pashpirt e i padrejtë.

Po, jam sot këtu sepse dua t’ju mbroj nga politika që i shërben krimit dhe jo ju. Politikanët e lidhur me krimin po e shkatërrojnë vendin. Ata po ju shkatërrojnë jetën. Droga nuk është e ardhmja e Shqipërisë. Korrupsioni nuk është e ardhmja e Shqipërisë.

Krimi i organizuar nuk është e ardhmja e Shqipërisë. Papunësia nuk është e ardhmja e Shqipërisë. Varfëria nuk është e ardhmja e Shqipërisë. Emigrimi nuk është e ardhmja e Shqipërisë. Kjo qeveri nuk është e ardhmja e Shqipërisë! Bashkëqytetarët e mi, Shqipëria po shkatërrohet. Shqipëria po shkatërrohet sepse ky sistem nuk punon. Shqipëria po shkatërrohet sepse kjo qeveri nuk punon për njerëzit. Ata punojnë vetëm për veten e tyre, vetëm për xhepat e tyre.

Ata dështuan për të sjellin një jetë më të mirë për shqiptarët. Një grusht pushtetarësh dhe kriminelësh, po gëzojnë gjithçka, ndërsa shqiptarët po marrin rrugët e botës. Shqipëria është bërë sot hambar i krimit dhe i drogës.

Ata dështuan dhe mashtruan me 300 mijë vendet e punës. Ata dështuan dhe mashtruan me shëndetësinë falas. Ata dështuan me demokracinë e vërtetë. Dështuan me lirinë e vërtetë.

Si mund të jenë të lirë njerëzit kur kanë frikë për të nesërmen? Frikë për të ardhmen e fëmijëve.

Frikë për shëndetin. Frikë se do të humbasin ose nuk do e gjejnë kurrë një vend pune.

Frikë nga taksidari që u vjen tek biznesi dhe ua mbyll. Frikë nga kriminelët e veshur me pushtet.

Frikë për të votuar të lirë.

Frikë se do t’ju duhet të lënë shtëpitë e tyre, për të nisur një jetë të vështirë, plot të panjohura në emigracion.

Qeveria Rama detyroi 300 mijë shqiptarë të braktisin vendin

Kjo qeverisje ka detyruar 300 mijë shqiptarë të braktisin vendin, kjo duhet të marrë fund!

Ne kemi qenë në pushtet dhe kemi qeverisur. E dimë sa e vështirë është. E dimë që duhet kurajo, për të marrë vendimin e duhur, çdo ditë. Ne u përpoqëm ta përmirësojmë jetën për njerëzit. Në fakt ne e bëmë këtë.

Ne e vendosëm Shqipërinë në vëmendjen ndërkombëtare, e futëm në NATO, hoqëm vizat. Ne punuam fort për të ruajtur vlerat tona, lirinë, taksat e ulëta, investimet madhore në infrastrukturë.

Ne punuam për të mirën e vendit tonë.

A bëmë mjaftueshëm? Jo. Por a e shkretuam vendin kështu? A lamë fatin tuaj në dorë të krimit dhe kriminelëve? Jo.

A jemi ne ndryshe nga këta? Po!

Sot, dua të ndaj diçka me ju dhe mendoj se ka ardhur koha ta dëgjoni. Unë jam gati!

Jam gati, t’ju udhëheq në rrugën që na nxjerr nga ky kaos- drejt së ardhmes. Jam gati të ndërtoj me ju, për ju, një shoqëri të re, një vend të ri, një të ardhme të re për çdo shqiptar të ndershëm.

Po, jam gati. Sot, më shumë se kurrë. Tani, kam një pyetje të thjeshtë për ju, për ju qindra, mijëra shqiptarë në këtë bashkim më të madhin popullor në histori dhe për shqiptarët anembanë vendit:

A jeni gati të luftojmë bashkë? Të luftojmë bashkë për Shqipërinë? Të ngrihemi bashkë për zgjedhje të lira?

Për të shporrur qeverinë e krimit, për të shporrur qeverinë e korrupsionit.

Bashkë për një qeveri të njerëzve? Bashkë për një qeveri të qytetarëve? Le të nisim sot, jo nesër. Sot, sot, sot, lëvizjen e madhe kombëtare dhe demokratike për të cilën Shqipëria ka kaq shumë nevojë. Sot, qëndroj këtu bashkë me ju për t’ju dhënë fjalën se do të punoj pa pushim për të përmbushur aspiratën tonë të përbashkët që gjithsecili prej jush të bëjë realitet ëndrrën e tij për një jetë më të mirë për veten tuaj dhe për familjen tuaj.

Sot është dita kur nisim marshimin drejt këtij qëllimi! Ky qëllim është më i madh se gjithsecili prej nesh. Më i madh se qëllimet e një partie politike. Më i madh edhe se qëllimet e koalicionit tonë. Shumë më i madh se rrotacioni politik i radhës nga e kuqe në blu apo nga blu në të kuqe.

Sepse ka të bëjë me vendin tonë. Sepse ka të bëjë me njerëzit tanë. Ka të bëjë me të ardhmen tonë. Ka të bëjë me vendimin që ne vetë, ne vetë dhe askush tjetër të mos vendosë për fatin tonë! Miqtë e mi, gjithçka në jetë varet nga vendimet që ne marrim.

Sot, bashkë do ta marrim një vendim të madh! Ky vendim është në dorën tuaj.

Kjo që po ndodh në Shqipëri nuk është fatalitet i pashmangshëm.

Ju, njerëzit e thjeshtë të këtij vendi, e keni shkruar një herë historinë.

Unë e mbaj mend si të ishte dje, 8 dhjetorin 1990, atë ditë ne morëm një vendim, vendimin se nuk mund të vazhdonim më si më parë.

Vendimin për t’u ngritur kundër krimit dhe tiranisë shtetërore, vendimin për të zgjedhur lirinë! Sot unë dua që ju, të gjithë bashkë, të marrim një vendim tjetër të madh. Thellë brenda vetes, e dimë se kështu nuk mund të vazhdojmë më.

Sot, ne vendosim:

Ose vendi do të vazhdojë kështu, dhe ne do të zhytemi përditë e më shumë në varfëri dhe kaos;

Ose ne, do të hapim një derë të re drejt të ardhmes, një derë që na çon në një fillim të ri për vendin tonë, mundësi të reja për një jetë më të mirë. Ky është një vendim i madh, sepse është një vendim i vështirë.

Ky vendim kërkon nga të gjithë ne këtu në këtë shesh dhe anembanë Shqipërisë të zgjedhim mes frikës ose kurajos, mes indiferencës ose përgjegjësisë, mes oportunizmit ose sakrificës.

Në shesh deri në krijimin e një qeverie teknike

Unë kam vendosur të zgjedh kurajon! Unë kam vendosur të zgjedh përgjegjësinë! Unë kam vendosur të zgjedh sakrificën! Ka ardhur koha miqtë e mi. Ka ardhur koha të marrim vendimin e madh.

Vendimin për të bërë realitet ëndrrat tona. Vendimin për t’u ngritur bashkë! Vendimin për të vrarë frikën dhe për të zgjuar shpresën për të cilën Shqipëria sot ka nevojë. Vendimin për të caktuar vetë fatin e fëmijëve tanë.

Vendimin për të shpallur se ky vend i lashtë ka çfarë t’i ofrojë popullit të vet, ka çfarë t’i ofrojë Evropës.

Vendimin për të vënë punën e ndershme, mirëqenien, demokracinë e vërtetë, në themelet e reja të Shqipërisë.

Vendimin, miqtë e mi, për të bashkuar, për të bindur, të gjithë ata që e duan Shqipërinë me zemër.

Vendimin për të dekriminalizuar shtetin, vendimin për të zhdukur ekonominë e drogës, vendimin për t’u kthyer njerëzve fuqinë ekonomike, vendimin për t’iu kthyer njerëzve pushtetin.

Ne do të qëndrojmë këtu në këtë shesh derisa të sigurojmë njëherë e mirë zgjedhje të lira e të ndershme.

Ne do të qëndrojmë në këtë shesh dhe nuk do të lejojmë zgjedhje fasadë me këtë qeveri të kapur nga droga dhe krimi.

Unë do të qëndroj këtu në shesh. Ju ftoj të gjithëve të qëndrojmë së bashku!

Të qëndrojmë së bashku për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat vijnë vetëm përmes shporrjes së qeverisë së krimit dhe një qeverie teknike të zgjedhjeve të lira.

Ky është vendimi im.

A është ky vendimi i të gjithëve këtu sot?

Fitorja është në zemrën e gjithsecilit prej jush!

Kjo do të jetë fitorja më e bukur sepse do të jetë fitorja juaj!

Ne ngrihemi bashkë!

Ne fitojmë bashkë!

Shqipëria fiton me ne!

Zoti ju bekoftë ju!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

  • Fjalimi i Shefit të Opozitës, Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në protestën e 18 Shkurtit.

Filed Under: Featured Tagged With: 18 shkurt 2017, fjalimi ne proteste, Lulzim Basha

Jehona e protestës

February 18, 2017 by dgreca

Nga Reshat  Kripa/

1 basha-protestuesit1-696x464

Duke qenë pjesëmarrës në këtë protestë madhështore kundër pushtetit të bandave dhe korrupsionit,parasyve më del ajo pamje e tmerrshme e atyre viteve të errëta të kaluara në periudhën e zezë të sundimit komunist. Mbi të gjitha më dalin para syve figurat e ndritura te atyre burrave te shquar, ajkës së kombit shqiptar, që shkuan para plumbit dhe litarit me thirrjen : “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi”. Më dalin figurat e papërsëritura të atyre që më mirë pranuan prangat e rënda të burgut se sa lirinë e dhunuar. Më dalin figurat e atyre mijra grave heroina dhe fëmijve të tretura thellë nëpër kampet e tmerrshme të internimit.

Para syve më dalin figurat e mbi 6.000 të vrarëve me dhe pa gjyq. Më dalin figurat e mbi 10.000 të vdekurve nëpër burgje dhe kampe internimi.  Më dalin  figurat e  mbi 17.000 të burgosurve politikë dhe mbi 100.000 të internuarve nëpër kampet e vdekjes.

Më dalin këto pamje dhe nga zemra më shpërthen një thirrje: “Mos harroni”!                                    Mos harroni të rënët tanë, por mos harroni edhe ata që i vranë, pasi ata dhe pinjollët e tyre janë  sot  në krye të shtetit  dhe një nga këta është edhe Kryetministri Edi Rama.                                          Mos harroni të burgosurit dhe të internuarit politikë, por mos harroni edhe ata që i burgosën dhe i internuan, pasi ata vetë dhe pinjollët e tyre sot po pwrpiqen t’i bwjnw varrin demokracisë.                Mos harroni vitin e zi 1997 të organizuar dhe drejtuar nga falangat socialisto-komuniste. Mos harroni martirët e rënë në ato ditë të zeza. Mos harroni Bujar Kaloshin, Lekë Çokun, Besnik Hidrin, Bashkim Shkurtin, Fredi Shehun, Besim Manolin, Gëzim Shabanin, Gjergj Mehmetin, Azem Hajdarin, Besim Çerën, Adem Shehun, Skënder Kalenjën dhe plot të tjerë bij nënash të familjeve të përndjekura dhe demokrate.

Mos harroni se kur votohej ligji “Për dëmshpërblimin financiar të të përndjekurve politikë”, me urdhër të Edi Ramës dolën nga salla e kuvendit deputetët socialistë, ndërsa sot ky kameleon hipokrit pretendon se qenka në krah të tyre, madje krijon edhe një parti me të ashtuquajtur të përndjekur politikë në krye të së cilës emërohet një renegat i kësaj shtrese që ka mohuar edhe paraarsdhësit e tij.           Mos harroni se po me urdhër të Edi Ramës, deputetët socialistë dolën përsëri jashtë kuvendit kur dikutohej ligji i  lustracionit të hartuar nga Partia Demokratike, që do të flakte jashtë politikës ish-prokurorët, ish-gjykatësit dhe ish-bashkëpunëtoret e sigurimit të shtetit dhe sot ka miratuar një ligj sipas të cilit këta kriminelë vazhdojnë të jenë në krye të komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë, në krye të qeverisë, në krye të administratës shtetërore

Ndaj le të ngrihemi të gjithë për t’i thënë  “Jo” pushtetit të kriminelëve që kanë zaptuar shtetin. T’i themi “Jo” korrupsionit që mbizotëron në vendin tonë. T’i  themi “Jo” mashtrimit dhe hipokrizisë shtetërore. Ti themi “Jo” drogës dhe trafikimit. T’i themi “Jo” blerjes dhe vjedhjes së votës së lirë.      Le t’i themi “Po” rivendosjes së shtetit ligjor të së drejtës. T’i themi “Po” rivendosjes së të drejtave të njeriut. T’i themi “Po” Shqipërisë europiane.

Para syve më dalin vargjet e pavdekshme të poetit të madh Ali Asllani që shkruante:

“Grushti do të bjerë mbi kokat e zuzarëve,

  Koha është e maskarenjve,

              Por Shqipëria  është e shqiptarëve!”

Po, Shqipëria është e shqiptarve dhe ata të bashkuar do të dinë të përmbysin hienat komuniste në pushtet!

 

Filed Under: Politike Tagged With: Jehona e protestës, reshat kripa

DRITËROI NË BURGOLOGJINË E VISAR ZHITIT

February 18, 2017 by dgreca

ferri-i-care

1-Dritëro-Agolli-300x229 

Në librat “Rrugët e Ferrit” dhe “Ferri i çarë”, të botuara para ca vitesh, që autori i tyre, Visar Zhiti, i quan me neologjizëm “burgologji”, ndër të tjera gjejmë dhe copëza rrëfimesh për shkrimtarin Dritëro Agolli e të tjerë, të cilat dëshmojnë, mbase më mirë se një intervistë sot, të vërteta dhe ndjesi, me realizëm dhe sinqeritet, të vendosura në kohën e tyre, që japin dhe një aspekt origjinal të vetin dhe spontan në diskutimet e shumta e kontraverse për Dritëroin, në ditët pas shuarjes së tij.

Po vendosim nëntituj të tjerë për t’u kuptuar më mirë gjatë rileximit të tanishëm të copëzave, të nxjerra nga librat e sipërpërmendur. 

NË BIRUCË:

…Nuk duroheshin poezitë e dashurisë, pa një të dashur. Ishin si përqafimet e pardesysë. Naim Frashëri – si ato retë përmes hekurave. Larg. Ndërsa poetët e tanishëm, ata që shkruanin në Tiranë, dukej se nuk e kishin idenë e vuajtjes. Shpirtpërzënë. Përsëritja poezinë e Dritëro Agollit për nënën, Hatixhenë e urtë, ngaqë ishte dhe kushërirë me nënën time, dhe rënkoja së brendshmi… Më kishte marrë malli për jastëkun e saj. Mbahu, bre, mos ki dert, burgu për burra asht, do të më thoshin poetë nga Kosova. Shkreli. Podrimja. Vinca. Ç’kisha mundur të lexoja. Thërrisja në heshtje. Thirrja ishte si ndihma e shpejtë.1-Visar

*  *  *

– Po kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dritëro Agolli, ç’mendonte për ty? – u bë dinak hetuesi se mos nxirrte ndonjë gjë nga përzierja e inatit tim me dëshpërimin.

– Ai e ka parë librin tim dhe e ka pëlqyer. Më dërgoi edhe një letër inkurajimi. (Mos po rrëfej si shumë? Kujdes!) Duke qenë poet komunist, atë duhet të besoni.

– Ne e besojmë, por jo për ty. Dritëro Agolli s’të ka njohur… Vazhdojmë. Pse Xhevahir Spahiu donte të të botonte një cikël të dytë poetik brenda vitit në revistën “Nëntori”? Për ku po të niste? Në ballë, si veten? A nuk i ka mjaftuar kritika që udhëheqësi ynë       i dashur, shoku Enver Hoxha, i ka bërë? Dhe ty s’të mendoja kaq të gënjyeshëm, kalama. Po ku e di ti, mor i zi, se si bëhet përpara! Me ne flitet ndryshe, s’është redaksi këtu. Por edhe redaksitë janë tonat… Apo aq kuptoni ju, poetucët? – Hetuesi heshti. – Në të vërtetë, – shtoi pas pak, – autopsinë tënde, siç i thua ti aktekspertizës, e ka bërë një tjetër, miku yt… – përfundoi dhe buzëqeshi, ngaqë ia arriti të më çorodiste. – Ik! Ik!

 

*  *  *

 

– Por ty të kërkuan dhe për shkrimtar, renegat! – m’u vërsul prokurori, megjithëse në moshë, por e mbajti hetuesi: “Rrini, mos u shqetësoni ju, se e ndreq unë”.

Për se do ta kishte fjalën, kur thoshte se më kishin kërkuar për shkrimtar? Ëhë, ngaqë në gazetën “Mësuesi”, ku kishin dalë disa shkrime të miat e ishin pëlqyer, m’i botonte gruaja e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve, Dritëroit, që punonte atje, kishin kërkuar të bëhesha gazetar. I plotësoja kushtet, kisha bërë 5 vjet mësues fshatrave.

 

 

 

NJË TJETËR SHKRIMTAR NË BURG

.

…i futi në një si tub të gjerë hekuri, të cilit tubisti i burgosur i saldoi kapakë… si i beson atij? – nuk më tradhton mua ai, se e di ç’e gjen, le që ngelet personazh negativ përjetë…  hapën një gropë dhe i futën në një vend sekret në minierë, nën dhé. Do të vinte t’i merrte kur të binte komunizmi. Fantastik, ë, me këtë besim të mrekullueshëm e të frikshëm njëherësh!

Dhe iu kthye poezisë, me strofa të rregullta, me rima, me një thjeshtësi si të Dritëroit, mos ma kujto, më tha, kur po i lexoja dhe ato. Poezisë nuk i ruhej dhe aq shumë. Jo se janë më pak të rrezikshme, por kuptohen më pak. Na ndihmon dhe kjo, përsërita unë, këtu nuk na marrin shumë seriozisht.

Edhe ato ndoshta i bëri rul dhe s’dihej ku i fshehu.

RRËFIMI I NËNËS SË TË BURGOSURIT:

.- Po unë shkova atëherë, – vazhdoi nëna, – takova (N)Dritëronë – i vinte një “n” përpara emrit të kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, ashtu si nga anët e saj, – i vajta në shtëpi, edhe djalit të kryeministrit, atij që shkruan, i shkova në punë, ndala dhe Ismail Kadarenë në rrugë…

Shtanga. Nuk e dija. Si do të ketë folur me ta kjo grua e urtë shtëpiake, e gjora, që s’lexon dot një libër vetë tani e megjithatë “Perëndesha ime e Mbrojtjes”, po, po, kështu kam thënë në poezinë që kisha bërë me mend në qeli dikur! E ka ajo tani, në gji, mbase Shpëtimi…

– Por para meje, – vazhdonte të tregonte nëna, – kishte ikur ai… me vrap, nga Lushnja në Tiranë, lajmëroi që ishe arrestuar, që të t’i hiqnin poezitë nga revista… ç’pati? – apo nga që shkruan edhe vetë, po ti mos u mërzit…

Dritëroi, Kadareja, djali i kryeministrit…

(vazhdon rrëfimi i Nënës)

 ferri-i-careMe të marrë haberin e keq se ma arrestuan djalin e vogël, thashë se luajta nga mendtë. E kisha andej larg, në Kukës, mësues maleve. Ç’heq tani, korba unë, o Zot, mos i lër të ma torturojnë, mbajua dorën! (I dridheshin buzët dhe zëri.) Thashë të hidhesha nga dritarja a te rrotat e makinave. Po i duhesha shtëpisë, fëmijëve, djalit në burg. Nuk na i ndanë burgjet, që u shofshin! As e dinim pse e arrestuan dhe as na rrëfenin. Nga t’ia mbanim? Lushnja bënte sikur s’dinte gjë, beqim s’dinin vërtet, veç erdhën dhe na kontrolluan ca civilë, i dija të komunales. I morën djalit 39 fletore e blloqe me vjersha e me kudiunë se ç’shkruante, e zeza! Qysh jam gjallë! Prandaj do të ma kenë zënë, thashë. Të iknim në Kukës, po ku? Në Degën e Punëve të Përbrendshme, kalli flamën si i thonë, po ata s’bëjnë pa urdhrin e Tiranës. Dridhesha si purtekë. Qaja. Kujtoja burgun e burrit, e njihte gjithë qyteti, i nderuar, e donin, shkruante dhe dilte në skenë, në teatër. Po ku pyesin këta, luftë klase ulërijnë, duan gjak. I ka mësuar ai sojzëzi, Stalini, që ia nxjerrtë kockat qeni! Plaçkat e tim shoqi, që m’i kthenin kur i çoja bukën, që s’ia jepnin, të poshtrit, gjë prej gjëje, i gjeja me thonj brenda, me dhëmbë të përgjakur, të shkulur me darë, siç e torturonin, m’i tha më vonë ç’hoqi, por u bëri ballë. Kunatin ma vranë, e hodhën shkallëve gjatë hetuesisë, arsimtar ishte, se ata të grupit të deputetëve do të lidheshin me të, thoshin. As varri s’i dihet. Atë që kisha si vëlla e si baba, që më rriti mua, jetimen, e pushkatuan. Prefekt në Gostivar e Tetovë kishte qenë. As varri s’i dihet as atij. Po varr është kudo. Tani më morën djalin. Pse? Pse? Korba unë! Vjersha bënte, s’bënte gjëra të liga. Dhe ika me një frymë në Tiranë… Po ai pse lajmëroi që t’ia hiqnin vjershat nga revista? Dhe mik, pse kështu është miku? Se, po t’i dilnin, mbase ia lehtësonin dënimin. A ia bënin më të rëndë, e ku i dihet?… Eh, desha t’u thosha shkrimtarëve që donte djali im, që kishin emër, që ai… E ç’t’u thosha, xhanëm? Ndritëronë e kam dhe kushëri, kryetar i shkrimtarëve është, i Partisë, me autoritet, i çqonjtur.

 I vete dreq e në shtëpi. Tek ai pallati në qendër, kubist a ç’i thonë, me arkitektin në burg. Trokëlliva në derë herët në mëngjes. Sikur ndjeva hapat e Hatixhesë, s’ëmës së Ndritëroit. Më pritën mirë, me pije e kafe. “Rri”, – më thanë. U qava hallë. Ndritëroi mezi fliste, s’e di a e dinte, po u trondit. “Nuk të futin kot në burg, – më tha, – marrin informata. – Shokët t’i zgjidhte. Vjershat ia kam lexuar, më kanë pëlqyer, po ashtu janë vjershat, si të duash, të mira, të këqija. Do të shkoj dhe te prokurori i përgjithshëm, do t’ia them…” “Dritëroi përpiqet, por s’ka ç’bën, – tha Sadija, e shoqja, kur mbetëm vetëm. – . Ja, unë kam një njeriun tim në burg, dhe ordiner, por s’e nxjerr dot… Ne ia dhamë dorën, por ai…” Cili? Ika e hutuar. Ma bëni hallall shqetësimin, u thashë. Të na vish, sa herë té duash, – më thanë, – ne ju duam.

Mora urbanin për në Kinostudio. Kisha Ilirianin me vete, se ku i gjeja dot unë. Tirana është bërë e madhe. Kërkova Bashkim Shehun, të birin e kryeministrit, shkrimtar në vërsën e djalit tim është, e donte im bir, pavarësisht se Mehmeti na kallte datën, na shoi me partinë. “Ai është”, – më thanë. Sa zbriti nga autobusi, e ndala. Ia thashë. I erdhi keq dhe u zbardh në fytyrë. “Atje ku ka hyrë tani ai, – vazhdoi, – unë s’bëj dot gjë. E kam të ndaluar, të pamundur. Po më pyetën, do të flas mirë, ashtu siç e kam njohur.” Dhe u ligështua në fytyrë. Më përqafoi. U vra i ati, vetë a e vranë, dhe e futën në burg, s’e di a është takuar me tim bir, i shkreti.

Shkova prapë në Tiranë, kërkoja Ismail Kadarenë. Më thanë kur vinte në atë kafenenë e shkrimtarëve, jo, klub a lidhje, se s’ia angllandis dot emrin, ku mblidhen dhe llafosin, dhe pinë kafe. E dija atë pallat, është martuar Mbreti aty.

Prita ca më lart, tek sheshi. U ngjita më lart. “Po vjen”, – më tha Iliriani, që e kisha në krah. E ndala vetë, ia thashë hallin. U ndie ngushtë. Më vuri dorën në sup. “Mbahu”, – më tha. “Ç’të mbahem, – i thashë, – dhe ku?” U kthye nga e shoqja. I tregoi për mua. Se si më vështroi ajo, me dëshpërim, si ca ikona. – “S’jam në gjendje ta ndihmoj dot, besomë, jam vetë keq e s’e di kush mund të bëjë tani, – po më thoshte ai. – E takove kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve? Unë s’mundem, se… – ah, ia mbaj mend fjalët, – kurajë, – dhe bëri duart kështu, – bëftë Zoti”, – më tha, më përqafoi edhe ai dhe u ndamë… Sa e donte djali im!

Përmes lotëve pashë nga statuja e madhe e Skënderbeut. T’i lutesha atij, ndoshta ishte më pak i ngurtë se njerëzit. Për se e mbante atë shpatë? Ngrita kokën nga qielli. Lëvizi. M’u rrotullua. Sa larg është Zoti nga ne, na ka harruar. Po s’i prishëm ne kishat dhe xhamitë, jo, por shteti i komunistëve, që u përmbystë e i zëntë nën vete! Zëvendësuan kishat dhe xhamitë me komitete partie dhe komitete ekzekutive dhe… na ekzekutojnë.

“E ndihmoftë Zoti!” – më kishte thënë Kadareja, mirë, mirë, po ku ta gjeja? E di që është i madh! Aty kemi shpresa, ai është ngushëllimi ynë, por këta s’e lënë as Zotin. S’kanë… Jeta është e shkurtër e këta ta shkurtojnë më shumë, por unë s’do të vdes, do t’i lë mënjanë sëmundjet dhe kusuret e mia, do të mbaj gjallë tim bir, çmosin do të bëj… dhe ai shkruan prapë në burg, fshehurazi. Ruama, o Zot! Atë dhe vjershat e tij.

 

 

PAS BURGUT… DERI NË PARLAMENT.

 

Ç’po lexon tani?

– Pak.

– Shkruan më? – Për fat nuk priti përgjigje, por vazhdoi të fliste. – Ti duhet të botosh, mjaft mbete i ndaluar. Këto punë i kemi ne në dorë, e di?

– E di, – thashë.

– Kush të pëlqen më shumë Dritëroi apo Kadareja? – u hodh ai që thirrej herë pas here “shef” me ndjesinë se po m’i gjente telat. – Edhe ne lexojmë ca, – shtoi, – por s’na lënë punët e shumta, armiq ka shumë, me gjithë punën e madhe edukuese që bën Partia, ata shtohen. E pe ç’ishte të jesh armik. Ti s’je më tani. Po s’më the, kë pëlqen më shumë Dritëronë apo Kadarenë?

– I lexoj të dy… me kënaqësi, – thashë.

       – Intelektualët tanë pëlqejnë Kadarenë më shumë, – vazhdoi ai, – këtë informacion kemi, edhe unë jam intelektual, për biokimi kam studiuar atje ku ke studiuar edhe ti, mësues kam qenë si ti, pastaj operativ në zonë dhe tani jam nënkryetar dege. Nevojat e atdheut. (Atje ku i bëhet nevoja atdheut, e ktheja unë shpesh me vete, kur e dëgjoja këtë slogan.) Mua vetë më pëlqen Dritëroi, është popullor, – po dëgjoja turbull llomotitjet e tij. Po sa do të zgjatë kjo? Do të doja të klithja: “Mjaft! Duaji sa të duash ata të dy! Thuajmëni ç’keni planifikuar, t’ju them ç’kam ndër mend; ju bëni tuajën, unë timen dhe…” – A vijnë njerëz në shtëpinë tënde? – ndërroi rrjedhën e bisedës shefi.

 

 

*  *  *

 

Kisha pasur dhe një letër nga Dritëroi, para se të më burgosnin, por nuk po e gjeja dot, ndoshta ma kishin marrë gjatë kontrollit në shtëpi, por shpresoja të mos më kishte humbur.

Më vinte çudi që më ishte përgjigjur, se i kisha shkruar si kryetar i shkrimtarëve për dëshpërimin tim në lidhje me poezitë. E lexoja shpesh atëherë, shkruar me dorë, me stilograf të trashë. Më jepte kurajë dhe më thoshte se vlerat nuk humbin, pavarësisht nga vështirësitë, që i kalon kushdo. Çdo libër i ri më emocionon si i pari, i kuptoj ndjenjat e tua, më shkruante, por bëj durim.

Emri, firma e tij, që më jepnin një si ngrohtësi. Por rashë më keq, fare në ferr dhe i humba të gjitha.

Fshehurazi prisja që porosia e tij në letër të ishte e vërtetë, më e vërtetë se ai si kryetar, porosi poeti. Po, unë jam komunist, thotë ai tani i zhgënjyer dhe i dëshpëruar. Pikërisht zhgënjimi i tij, ai dëshpërim janë më të çmuarat për poezinë. Përballë hipokrizive të tjera përreth, mashtrimeve dhe pabesive, ai, si i tërhequr disi, mbetej më njerëzor. Me mllefin e kundërshtarit. Por ai është poeti, i përsërita vetes, shiko ato që ka shkruar, në të pëlqefshin, kjo ka rëndësi, paçka se ndonjëherë i vërsulet edhe ai letërsisë që po del nga burgjet, e mo, i futën në burg ja ashtu…

– Si? – e pyeta, kur ai ishte deputet dhe unë punoja në Parlament, po pinim nga një gotë atje ku ka qenë selia e Fan Nolit. Edhe ai kishte bërë një revolucion allabolshevik, u pendua, iku, u vesh prift dhe më rëndësi i jepte të qenit përkthyes i Shekspirit sesa kryeministër-llëkut. Kjo prapashtesa turke “llëk” është e pazëvendësueshme në ca raste, – i thashë Dritëroit.

– Do të doja të kisha qenë burg, – m’u përgjigj ai i dëshpëruar. – Nuk më futnin.

– Jo të gjithë e meritojnë, – bëra shaka unë.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Burgollogjia, Dritero Agolli, Visar Zhiti

Nëntë vjet shtet

February 17, 2017 by dgreca

Nga Zijadin Gashi/


Kosova shënon sot nëntëvjetorin e pavarësisë së saj. Shteti më i ri evropian vazhdon të mbetet i izoluar, pa liberalizimin e vizave, por “krenohet” me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si hapin e parë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Me gjithë ngecjet në funksionimin e saj si shtet, për këto nëntë vjet, Kosova identifikohet në botë me shumë figura të sportit e kulturës, si “ambasadorët” më të mirë të saj.

Fitorja e xhudistes Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike në Rio

Fitorja e xhudistes Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike në Rio

Xhudistja Majlinda Kelmendi, është kurorëzuar me titullin kampione bote dhe kampione olimpike. Shumë futbollistë nga Kosova, sot janë idhuj të adhuruesve të sportit më të popullarizuar, qoftë në Zvicër, Shqipëri deri në sknadinavi.Kurse, në botën e muzikës, Kosova sot admirohet në mbarë botën kur përmenden emrat si Rita Ora, Dua Lipa apo Era Istrefi.Por, tregimi i bukur për Kosovën, zbehet kur shihet ana tjetër e zhvillimit të brendshëm, funksionimit të institucioneve dhe pafuqia në vendimmarrje.Edhe nëntë vite nga shpallja e pavarësisë, Kosova po përballet me sfidat e shtrirjes së sovranitetit në pjesën veriore, të populluar nga shumica serbe, ku ndikimi i Serbisë mbetet ende i fuqishëm.Kurse në planin e jashtëm, Kosova ende nuk e ka rrumbullakuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar, duke mos e vën në plan afatshkurtë mundësinë e anëtarësimit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.Kosova, ka proklamuar si orientim integrimet euro-atlantike. Por, evropianët e rinj, mbeten më të izoluarit e Evropës, jashtë procesit të liberalizimit të vizave. Kurse proklamimi për integrime evropiane, sfidohet bindshëm nga pesë vendet anëtare të BE-së të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ndërhyrjet e Serbisë në pjesën veriore, mbajtja e strukturave paralele të pushtetit dhe diplomacia agresive kundër shtetit të Kosovës, kishte shtyrë BE-në që në vitin 2011 të niste një dialog midis Prishtinës dhe Beogradit, i cili si synim ka normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Dialogu, po vazhdon ende, por përmbyllja e procesit me normalizim të marrëdhënieve nuk duket të jetë afër.

Paraprakisht, Kosova kishte fituar betejën e parë ndërkombëtare ndaj Serbisë, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 22 korrik të vitit 2010 kumtoi verdiktin, sipas të cilit, shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte legjitime dhe në harmoni me të Drejtën Ndërkombëtare.Në aspektin e brendshëm, dy vitet e fundit Kosova ndodhet buzë kolapsit në vendimmarrje. Raportet pushtet – opozitë, kanë rrezikuar seriozisht vendimmarrjen, madje edhe për çështjet e cilësuara si interes nacional, siç është liberalizimi i vizave, për çka pushteti dhe opozita nuk arritën të vendosin as një komunikim normal për tejkalimin e krizës.Krahas funksionimit jo efikas të institucioneve, mungesa e sundimit të ligjit, sidomos në planin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit mbeten kritere ende të papërmbushura në nivelin e kënaqshëm, çka potencohet edhe nga Bashkimi Evropian.

Në raportin e fundit të Transparency International, Kosova rënditet vendin e 95-të, në mesin e 178 vendeve të vlerësuara. Luftimi i kësaj dukurie është po ashtu kusht që Kosova të marrë liberalizimin e vizave.Me një rritje ekonomike prej rreth 4 për qind, Kosova nuk po arrinë të zbus papunësinë dhe varfërinë.Sipas shifrave zyrtare, shkalla e papunësisë në Kosovë arrin në 26.2 për qind. Kurse, për çdo vit, në tregun e punës hyjnë 25 deri 30 mijë të rinj. Ndërkohë që shifrat jo zyrtare, flasin për një shkallë shumë më të lartë të papunësisë.

17 shkurt 2008, në pritje të shpalljes së pavarësisë

17 shkurt 2008, në pritje të shpalljes së pavarësisë

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, duke i dhënë fund një kapitulli të gjatë të shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë.

Deklarata e pavarësisë, u bazua në Planin Gjithëpërfshirës të presidentit Marti Ahtisaari, si dokument i koordinuar mes autoriteteve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian, që e njohën shtetin e Kosovës.

Shpalljes së pavarësisë, i kishte paraprirë faza e vendosjes së Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, në qershor të vitit 1999, mbi bazën e rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit, e arritur si kompromis ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe perëndimit në njërën anë dhe Rusisë në anën tjetër.

Vendosja e Kosovës nën administrimin e OKB-së (misionit të UNMIK-ut), pati pasuar konfliktin e armatosur dhe fushatën e regjimit serb të Sllobodan Millosheviqit për spastrimin etnik të Kosovës, nga shqiptarët, çka kishte nxitur fushatën ajërore të NATO-s, mbi caqet serbe.

Festimet e përvjetorit të shtatë të pavarësisë

Festimet e përvjetorit të shtatë të pavarësisë

Andaj, krahas misionit administrues të OKB-së, në Kosovë ishte vendosur edhe forca paqeruajtëse e KFOR-it, e cila vazhdon të mbetet në Kosovë si forcë mbrojtëse, ndonëse aktualisht me një numër shumë më të vogël ushtarësh.

Me gjithëse në Kosovë kishte ndërhyrë NATO, kapitulli i luftës nuk është mbyllur ende.

Në mungesë të funksionimit efikas të sistemit të drejtësisë, Kosova mund të përballet me situata të paparashikueshme këtë vit, për shkak të fillimit të punës së Gjykatës Speciale. Kjo Gjykatë pritet të trajtojë disa krime që dyshohet se janë kryer nga ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj popullatës civile serbe. (REL)

Filed Under: Analiza Tagged With: 9 vjet shtet, kosova

NATO MBETET GURTHEMELI I MBROJTJES SË VLERAVE PERËNDIMORE

February 17, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Në kryeqëndrën e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO në Bruksel u mbajtë këtë javë mbledhja e ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare për të biseduar mbi angazhimin e aleancës perëndimore në luftën kundër të ashtuquajturit “shtet islamik”, në Irak dhe në Siri.  Për herë të parë në një takim të tillë, mori pjesë edhe Sekretari i ri Amerikan i Mbrojtjes në administratën e Presidentit Donald Trump, Xhim Mattis.  Zyra e shtypit e Pentagonit njoftoi se gjatë takimit të tij me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, para se të fillonte takimi i NATO-s me dyerë të mbyllura, Sekretari i ri nato-secretary-general-stoltenberg-and-u-s-defense-secretaryAmerikan i Mbrojtjes nënvijoi rëndësinë e aleancës perëndimore.

Ai theksoi se, “Aleanca e NATO-s mbetet një gurthemel i rëndësishëm si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për komunitetin transatlantik, pasi jemi të lidhur me njëri tjetrin.”  Ai gjithashtu siguroi aleatët se Administrata e Presidentit Trump mbështetë fuqishëm Aleancën Perëndimore.  Siç dihet, kandidati për president Trump, gjatë fushatës elektorale kishte krikituar NATO-n, duke venë në dyshim, sipas disa eskpertëve, angazhimin e plotë të tij si president dhe rrjedhimisht edhe atë të Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës perëndimore.  Prandaj, ky takim në Bruksel, këtë javë, ishte me rëndësi për të siguruar aleatët mbi mbështetjen e vazhdueshme të Washingtonit për NATO-n.   Por, përveç se siguroi aleatët për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s nga ana e Washingtonit, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes përsëriti gjithashtu edhe qëndrimin e administratës Trump se vendet anëtare të NATO-s, të cilat përfitojnë nga mbrojtja më e mirë që ekziston në botë, duhet të japin kontributin proporcional për shpenzimet, në mbrojtje të lirisë dhe të demokracisë në vendet anëtare.  Ai u citua të ketë thënë se, “Nuk duhet të harrojmë kurrë se më në fund është liria, ajo që ne mbrojmë, si anëtarë të NATO-s”.    Ai shtoi kishte në plan të zhvillonte një bisedë të hapët dhe të sinqert me miqët dhe me aleatët mbi të ardhmen e aleancës dhe në lidhje me nivelin e angazhimeve të vendeve anëtare të NATO-s ndaj sigurisë së përbashkët.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg, sipas zyrës së shtypit të Pentagonit, citohet të ketë thënë se, Aleanca Perëndimore sot përballet me “Sfidat më komplekse dhe më të vështira në një gjeneratë”, dhe se këto sfida, sipas tij, nuk mund të zgjidhen pa angazhimin dhe bashkpunimin midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, duke shtuar se drejtë këtij qëllimi, “Mirëpret angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj lidhjeve transatlantike”.

Ndonëse, nga një anë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Xhim Mattis i siguroi aleatët për mbështetjen e Washingtonit ndaj aleancës, ai u bëri gjithashtu thirrje vendeve anëtare që, nëqoftse dëshirojnë vazhdimin e angazhimit amerikan në mbështetje të NATO-s, ato duhet të përmbushin detyrimet e tyre financiare dhe ushtarake për mbrojtjen e përbashkët.  Ai shtoi se me angazhimin e të gjithë vendeve anëtare, NATO do të vazhdojë të jetë “një forcë e vlefshme, e nevojshme dhe konstruktive”, ashtu siç e kishte cilësuar dikur Presidenti Eisenhower.

Ai përmendi sfidat e sigurisë ndaj vendeve anëtare të NATO-s duke theksuar se “Vendet tona përballen me kërcënime në shumë fronte, në periferi të NATO-s dhe mëtej.  Ne duhet të veprojmë në interes të stabilitetit tonë demokratik”, duke shtuar se lidhjet e ngushta transatlantike, “janë jetike për të luftuar ekstremizmin islamik, për të bllokuar përpjekjet e Rusisë që kanë për qëllim dobësimin e demokracive tona dhe për t’i kushtuar një vëmendje më të madhe Kinës”, ka thënë Sekretari Amerikan i Mbrojtjes në takimin e NATO-s në Bruksel.

Gjatë takimit të NATO-s, Sekretari Mattis foli në veçanti edhe për marrëdhëniet me Moskën duke thënë se, “Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleanca e NATO-s po përpiqen të angazhohen për marrëdhënie më të mira me Moskën, njëkohësisht, ne duhet të mbrohemi nëqoftse Rusia vendosë të veprojë në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare”.   Ndonëse jemi të gatshëm të mbajmë hapur mundësitë për dialog, për bashkpunim dhe për uljen e tensioneve, ne, shtoi ai, “Nuk do të heqim dorë nga vlerat e aleancës tonë”, por do i mbrojmë.

Një pjesë të fjalimit ia kushtoi financave dhe detyrimeve të vendeve anëtare për përmbushjen e përgjegjësive ndaj sigurisë së përbashkët.  Taksa-paguesit amerikanë, shtoi ai, “Nuk duhet të paguajnë shumën disproporcionale në mbrojtje të vlerave perëndimore”, duke theksuar se, “Amerikanët nuk mund të kujdesen më shumë se ju për sigurinë e fëmijve tuaj në të ardhmen.   Mospërfillja e gatishmërisë ushtarake provon një mungesë respekti për veten tonë, për aleancën dhe për liritë që kemi trashëguar, por të cilat tani është e qartë se po kërcënohen”, u shpreh Sekretari Amerikan i Mbrojtjes në ministerialin e NATO-s në Bruksel.

Është e vërtetë se gjatë fushatës për president, ishte Donald Trump ai që u kërkoi vendeve aleate të jepnin konributin e tyre, ose dy për qindshin, në barrën për ndarjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes të NATO-s, por kjo nuk është një kërkesë e re nga Shtetet e Bashkuara, pasi është bërë edhe nga presidentët e mëparshëm dhe antarët e Kongresit.   Adminstrata e re amerikane e konsideron këtë si një kërkesë të drejtë, nga e cila siç duket nuk do të heqë dorë, pasi me antarësimin e tyre në NATO, të gjitha vendet anëtare të saj janë zotuar se do të paguajnë 2 për qindshin e prodhimit të brendshëm, si pjesë e përgjegjësive që rrjedhin nga antarsimi.  Shtetet e Bashkuara tani paguajnë rreth 75 për qind të shpenzimeve të përgjithshme ushtarake të NATO-s.  Sekretari amerikan Mattis u tha kolegëve të tij aleatë se duke përmbushur detyrimet ndaj aleancës, “Kombet tona provojnë se lidhjet transatlantike, mbrojtja e vlerave  dhe lirive tona, janë diçka që ia vlenë të mbrohen”, nga të gjithë.

Në takimin e Brukselit, të ministrave të mbrojtjes të aleancës NATO mori pjesë edhe Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli e cila sipas portalit të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë, u tha kolegëve se vendi i saj, “Mbetet e angazhuar të materializojë angazhimet e marra, për një përqasje gjithëpërfshirëse në NATO mbi mbrojtjen e aleatëve.  Ministrja e Mbrojtjes theksoi se Shqipëria i jep një rëndësi të veçantë dhe mirëpret diskutimin mbi rreziqet dhe sfidat që burojnë nga jugu i Aleancës”, thuhet në njoftimin dhe nënvijohet se ajo bëri thirrje që aleanca të mos e harrojë Ballkanin Perëndimor, duke shprehur se “Zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, janë një tregues i brishtësisë së rajonit. Gjithashtu, sipas saj, kjo gjendje po krijohet dhe nga lëvizjet dhe retorika provokuese e Serbisë, si dhe roli destruktiv i aktorëve të tjerë të jashtëm në rajon”.

Takimi i Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes Xhim Mattis me kolegët e tij të vendeve anëtare të NATO-s përveç se rithkesoi vendosmërinë absolute të mbështetjes amerikane për NATO-n, shpresohet të ketë shërbyer gjithashtu si një rast për të shpjeguar deklaratat — shpesh konfuze — të Donald Trump mbi aleancën perëndimore dhe mbi lidhjet amerikano-evropiane, gjatë fushatës presidenciale.  Duket se në të njëjtën frymë, është nisur drejtë Brukselit një delegacion i Kongresit amerikan, i kryesuar nga Senatori republikan John McCain, për tu takuar të premtën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në Kryeqendrën e aleancës perëndimore.   Kongresi amerikan ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin e politikës së jashtme.  Për më tepër, sipas një njoftimi të NATO-s për median, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Stoltenberg do të presë të hënën më 20 shkurt — në Kryeqendrën e saj në Bruksel — Zëvëndës Presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara, Mike Pence.   Dihet se qendrimet e Donald Trump mbi politikën e jashtme gjatë fushatës, dukeshin si një largim nga politika tradicionale republikane mbi lidhjet e forta dhe të ngushta, të kultivuara gjatë dekadave, midis Amerikës dhe Evropës.

Përveç takimeve në Bruksel, Zëvëndës Presidenti amerikan do të marrë pjesë gjithashtu edhe në Konferencën e Sigurisë në Munich të shtunën, ku sipas një zëdhënsi të Shtëpisë së Bardhë — që citohet nga agjencia e lajmeve Reuters — Zëvendës Presidenti amerikan do të sigurojë udhëheqsit evropianë se nga pikëpamja e Washingtonit,  Evropa është një “partner i pa zëvëndsueshëm” për Shtetet e Bashkuara dhe se “Së bashku jemi më të sigurtë dhe më të begatë, kur Shtetet e Bashkuara dhe Evropa janë të forta dhe të bashkuara”, citohet të ketë thënë zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, NATO-gurethemeli, vlerat

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2189
  • 2190
  • 2191
  • 2192
  • 2193
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT